BESIM CENGU: LULEBORË SHARRI – MONOGRAFI KUJTESË E NJË ҪERKSHKULLI

Tiranë, 5. 6. 2016. Të udhëtosh nëpër ngjarjet e këtyre 25 viteve në vendin tonë, që rrokin një periudhë të stuhishme ngjarjesh e përjetimesh, përpjekjesh e ndryshimeve substanciale, përmbysjeje mentalitetesh e këputje zingjirësh robërie, është sa e vështirë, aq edhe heroike, sa mund e sakrificë aq edhe kontribut atdhetar.
Në monorafinë “Luleborë Sharri” që sapo ka parë dritën e botimit, autorët Demir Reshiti dhe Ibrahim Skënderi ia kanë dalë me sukses këtyre pengesave dhe ndryshimeve të stuhishme politike, sociale, ekonomike e kulturore të shqiptarëve.
Në njërën pjesë të Shqipërisë filluan në vitet 90 ndryshimet demokratike që u shoqëruan me vështirësitë që sjellin zakonisht lëvizjet të kësaj natyre që ecin në këtë kahje, ndërsa në pjesën tjetër, po në këtë periudhë, filluan përpjekjet për të konkretizuar ëndërrën e të gjithë shqiptarëve që kishin zënë fill që në fillimin e shekullit të kaluar për të hequr qafe okupatorin serb.
Të dy misionet ishin barrë të rënda për shqiptarët, të mundimshme dhe me shumë përgjegjësi para kombit, por kjo është fakt se problem numër një do të ishte realizimi i aspiratës së shqiptarëve për pavarësi e çlirim që kishte nisur që në vitin 1912 e për afro100 vjet shqiptarët mbetën në kërkim të lirisë. Dhe dihet se vetëm lirinë nuk ta jep kush pa sacrificë, pa guxim e derdhje gjaku shqiptar.
Ndër të gjitha liritë, më e shtrenjta dhe më e rëndësishmja është liria shpirtërore. Dhe liria shpirtërore vjen para së gjithash nëpërmjet iluminizmit, ndriqimit të shpitrave të shqiptarëve, nëpërmjet përhapjes së dritës dhe ideve patriotike që zënë vend në ndërgjegjen tonë kolektive. Jo më kot në vitet 90 tek shqiptarët, sidomos këtu, gëluan shoqatat e klubet që ndërtuan platformat për të ndryshuar gjendjen e rëndë të krijuar në kushte pushtimi e keqtrajtimi të pëgjithshëm. Nuk durohej më genocidi etnik e kulturor, nëpërkëmbja e dinjitetit të njeriut dhe rrënimi i vlerave kombëtare, burgosja e syrgjinimi i djemëve më të mirë e më të ditur.

Këtu në këtë rast këtë rol më së miri e luajti Klubi “Luigj Gurakuqi”, i themeluar më 3 qershor 1990, pikërisht në kohët më të thirrshme të historisë së Shqipërisë dhe shqiptarëve. Si të gjitha shoqatat e klubet e tjera, klubi letrar “Luigj Gurakuqi” nisi të sendërtojë aspiratat e tij nëpërmjet ngritjes së vlerave kulturore, krijimtarisë artistike, ngritjes së shoqërive kulturore dhe artistike. Në gjirin e ngrohtë të këtij klubi letrar gjetën strehë të gjithë ata që ëndërronin, mendonin, vepronin e shkruanin shqip. Nëpërmjet këtyre veprimtarive realizohej qëllimi për zgjimin e ndjenjave kombëtare dhe konsolidimin e vlerave më të mira që shqiptarët kanë dhe nga ana tjetër, organizimin e veprimtarive atdhetare që synonin nxitjen për tu bërë barrierë e pakapërcyeshme për okupatorin.
Themelimi i klubit letrar “Luigj Gurakuqi” në Opojë nuk doli nga një terren social, politik e kulturor bosh, por mbi bazën e një tradite qindravjeçare. Këtë autorët e monografisë e kanë vënë në theks sepse ishte bërë një rrugë e gjatë për të arritur gjer këtu. Gjurmë të një produkti kulturor në këto treva flasin për një traditë krijimi disa qindravjeçar. Krijimet artistike të Mulla Mehmed Salihut të Bresanës që nga gjysma e parë e shekullit të XX, ishin të njohura jo vetëm në Opojë por përtej saj me krijimet e tij.
Mirëpo krijimi i Klubit Letrar “Luigj Gurakuqi” i dha hov të madh zhvillimit letrar, sidomos krijimtarisë poetike dhe monografive historike. Orët letrare dhe përurimet e librave të krijuesve opojarë u bënë krejt të zakonshme. Nëpërmjet tyre nuk analizohesh thjesht veprat, por edhe shtroheshin platforma e diskutoheshin ide e plane atdhetare e patriotike, se si të gjenin rrugë për të hequr qafe pushtuesin serb.
Demir Reshiti, një prej autorëve të këtij libri boton në vitin 1992 vëllimin poetik me një titull kuptimplotë dhe të guximshëm me titullin “Trung i Ndarë”, i cili bëri jehonë në atë kohë duke e vënë poetin në shenjestrën e pushtetit të atëhershëm. Vijuan pastaj krijues të njohur si Mithat Fejza, Ibrahim Skenderi, Bedri Halimi, Ismet Lecaj, Abaz Çengaj, Rizan Krasniqi, Nexhat Hajdini e plot të tjerë, të cilët konsoliduan dhe qartësuan idetë mbi të cilat do të shtronin udhën e tyre drejt një strategjie kombëtare për të arritur lirinë dhe pavarësinë e më pastaj bashkimin e të gjithë trojeve tona.
Shpejt jehona e punës së mirë atdhetare e Klubit Letrar “Luigj Gurakuqi” kaloi kufinjtë e Opojës. Shumë krijues e intelektualë dhanë e po japin kontributin e tyre pothuajse në gjithë hapësirën shqiptare. Faik Beqaj, Yrjet Berisha e shumë të tjerë përquan vlerat më të mira letrare në Prishtinë, Prizren e më gjerë.
Ndërsa rol të madh luajti revista “Sharri” organi i Klubit. Kjo revistë shërbeu e po shërben edhe sot e kësaj dite jo vetëm si tribunë e mendimit më të përparuar për kohën, por edhe si një institucion ku janë sistemuar pothuajse të gjitha energjitë krijuese dhe artistike të Opojës. Gjatë viteve ky organ u bë përfaqësues autentik i vlevave më të mira jo vetëm të kësaj krahine. Duke zgjeruar gamën e interesit kombëtar sot në revistën “Sharri” botojnë krijues e studiues prej Tirane e Prishtine, Shkupi e Kukësi, Prizreni e Shkodre, duke u shndërruar kështu në një zëdhënëse të ideve atdhetare për të gjithë hapësirën shqiptare.
Monografia “Lule Sharri” e autorëve Demir Reshiti dhe Ibrahim Skenderi një vlerësim të drejtë i kushton punës që ky organizëm kulturor, Klubi “Luigj Gurakuqi”, i ka bërë periudhës së pasluftës 1999. Pas kësaj lufte, aktiviteti për shkak të këputjes së zingjirit të robërisë më vitin 1999 u rrit shumëfish. Gjatë kësaj periudhe u krijuan mundësitë për të ndërtuar një punë edhe më të mirë dhe të kualifikuar. Ideja e organizimit të ‘Sofrës së Ymer Prizrenit dhe Orës së Madhe Letrare në Zgatar’, vendlindjen e këtij patrioti të pashoq, e shndërroi këtë aktivitet në një institucion tjetër të rëndësishëm ku publikohen e çlirohen energjitë krijuese të shkrimtarëve, poetëve e historianëve të ardhur nga gjithë Shqipëria, nga Persheva e Vlora, Shkupi e Elbasani, Tirana e Tetova, Ulqini e Shkodra, Vlora e Mitrovica etj. Kjo sofër e kjo orë u shndërrua në traditë, traditë që kurrë nuk duhet humbur se është vlera jonë fondamentale, është sofra jonë e përbashkët ku secili prej nesh e fut një gju poshtë saj dhe merr një lugë energji shqiptare, këtu në Zgatar të kryetarit të parë të qeverisë së Shqipërisë.
Sikur të mos ishte klubi letrar “Luigj Gurakuqi” dhe krijuesit e tij që nga fillimi, kjo veprimtari madhore kombëtare zor se do të ekzistonte. Ashtu sikurse po të mos ishte ky institucion kaq me autoritet e serioz, zor se mund të ishte organizuar takimi letrar “Pranvera Poetike” në Kukës, Prizren e Opojë, apo edhe nismat e paharruara dhe historike të shkëmbimeve kulturore dhe të ansambleve folklorike në regjion.
Botimi i kësaj monografie kaq të vyer përcjell mesazhin e madh se aktivitete të këtij lloji kurrë nuk duhen shuar, përkundrazi duhet të nxiten e të përsosen edhe më tej. Autorët, të mirënjohurit poetë Demir Reshiti dhe Ibrahim Skënderi i kanë bërë nder të madh Opojës, banorëve të mrekullueshëm të saj, inteligjencës, shkollave dhe mbarë vendit tonë, u kanë shërbyer të gjithë shqiptarëve se ata po kontribuojnë për të mos zbehur arritjet tona, mundin tonë, për të mos venitur kontributin në shekuj të baballarëve që lindën vepruan e shkuan në amshim pa realizuar qëllimin e tyre. Ata me këtë libër po na thonë se kurrë nuk duhet të harrojmë se, harresa do të thotë njëherit edhe vdekje.
Urime miqtë e mi të mirë. Suksese në vepra të tjera.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura