PROF.MURAT GECAJ: PSE NUK NA “MUNGON“ FUAT MEMELLI…

Tiranë, 17. 02. 2016: (Në vend të urimit, për 70-vjetorin e lindjes)
1.
Një lexues i vëmendshëm, këto ditë dhe pikërisht në Ditën e shënuar të Shën Valentinit, ka parë në FB njoftimin se kolegu dhe miku ynë, Fuat Memelli, me banim në Boston të Amerikës, ka festuar 70-vjetorin e lindjes. Megjithëse paksa “i vonuar”, sot po i shkruaj pak radhë, në shenjë nderimi dhe urimi të përzemërt për atë.
Tanimë, unë sjell në kujtesë disa dëshmi të kaluara, kur ai ka qenë në Tiranë. Një rast domethënës për mua ishte marsi i vitit 2010, kur festoja 70-vjetorin e lindjes, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar të kryeqytetit. Ndërmjet të ftuarëve të shumtë, ishte i pranishëm edhe Fuati. Dhe jo si një soditës i thjeshtë, por profesionist i aftë, publicist e kineast, që i ka venë në jetë gjatë punës disavjeçare në Radio-Televizionin Shqiptar.


Fuat Memelli, në 70-vjetorin e lindjes (Boston-Amerikë)

Por, me Fuatin e miq të tjerë, e kemi festuar 65-vjetorin e ditëlindjes së tij edhe në Tiranë, në një lokal modest, të një çifti gjirokastrit, prapa “Postiqes”, si e quajnë random ose te lokali “2-D”, siç e kishim pagëzuar ne, me shkronjat e para të emrave të tyre. Pjesëmarrës ishin disa kolegë e miq: Fiqua, Kozeta, Vullneti, Raimonda, Nuriu,Lida, motra e Fuatit etj. Koha e përbashkët aty kaloi shumë shpejt dhe gëzueshëm, me dolli e këngë, që i shoqëronte vetë “sebepqari” buzagas, duke interpretuar bukur në fizarmonikën e tij. Pa u zgjatur, tregoj këtu se jemi tubuar me kolegë e miq të Fuatit edhe më pas, p.sh. vitin e kaluar, ku kanë qenë Përparimi, Alberti etj., kur ai ka ardhur me pushime në Shqipëri.


Në 65-vjetorin e ditëlindjes së Fuat Memellit (Tiranë, 15 shkurt 2011)

2.
Me këto ndjenja malli e nostalgjie i pamë fotot e festës së 70-vjetorit të lindjes së Fuatit, atje në Bostonin e Amerikës. Ai ishte i rrethuar nga mjaft familjarë, miq e dashamirë dhe, sigurisht, e kanë kaluar shumë bukur. Por jam i bindur që ai ka sjellë në kujtesë edhe takime miqësore e festa të përbashkëta, kur ka qenë në vendlindjen e tij ose në kryeqytetin tonë. Sepse edhe sa herë ka shkuar jashtë Shqipërisë, deri në Amerikë, Fuati përherë ka sjellë ndërmend vargjet e një vjershe të tij, kushtuar vendlindjes, ku ka shkruar: “Dhjetëra herë kam ardhur,/ e qindra herë do të vij,/ veç gjithmonë ndodh me mua,/ vij këtu për t’u shmallur/ dhe iki më i përmalluar”. Pra, ai asnjëherë nuk ka “munguar” as nuk do të “mungojë”, fizikisht ose në kujtesën tonë..
Mendoj se është e tepërt që të zgjatem më tej, në këto pak radhë, me të cilat dua ta përshëndes përzemërsisht, nga larg e me mall, kolegun e mikun e mirë Fuat Memelli, duke i uruar edhe 100 vite të tjera, me shëndet të plotë, begati e fatmirësi, gëzime e lumturi, vetjake e familjare!
Uroj e shpresoj që, me Fuatin, të shihemi sa më shpejt në Shqipërinë tonë të dashur, ndoshta, gjatë muajve të vitit vazhdues!
Në mbyllje, shtoj se këtë skicë modeste po e shoqëroj pikrisht me një foto gazmore e domethënëse të Fuat Memellit, gjatës festës së ditëlindjes së tij, atje në Bostonin e largët dhe që është publikuar në Internet. Gjithashtu, ju po shihni dhe një foto të përbashkët nga “Arkivi” im, kur ai festoi me ne, 65-vjetorin e ditëlindjes, në kryeqytetin tonë.
Tiranë, 16 shkurt 2016

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

FRYMËZIM VJESHTE

Nga Rexhep Kasumaj Frymëzim vjeshte (Një sprovë…) Vdekja e fundit e “Katarinës”… 1. Berg Karabach, (Azerbajxhan i pasur),…