GJOKË DABAJ A: I NJEH BOTA RREGULLAT E GJAKFALJES?!

Pashtriku.org, 29. 03. 2015 – Më 26 mars 2015, në ambientet e Institutit Albanologjik të Prishtinës, u bë promovimi i romanit “Kriza e arkivistit-kronikë beogradase” i autorit Gjokë Dabaj. Në këtë event të rëndësishëm (që e moderoi sekretari i Institutit, Lulëzim Lajçi), folën: Dr.Agim Vinca, Prof.dr.Hajrullah Koliqi dhe publicisi, shkrimtari e kritiku letrar Behar Gjoka. Dr.Agim Vinca (autor i parathënies së librit) me këtë rast, romanin “Kriza e arkivistit-kronikë beogradase” e ka cilësuar si autopsi letrare e politikës gjenocidale serbe ndaj shqiptarëve si komb. “Ky është një libër tmerri, horror, i llojit të vet, nga i cili mund të shihet se deri ku arrin urrejtja njerëzore e frymëzuar nga hegjemonizmi shtetomadh”, – ka thënë profesor Vinca. Pastaj ka shpjeguar se si një arkivist i Akademisë së Shkencave në Serbi me emrin Stefan Jovanoviq, kur merr vesh se gruaja e tij ka origjinë shqiptare vret atë bashkë me dy fëmijët e tij! Dhe “veprën e vet mizore ai e quan akt patriotik dhe për këtë kërkon të shpërblehet e të dekorohet”, – ka thënë Vinca. Ai sugjeron, që ky roman të lexohet për t’i njohur që në zanafillë marrëdhëniet serbo-shqiptare. Prof.Dr. Hajrullah Koliqi ka thënë se libri pasqyron në mënyrë artistike krenarinë e autoriteteve serbe për numrin e shqiptarëve të vrarë. Sipas profesor Koliqit, çdo gjë që lidhet me shfarosjen e shqiptarëve gjendet në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Serbisë. “Ata mburren me faktin se shqiptarët i kanë vrarë si minj”, – ka thënë ai. Ndërkaq studiuesi, Behar Gjoka, ka thotë se vlerë e çmuar e librit është kujtesa se çfarë ka ndodhur me shqiptarët. “Nuk e di se çfarë mund të hamendësoj se çfarë mund të ndodhë me një popull që nuk ka kujtesë”, – ka thënë z.Gjoka. /sh.b/

Në vazhdim lexoni kumtesën e autorit të librit, Gjokë Dabaj, të mbajtur në këtë tubim promovues.

GJOKË DABAJ: A I NJEH BOTA RREGULLAT E GJAKFALJES?!

Kam përshtypjen që të gjithë krijuesit e kanë një temë kryesore, një KRYEPROBLEM të krijimtarisë së vet. Mua, qysh fëmijë, më ka shqetësuar, madje tronditur, tema e PAKËSIMIT me dhunë të popullit tonë, e cila, në fund të fundit, nëse nuk ndalet, rezulton me ASGJËSIM TË PLOTË. Nocioni ASGJËSIM PJESË-PJESË ka në vazhdim nocionin ASGJËSIM TOTAL.
Në rininë time i kam përjetuar të tria format e këtij lloj ASGJËSIMI të popullit tonë: ASGJËSIMIN FIZIK të disa mijë shqiptarëve në Masakrën e Tivarit. Isha vetëm 7 vjeç. (Më vonë do të konstatoja që, po në Tivar, një komplot bizano-sllav, më 1024-shin, pra 1000 vjet më pare, kish asgjësuar, jo 4000, por 42000 arbër.) ASGJËSIMIN E SHPIRTIT, i cili u zbatua në mënyrën më cinike, midis tjerash, edhe në krahinën time, në Shestan dhe në krejt Tivarin me rrethinë, ndërsa në vitet 1960, po në Shestan, Tivar, Ulqin e Malësi të Madhe, filloi të praktikohej intensivisht, me anë të mashtrimit perfid “për një jetë më të mirë”, ASGJËSIMI SHPËRNGULËS. Shqiptarët do të emigronin “për një jetë më të mirë” në Evropën Perendimore dhe në SHBA, sërbët dhe malazezët do të nguleshin në Tivar, gjithashtu “për një jetë më të mirë”, pra, do ta kolonizonin Tivarin.
I njëjti ASGJËSIM SHPËRNGULËS kish ndodhur, me mënyra edhe më drastike, në Kosovë dhe në të gjithë viset e tjerë, sidomos periferikë, por unë atëherë mund të dija vetëm aq sa shihja me sy.
Secilën prej këtyre 3 formave të GENOCIDIT i kam përjetuar rëndë. (Si dhe të gjithë ju, që jeni këtu.) Por, nganjëherë mendoja edhe kështu: Kur një popull VRITET FIZIKISHT, ai, të paktën varroset në tokën e vet dhe kjo, në një farë mënyre, sado mynxyrë, është më e lehtë se VRASJA E SHPIRTIT apo DËBIMI prej vendit të vet. Kur një populli i VRITET SHPIRTI, kur arrihet që ai t’i mohojë VETË, me “vullnetin” e vet, paraardhësit, gjuhën, historinë, kulturën, kur edhe epigrafet e varrevet i shkruan në gjuhë të huaj, kjo, thosha herë-herë me vete, është më e tmerrshme se sa kur dikujt i merret jeta fizike. E përjetova, me trishtimin më të thellë, pikërisht këtë lloj vrasjeje të krahinës sime: VRASJEN SHPIRTËRORE!
E njëjta formë ASGJËSIMI, pra, vrasja e shpirtit të kombit tonë, ashtu si me Shestanin, kish ndodhur edhe me shqiptarët ortodoksë të Çamërisë, si dhe me Rekën e Dibrës, apo me Plavën, me Peshterin etj etj. (Kur bisedoj me çamët, në Durrës e në Tiranë, shpeshherë u them: “Ju, çamët myslimanë, u persekutuat, por mbetët gjallë, kurse shqiptarëvet ortodoksë të Çamërisë IU VRA SHPIRTI dhe kjo është tragjedi shumë më e rëndë se vrasja fizike.”)
Ndërkaq, kur një popull DETYROHET, me çfarëdo forme, TË SHPËRNGULET, ai i ngjan mjerimisht një pylli të shkulur. Pemë të shkulura, me rrënjët përpjetë e me degët të ngulura në dhe!
Dhunuesit e kombit tonë i kanë përdorur, efektivisht, që TË TRIA këto forma, me synimin qartësisht BARBAR, që TOKA JONË TË BËHET TOKË E TYRE dhe kjo ka një prapavijë edhe më djallëzuore: Të mos ketë shqiptarë në këtë gadishull, sepse ashtu do ta kenë më të lehtë t’i sundojmë Mesdheun dhe krejt Evropën. (Gjë që Evropa, për fatin e keq të sajin, nuk e ka kuptuar asnjëhertë.)
Nuk besoj që ky problem mund të konsiderohet, prej dikujt, i vogël apo i parëndësishëm. Për studiuesin e krijuesin, jo e jo, por as për pjesëtarin më të thjeshtë të kësaj bashkësie njerëzore, që ne e quajmë komb shqiptar, ky problem nuk mund të quhet i vogël.
Duke shkruar për këtë aspekt, tepër të padëshirueshëm, të historisë dhe realitetit tonë të përditshëm, unë dhe dhjetëra krijues të tjerë, bashkëkombës, po përpiqemi ta bëjmë popullin tonë sa më të vetëdijshëm dhe, rrjedhimisht, më të aftë për t’u PARAMBROJTUR prej mynxyravet, të cilat, me siguri, vijnë PRAPË E PRAPË, nëse nuk pajisemi me instrumentet e duhur të vetëmbrojtjes.
Në romanin tim “Kriza e arkivistit, kronikë beogradase” jam munduar që të ndikoj edhe në vetëdijen e vetë pjesëtarëvet të kombit dhunues. E kam shkruar këtë roman në gjuhën e tyre, pikërisht PËR KËTË ARSYE dhe ju siguroj me sinqeritetin më të kulluar se, sikur shqiptarët t’i kishin kryer këta krime mbi popullin sërb, unë do ta kisha shkruar një vepër me të njëjtën temë, kundër vrasësvet eventualë shqiptarë. Prandaj dhe kam thënë në një vend, që këtë roman duhej ta kishte shkruar para meje një sërb.
Nuk mund as të mendohet aderimi ynë në të quajturin Bashkim Evropian, duke mos i njohur secili popull (dhe këtu e kam fjalën te sllavët dhe te grekët) krimet që pjesëtarët e tij apo të parët e tij i kanë kryer ndaj popullit tonë.
Si do të hykemi ne, sërbë edhe shqiptarë, në Bashkimin Evropian pa i rrafshuar llogaritë njëri me tjetrin?! A duke u parë shtrembër njëri me tjetrin, apo duke u thënë sërbëvet: Mirë na e keni bërë!? Na e keni bërë mirë që na i keni vrarë brenda 1 nate 7000 njerëz në Bihor dhe që na i keni zbrazur 700 fshatra në sanxhakun e Nishit. Na e keni bërë mirë që e keni përgjysmuar kombin tonë! A mund të hyhet kështu në një shtet, qoftë edhe konfederatë, të përbashkët?!
Përdoret shpesh fjalia „Ta lëmë mënjanë të kaluarën!“ Madje thuhet edhe: „Ta harrojmë të kaluarën!“ Mirëpo, në popullin tonë asnjëherë nuk thuhet kështu as për 1 GJAK TË VETËM, jo më për QINDRA MIJË GJAQE. Në popullin tonë shkojnë së pari PAJTIMTARËT dhe përpiqen t’ia mbushin mendjen familjes së të vrarit për ta falur gjakun. (Nuk do harruar që në negociatat për gjakfalje ka edhe klauzola për zhdëmtime ekonomikë.) Dhe, vetëm kur familja e të vrarit, pasi i janë plotësuar të gjitha kërkesat e arsyeshme, pranon ta falë atë gjak, merret vrasësi, sillet para gjakfalësit duarlidhur, gjakfalësi ia zgjidh duart dhe vetëm atëherë quhet i falur gjaku i derdhur dhe ashtu 2 familjet quhen të pajtuara.
Nuk i kërkohet falja e gjakut, VETËM një familjeje apo një fisi KREJTËSISHT TË SHUAR. Pra, nuk mund t’i kërkohet falja e gjakut një ISH-FAMILJEJE, një familjeje a fisi që nuk ekziston më!
Shtrohet tani pyetja: Ne shqiptarët, a jemi një KOMB I SHUAR, një ISH-KOMB, që s’po na kërkon askush falje për mijëra njerëzit që na i kanë vrarë, asimiluar apo shpërngulur fqinjët tanë?!
A jemi ne shqiptarët një KOMB I SHUAR, po dua të them!?
Nuk po them që nuk duhet t’i falim bijtë e vrasësvet tanë. Por po them: “Pse s’po na kërkohet ndjesë?!” Këtë po them dhe këtë e kam thënë edhe në romanin tim, me gjuhën e artit.
Prandaj, deri në ditën kur do të na kërkohet falje, jo formalisht, por sinqerisht dhe konstruktivisht, SHPIRTËRAT E TË VRARËVET TANË do të fluturojnë pa pushim nëpër kryeqytetin e Sërbisë, dhe ne, deri në ditën kur të na kërkohet falje dhe kur t’i kemi falur gjaksorët tanë, kryeqytetin e tyre kemi të drejtë ta quajmë KËRVOGRAD e jo BEOGRAD.
Ndërkaq, po i themi edhe botës, veçanërisht Evropës Perendimore, me seriozitetin më të madh: Mësojini mirë, studiojini mirë rregullat e GJAKFALJES ndër shqiptarët! Shqiptarët i falin gjaqet, por jo duke e shpërfillur dinjitetin e tyre!

– Kontakti me autorin: [email protected]

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura