Prishtinë, 02. 03. 2015 – Turqia po e sfidon BE-në në Ballkan, ajo ka krijuar një dominim të vazhdueshëm në Ballkan nëpërmjet investimeve strategjike. Pos kësaj, Erdogani është duke investuar në forcimin e një ″shteti islamik″ në Ballkan dhe në Europë. Këtë e tregon më së miri tendenca për formimin dhe financimin e disa partive proturke në Maqedoni, Bosnjë, Kosovë, Sanxhak, Kosovë Lindore, etj. Është e dukshme dhe e mbështetur në shumë dëshmi përcjellëse se radikalizmi mysliman në Ballkan, bëri që vendet e Ballkanit të tronditen nga ekstremizmi dhe terrorizmi, i cili secilën ditë po bëhet më legal dhe më i frikshëm, bazën financiare dhe mbështetjen e ka nga Erdogani dhe elita e shërbimeve inteligjente turke, në shërbim të Erdoganit. Jo rastësisht Erdogani e ka mbështetur dhe financuar organizatën e Hamasit dhe jo pak herë i ka strehuar drejtuesit e strukturave operative të kësaj organizate.
Kalifi i ri i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan po e çon Turqinë drejt kaosit të brendshëm me aplikimin e politikave joliberale në vend, politika këto që e kanë minuar dhe shkatërruar pothuajse krejtësisht demokracinë në Turqi, e ndërtuar me shumë mund e vështirësi nga ndikimet e politikave të jashtme, sidomos ato të Rusisë dhe grushtshtetet e vazhdueshme shtetërore, po ashtu të influencuara nga jashtë. Është e dukshme se në Turqi nën presionin e Erdoganit dhe të klasës politike që e ka nënshtruar gjatë viteve të fundit, janë dëmtuar shumë institucionet e demokracisë në Turqi.
Lidhjet e aleancave të fshehta nga ana e Erdoganit me Rusinë po e qojnë botën drejt debalancave të mëdha. Mbështetja e përbashkët nga Rusia dhe Turqia ndaj Iranit, i cili po teston prova bërthamore, është një kërcënim dhe provokim direkt i luftërave të reja me karakter botëror. Investimet e Turqisë dhe të Rusisë në përhapjen e trazirave në disa shtete të Lindjes dhe në përgatitjen e puçeve ushtarake me qëllime të caktuara, janë një testim i qartë i këtyre dy shteteve për ta rritur ndikimin e tyre në vendet e Lindjes. Sidoqoftë, ky është një risk i madh që Turqia e Erdoganit po e merr mbi vete. Nuk e them rastësisht se Turqia e Erdoganit është përafruar me Teheranin, sepse ajo në kohën më të vështirë e ka ndihmuar regjimin iranian me shmangien e sanksioneve, duke mundësuar transaksione ″gazi për ar″ në vlerë prej miliarda dollarësh. Në mes të ekuivokëve politike Erdogani ka premtuar se do ta zgjidhë çështjen e tensioneve afatgjata me minoritetin kurd, duke iu lejuar atyre ta përdorin identitetin e tyre kulturor e gjuhësor me qëllim që të mos ketë shumë probleme të hapura në vend.
– Kalifi i ri i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan –
Për t’i shkatërruar ″kundërshtarët″, ata që e kritikuan, Erdogani burgosi gazetarë, biznesmenë, gjyqtarë, prokurorë, oficerë të lartë, mbylli shkolla e televizione, gazeta e mediume të informimit publik. Kulmi i të keqes i qeverisë së Erdoganit, e udhëhequr nga pasuesi i tij Ahmet Davutoglu, pas marrjes së postit të presidentit të shtetit në verën e vitit të kaluar, e cila ka kohë që është shndërruar në një aparat të dhunës dhe linçimit të kundërshtarëve politikë ndodhi me arrestimin e 31 personave të gazetës më të madhe turke ″Zaman″ dhe të rrjetit televiziv ″Samanyolu″, kryesisht drejtorë e producentë të lartë, kryeredaktorë, menaxherë, gazetarë e njerëz të njohur të kulturës, duke u mveshur akuza e epitete të rrejshme sa për ta arsyetuar operacionin e urdhëruar nga Erdogani ndaj shtresave të caktuara, që kanë marrë guximin ta kritikojnë dhe t’ia tërheqin vërejtjen për udhëheqjen e politikave disfatiste, që kanë shkuar e po shkojnë në dëm të Turqisë.
Të gjitha arrestimet e kësaj shtrese janë bërë ilegalisht, për arsye se janë të pabaza, janë të ndikuara politikisht dhe me dosje e fakte të fabrikuara, ashtu siç di të bëjë Akan Fidani, dora e zgjatur e Erdoganit, i cili me veprimet e kohëve të fundit i ngjanë Berias së Stalinit. Operacioni i lartpërmendur ishte lansuar në mënyrë simulante në trembëdhjetë krahina të Turqisë, i drejtuar kundër të ashtuquajturave ″struktura paralele″, të sajuara si të tilla nga vetë Rexhep Taip Erdogani, president i Turqisë, i cili nga frika dhe pamundësia për t’u përballur me këto struktura i shpalli struktura paralele dhe kundërshtarë të tij personalë.
Përplasja e Qeverisë Turke dhe Erdoganit me një strukturë të improvizuar dhe të pa qenë, të cilat i cilësojnë si ″struktura paralele″, duke aluduar në pjesëtarët e Lëvizjes ″Hyzmet″ ka bërë që Turqia të shkojë drejt regresit. Për ta mbajtur popullin në terr informativ Erdogani urdhëroi mbylljen dhe kontrollin e rrjeteve YouTube dhe Twiter. Urdhëroi organet e rendit të sillen brutalisht ndaj protestuesve që kundërshtonin kaosin dhe dhunimin e demokracisë në vend.
Siç dihet, Turqia është anëtare e NATO-s dhe, siç e kam mësuar gjatë studimeve të shkallës së tretë, për një kohë të gjatë ishte shtyllë e rregullit amerikan në Lindjen e Mesme, ose së paku, nga ajo që ka mbetur. Erdogani në dy vitet e fundit është larguar dukshëm nga standardet perëndimore të hapjes dhe moderimit të vendit të tij. Në vend të Erdoganit këto standarde është duke i aplikuar, është duke i kultivuar dhe lansuar tek populli turk Lëvizja e Hyzmetit, të cilës Erdogani i ka shpallur luftë, por që këtë luftë Erdogani është duke e humbur çdo ditë.
Arrestimet e gazetarëve që ndodhën kohë më parë në Turqi vetëm pse e kritikuan qeverinë për dyshime në implikime korrupsioni, bëri që të bie kursi i lirës turke. Investitorët e huaj pas kësaj filluan të tërhiqen. Dihet se bumi i viteve të kaluara në një pjesë të madhe të Turqisë u atribuohej investitorëve nga jashtë, dhe nëse këta largohen nga Turqia, mund të ketë pasoja shumë të rënda. Pas trazirave politike dhe dyshimeve për korrupsion të qeverisë së Erdoganit, papunësia arriti shkallë të lartë, madje papunësia e të rinjve arriti shkallën 20 për qind. Si pasojë e humbjes së kontrollit të shtetit dhe korrupsionit të elitave politike të Erdoganit, Turqia po rrezikon shumë.
Siç është thënë nga ekspertë të jashtëm dhe vendorë, çelësi i progresit të Turqisë janë reformat në arsim ngase Turqia ende nuk ka arritur të prodhon automjete e teknologji të lartë vet. Kjo për shkak të reformave në sistemin arsimor, të cilat nëse ndodhin mund ta qojnë vendin përpara në kërkim dhe zhvillim. Rreth reformave në arsim është përkujdesur dhe është duke ecur me hapa gjigantë Lëvizja Hyzmet, e cila e ka përgatitur një brez të tërë njerëzish të zotët në të gjitha fushat, të cilët dinë dhe munden ta çojnë Turqinë drejt progresit dhe përparimit me hapa gjigantë, por Erdogani është bërë pengesë edhe e kësaj. Ai tenton që shkollat e Hyzmetit t’i mbyllë dhe t’i hapë disa të tjera me përmbajtje fetare e ndikime të tjera, që nuk do ta zhvillojnë vendin. Për veprimet e Erdoganit jashtëzakonisht të pamatura dhe të dala jashtë kontrollit, Europa dhe bota e qytetëruar e ka sugjeruar që ta kontrollojë dhe përmirësojë sjelljen e tij prej një lideri dhe drejtuesi të një shteti të fuqishëm, siç është Turqia, por ai është përgjigjur: ″Nuk shqetësohem fare rreth asaj se çfarë mund të thotë BE-ja, nëse na pranon si anëtare apo jo, ne nuk kemi këso shqetësimesh. Prandaj, ju lutemi shikojini punët tuaja″, është përgjigjur ai.
Mbështetja e ekstremizmit fetar dhe hartimi i planeve për ta përhapur atë, dalja jashtë kontrollit dhe bashkëpunimi me Iranin dhe vende të tjera, të cilat po e mbështesin dhe forcojnë shtetin islamik në Europë e vende të tjera, ka bërë që Erdogani dhe shteti të cilin e drejton, të largohen nga aspiratat për anëtarësim të shpejtë në Bashkimin Europian. Erdogani përmendet brenda dhe jashtë vendit vetëm në titujt negativë. Në Europë Erdogani paraqet frikë dhe destabilitet. E njëjta gjendje është edhe në Turqi, nëse dikush e kundërshton, mendon ndryshe, apo shkruan diçka kundër, arrestohet, internohet dhe pezullohet nga puna pa marrë parasysh kushdo qofshin ata. Një vend i NATO-s i cili është edhe një nga anëtarët e parë të Këshillit të Europës dhe një anëtar themelues i OECD-së, po shkon drejt rrugës të një shteti njëpartiak me një despot në krye që po e qon vendin drejt një shteti diktatorial. Kjo situatë e qon Turqinë drejt dekadencës dhe shkatërrimit gradual pas një ngritje të fuqishme që kishte Turqia në dhjetë vitet e fundit e që për këtë ngritje kaq të madhe merita të veçanta kishte Lëvizja Hyzmet dhe Turgut Ozali. Turqinë mund ta shpëtojë nga kjo krizë e pariparueshme lëvizja Hysmet në bashkëpunim me opozitën dhe me krahun e shëndoshë të pozitës, duke i hapur krahun një kapitulli të ri në negociatat e pranimit në BE, në vend që Turqia të vazhdon të largohet nga Europa.
Turqia mundet dhe duhet të bëhet superfuqi ekonomike, duke zënë vend të merituar në arenën ndërkombëtare e botërore, por jo me Erdoganin, sepse Turqia është kthyer prapa në kohë.
Aleancat Rusi-Serbi-Greqi janë duke punuar me intensitet të shtuar kundër treshes Shqipëri-Turqi-ShBA. Të gjitha strukturat politike pozitë-opozitë që e duan Turqinë duhet të zgjedhin rrugë të reja të demokracisë dhe përparimit. Pozita duhet të distancohet nga e keqja dhe fjalori kërcënues i të parit të shtetit, Erdogan, i cili ka ra ndesh me të arriturat e demokracisë që mbretëronte në Turqi. E gjithë bota e civilizuar thërret mos e lini Turqinë në duart e Erdoganit, ai e shkatërroi demokracinë, pluralizmin, sigurinë, e dhunoi drejtësinë dhe e ka futur Turqinë në një rrugë pa perspektivë.