PROF.VIOLETA PIRRAKU BAJRAKTARI: PROF.DR.MUHAMET PIRRAKU – NJË JETË DINJITOZE NË SHËRBIM TË KOMBIT

Prishtinë, 29. 01. 2015 – Po bëhet një kohë që përpiqem të marrë e të përmbledhë disa kujtime të jetës me Babain. Sa herë më merr malli, mundohem të shkruaj diçka. E ruaj shpejt e shpejt, dhe ikë e dal…! Jam përpjekur disa herë të kthehem e t’i mbledh këto shkrime, por nuk më linin sytë e përlotur. Po bëhet një vit nga vdekja e Babit tonë Prof.Dr.Muhamet Pirraku. Nuk e di se si ka mbetur kjo traditë. Të gjithë, ne fëmijët, bashkë me nënën, nuk ka ditë, që nuk mendojmë se si të shënohet, dita, që na e mori, Babanë tonë të shtrenjtë.
Jam e bindur se kjo ditë nuk ishte fajtore, që babai ynë nuk e përballoi dot sulmin në tru. Janari i ftohtë e mori për veti, ashtu si i mori fytyrat më eminente të kombit tonë. Sa e sa herë Babi, kishte shkruar për personalitete që i mori Janari i Lavdishëm.
Para një viti, ne, të kishim pranë, Babë. U munduam të të shpëtonim me çdo kusht!
Një ëndërr të zgjoi një javë para vdekjes….! U mundove të tregoje atë që e pe, por ne nuk të kuptuam! Jemi përpjekur ti sjellim ndër mend gjithçka, që mund të lidhej me fatin e ëndrrës, por Ai i ikte temës.
Të kemi njohur gjithmonë për trim. Ke qenë shembull jo vetëm për ne fëmijët por për të gjithë; familjen, miqtë e shoqërinë.

Prof. dr. Muhamet Pirraku (12 tetor 1944 – 30 janar 2014)

Ne u rritëm, ndoshta shpejt…! U rritëm me kujtimet më të mira për Ty Babë dhe për Nënën.
Mësonim, punonim, të dëgjonim. Te ju Babë, kishim mbështetësin, Babanë që kurrë nuk thoshte jo, por të shohim e bëhet!
U mësuam të konsultoheshim për gjithçka, për çdo problem jo vetëm të familjes por edhe të shoqërisë dhe ato politike. Ndonjëherë na kundërshtonte, po thjeshtë na bindte, por edhe na e jepte lirinë që kur nuk na pëlqente diçka, t’ ia thoshim hapur.
Kurrë nuk thyhej dhe na mësonte që të bëhemi të fortë. Jeta ju sprovon me gjithçka. Kur ne, kishim ndonjë problem na thoshte: “ kjo është një pengesë, ju duhet ta kaloni, patjetër”.
Ne i dinim, edhe pengesat që i kishte kaluar babai. Shumë nga ato i përjetuam me shpirt. Ishim të vegjël kur u burgos. Sikur, ta dinte…! Na largoi nga shtëpia. Ishte kohë pushimi, 4 gusht 1981.
U kthyem në shtëpi, por Babain nuk e gjetëm. Nga fqinji më i afërt u njoftuam se Babanë e kishin burgosur. Dera e shtëpisë ishte e mbyllur. Që në hyrje të oborrit nëna e pa se diçka nuk ishte në rregull. E kuptuam problemin.
Babai na fliste, na tregonte se duhet sakrificë për të fituar lirinë. Sakrifica për ne kishte filluar. Fëmijë të rinj, të mbetur me një nënë që nuk punonte, para një sistemi politik që të përbuzte dhe para një pjese të shoqërisë dyfytyrëshe.
Vazhduam rrugëtimin me dhimbjen e dënimit për dy vite burg e me frikën se nuk do të kthehej kurrë më në shtëpi. Na fliste vazhdimisht për vrasjen në burg të Fazli Graiçevcit, qëndresën e trimërinë që kishte treguar ai. E mbante foton e tij përballë tavolinës ku punonte.
Babai, zgjohej që në orën pesë të mëngjesit. Ne fëmijët zgjoheshim me zërin e emisionit “Për shqiptarët jashtë atdheut” me volum zëri deri në maksimum. Muzika dhe kjo frazë e emisionit na ishte bërë si himn. Pas saj nuk kishte gjumë!
Ditët pas ardhjes nga burgu ishin të mira, por dhe të rënda për Babain. I papunë!` Me pa të drejtë për të punuar! I larguar nga çdo aktivitet tjetër shoqëror, politik e arsimor. I rënë nga shëndeti. I rënë shumë në peshë. Me të dobësuar plotësisht të dëgjimit me veshin e majtë. E kishin rrahur e torturuar deri në ditën e fundit të mbajtjes së burgut, bile një ditë para gjykimit në prezencën e udhëheqësit të Ministrisë së Brendshme të RSFJ së atëhershme, Franjo Herleviç, sa që e kishin bërë, të mos i ndiente, këmbë as duar. Pas ardhjes nga burgu rastësisht e kam parë me këmbë të mavijosura. Kur e pyeta më tha se: ”nuk është asgjë kjo”. Fliste për heroizmin e shokëve të burgut, por kurrë nuk tregonte diçka me të cilat ne do të frikoheshim.
Ne ia kishim lakmi!
“Në përgjithësi, çdo gjë ka aq vlerë aq sa njeriu ka paguar për të”.
Thelbi kuptimor është i qartë. Mos kërko vlera kur nuk ke paguar për to!
Mbaj mend shkrimin e pandërprerë të kërkesave për punë. Fëmijët duhej mbajtur dhe ushqyer. Nëna punonte punë dore dhe i shiste ato. Më mësoi edhe mua. Atëherë më vinte turp të iu tregoj shoqeve se di të thurë, por sot, jam e lumtur që të paktën pak, kam kontribuar.
E Baba nuk dorëzohej. Filloi të punonte si murator. Ndërtonte shtëpi.
Çdo mëngjes vishej me kostum dhe merrte me vete një qante të madhe me vegla. Punonte me të tjera rroba dhe kthehej po me atë kostum, sikur, mos të kishte bërë asgjë, ndërsa në mbrëmje deri vonë, me duart e mpira nga lodhja dhe të ënjtura e gërvishtura nga puna, të lidhura me fasha, mezi i mbante mbi makinë shkrimi. Me ato shkronja që i kullonin gjak krijonte “heroizmin” dhe mbante gjallë misionin që i kishte shtruar vetes për të mos i qëndruar kurrë gatitu armikut. Dërgove amanete të rënësh dhe ideale që nuk duhet të varroseshin me braktisje! Ju na mësuat që kurrë nuk duhet të harrojmë se; “atdheu nuk pronësohet”
Atdheu nuk e mat respektin e njerëzve ndaj tij dhe besnikërinë, me pronarë që si “dokumente hipoteke” tregojnë ideologjitë klasore. Dhe mbi të gjitha këto, Babai shkruante pandërprerë: punime shkencore, kërkesa e ankesa.
Nga e merrte gjithë atë forcë?!
BABA, mund të jetonte pa gjithçka, por pa punë e shkrime, nuk mund të jetonte assesi!
Ishte shumë kryelartë. Ndihej shumë krenar. Jo se paraqitej. I tillë ishte! Kishte guxim dhe forcë të pathyeshme!
Në ballë të rinisë studentore në pajtime gjaqesh, i bindur se: “falja e gjaqeve është fitore mbi vdekjen e dhuratë për paqen e ardhmërinë. Historia ka treguar se populli i cili ka hequr traditën e gjakmarrjes, i cili ka të ngritur tempuj të kulturës dhe i cili ka përfaqësuar idetë demokratike, ka siguruar ardhmërinë.”
Në ballë të studentëve dhe nxënësve për të mbrojtur arsimin shqiptar i bindur se: “Okupatori po e qëllon shkollën shqiptare, sepse e ka të qartë se kjo është fidanishte që jep, e ka për të dhënë, luftëtarë të denjë të luftës për liri e bashkim kombëtar.”
Dr. Muhamet Pirraku i hapte rrugë vetes në çdo moment! Ishte trim!
Pa punë për katër vite, duke përjetuar edhe përbuzje. Na merrte me vete nëpër vizita te miqtë. Ndodh që rrugës të mos përshëndetej nga ata me të cilët kishte pirë kafe deri dje…..Jo për fajin e tij! Por nga paburrëria e tyre! Më ka ndodhur mua që ti them: Babë ja filani! E, ai filani, mbante kokën anash, por Babai nuk thoshte që:” ai s”më foli, por, unë nuk e pashë”!
Ne, i kuptuam shpejt gjërat, por nuk i harruam edhe të mirat e miqve, shokëve, ndihmat, pagat për gjashtë muaj që erdhën nga Instituti Albanologjik, dhe kthimin në punë, për të cilën u jemi mirënjohës të gjithë atyre që punuan në këtë drejtim!
Verën e 1998 e kaloi me 40 familjarë nga Drenica, të cilët ishin detyruar të largoheshin nga lufta që kishte filluar, dhe që, disa nuk e besonin. Pagëzoi një mbesë të lindur në mal me emrin Flaka dhe i kënaqej rritës së saj.

Mulla Idriz Gjilani-RTK Kult-Prof Dr Muhamed Pirraku

Lufta kishte filluar. Një gëzim dhe frikë njëkohësisht. Një ndjenjë që përjetohet por nuk ka mundësi të pikturohet e as të shënohet më fjalë. Ishim mbledhur të gjithë te Babai. Në shtëpi e kishim një podrum që kur ua tregonte miqve u thoshte:”këtë e kam bërë për luftë”.
“Sa të rënda janë momentet ku ndërlidhen, në një pikë, pikëllimi dhe shpresa për një ardhmëri më të mirë !” ( Thënie e Dr. M. Pirrakut)
Sapo filluan bombardimet e NATO-s, Babai e merr në dorë vajzën e vëllaut, Drenushën dhe del në derë të hyrjes së shtëpisë, e ngrit me të dy duart lart duke i thënë: “nëse shpëton tani nga kjo golgotë serbe, bija ime, kurrë më nuk kanë për të kullotur derrat e shkaut mbi varrin e gjyshit tënd”! Një festë e vërtetë u bë në këtë moment.
“Atdheu të do po ta duash, ai të respekton po ta respektosh, të kujton po t’i përkushtohesh, të jep nga vetja po t’i japësh sinqerisht atë që vjen si detyrim brezi dhe sfidë të kohës epokale kur jeton, që mban peshën e amanetit. Përballë rrethanave të tilla, askush nuk mund të humbasë, sepse kujtesa arkivale e atdheut nuk është ajo e krijuar në zyrat e errëta të pushteteve”.
Atdheu ka një memorie të një lloji krejt të veçantë.
Ai di të klasifikojë ata ose ato që japin nga vetja me dashuri, dhe i dallon thekshëm nga ata që dinë të shërbejnë pa dinjitet, prej atyre që dinë vetëm të përdorin çdo gjë në mënyrë utilitare dhe përfituese.
Dashuria për atdheun nuk mund të të vidhet!
Njerëzit me vlera nuk e njohin këtë lloj pazari! Atdheu u pëlqen atyre dhe nuk e mallkojnë edhe atje ku goja e hapur lyp kotheren e bukës.
E thoshte shpesh në shkrime e biseda se: “Unë jam veçse një ushtar i thjeshtë i Shqipërisë Etnike” si dhe: “Nuk ka kthim nga rruga e lirisë me të gjitha mjetet, e pa çmim për sakrificë…!
Babai punonte shumë. Dita e nata, nuk kishin dallim, bile e thoshte: “vetëm puna të mban, Babo”!
Çdo situatë politike e përjetim të popullit Babai, e ndiente më shpirt. Vuante bashkë me ushtarët trima në male, e pa bukë, vuante bashkë me nënat me fëmijë të vrarë, bashkë me bijtë që po vriteshin në kufi, bashkë me djemtë që po rriheshin në mbrojtje të kufijve.
Sulmin e parë në kokë e përjetoi më 22 janar 2012. Kjo datë kishte një simbolikë të përjetuar shpirtërisht nga Ai. Iu kishin mbledhur shumë të zeza të këtij kombi. Adhuronte të gjithë ata që rrezikonin ta mbronin vendin, bile thoshte: ”jam me ata që rrezikojnë më shumë se unë për atdheun tim”. Brenda Tij flinte një det i paanë i dashurisë për Shqipërinë Etnike. E thoshte hapur se: “Pa bashkimin e trojeve shqiptare kurrë nuk do të ketë liri të mirëfilltë të shqiptarëve”.
Sado e gjatë të jetë koha deri te ky moment, me punën e tij dhe aktivitetin politik, Dr. Muhamet Pirraku tregoi dhe kërkoi që kjo përpjekje të mos shterohet në asnjë moment. Kur ne po festonim 100 vjet të shtetit shqiptar, Babai ishte më i brengosur se kurrë. Unë e kuptova, por nuk e ndjeva sa Ai, brengën e madhe që i kishte kapluar shpirtin. Më shumë se gjysma e popullit shqiptar, nuk po e festonte atë pavarësi të projektuar dhe ujitur me gjakun e mijëra djemve e bijave që atë ditë po mungonin nga gazmendi që kishte kapluar dy shtete shqiptare, por jo dhe pjesë të tjera që padrejtësisht i ishin ndarë Shqipërisë!
Me shkrimet historike Muhamet Pirraku tregoi se ç’është kalvari i vuajtjeve, shpresës dhe triumfit mbi tiraninë, pabesinë dhe hipokrizinë e atyre që padrejtësisht i përcaktuan fatin shqiptarëve.
Babai u largua nga kjo jetë me misionin e kryer, për një jetë në shërbim të vendit, por nuk arriti të shijojë ëmbëlsinë dhe freskinë e të marrit frymë në një Shqipëri të përbashkët. Ai kishte ndjerë dhimbjet e të gjitha plagëve të luftës e të jetës që për të nuk kishin qenë të pakta.
Babë, e gjithë pasuria jote ka qenë dhe mbetet brenda teje, në thellësinë e shkrimeve unike të cilat vlerësohen vetëm duke u studiuar. Ju punuat e hulumtuat në heshtje duke e mposhtur “pushtetin e heshtjes”. “Vetëm ai që nuk ka nevojë as të sundojë, as të dëgjojë, në realitet është njeri i madh” (Gete).
Babë, ndoshta po të prish qetësinë…..! Por nuk po mund të hesht para asaj biblioteke që ke lënë. Para vargjeve që tu zhdukën, ndoshta dhe u dogjën por që me hirin e tyre Ju krijuat edhe qindra e mijëra të tjerë duke i dhënë kuptim historisë! “Liria është si një ajër që nuk mund të pushtohet dhe zotërohet nga asnjë tiran” na thoshe vazhdimisht. “Mungesa e këtij ajri vret ëndrra, verbëron iluzione, sjell fatkeqësi dhe mbyt lirinë njerëzore”! Përpjekja e jote në ndërgjegjësimin dhe informimin e drejtë të historisë u bë si mur të cilin e mbrojte me gjoks edhe atëherë kur kjo të kushtoi, pa e matur me çmim.”Liria nuk ka çmim”!
“Liria nuk vjen nga lutjet as nga fjalët, por ajo e bekuar lind nga gryka e pushkës”!
Te veprat e juaja mbi personalitet historike, qartë treguat se dashuria për Sali Gjukën, Konicën, Ymer Prizrenin, Mulla Idris Gjilani, Stakë Matk Mirditën, Hasan Prishtinën, veprat dhe publikimet mbi Fazli Graiçevcin, Adem Jasharin dhe luftën heroike të UÇK-ës, problemet rreth krijimit të shtetit të Kosovës tregojnë se frymëzimi juaj vjen nga atdheu. Nga ai “burim i pashtershëm uji” që pavarësisht turbullimeve që janë bërë mbi te, pavarësisht dredhimit të rrjedhës së tij, ne kuptuam se “atë ujë burimi nuk mund ta ndalë askush”, as armiku më i fuqishëm!
Rrjedhën e krijimtarisë suaj, nuk mundi ta ndalë askush BABË! Ju i thatë ato, që është dashur të thuhen “pa frikë e pa zori” në kohën e ngeljes së atdheut në udhëkryq të historisë, në netët e errëta e të heshtura në burg brenda qelive të: Prishtinës, Mitrovicës e Sarajevës.
Të dënuan me burg, qëndrove! Të dënuan me izolim, sfidove!
Koha e kaluar me punë e Muhamet Pirrakut nuk mund të matet “as me numër ditësh as me dhjetëvjeçarë, por as me sistem politik. Ajo është një lloj kohe që nuk shteret dhe nuk kthehet në heshtjet me emrin, e kaluara”. Të ndërtohet njeriu kjo është në të gjitha kohërat misioni i atyre që duan jetën, lirinë dhe paqen!
I rreptë në debate e polemika të zëshme në çështjet jetike të historisë së kombit tonë!
“Të kesh atdheun muzë dhe muzën armë për atdheun, kjo nuk vjen nga pushteti, nuk mund të lihet trashëgimi dhe nuk blihet dot, as në treg. Kjo ndodh vetëm me ata që lindin të lirë, jetojnë të lirë edhe kur ajo fizikisht iu merret, dhe krijojnë të lirë; paçka se mund të keqtrajtohen në burgje apo kampe shfrytëzimi. Këta njerëz nuk nëmin me urrejtje, nuk shajnë me fëlliqësira, nuk përbuzin me xhelozi të verbra, nuk prostituojnë me atdheun. Ata e duan më shumë atë. Në këto rrethana ata janë dishepuj vetëm të tij, të atdheut dhe lirisë humane”!
Nuk u përkule, sepse brenda vetes besoje dhe krijoje krejt ndryshe, në një liri sublime që sillej në hapësirat e një identiteti të pandryshuar tuajin!
E tërë vepra dhe jeta jote Babë ishte luftë. Krijimtaria juaj ishte e qëllimtë, kishte ideale, barte vlera dhe dhuronte humanizëm e tolerancë. Krijimtaria e juaj e ndaluar, nuk shkruhej për t’u botuar për rrahagjoks, por, për të mos u harruar. Ishte një lloj anatomie e Shqipërisë!
Sëmundja që iu shfaq tri vitet e fundit e lëndoi aty ku nuk mundi as armiku. Paraliza e dorës së majtë dhe pjesërisht e së djathtës ia ndalën hovin e punës, por jo vullnetin. Tri vite me radhë shkruante me njërën dorë deri në një ditë kur më tha: “bijë nuk e di pse po i jap komandë një shkronje, e po me del një tjetër”. Edhe në këtë gjendje nuk u ndal. E përfundoi dhe librin e fundit për “Hasan Prishtinën – Vlerë sublime e kombit”. Ne nuk e menduam se ai do të jetë libri i fundit i tij. Ky libër i mori tridhjetë vite të jetës së tij. Janë disa autorë që krijimtarinë mbyllin me veprat më të mira apo me kryeveprat e tyre. Babi nuk i dallonte veprat e tij. Janë si fëmijët thoshte:” të padallueshëm. Sa i ke në dorë kërkon t’i bësh të përkryer”.
Më 30 janar në orën 19 e 40 minuta mbylle sytë në atë shtratin tënd njerëzor ku e le frymën e fundit në mënyrë dinjitoze. Gjithçka ishte thjesht njerëzore!
Heshtje e madhe kaploi familjen. Nuk e di nga më erdhi ajo forcë që nuk më la të bërtasë e të më dëgjohej zëri deri në qiell, se familjes sonë iu shua një Yll Drite nga i cili shikonim të gjithë. Familjes PIRRAKU iu nda copa e trungut të saj me e madhe. Kombit iu nda dega më e madhe e majës së saj.
Varrimi i Dr Muhamet Pirrakut u bë në vendlindjen e tij në Flamuras. Trupi i tij u prit nga të pranishëm të ardhur nga Amerika, Evropa, nga të gjitha trojet shqiptare. Mbas mbajtjes së Mbledhjes Komemorative të organizuar nga Instituti Albanologjik, “trupi i tij u prit si mur i gjallë” në Shkollën “ Luigj Gurakuqi” të Flamurasit. Në mënyrë madhështore i mbështjellur me Flamurin me Shqiponjë Dykrenore iu dha lamtumira e fundit këtij Panteoni të Historisë Shqiptare.
Prof. Dr. Muhamet Pirraku la pas gruan Shehiden dhe pesë fëmijë: Violetën, Lulzimin, Leonorën, Habibin dhe Kastriotin, të gjithë me përgatitje arsimore të lartë dhe superiore.
Sot u bë një vit që babai nuk është me ne fizikisht. Ai, ra si Meteor në qiellin e shqiptarisë së Kosovës . Ai është me ne në çdo moment të jetës sonë. Ne po vazhdojmë të jetojmë me kujtimet më të mira për Dr. Muhamet Pirrakun. Me mungesën dhe zbrazëtirën që ka lënë ai jo vetën në familje por dhe në shoqërinë shqiptare në përgjithësi. Ndonëse vdekja të mori shpejt, puna dhe vepra juaj Babë do të ruhet e kujtohet përherë. Atë nuk do të mund ta fshijë as gjatësia e kohës dhe as gjerësia e hapësirës!
Midis historisë dhe amshimit Dr.Muhamet Pirraku zgjodhi historinë, sepse atij i pëlqenin të vërtetat.
“Përpjekjet tona me çdo sakrificë pa çmim, kanë për të na sjellë lirinë dhe bashkimin e Shqipërisë Etnike.” (Muhamet Pirraku)
Prof.Dr.Muhamet Pirraku shkoi me një amanet të mbetur peng; “KOSOVË- SHQIPËRI, JEMI TË GJALLË KUR TË JENI NJI”!

………………………………………………………………….

Dr.Muhamet Pirraku, te Obilesku i Heroit të Kombit Afrim Zhitia, (Gusht 2012)

Prishtinë, shtator 2010: Dr.Muhamet Pirraku dhe Dr.Jetish Kadishani.

Prishtinë, shtator 2010: Dr.Muhamet Pirraku me veprimtarin Sylë Hasani

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura