Gjakovë, 08. 03. 2015 – (“Nëse unë nuk do të flas, atëherë gurët do të pëlcasin”, thonë librat e shenjtë, Bibla dhe Kurani.) – Këtë vit shënohet 100 vjetori i hapjes së mësonjëtores së parë shqipe në komunën e Gjakovës me mësuesin e parë, Muharrem Domin nga Gjakova.
Sot, duke pirë kafe për nderë të 7 marsit, në një tavolinë me Binak Lumën, veteran i arsimit (më 23 shkurt i mbushi 73 vjet), biseduam gjatë për këtë vit jubilar të shkollës, për të cilën kanë filluar përgatitjet për shënimin sa më dinjitoz të kësaj dite. Apo më saktë, me të biseduam shtruar lidhur me atë se, që kur zu fill abc-ja në fshatin Cermjan të Komunës së Gjakovës. Ai, duket se për herë të parë m’i shpaloi kujtimet e tij, të vërtetat e fshehura prej vitesh, të cilat u heshtën prej pushteteve të ndryshme, vite me radhë. Disa, që ishin në pozita të larta institucionale të Komunës së Gjakovës, meqë nuk mundën t’i zhdukin këto të vërteta, u munduan t’i zbehin. Ky mjerim (zhdukja e dokumenteve, anashkalimi i të vërtetave historike, rëndësia etj.) ndodhi deri në ditët e sotme… Madje, veteranin e arsimit, Binak Lumën e kishte revoltuar edhe më tepër fakti, kur kishte dëgjuar se, dokumentet të cilat i kishte shkruar e dërguar vetë në arkivin e qytetit, ia kishin zhdukur disa plagjiatorë.
“Në vitin 1981, më rekomanduan nga arkivi i qytetit që të përgatis dosjen për shkollën e Cermjanit. Atë kohë isha drejtor (u.d) i kësaj shkolle. Kam intervistuar disa prej nxënësve të gjeneratës së parë të shkollës shqipe në Cërmjan. Mbresa më ka lënë biseda që kam zhvilluar me baba Qazim Bakallin, atë kohë inspektor i arsimit dhe sekretar i Bajram Currit”, kujton Binak Luma disa prej momenteve më të rëndësishme gjatë kohës kur ka filluar të mbledhë shënime për shkollën e parë shqipe të Komunës së Gjakovës, i cili ngul këmbë se në Cërmjan më 16 tetor të vitit 1915 ka filluar shkolla shqipe, kurse një vit më vonë është hapur ajo në Gjakovë, Pejë, Vushtrri, Drenoc etj.
(Këto fotografi publikohen për herë të parë)
“Në dorë e kam pas fletoren me shënime të mësuesit të parë të kësaj shkolle, Muharrem Domi, i ci në një prej fletëve të para të fletores ka shkruar: “Sot, më 16 tetor të vitit 1915 po e filloj punën në Cërmjan”. Kjo fletore nuk ekziston më”, shprehet Binak Luma. Ai tregon për herë të parë disa prej emrave të gjeneratës së parë të kësaj shkolle, njëri prej tyre edhe Mehmet agë Rashkoci, figurë e njohur patriotike.
“Kur në vitet e ’80-ta kam zhvilluar një bisedë me Isuf Dulën, ish nxënës i gjeneratës së parë të shkollës shqipe në Cërmjan, ka përmendur me radhë nxënësit e asaj gjenerate, me të cilët i kishte përfunduar katër klasë, ndër ta: Mehmet agë Rashkoci, Isuf Halili e 30 nxënës të tjerë. Ai thotë se shkollën e quanin mësonjëtore dhe jo shkollë, dhe se mësimi zhvillohej në gjuhën shqipe. Kjo, sipas tij ka zgjatë deri më 1918, kohë në të cilën Kosovën e pushtoi Serbia e parë, kurse shkollat shqipe u mbyllën”, kujton Binak Luma, për bisedën që kishte zhvilluar me plakun 90-vjeçar, Isuf Dula, i bindur se për rëndësinë që ka kjo shkollë, pak është bërë nga historianët dhe strukturat tjera udhëheqëse të shtetit. Prandaj, ai uron që, në këtë jubile të 100 me radhë të shkollës së parë shqipe në Komunën e Gjakovës, të ketë më shumë angazhim, që ky eveniment t’i hapë rrugë rëndësisë që ka historiku i kësaj shkolle, në një periudhë kur nuk kishte ende arsimim shqip.
– Kontakti me autorin: [email protected]