SHEFIK SADIKU: PSE GJYKATË SPECIALE PËR KOSOVËN E JO PADI PËR GJENOCID KUNDËR SERBISË?!

Viti, 08. 04. 2015 – (A duhet të shkojë drejtësia pas forcës, apo forca pas drejtësisë?) – Ka disa vjet që ka përfunduar lufta çlirimtare e UÇK dhe tani e disa vjet Kosova është e lirë. Është e lirë vetëm në aspektin e sigurisë, sepse në pjesën më të madhe të territorit të saj, përjashto pjesën mbi lumin Ibër në Mitrovicë, nuk ka forca policore dhe ushtarake të Serbisë.
Liria e popujve është liri fundamentale dhe universale, e cila njihet dhe garantohet nga konventat ndërkombëtare që e rregullojnë këtë çështje, andaj kjo e drejtë duhet t’u garantohet edhe shqiptarëve të Kosovës. Me përfundimin e luftës më 1999 jo gjithçka përfundoi në raportet në mes Serbisë dhe Kosovës. Bashkësia ndërkombëtare formoi Tribunalin e Hagës, i cili u mor dhe po merret me krimet e luftës që ndodhën gjatë procesit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Nëpër proceset e këtij Tribunali kanë kaluar edhe disa pjestarë të UÇK-së. Fatmirësisht procesi ndaj dy liderëve të UÇK-së përfundoi pa mundur të ofrohen prova se ushtria jonë ka kryer krime. Kjo ishte një fitore e madhe në favor të luftës sonë të drejtë dhe çlirimtare.

Mirëpo Serbia, si agresore dhe shkaktare e luftërave në ishJugosllavi, me çdo kusht tentoi dhe po tenton ta barazojë krimin e saj ndaj të tjerëve me gjoja krimet e të tjerëve ndaj serbëve. Me një farë mënyre edhe ia ka arritur, që së paku formalisht, ta realizojë këtë qëllim. Në funksion të këtij synimi Bashkësia Ndërkombëtare , duke u bazuar në raportin e Dik Martit, po kërkon nga Qeveria dhe Parlamenti i Kosovës të krijohet një Gjykatë Speciale , që do të hulumtojë krimet e mundshme të UÇK-së ndaj jo shqiptarëve dhe shqiptarëve bashkëpunëtorë të Serbisë.
A duhet ta pranojnë shqiptarët një Gjykatë të tillë?
Parimisht: po, praktikisht: Jo!
Parimisht po, sepse shqiptarët kurrë nuk kanë qenë kundër proceve që janë objekt i drejtësisë e jo i proceseve politike. Praktikisht jo, sepse Gjykata Speciale po formohet e ndikuar politikisht dhe e drejtuar nga paragjykimet e Serbisë kundër pjestarëve të UÇK-së.
A mund ta pengojnë shqiptarët e Kosovës formimin e kësaj Gjykate?
Jo, sepse Serbia është në pozitat e të fortit duke pasur edhe mbështetjen e fortë të aleatëve të saj politikë.
Pse është i padrejtë formimi i një Gjykate Speciale?
Është i padrejtë sepse në Kosovë, në kuadër të UNMIKUT ka pasë një sistem drejtësie; sepse pas UNMIKUT, në Kosovë është vendosur administrimi i EULEXIT, që gjithashtu ka pasur sistemin e tij të drejtësisë; me gjoja krimet e UÇK-së është marrë edhe Tribunali i Hagës; në Kosovë tani vepron sistemi i drejtësisë brenda institucioneve të vendit, prandaj juridikisht është e panevoshme krijimi i shumfishtë i sistemeve të drejtësisë.
A duhet të ngritet padia për gjenocid të shkaktuar nga Serbia kundër shqiptarëve?
Kjo, patjetër, se duhet të ndodh. Gjenocidi i Serbisë kundër shqiptarëve nuk duhet të përfshijë vetëm Luftën e Fundit çlirimtare. Serbia kundër shqiptarëve ka ushtruar dhunë të paparë jo vetëm 2 apo 3 vite , por afër një shekull. Prandaj ushtrimi i dhunës kundër një etnie duke përdorur format më të vrazhda si, dëbime nga vendi, vrasje, burgosje, plaqkitje, dhunime femrash, djegie shtëpishë, burgosje që shkojnë deri në mijëra vjet, ndalim i të drejtës për ta shprehur identitetin e vet për shqiptarët, helmime të fëmijëve, djegie kufomash, zhdukje njerëzish, privim nga e drejta për t’u arsimuar dhe e drejta për t’u mjekuar etj. , të gjitha këto për afër një shekull nuk mund të emërtohen ndryshe, përpos gjenocid dhe aspak më pak se gjenocid. Nëse Serbia paska të drejtë të kërkojë Gjykatë të posaqme kundër ndonjë individi shqiptar, kundër ndonjë rasti të izoluar, kundër ndonjë rasti të paorganizuar, atëherë lind pyetja pse shqiptarët e Kosovës s’paskan të drejtë të kërkojnë Gjykatë kundër gjenocidit që ka ushtruar një shtet kundër qenies së tyre etnike për një shekull?
Nëse bota, mos e thëntë Zoti, pranon ndarjen seletive të drejtësisë, atëherë drejtësinë e dirigjon forca e jo drejtësia forcën.Kosova tani ka të drejtë ta padisë Serbinë për gjenocidin e ushtruar kundër shqiptarëve, sepse Kosova më herët nuk e kishtë këtë mundësi duke mos qenë shtet, prandaj jo vetëm se është koha që të paditet Shteti i Serbisë për gjenocid ndaj shqiptarëve, por kjo nuk guxon të mos ndodh.
Dënimi i gjenocidit nuk mund ta ndryshojë atë që ka ndodhur, por mund ta parandalojë një mundësi të tillë kudo në botë që të mos ndodhë në të ardhmen. Dënimi i gjenocidit ndaj kujtdo qoftë që ka kryr gjenocid, është shpëtim i botës nga kjo e keqe. Prandaj bota demokratike ka obligim njerëzor që ta ndihmojë jo vetëm Kosovën për realizimin e kësaj të drejtë.

– Kontakti me autorin: [email protected].

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura