Prishtinë, 28. 02. 2015 – Për ta shkruar këtë opinion më shtyri një intervistë e shkrimtarit tonë të mirënjohur Ismail Kadare në Top Channel, dhënë gazetares Rudina Xhunga. Ikjen e shqiptarëve nga Kosova,Kadare e ka quajtur “mister”. Kadare me këtë rast foli si autoritet intelektual për eksodin e shqiptarëve çerek shekulli më parë, për eksodin e shqiptarëve të Kosovës tani në vitin 2015. Ndërkaq kërkesës së gazetares për t’u shpjeguar lidhur me librin e tij të fundit, “Mëngjeset në Kafe Rostand- Motive të Parisit”, Kadare iu përgjigj se “letërsia nuk ka asnjë detyrim për të shpjeguar gjërat, absolutisht. Mjerë ajo letërsi që është e detyruar të krijohet për të shpjeguar”!
Nuk dua të flas për njeriun e rëndomtë, por për inteligjencën, krijuesit, që herë pas here mundohem t’i kuptoj. Ata janë inteligjentë, të arsimuar, por nuk i shmangen dot rrëshqitjes në lakmi. Duke mos qenë në gjendje të gjejnë zgjidhje tjetër për të sistematizuar veten dhe familjen, ata janë gati të bëjnë lëshime, në dëm të personalitetit, të flijojnë autoritetin, veprat e tyre për interesat e ngushta, bëhen mashë e politikave dhe politikanëve kalimtarë.
Lidhja midis dhunës dhe intelektualëve është e pranishme, dhe nuk mund të konsiderohet një rravgim individual. Krijuesit gëzojnë privilegje të mëdha, por ata e marrin formën e admirimit, kur e kryejnë detyrën që u takon. Krijuesit hartojnë platformë për avancimin e interesave gjithëkombëtare.
Hitleri gjatë sundimit të tij gjeti përkrahës sidomos te krijuesit në akademi dhe universitet. Edhe Stalini e Mao ceTungu në kohën e tyre kishin intelektual admirues. Musolini ka pas një numër të madh përkrahës nga njerëzit e shkencës e të universitetit. Kjo mbështetje e krijuesve automatikisht merr përkrahjen nga studentët, që janë proporcionalisht më të theksuar se sa në masën e popullsisë.
Kjo përkrahje masive pushtetarëve u vjen edhe nga sindikatat, nga intelektualët që me përkrahjen e tyre u ngjitën në majat e partive dhe morën pjesë aktive për interesat e ngushta individuale.
Nganjëherë intelektualët bëhen bashkëfajtorë duke e toleruar dhunën e pushtetarëve. Tolerimi i dhunës nga krijuesit, nga intelektualët, është gjë e tmerrshme.
Ky treg i yni i varfër intelektual e huton pjesën tjetër të intelektualëve. Këta “të tjerët” konsiderohen “të marrë” sepse me punën e tyre intelektuale nuk kanë arritur të sigurojnë ekzistencën! Të theksoj se Rusoi ishte shkrimtar gjeni, por i çekuilibruar në mënyrë të pariparueshme, si në jetë, ashtu edhe në mendime.
Atyre krijuesve fodull u them: mos lejoni, mos bini në grackë të njerëzve të dehur nga autoriteti dhe nga fuqia e pushtetit. A nuk ju kujtohet se ata kanë qenë njerëz të thjeshtë, të rëndomtë. Ata udhëheqës, kanë formuar bindjen se zbutja e inteligjencës, krijuesve, arrihet në sajë të kushtëzimit të ekzistencës personale por edhe familjare.
Këta krijues lënë pas dore kujtesën njerëzore, idealet që i kishin, transformohen në sajë të mohimit intim. Kjo natyrisht që i huton njerëzit normalë sepse veprat e tyre flasin diçka tjetër.
Keqpërdorimi i krijuesve nga politikanët pushtetarë vazhdimisht përsëritet. Megjithatë jo në të gjitha rastet arrin t’i nënshtrojë njerëzit. Do të vijë një moment kur durimi intelektual të shterret dhe të shndërrohet në shpërthim vullkanik. Fuqia e njerëzve është e barabartë me fuqinë e presionit të cilit ata e ushtrojnë. Do të thoni se unë lehtë e kam të flas pasi që nuk jam në lëkurën e tyre. Politikanët (pushtetarët) dhe predikuesit e feve, punojnë ditë e natë, duke u shtyrë se kush “kujdeset” më shumë për ta (intelektualët krijues). Gjendja e tyre indigjene është një neurozë të cilën pushtetari e fut dhe e mban të nënshtruar. Të nënshtruarit e kërkojnë dhe e mohojnë këtë gjendje njerëzore.
Ne përjetuam luftën. Jetojmë në një epokë të ndërrimeve të sistemeve, të ideologjive, që kërkon shumë kohë. Nëse popullsia do të vazhdoj të përballet me këtë varfëri, nëse fëmijët vijnë në situata që më shumë të frikësohen nga jeta se sa ëndrrat e tyre, rrëkeja e dhunës do t’i shkatërrojë të gjitha barrierat.
Kur shpërthen zemërimi i njerëzve, kërkon tejdukshmërinë e vet të humbur, kërkon fitore, e cila vetvetiu e shpie kah emancipimi progresiv. Ai mundohet të dëbojë gradualisht varfërinë që e ka kapluar rreth vetes.
Varfanjaku i cili lufton brenda mjerimit të vet, kundër politikave, kundër të pasurve që janë të mbrojtur nga ligjet, policia, ushtria…, megjithatë del triumfues. Ky triumf nuk arrihet pa humbje. Ky njeri e mban veten të dëshpëruar, pranon ta vej jetën në rrezik. Ai ka pa aq shumë agoni saqë më shumë dëshirojë të fitojë sesa vetëm të mbetet i gjallë, duke mos pasur rrugë tjetër.
Mirëpo, nga ky “triumf” krejt të tjerët do të përfitojnë e ai jo. Kjo sepse ai (i varfëri) është shumë i lodhur. Zemra e tij e lodhur është dorëzuar e dëshpëruar, e pashpresë… Kjo ka qenë dhe do të jetë: nën hijen e këtij triumfi dalin fitimtarë matrapazët!
– Kontakti me autorin: [email protected]
***
Ismail Kadare, Shqip në Jeruzalem
http://www.top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=293261#k3