Tetovë, 13. 02. 2015 – Në mbarë letërsinë shqipe, shkrimtarët shqiptarë të të gjitha kohërave kanë dramat e tyre tragjike, që për krijuesit tanë të këtyre hapësirave shqiptare në Maqedoni u thurën fate nga më të dhimbshmet. Këta përjetuan ndjekje nga më të rëndat dhe nga më të dhimbshmet, që në periudhën midis dy luftërave botërore, por edhe gjatë regjimit totalitar, veprat e tyre, jo vetëm që nuk u botuan, por, autorët e tyre u persekutuan deri në zhdukje fizike. Burgosje, këto nga arsyet më banale, por qëllimi kryesor i burgosjeve dhe sekuestrimit të tyre kishin për synim që shqiptarëve të këtyre hapësirave të humbnin dhe të harronin trungun, të cilit i përkisnin dhe të shkriheshin në kombe e kombësi tjera dhe njëherë e përgjithmonë të mbeteshin pa emër e identitet. Pas Luftës së Dytë Botërore (gjatë periudhës diktatoriale ), të rrallë ishin krijuesit shqiptarë që e përballuan këtë gjendje me ndonjë plagë më të lehtë, siç ishte Mehmedali Hoxha, A. Islami, M. Isaku, A. Gajtani e ndonjë tjetër, të cilët, gjithashtu nuk mbetën pa përjetuar ndonjë burgosje apo ndonjë përjetim traumatik.
Mehmedali Hoxha, me shumë sakrifica diti të përballojë këtë gjendje të vështirë dhe kurrë nuk u nda nga krijimtaria letrare për fëmijë. Edhe pse nën ndjekje të rreptë të sistemit shtetëror të asaj kohe, ai i tejkaloi të gjitha sfidat, i vetëdijshëm se pa krijimin e një letërsie për të rinj, perspektivat e botës rinore do të ishin shumë të mjerueshme, e cila dom krijonte pasoja të mëdha për shumë gjenerata.
Prandaj, lirshëm mund të themi se atë që bëri Esad Mekuli në Prishtinë për ngritjen dhe zhvillimin e letërsisë shqipe në Kosovë, M. Hoxha e bëri për ngritjen dhe zhvillimin e letërsisë shqipe për fëmijët në Shkup. Atij nuk mundi t’ia ndërpres5 veprimtarinë letrare as edhe burgu që përjetoi për disa vite. Ai kësaj letërsie iu përkushtua me buzëqeshje e ëmbëlsi, dashamirësi njerëzore për botën rinore.
Emri i M. Hoxhës u bë i njohur për shumë gjenerata nxënësish, pasi ai u përpoq që fatosave të popullit të vet t’u ofrojë vargje nga më të ndryshmet dhe nga më të bukurat, të cilat çdo herë kanë qenë më të këndshme te nxënësit e moshave të ndryshme. Në këto vjersha dhe në tërë veprat e këtij autori, fëmija lehtë ka gjetur veten, prindërit, shokët, shkollën, katundin në tërë florën dhe faunën që mund të ketë ndryshuar. Veprën e karakterizon optimizmi i madh i poetit për një të ardhme më të mirë, ku e reja do të triumfojë ndaj të vjetrës. Sipas poetit, brezi i ri, edhe pse me vuajtje e skamje, ai duhet t’i tejkalojë sfidat dhe t’ia thotë “këngës së re”, që do të çojë drejt gëzimit, shpresës, dhe çdo brez ta përcjellë të bukurën, madhështitë historike tradicionale dhe të devotshmen.
Mehmedali Hoxha u lind në katundin Ladorisht të Strugës (1924-1991). I takonte një familjeje arsimtarësh dhe atdhetarësh. Shkollën fillore e kreu në katundin e lindjes, ndërsa shkollën e mesme normale në Shkup. Disa kohë punoi mësues, pastaj kaloi në botimet për fëmijë, ku për shumë vite drejtoi revistat “Gëzimi” e “Fatosi”, të cilat botoheshin në Shkup. Kuptohet, me to kishte bashkëpunuar shumë më herët se të bëhej udhëheqës i tyre. Këto revista të punuara me shumë përkushtim , luajtën një rol historik në edukimin dhe ngritjen ideore dhe estetike të tyre.
Në kohën kur vepronte si udhëheqës i revistave për fëmijë në Shkup, M. Hoxha u kushtoi rëndësi të madhe veprave për fëmijë edhe në edicionin e botimeve të “Flakës së Vëllazërimit”. Kjo rritje u duk si për nga sasia, ashtu edhe për nga cilësia. Për një kohë të shkurtër edhe numri i bashkëpunëtorëve nga të gjitha trevat shqiptare të Maqedonisë, por edhe nga ato të Kosovës e më gjerë. Në këtë klimë që krijoi M. Hoxha, hapat e parë i hodhën edhe shumë të rinj, të cilët më vonë edhe u afirmuan në këtë fushë të letërsisë. Për këtë gojarisht dëshmon edhe Kalosh Çeliku, i cili thotë se po mos të bënte ndikim M. Hoxha, e kisha vështirë të hartoj përmbledhjen time të parë ”Erdhi zogu me një këngë ” ( 1982), Flaka e Vëllazërimit, Shkup.
Shkrimtari për fëmijë u bë i njohur edhe në Republikën e Kosovës (atëherë KSA e Kosovës), pasi herë-herë botonte në revistën për fëmijë “Pionieri”, që botohej në Prishtinë, më vonë përmbledhjen më të bukur ia botoi edhe edicioni i botimeve për fëmijë “Rilindja”, u botua nëpër antologji të ndryshme etj.
Përmbledhjen e parë e botoi bashkërisht me Lutfi Rusin më 1952 (e para në Maqedoni) me titull “Vjersha”. Më vonë botoi përmbledhjen e pavarur me titull “Kur frynë era” (1962),”Te Kroi” (1965), “Në sytë e majit” (1973),”Kur linda” (1971),”Vashëzat shkollare” (1976), “Atje mbi kodrina” (1974), “Ditët tona”( 1979), “Këngë shkollare” 1984, “Qepallat e verës” (1985). Etj.
Shumë vepra të tij u botuan në gjuhën maqedonase e në atë serbe :”Vashëzat shkollare” ( 1976), “Ma thuaj emrin” (1979), etj.
Spektri i temave për trajtim në poezinë për fëmijë të këtij shkrimtari, si dhe imazhet e pikturuara, bartin përjetimet e përditshmërisë në një kohë me ambient të ngrohtë, më tepër rural, por i kapshëm për të gjithë. Këto përmbledhje kanë arritje të konsiderueshme artistike, ku ka edhe përjashtime të rralla që ndonjëherë aty-këtu ndodh që ndonjë poezi të mos jetë e një rrafshi të qëlluar barabarsisht e të tjera, si p. sh. në vjershën “Vallja e shkollarëve”, harron që t’i thotë së paku edhe një falënderim mësuesit për suksesin e madh të nxënësve…”.1
Marrë në tërësi, kjo poezi u sjell lexuesve të moshave të ndryshme përmbajtje të reja artistike mjaft të arritura si për përmbajtja, ashtu edhe për nga porosia që mbart në vete, të cilat janë mjaft të kapshme për nga gjuha dhe ritmi i vargut. Ato janë të rrjedhshme me figuracione të lehta dhe mjaft të qëlluara për moshat rinore. Ato me gëzim pranohen dhe përjetohen nga fëmijët si diç e botës së tyre psikike e intelektuale për botën e tyre. Thënë shkurt, letërsia shqipe për fëmijë në Maqedoni, veçmas duke filluar pas Luftës së Dytë Botërore, në krye me Mehmedali Hoxhën, kjo hyri në vazhdën e një letërsie bashkëkohore. Ky modernitet i letërsisë shqipe në Maqedoni paraqet një formë të re, si nga forma, përmbajtja, stilistika dhe temat që trajton ajo. Ndryshon nga ajo pak letërsi që ishte krijuar në kohën e Rilindjes, siç ishte Bageri e ndonjë tjetër. Kjo letërsi ka sfiduar kohërat e vështira falë pishtarëve të saj siç ishin: M. Hoxha, A. Islami, A. Gajtani, F. Bojku. K. Çeliku e shumë pasardhës të tjerë, të cilët edhe sot e kësaj dite vazhdojnë ta kultivojnë dhe madhërojnë këtë letërsi. Thënë thjeshtë e shkurtë, poezia e M. Hoxhës motiv parësorë e përmbajtjesor e ka vetë fëmijën dhe ballafaqohet me problemet për të cilat kanë nevojë ai.
Poezi që kërkon fushë të gjerë edukative-morale te bota e fëmijëve
Poeti për fëmijë, duke qenë i lidhur ngushtë me botën e fëmijëve, duke e dashur pa masë atë dhe duke e njohur mirë botën e tyre, pasi kishte punuar me ta si mësues, ai do t’u rikthehet formave edukative dhe moralizuese, edhe pse kjo formë e krijimit poetik ishte kultivuar që në kohën e letërsisë së Rilindjes për fëmijë, te Naimi, Samiu, Papa Kristo Negovani, Mjeda etj. Por tani, M. Hoxha vepron me një formë të re. Ai e aktivizon çështjen edukative, pasi e sheh të nevojshme, pasi shqiptarët në Maqedoni për kohën ende ishin me shkollime të pakta, të paprofesionalizuar sa duhet, pra fundja edukimi i brezave që vijnë gjithmonë ka qenë detyrë permanente e shoqërisë dhe do të mbetet për çdo kohë. Ai u ndale në edukimin e fëmijëve edhe në ndonjë dobësi të rastit që mund t’i krijohet fëmijës, siç ndodh te vjersha “Rreth e rrotull shkollës”:
“Buzagaz vrapuar,
Nisa për në shkollë
Ç’ngjan kjo me mua,
Hë sot mbeta vonë.2
Në dobësitë e fëmijëve poeti ndalet më pak, por në fund insiston që ai të dijë për florën dhe faunën, natyrën, historinë e shtetit, historinë e luftës, duke dashur t’u tregojë se këtë që e gëzojnë hëpërhë nuk e kanë rastësi, por ajo ka ardhur si rezultat i luftëtarëve trima, ku ndalet vetëm në ndonjë figurë partizani, aq sa mund të perceptojë fuqia mendore e fëmijës, siç e kemi te vjersha “Këngë partizane”.
“Ishte një herë
Një partizan
I lindur në fshatin tim,
Rroku armët
Doli malit
Guximtarë e zemër trim.”3
Edhe pse një pjesë të poezive ia kushton Luftës së Dytë Botërore dhe jetës pas saj (siç e quanin atëherë Lufta Nacional-Çlirimtare), autori nuk është i ngarkuar që para fëmijëve ta madhërojë atë, por ta paraqesë si një pikëmbështetje, që përmes saj fëmija ta dojë atdheun, të edukohet dhe ngritet rreth një historie që mund të lejohej për të folur, pastaj t’i njohë qytetet shqiptare në Maqedoni, siç ishte Dibra, e qytetet të tjera. P.sh. te vjersha: “Dita e çlirimit” poeti thotë:
“Shkëlqenin fytyrat
Në vallen e gëzimit
Kur festonte Dibra
Ditën e çlirimit”.4
Përmes kësaj poezie, në mënyrë indirekte, poeti do ta përmendë shqiponjën si shpend kombëtar, se ndryshe do të duhej të burgoset edhe sa herë:
“Të gjithë buzëqeshur
Si shqipet vallëzonin
Jemi ardhmëria
Njerëzit këndonin.”5
Në këtë drejtim poeti është shumë i kujdesshëm, pasi nuk emëron në detaje emra, që kanë ndikim të thellë ideologjik. Ai tenton ta gëzojë dhe moralizojë fëmijën me vargun e tij poetik, por pa e rënduar shijen e tij. Te vjersha “Shamia e kuqe” ai i këndon republikës dhe festës së pionierëve nëpër shkolla, por, pa përmendur ndonjë republikë të asaj kohe në ish-Jugosllavi:
“Sot tërë shkolla
Na thot plaku
Republikës
I këndon. ” 6
Këto lloj tematikash poeti shkroi sa për të krijuar, pasi koha i kërkonte sado pak të përmendnin, dhe këto vjersha janë të pakta në opusin krijues të M. Hoxhës. Ai kryesisht u orientua te dashuria për vendlindjen, familjen, librin, lumin, shkollën, etj. Poeti krijon vargje të bukura për librin, që në njëfarë mënyre insiston të mos largohet kurrë nga fëmijët dhe te vjersha “Libri” thotë:
“Të shfletoj
Të mbaj në gji
Shok si ty
S’kam njeri.” 7
Fusha e kërkimit për botën e fëmijës është e madhe në poezinë e këtij poeti, e gjejmë të derdhur gjithandej. Ai kërkon që fëmija të dijë për stinët e vitit, pastaj herë-herë u jep edhe tone mësimore që të kuptojnë ata se si krijohen stinët. Cilët faktorë bëjnë ndryshimin e tyre, me çka karakterizohen, cilat janë përparësitë e secilës stinë, cilat janë pamjet më të zymta dhe cilat pamje janë më të këndshme dhe më të pranueshme për botën e fëmijëve. Ai përmes vargut insiston t’u shpjegojë fëmijëve se si në vjershën “Pranvera”, me vargje shumë të bukura estetike, e artistike, t’u zgjojë dashurinë për pranverën:
“Kur pranvera zgjohet,
Bora bëhet lumë,
Mali zë gjelbërohet
Fushës lule shumë.
Pemët çelin syçkat
Bujku zë hedh farën
Traktori vrapon
Hedh valle zë arën. ”8
E veçanta e vargut poetik për fëmijë e M. Hoxhës është se, ai diti ta çmojë botën dhe ëndrrat e fëmijëve dhe punoi për fatin dhe ardhmërinë e tyre. Ai, përmes vargjeve të shumta, i cili është më voluminozi për kohën e tij, hulumtoi dhe prodhoi me një kreativitet të lartë dhe me një frymëzim të shkëlqyer poetik. Ai aktualizoi vlerat e lirisë që ka për një popull dhe për një vend, duke dashur ta bëjë pjesë të jetës së fëmijëve. Autori u këndon dëshmorëve të kombit, të cilët u flijuan për një ideal kombëtar, pa marrë parasysh se të mëdhenjtë e kuptuan se u shkel padrejtësisht mbi gjakun dhe idealet e pastra të tyre. Ai vuri në pah para të vegjëlve vlerat e lirisë për kombin dhe atdheun në tërësi. Autori këndon për fenomenet e pandashme të fëmijës, siç janë: dija, mirënjohja, kafshët e ndryshme, natyra, zogjtë etj. Por në poezinë e tij mbi botën e brendshme të fëmijës, mendimet dëshirat, problemet që kanë ato, ëndrrat nga duan të hapërojnë etj.
Me mjeshtri të veçantë subjektet i bën tërheqëse, duke i realizuar me një stil të lehtë objektivat që tenton t’i realizojë autori:
Atdhe, atdhe,
Sa i bukur je
Kudo qëlloj
Për ty këndoj.9
E veçanta e vargut poetik për fëmijë e M. Hoxhës është se, ai diti ta çmojë botën dhe ëndrrat e fëmijëve dhe punoi për fatin dhe ardhmërinë e tyre. Ai, përmes vargjeve të shumta, i cili është më voluminozi për kohën e tij, hulumtoi dhe prodhoi me një kreativitet të lartë dhe me një frymëzim të shkëlqyer poetik. Ai aktualizoi vlerat e lirisë që ka për një popull dhe për një vend, duke dashur ta bëjë pjesë të jetës së fëmijëve. Autori u këndon dëshmorëve të kombit, të cilët u flijuan për një ideal kombëtar, pa marrë parasysh se të mëdhenjtë e kuptuan se u shkel padrejtësisht mbi gjakun dhe idealet e pastra të tyre. Ai vuri në pah para të vegjëlve vlerat e lirisë për kombin dhe atdheun në tërësi. Autori këndon për fenomenet e pandashme të fëmijës, siç janë: dija, mirënjohja, kafshët e ndryshme, natyra, zogjtë etj. Por në poezinë e tij mbi botën e brendshme të fëmijës, mendimet dëshirat, problemet që kanë ato, ëndrrat nga duan të hapërojnë etj.
Me mjeshtri të veçantë subjektet i bën tërheqëse, duke i realizuar me një stil të lehtë objektivat që tenton t’i realizojë autori:
Atdhe, atdhe,
Sa i bukur je
Kudo qëlloj
Për ty këndoj.10
Ky lloj poezie nuk ka ndonjë fuqi shprehëse e, as elemente fantastike që shpesh ndodh në letërsitë e tjera, me qëllim që të bëhen më dinamike, prapëseprapë poezia e M. Hoxhës është tërheqëse dhe e pranueshme nga fëmijët, mu për mënyrën e thjeshtë se si i paraqet idetë për t’u kuptuar lehtas dhe këndshëm nga fëmijët. Pikërisht kjo është spikatja e veçantë e M. Hoxhës.
Poeti përmes vargjeve të tij poetike arrin që t’u japë nxënësve njohuritë mbi natyrën, bukuritë e saj, mbi shoqërinë, mbi vendlindjen etj. Ai përmes bukurive të natyrës i njofton edhe me fenomenet natyrore dhe kujdesin që duhet pasur të vegjlit për të.
Përveç motivit edukativ-moralizues nuk la pa prekur edhe problemin social e atë mësimor. Vargu i këtij poeti për fëmijë nuk është i rënduar me figura apo shprehje të pakapshme për të vegjlit. Në vargun e tij më shumë mbizotëron optimizmi, dëshira për jetën dhe pjekjen e fëmijës nuk e kërkon para kohe por kërkon që ajo të vijë bashkë me rritën e tyre, me këngën për jetën në shtëpi e mësonjëtore.
Sot fitorja
Është e lumtur
Jehon kënga
Orë e çast.11
Motivi, jo vetëm ai i ndikimit të fëmijëve, por edhe ai i të mësuarit është mjaft i pranishëm në veprën e këtij poeti për fëmijë. Kjo dëshmohet në veçanti me përmbledhjen poetike “Vallja e shkronjave”, të cilën në fillim e botoi bashkë me vjershat e tjera te “Këngë shkollore”, por më vonë, më 2002, u botua si vepër më vete. Kjo vepër jo vetëm që shpreh dashurinë e çdo të riu për shkronjat e shenjta të shqipes, por me rëndësi është se si ia arrin qëllimit që ato të mësohen përmes vargjeve poetike. Për çdo shkronjë ka shkruar nga një poezi, ku çdo germë duket se është e gjallë dhe flet për aftësitë, për shpirtin që ka dhe rolin që luajnë ato në vallen zinxhirore që nga shkronja A deri te ZH-ja:
“Vallja e shkronjave” tani më merr formën e një poeme prej 36 vjershash, po aq sa ka shkronja gjuha amtare,e ato janë:
“Ringe, xhinge a-ja
Të shkojmë te daja
Ose:
Ringe, xhinge c-ja
Cucave, ç’tu bëja
Ca vijnë, ca shkojnë
Në shkollë të mësojnë”.12
Përveç formës së këndshme për t’i mësuar shkronjat, M. Hoxha, i interesuar që edhe pse u dedikohet fëmijëve të klasës së parë fillore, t’u japë ndonjë njohuri elementare edhe rreth jetës familjare, shkollimit të cucave, që për kohën kur jetoi dhe veproi autori cucave shqiptare u bëhej padrejtësi e madhe, jo vetëm rreth shkollimit të tyre, por edhe në shumë fusha tjera të jetës, pastaj i njofton vogëlushët me fenomene natyrore etj. Edhe kur arrin te germa ZH, sikur kanë mbaruar fëmijët me germat që i mësojnë në klasë të parë, ka mbaruar viti shkollor dhe vjen koha e pushimeve në fshat.
“Zh-zh
Zhytur e notuar,
Verën kam kaluar,
Erdhëm në katund
Shkronjat morën fund
Ringe xhinge zh-ja
Zhabës i rrëfeja…”13
Zhabës i rrëfeja…”14
Siç shihet edhe për nga ana sociologjike poeti e ka njohur situatën e fëmijëve si në fshat ashtu edhe në qytet, prandaj nuk bie fort në sy ndonjë anshmëri e theksuar rurale apo urbane.
Vargëzime me atmosferën e vargut popullor
Mehmedali Hoxha nuk shkruan në çdo kohë dhe në çdo libër në një formë, edhe pse ndonjëherë ka përsëritje të temave. Motivet janë të gjithanshme. Sipas meje, poeti te përmbledhja “Sytë e majit” ndryshon për nga pesha e fjalës, e jo fort për nga harmonia e temave. Ai që në fletën parahyrëse të librit thotë se ia kushtoj: “ Të vrarëve, dëshmorëve të Brigadës së (Katër) Shtatë Shqiptare…”
Që me fjalën e parë “të vrarëve” do të thotë, që ai ka një notë të theksuar subjektive dhe kjo fjalë nuk mund të ishte fare e këndshme për fëmijët. Këtu autori do të shprehë edhe ndjenjat, emocionet dhe kujtimin që ka për të vrarët luftëtarë, ngjarje të cilat i kishte përjetuar edhe vetë autori. Këtu poeti objektivizon edhe vetveten duke folur për objektivizmin e tij shpirtëror:
Ç’kujtime tjera
T’ju them tani
Për fëmijërinë time!..
…………………………
Të gjitha gëzimet
Kështu i festonin
Të gjitha tronditjet
Kështu i përjetonin…
Një brez i ri” 15
Me këtë përmbledhje poetike, vargu i thurur nuk është vetëm për mosha të hershme, por edhe për ato më të rriturit, pasi kjo poezi është e frymëzuar nga ngjarjet historike, veçmas ajo e betejave të Sremit, kundër gjermanëve, disa vargje apo edhe disa poezi sikur e kaluan nivelin e vjershave të hershme dhe sikur kërkojnë një forcë mendore më të ngritur, nga kuptimi i parë logjik, si nga kuptimi i dytë përjetues e analitik, p. sh. te vjersha “Trimat e Sremit”, kemi:
“Ngadhënjyen trimat e Sremit,
Pëllumbat e bardhë fluturuan
Mbi kulmin tim”. 16
Këto vargje për fëmijën do të kishin sjellë konfuzion, pasi ai vështirë e ka ta dijë Sremin edhe si vend gjeografik, por edhe për arsye se, përse shqiptarët shkuan deri atje t’i çlirojnë ato vende, pastaj pse këto pëllumba të bardhë fluturojnë mbi shtëpinë e autorit. Prandaj, me të drejtë themi që në këtë përmbledhje kemi një ngritje nga bukuria e vargut, që është hijeshuar me natyrën e vargut popullor, dhe pikërisht për këtë vargjet tingëllojnë bukur, por ndryshimi ndodh edhe për nga përmbajtja dhe forma e të shkruarit, për të cilat mendojmë se kjo përmbledhje, jo në tërësi i dedikohet një moshe më të pjekur, ku si rrallëherë shpërthejnë emocionet e autorit:
“Kur më kujtohen
Muzgjet e shkuara
Plot trishtim.
Them:
Qofshin të kaluara
O biri im”.17
Kjo ngritje tematike kërkon një vetëdije të konsiderueshme të lexuesit, e bëri që shumë nga këto poezi të vendosen edhe nëpër librat e leximit nëpër shkollat fillore në Republikën e Maqedonisë por edhe në Kosovë e gjetiu, ku mësohej shqip në ish-Republikat e Jugosllavisë. Këto poezi bëjnë që nxënësit të përjetojnë artin poetik, ta fisnikërojnë shpirtin e tyre, të zhvillonin ndjenjat për përjetimin estetik dhe të krijojnë raporte të drejta me të tjerëve. Pastaj aktiviteti i nxënësve duhej të shihej ndokund: në shkollë, klasë, shtëpi, në rrugë, në fshat, në natyrë, pastaj e nxit të mendojë për të tjerët që i sollën të mirat e kësaj shoqërie, por pa ndenjur indiferent ndaj vetive të dobëta që nganjëherë i përshkojnë njerëzit e caktuar.
Ajo e nxit fëmijën që të jetë nismëtar e guximtar për vepra të rëndësishme në jetë. E bën të riun që të lidhet ngushtë me shijen estetike të jetës në tërësi. Ky autor mirëfilli e kupton thellësisht psikologjinë e fëmijëve dhe insiston të respektoj personalitetin e tyre, i kupton gëzimet dhe pikëllimet e tyre. Në tërësi, duket qartë që poeti i kupton mirë këto fenomene të botës së fëmijëve, dhe prandaj ia kushtoi një pjesë të jetës atyre, duke u angazhuar për ta me tërë forcën dhe qenien e vet. Për ta dhe vetëm për ta punon, për shtresën më të dashur të shoqërisë dhe perspektivën e një kombi, një familjeje, apo një shoqërie në tërësi. Për këto gëzime te poezia “Vocërrakët e lagjes sime”, shkruan:
“Vocërrakët e lagjes sime
Kur hedhin valle
Thuajse në mbarë botën
Nuk ka mjerim e halle
Vocërrakët e lagjes sime
Kur këndojnë
Male, fusha anembanë botës
Gëzojnë.”18
Spektri i gjerë i temave dhe krijimtaria e tij bukur voluminoze e sjell poetin para një preokupimi të madh gjatë opusit të tij krijues.
Kjo poezi bart koloritet me shumë përjetime, si ato të përditshmërive, të kaluarës historike, për jetën në rrethana të njohura më tepër rurale e më pak urbane, por që me një ton të veçantë atë e bën mjaft të përgjithshme, që e bën poezinë të pranueshme për të gjithë lexuesit kudo që ata mund të lexojnë, pasi kjo poezi është e ngrohtë dhe e kapshme për çdo ambient dhe për çdo kohë.
Evoluimi prej vjershavenga poema
Mehmedali Hoxha, bashkë me bashkëkohanikët e tij si: R. Hoxha, M. Krasniqi, H. Sulejmani, Spiro Çomora, Alqi Kristo etj., jo vetëm që i priu nevojës urgjente të kohës, pasi letërsia shqipe për fëmijë ndjente krizë të madhe, por ai mbeti një luftëtar i palodhshëm dhe i pakrahasueshëm në këtë fushë, punë e cila e çoi drejt një evoluimi, drejt nevojave të fëmijëve, sipas kohës që sillnin trendet edukative e arsimore në të gjitha shkollat fillore shqipe të ish-Jugosllavisë. Edhe pse emri i M. Hoxhës është i lidhur ngushtë me etapën e parë të krijimtarisë sonë poetike për fëmijë pas Luftës së Dytë Botërore, ai luajti një rol të rëndësishëm në drejtim të kësaj fushe edhe disa dekada, po që vazhdon të mbetet aktual edhe në ditët e sotme, e që do të vazhdojë edhe më tej, pasi në mesin e atij opusi krijues për të vegjlit ka vlera që mbeten të përhershme.
Poezinë e këtij autori e përshkon një tonalitet këngëtimi i pandarë nga tradicionalja, por ajo ka edhe të veçantën që e bën mjaft të mëvetësishme. Ky brez krijuesish, ishte e pamundshme t’u ikte temave tradicionale, por qëllimi s’ishte ky, për kohën, por që të ndihmojnë procesin arsimor, orientimin e shkollave sipas vlerave të vendit për mentalitetin tonë socio-intelektual, pasi dihej mirëfilli se kufijtë ndarës për mesin e shqiptarëve kishin penguar dukshëm organizimin e mirëfilltë arsimor e kulturor në përgjithësi.
Me një punë të palodhshme, Mehmedali Hoxha me veprat e tij të shpejta sikur mbuloi një kopsht me lule dhe sikur i zbukuroi shkollat shqipe të kohës, me veprat:”Te kroni” 1966, “Kur fryn era” (1962), “Kur linda”( 1971 ), “Atje mbin kodrinë” (1974), “Në sytë e majit” (1973), “Vashëzat shkollare”,(19760 etj. Ai dëshmoi për nevojën aktuale të librave për fëmijë që ato të edukohen drejt një qytetërimi të ri dhe një jetë të re me shkollë e libra në duar, të cilat i shkroi me një prirje dhe përkushtim poetik. Poeti nuk ndalet në atë që ta plotësoje dëshirën e fëmijëve, por njëherit kërkon të bëjë në evolucion estetik-letrar dhe kjo e bën që Mehmedali Hoxha të bëj përpjekje novatorike, intenca këto që i gjithë brezi i tij krijues. Ndonjëherë shohim edhe ngarkim të hapave evolutiv, si p. sh. te “Ditët tona”, ku nuk u ikën shablloneve krijuese, por sa duket ky krijues herë-herë ka pasur vështirësi të natyrave tjera, siç janë ato politike, që ndonjëherë ka qenë edhe e pamundur të mos veprojë sipas ndonjë shablloni. Kjo dihet mirë se edhe pse të gjithë shqiptarët jetonin në një shtet komunist federativ, ato nuk i kishin të gjithë dhe në të njëjtën kohë njësoj të barabartë. Një herë kriza më e rëndë kaplonte njërin krah e një herë tjetrin. Edhe qyteti prej qytetit, edhe fshati prej fshatit kishin dallime.
Veprat e M. Hoxhës i përshkon me të madhe ambienti ideal, me rrezet e bukura të diellit, xixëllonjat, lulet, kopshtet, krojet etj. Në tërësi ai ka një ndjenjë nxitëse për idealizim të jetës dhe të natyrës, pasi kështu e do bota e fëmijëve, poeti nuk paraqet skena të errëta e të rënda që shpesh ndodhen në letërsinë për fëmijë. Autori nuk do që fëmija të piqet përmes së keqes, por përkundrazi përmes ideales, të bukurës, kënaqësive të shumta në jetë. Ai ndalet në transformimin e jetës shoqërore, pasi jeta doemos duhej ndryshuar, kjo gjithsesi duhej të binte në sytë dhe ndjenjat e fëmijëve, që në të ardhmen të jenë të përgatitur për një jetë të re, që kërkon punë dhe ballafaqim me sfidat.
Optimizmi i poezive shihet edhe te vjershat kushtuar stinëve të vitit p.sh: “Na erdhi shtatori”, ”Erdhi vera”, ”Këngë prilli”, ”Erdhi viti ri”etj. dhe ky optimizëm, njëherit u shton vlerën poezive, edhe pse aty këtu ka ngarkime ngjashmërie, figura të përdorura edhe më parë. Nga ana tjetër, bukuritë e kësaj poezie qëndrojnë nga llojllojshmërinë e tematikeve, të cilat japin mundësi krijimi vlerash të ndryshme. Ai te më të vegjlit më tepër i përmbahet vargut popullor, ku rreh tema nga historia, por thënë ndryshe, personalitet nga heronjtë e luftës, kuptohet, ato u dedikohen pak më tepër të rriturve. Pastaj poeti për më të rriturit, edhe pse të gjithë i shtrohen moshës rinore, ai e shkroi poemat “Kur fryn era”, ”Sot është ditë gëzimi”, “Kur linda”,”Fshati im” (të cilat ia kushton fshatit të lindjes, Ladorishti i djegur në kohë të luftës), ”Vardaria”, ”Këngë dimri”,”Ç’ndodh kështu”, ”Erdhi drita në shtëpi” etj.,
Te poemat e Mehmedali Hoxhës, shihen edhe vlerat më të larta ideo-estetike të vargut poetik. Aty duket forca më e madhe krijuese, si për nga forma ashtu edhe për nga përkushtimi në vlera, pasi dukshëm duket edhe simbolika, te poema “Kur fryn era” simbolika është e plotë, pasi era ballafaqohet me njerëzit, qe, i pengon në rritën e jetës, sjell pasoja në jetën shoqërore dhe kur përfundon ajo:
“Atdheun,
Se dhunon kush-
Pyjet tona flasin
Këndojnë
Më fort se çdo kush”.19
Tek këto poema kemi ballafaqimin e të keqes me të mirën, por karakteristike është se, pas përshkrimit shpesh të vrazhdë e shpesh të këndshëm, në fund e bukura dhe e drejta feston. Ja si duket fundi i poemës “Sot është ditë gëzimi”:
“Sot festohet
Anembanë
Vendit tonë
Cicërojnë zogjtë
plot gëzim”…20
Në krijimtarinë poetike të M. Hoxhës më tepër na paraqitet gjashtërrokëshi e katërrokëshi, krijojnë modelin e strukturës poetike. Rimën e këtij lloji fëmijët e parapëlqejnë dhe e adhurojnë sinqerisht. Pra, përkushtimi krijues i autorit nuk është i barabartë në çdo vepër dhe në çdo kohë, pasi edhe vetë jeta është e tillë. Njeriu nuk mundet të jetojë dhe të veprojë me të njëjtat standarde në çdo veprimtari dhe në çdo kohë.
Në vend të përmbylljes
Autori përveç që e informon fëmijën me figurat historike, me ëndrrën e lirisë, dashurisë ndaj republikës, e shumë të tjera, ai në plan të parë e ka vetë lojën e tyre, përmes së cilës ato rriten, zhvillohen dhe gjatë lojës ata për një kohë të caktuar largohen nga brengat e ditës, sa për të mos thënë edhe nga traumat, loja e vargut i harmonizon fëmijët në mes veti. Ata me lojën ne botën e tyre të padjallëzuar i lidh me argëtimin dhe humorin që i çon drejt botës së kënaqësisë.
Te ky lloj poezish vërehet ndikimi i folklorit, i cili i ndihmon ato në stilin dhe strukturën e ndërtimit. Ndonjëherë është shumë afër imitimit të vargut popullor:
Ma ka shtatin si selvi
Tërë shoqet ta kanë zili
Hidhe vallen rrotullo,
Kukullzë moj kukullzë!21
Motivi i natyrës, i shiut, i fluturës, i vitit të ri, i diellit, janë karakteristikë e shumë përmbledhjeve poetike të këtij autori, e veçmas te përmbledhja “Atje mbi kodrinë”. Këtu autori ndalet më shumë preokupime të fëmijëve, por nga ana tjetër poezitë janë edhe me sqarime të duhura që fëmijët të ballafaqohen me realitetin dhe sfidat e jetës që mund të ndodhin në të ardhmen. Këto vjersha janë mjaft konkrete për botën e fëmijëve. Janë vargje që u kujtojnë të rinjve për hapat e parë të jetës. Ai insiston të bëjë një varg didaktik në botën e fëmijëve, insiston të shkruaj drejt nga pikëpamja gjuhësore, që edhe të vegjlit nesër të shkruajnë bukur e pa gabime. Ai vargun nuk e zgjedh shumë, por ky varg ka rrjedhë dhe ritëm të shkruar bukur. Sipas Faik Shkodrës, vëllimi “Vashëzat shkollare” është përmbledhja më e arritshme në krahasim me të tjerat.22
Sido që të jetë, M. Hoxha mbeti një poet i rëndësishëm për fëmijët në kohën kur jetoi dhe veproi, por duke lënë gjurmë te thelle dhe vlera të konsiderueshme edhe për gjeneratat e reja që vijnë pas.
Poeti gjatë jetës së tij, kur ishte në vlugun e krijimtarisë, si dhe në ditët më të mira të jetës, ai arrestohet nga sigurimi i shtetit jugosllav dhe atij maqedonas dhe burgoset për disa vjet. Pasi në Maqedoni kjo dihej, se s’shpëton intelektual e veçmas krijues pa u maltretuar nëpër dyert e policisë dhe të burgjeve e kazamateve jugosllave, pa edhe deri në likuidim fizik, duke filluar me S. Gjurën, e shumë pasardhës të tjerë. Dhe kjo gjendje e ka penguar poetin që të jetë i qetë, i freskët dhe çdoherë i përqendruar në punën e tij krijuese.
Ky poet u ka dhuruar të rinjve armën më të fortë,më të bukurën dhe gjithçka që është e vlefshme duke ngritur interesin për atdheun, dëshmorët, gjuhën amtare, germat shqipe, dashurinë për librin, dëshirën për shkollën, lojën, prindërit, shtazët e lulet, bukurinë e rinisë etj.
Pra, këto vepra karakterizohen për humorin që i përshkon ato, loja, porosia etj., që çojnë drejt përparimit poetik. Sa për ilustrim, lexoni tri poezi:
Ditëve tona
Kur më kujtohen
Muzgjet e shkuara
Plot trishtim,
Them:
Qofshin të kaluara,
O biri im.
Dhe
Mëngjeset e bardha
I përshëndes
Duke thënë:
Ajo që kalon
Së kaluarës i takon,
Ajo që lind
Ditëve tona u këndon.
Vocërrakët e lagjes sime
Vocërrakët e lagjes sime
Kur vrapojnë,
Thuajse dyzet shqiponja
Fluturojnë.
Vocërrakët e lagjes sime
Kur hedhin valle,
Thuajse në mbarë botën
Nuk ka mjerim e halle.
Vocërrakët e lagjes sime
Kur këndojnë,
Male, fusha, anembanë botës
Gëzojnë.
Mbrëmë bija ime
Mbrëmë bija ime
Dy lule i pruri,
Njërën ma dha mua
Tjetrën n’gjoks e vuri.
Pastaj kur i thashë
Ç’është kjo befasi,
Ashtu e buzëqeshur
Se ç’mu hodh në gji.
Pashë dhe një pako
Tek mbante në duar,
Ditëlindja ime
Fort e kish gëzuar.
Dhe t’ju them të drejtën
Më kaploi zilia,
Pse kaq shpejt shkojn’ vjetët
Dhe ditët e mia.
Por kur shoh tim’ bijë,
Shoqet që mësojnë,
Më përtrihet jeta-
Vitet le të shkojnë.
Ejup AJDINI
______________
1.A.Deva, Poezia shqipe për fëmijë, Prishtinë 1982, f. 308.
2.M.Hoxha Këngë shkollar , Shkup, 1984, f. 4.
3.Po aty
4. Po aty,f. 18
5. aty,f. 18
6. Po aty,f. 21
7. Po aty,f. 21
8.Po aty, f. 27.
9. M.Hoxha, Atdhe, libër leximi për fëmijë,f. 258, Prishtinë, 2002.
10. M.Hoxha, Atdhe, libër leximi për fëmijë,f. 258, Prishtinë, 2002.
11. M.Hoxha Shamia e kuqe “Këngë shkollare”,f. 20, Shkup, 1984.
12. M. Hoxha, Vjersha dhe poema, Shkup,1991
13. Po aty.
14. Po aty.
15. Në sytë e majit, Prishtinë,1973, f.7.
16. Burim i cituar, f. 16.
17. Burim i cituar, f. 19.
18. Po aty
19. M.Hoxha, Vjersha dhe poema ’91, Shkup, f. 83.
20. Po aty
21. F. Shkodra, Leërsia. për fëmijë, Prishtinë, 2002, f. 261.
22.F.Shkodra, Letëresia për fëmijë, Prishtinë, 2002, f. 261.
Hey! Do you know if they make any plugins to safeguard
against hackers? I’m kinda paranoid about losing everything I’ve worked hard on. Any suggestions?
Feell free to surf to my site … Vavadacasino.Onepage.Website