PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: GAZETA ‘LAJMËTARI I LIRISË’, BEFASI E KËNDSHME PËR MËRGATËN SHQIPTARE (II)

Prishtinë, 11. 04. 2015 – (1. 9. Prezantimi i tipareve të gruas shqiptare tek të huajt) – Shtypi i ilegales që botohej në Kosovë por edhe jashtë saj, i kushtonte rëndësi të madhe prezantimit të denjë të gruas në përgjithësi e në veçanti asaj shqiptare. Gazeta “Lajmëtari i Lirisë”, në çdo numër të saj gati-gati çdo herë i kushtonte nga një faqe për luftën, angazhimin e gruas shqiptare në luftërat për liri e pavarësi.
Veç autorëve shqiptar që i kënduan gruas shqiptare, për të shkruan edhe shumë autor të huaj, të cilët kishin arritur në përfundime të përbashkëta se populli shqiptar është një nga kombet më të bukur nga pikëpamja fizike, madje ndonjë prej këtyre udhëtarëve shkencëtarë i quante shqiptarët si “kombësinë ndoshta më të bukur të “Turqisë Perëndimore” . Në punimin “Krah për krah me burrin në luftën për liri”, autori Ligor Mile, shkruante se një shkencëtar i huaj kishte thënë për gruan shqiptare se gratë që nxjerrin në dritë burra të pamposhtur dhe trupmëdhenj dallohen gjithashtu për forcën e organizimit të tyre edhe për thjeshtësinë e zakoneve të tyre… Ato ndajnë me burrat punët, udhëtimet dhe rreziqet e tyre”. Ndërsa një udhëtar francezë i mesit të viteve 30 të shekullit të 19-të, pasi u njohë me popullsinë e trevës së Tomorit, erdhi në përfundim se “Midis luftëtarëve të Tomorit dhe midis grave të tyre gjendën më shumë se një model për një Apollon dhe për një Venus”
Duke u marr me vlerat shpirtërore të popullit shqiptarë, autorë bashkëkohorë qenë të një mendimi se “krenaria kombëtare shfaqet edhe në fjalët më të vogla të shqiptarëve , në gjestet e tyre, në ecjen e tyre të lehtë. Guximin e kanë që nga lindja e qysh në vogëli, ata janë qitës të shkëlqyer. Një nga gjeografët më të njohur evropianë të viteve 70 të shekullit të 19-të i përshkruante shqiptarët si “të dalluar për finesën e shpirtit, për qartësinë e mendimit dhe për forcën e karakterit” shkruan gjeografi i huaj.
Gjatë lëvizjes kryengritëse, që shpërtheu në vitet 1844-1845 në verilindje të Shqipërisë, në Kosovë dhe në Dibër, dokumentacioni arkivor na dëshmon se në malësitë e lira “gra dhe fëmijë bënin pjesë në radhët e luftëtarëve”, “se “gratë qenë të ngjeshura me armë, të veshura ushtarakisht” duhet dalluar sidomos gratë në Shqipërinë e Sipërme.

Duhet cekur se gruaja shqiptare në asnjë periudhë kur ishte vendi në rrezik nuk qëndroi duarkryq. Shembujt e pjesëmarrjes së gruas në luftërat për liri janë të shumta, sidomos duhet përmendur luftërat që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e këndej. Ky patriotizëm i njohur i gruas shqiptare, këto cilësi të rralla morale të saj, morën një përmbajtje të re dhe u shfaqën me forcë në ato gra e vajza të popullit që veshën rrobat partizane dhe luftuan krah për krah me burrat gjatë LANÇ .
Edhe pse kishte përfunduar Lufta e Dytë Botërore, burrat e gratë e Kosovës nuk u kënaqen me gjendjen ekzistuese. Ata gjetën forma e mënyra që ti kundërvihen okupuesit të “ri”. Gratë shqiptare në Kosovë dhe viset tjera shqiptare në ish-Jugosllavi, krah për krah me burrat u ndodhën në krye të detyrës duke organizuar fillimisht grupe e organizata ilegale e më vonë me formimin e UÇK-së, dolën edhe në male duke u bërë pjesë e denjë e luftërave për liri.
1. 10. Prezantimi i poezive në faqet e gazetës
Në faqen 15, të gazetës zënë vend edhe disa poezi të Ndoc Gjetës. Ndoc Gjeta u lind më 1944 në fshatin Bërdicë të Shkodrës, por në Lezhë u vendos me familjen që kur ishte 7 vjeç. Ai është ndarë nga jeta më 7 qershor 2010, në moshën 66-vjeçare. Konsiderohet si një nga poetët më origjinalë shqiptarë. Kishte botuar vëllimin e parë poetik “Rrezatim”, pastaj “Shqiponja rreh krahët” (1975), “Qëndresa” (1977), “E përditshme” (1982), “Çaste” (1984), “Poezi” (1987), “Kthimet” (1991) dhe “Dhjata ime” (1998). Autori në “Lajmëtari i Lirisë” prezantohet me tri poezi që kryesisht kanë karakter atdhetar siç janë: “Më kishin ardhur njerëzit”, “Gjyshit” dhe poezia “Unë shtëpinë e kam te fjala “shok”. Në poezinë “Gjyshit” autori na paraqet fatin e kombit shqiptar që nëpër vite u përndjek, u zhduk, porse megjithatë nuk ia arritën qëllimit. Poeti këndon se poçese ka nevojë, ai është në gjendje që: Gjakun tim te udha e jetës/pika-pika e piftë dheu/gjithsaherë ti thahet buza, gjithsaherë ta marrë etja/ e iu bëftë shëndet e gëzim/u bëftë lule, gjeth e bar/u bëftë rrita e Shqipërisë,/zë fëmije ndër pelena” , përfundon autori duke e mbyll poezinë me vargje dëshirore.
2. VAZHDON RRUGËN E INFORMIMIT TË DREJT, NUMRI 2 (DY) I GAZETËS “LAJMËTARI I LIRISË”
Numri 2 (dy), i gazetës “Lajmëtari i Lirisë”, botohet pas dy muajve, po ashtu duke e ruajtur fizionominë si në aspektin teknik, po ashtu edhe në atë përmbajtjesor. Botohet në letër A-4, me një teknik duke u shtypur fillimisht në makinë shkrimi, e më vonë duke u shumëzuar në shaptilograf. Materia e përfshirë në të është nga më të ndryshmet si nga fusha politike, ekonomike, arsimore e lëmi të tjera që ishin me interes për mërgatën shqiptare që jetonte e vepronte në mërgim.
Sikurse edhe numri i parë, për moto kishte thënien e njëjtë “Me penë dhe pushkë…”, veç kësaj, gazeta ka në ballinë edhe një pjesë shkrimi të marr nga Arben Puto ku thuhej se “Në kundërshtim të hapët me parimin e kombësisë dhe të vullnetit të popullsive vendëse, nga trungu i Shqipërisë u shkëputën krahina të tëra si Rrafshi i Dukagjinit, Kosova dhe tokat shqiptare në Maqedoni. Më tepër se gjysma e popullsisë së vendit dënohej të ndërronte zgjedhën e vjetër turke me një zgjedhë të re, atë të Serbisë dhe të Malit të Zi” .
Numri i kushtohet festave të nëntorit, duke iu uruar të gjithë lexuesve “Gëzuar festat e Nëntorit”. Në ballinë është edhe një vizatim që portretizohen tre luftëtar.
Gazeta si zakonisht fillon me shkrimet të cilat trajtojnë jetën e rëndë e të robëruar të shqiptarëve në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare nën ish-Jugosllavi.
2. 1. Arrestimet e burgosjet e shqiptarëve
Në faqen e dytë të gazetës, prezantohet një shkrim “Jo ngushëllime, po urim”, në të cilin nuk figuron kurrfarë emri autorësh. Si shkas të shkrimit, autori i panjohur shtjellon ngjarjet e fundit politike dhe arrestime që organizohen ndaj shqiptarëve. Në fillim të shkrimit, jepen të dhëna se si është dënuar dhe është gjobitur Millovan Gjillasi nga pushtetarët e atëhershëm. Ndërsa në pjesën e dytë të shkrimit, autori na dëften se si është dënuar atdhetari Adem Demaçi. Ai shkruan se “Është një “plebej” shqiptar, i cili po dënohet qe tri herë me burg të rëndë. Një herë pesë, pastaj dy herë nga pesëmbëdhjetë vjet! Tamam aq sa të mos e shohë kurrë diellin me sy! Madje pa nxjerrë kurrfarë gazete si “Çasovnik-un” që e kishte nxjerr Millovan Gjillasi. Anomali, pyet autori i shkrimit, dhe përgjigjej me – Jo . Historia na kishte mësuar se okupuesi në çdo kohë dhe në çdo periudhë mllefin e vet e shprehte sidomos ndaj atyre që iu kishte frikën. Andaj edhe vazhdon në shkrimin se: Dënimet më të rënda një shtet i ka për njerëzit që paraqesin rrezikun më të madh për atë shtet. Për të vazhduar se UDB-eja i ka llogarit e veta, shumë të qarta: dënimet sa më të rënda për patriotët shqiptarë, izolimin total të familjeve të këtyre patriotëve , presionin politik edhe mbi rrethin e ngushtë e të gjerë të tyre… A ka fakte më të mira që të na mbushin mendjen se, për Serbinë hegjemoniste, pika neuralgjike jemi pikërisht ne, shqiptarët. Dhe a duhet të na dëshpëroi e të na trembë kjo gjë, apo të na bëjë çdo ditë më të lumtur e më të fortë, se kështu po i afrohemi realizimit të aspiratave tona shekullore . Nga kjo del se njëherë e mirë të gjithë shqiptarët kudo që janë, e kanë të qartë se liria e një populli nuk fitohet pa gjak dhe pa sakrifica.
Autori me pseudonimin Lul Ndreu (Jusuf Gërvalla), na jep të dhëna që janë alarmuese, se UDB-eja jugosllave kishte marr hapa tronditës ndaj shqiptarëve, duke arrestuar dhe dënuar për hiq gjë shumë të rinj shqiptarë. Me 10 qershor të këtij viti (1980, S.K-B), “Rilindja” mori leje të nxirrte emrat e një grupi prej 8 vetash : Shefqet Jashari , Ramadan Pllana , Avdi Kelmendi , Abdyl Lahu , Isa Demaj , Sylejman Qyqalla , Skender Jashari dhe Hysen Gërvalla – që Gjykata e Qarkut në Prishtinë u dha dënime 3-8 vjet burg të rëndë për “vepër penale të propagandës dhe bashkim me qëllim të veprimtarisë armiqësore “. Një muaj më vonë po kjo gazetë solli edhe lajmin nga Gjyqi i Qarkut në Shkup, i cili për të njëjtën “vepër” kishte dënuar me 3-6 vjet burg të rëndë Gani Sylajn , Muharrem Shalanin dhe Haxhi Maliqin . As te grupi i parë e as te grupi i dytë (dhe as te afro 2000 të burgosurit e tjerë politikë shqiptarë, që i burgosi vjet UDB-eja), nuk janë kapur materiale armiqësore të dënueshme me ligjet ndërkombëtare, të cilat i ka nënshkrua edhe vetë Jugosllavia në Helsinki, para disa vjetësh. Të burgosurit në fjalë janë privuar lirie vetëm për deklarata verbale ose shkresa unike apo të shumëzuara me dorë e makinë shkrimi-dhe kjo gjë është në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare.
Historikisht dihej se Jugosllavia gjatë gjithë pushtetit dhe shtetit sa ekzistoi burgjet e saja ishin të mbushura me shqiptarë. Andaj, jo rastësisht e dënuan Adem Demaqin, simbolin e rezistencës shqiptare.
Në shkrimin e Lul Ndreut, supozojmë se është Jusuf Gërvalla, jepen të dhëna të bollshme për arrestimin dhe dënimin e Adem Demaçit. Në tekst thuhej se Gjyqi jugosllav e ka dënuar tri herë me burg të rëndë, luftëtarin më të paepur kosovar për idealin kombëtar dhe njerëzor në Kosovën e pasluftës (pas vitit 1945, shënim i S.K-B): më 1958, me pesë vjet burg, nga të cilat i ka mbajtur 3; më 1964 me 15 vjet burg, nga të cilat i ka mbajtur 10 vjet; dhe më 1975 po me 15 vjet burg të rëndë, nga të cilat i kanë ngelur edhe 10 vjet… Të tri herët është dënuar për “vepër armiqësore kundër popullit dhe shtetit”. Në gjykimin e fundit, në shtator 1975, patrioti i ynë pat deklaruar haptas, pa hezitim dhe me domethënie të thellë: “Megjithëqë… plotësisht i pafajshëm, unë gjithmonë kam qenë dhe kurdoherë kam për të qenë- deri në vdekje- për idealin kombëtar e njerëzor; dënimi që po më bëhet mua është dënim për bindje dhe mendime, e jo për vepër, dhe kjo gjë është, me sa di unë kundër ligjit dhe në kundërshtim me të gjitha normat ligjore ndërkombëtare e njerëzore , autori mbyll të dhënat për Adem Demaçin.
2. 2. Festimi i ditës së flamurit
Në numrin e dytë të gazetës, redaksia nëpër mes faqeve të saj, të gjithë shqiptarëve i’u uron festën e flamurit, duke e dhënë edhe një historikë të saj. Pas 62 –vjetësh, përsëri populli shqiptarë këtë festë e festojnë në dy mënyra të ndryshme. Në Shqipëri (në shtetin politik), festa shënohet në mënyrë transparente, dhe duke evidencuar rezultatet e arritura të vendit, ndërsa, Kosova dhe vendet tjera shqiptare nën ish-Jugosllavi, shënojmë lavdin e të parëve tanë, që tokën mëmë e ulëm me gjakun e tyre të shtrenjtë po të pakursyer, dhe mjerimin e sotëm kush nën robërinë e egër të pushtuesve sllavë e grekë dhe kush në udhën e madhe të kurbetit në dhera të huaja , thuhej në shkrimin “Gëzuar Nëntori”, në faqen 3 të saj.
Viti 1980, siç dihej ishte viti i fundit kur bëheshin përgatitjet e mëdha për pranverën shqiptare të ’81-shit. Në këtë shkrim edhe bëhet përshkrimi i situatës politike që mbretëronte në këtë kohë. Kështu shkruan gazeta: Ne shqiptarët e Kosovës dhe të viseve tona të tjera brenda Jugosllavisë, këtë nëntor po e shënojmë në një skamje e mjerim të madh, ku jemi katandisur në saje të një politike kolonialiste të pushtuesve jugosllavë, me lot ndër sy qajmë vuajtjet e motrave dhe të vëllezërve tanë, që lëngojnë në burgjet e armikut gjakësor, por dhembja jonë është dhembje krenare, sepse ata nuk e kursyen rinin e tyre, por u hodhën në luftë të guximshme për realizimin e aspiratave tona shekullore për bashkimin e tokave shqiptare dhe për shembjen e rendit antipopullor e anti shqiptar në Jugosllavi përfundon autori, duke shpresuar se në të ardhmen dhe festat tjera kombëtare do i festojmë s’bashku me shtetin amë-Shqipërinë.
2. 3. Fytyrë e kthyer nga Shqipëria
Si në çdo gazet ilegale po ashtu edhe në “Lajmëtarin e lirisë”, vend i dukshëm i kushtohet Shqipërisë dhe të arriturave të saja. Duhet përmendur se në faqen e tretë të gazetës është shkrimi “Me sy e zemër nga nëna Shqipëri”. Autori shkruan për Shqipërinë dhe për rrugën e mundimshme të saj. Zhvillimet si në fushën e kulturës, arsimit, shëndetësisë e shumë lëmi të tjera e bëjnë autorin e shkrimit që të fascinohej me të arriturat e shtetit amë. Autori duke mos e ditur realitetin e shtetit lavdëron të mirat e komunizmit që lulëzon në çdo cep të Shqipërisë. Në shkrim jepen tradhtitë e shumta që i bëhen popullit shqiptar duke filluar që nga koha e Skënderbeut të madh, të tradhtive të më vonshme që i bëjnë konferencat ndërkombëtare e deri te viti 1945, që i bënë Jugosllavia, Rusia e Kina, por shton se megjithatë, populli shqiptarë ia doli mban pa u përkulur e nënshtruar asnjë dashakeqi. Sido që të jetë, Shqipëria është Shqipëri, nëna dhe babai i ynë, i të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhën.
Për një moment, autori i shkrimit ndalet dhe prezanton të dhënat për shqiptarët që janë okupuar nga Jugosllavia, ai thotë se:” Deri sa ne na kanë zhdukur pasivisht si “ballistë” dhe deri sa kemi duruar urie; deri sa ne kemi shikuar me sedër të vrarë kombëtare si zbret dhe si na ndalohet flamuri shqiptar me të cilin i kishim çliruar tokat tona; deri sa nga vatrat tona të dashura na kanë dëbuar me tortura e shantazhe; me një fjalë, gjithë kohën që ne kemi shijuar mjetet më të egra të gjenocidit nga ana e social-shovinistëve titistë, i vetmi satisfakcion për ne ka qenë forcimi dhe zhvillimi i mbarë Shqipërisë mëmë dhe denoncimi nga ana e saj i të zezave të zbrazura me rrebesh mbi kokën tonë. Dhe në vend të ndjenjës së braktisjes nga Shqipëria mëmë, qenien tonë e mbushi ndjenja e fuqishme se nuk jemi vetëm dhe ka kush na del zot, ka kush davarit mjegullën, me të cilën titistët menduan ta mbështillnin historinë tonë të vërtetë dhe planet e tyre shtetërore për shfarosjen e shqiptarëve. Dhe vërtet, ishte për të gjithë shqiptarët një satisfakcion i mirë se ne kishim shtetin amë e cila angazhohej dhe luftonte atje ku mundte dhe duke e pasur parasysh ndikimin e saj në botë, çdo herë dhe në çdo kohë bëri atë që mundi duke mos kursyer asgjë nga vetja.
2. 4. Shkrime me karakter optimist
Në faqen 4 e 5 të gazetës janë edhe ca shkrime që në vete ngërthejnë tone optimiste si shkrimi “Kohët ndërrojnë fatlumnisht”. Autori shton në shkrim se vetëm i padituri dhe kopuku , thënë me një fjalë mendojnë se koha nuk ndryshon, ndërsa e vërteta është krejt tjetër, ngase askush dhe nga asnjë njeri nuk mund të ndalet dielli kur të vijë mëngjesi për të aguar, po aq më tepër është për të ardhur keq, se si disa miop mendojnë se lirinë që e kanë uzurpuar nuk do të mund kurrë t’iu kthehej atyre që e meritojnë atë. Autori më 1980 mendonte e shkruante se një ditë do të vijë liria, dhe vërtet trimat e trimëreshat shqiptare e sollën atë, edhe me sakrifica por ata kishin bërë benë dhe se ishin të vetëdijshëm se liria fitohet me gjak e jo me llafe te kota.
Edhe shkrimi “Njeriu në qendër gjithçkaje” i kushtohet avancimeve të shumta në Shqipëri duke pasur protagonistin kryesor shkrimtarin dhe publicistin e madh francezë, prof. Rober Eskarpin, i cili më 1980, kishte qëndrua disa ditë për vizitë në Shqipëri. Shkrimtari Robert kishte ngelur i mahnitur me të arriturat e shteti shqiptar dhe ajo që i kishte pëlqyer më së tepërmi ishin fjalët e një malësori, i cili i kishte thënë se shteti shqiptar në qendër të çdo gjëje e ka njeriun. Dhe shton profesori se :”Kur ky fshatar shqiptar thoshte se njeriu është në qendër të gjithçkaje, ai e vinte atë fizikisht, me të gjithë pushtetin, dëshirat, trupin e tij, botën e tij të brendshme, që t’i lejonte atij të hapte aty një vend për kohën e jetës së tij, dhe jo për ti siguruar atij me disa fjalime metaforike përjetësinë e kotë të një shpirti të patjetërsueshëm… Ky shkrim është i huazuar nga gazeta e përditshme shqiptare “Zëri i Popullit”.
Në këtë faqe është edhe një poezi nga një poet turk, Tahsin Saraç: “Shqiponjë me zemër të bardhë”. Poezia është e shkruar me 2 qershor 1980, në qytetin e Shkodrës. Poeti turk i frymëzuar nga ajo që kishte parë e shijuar, frymëzohej dhe shkruan këtë poezi. Duke shpreh dashurin e madhe për shtetin shqiptarë, në vargje shkruan: Dashurova/ njerëzit të thellë si ujërat e nëndheshme/ të ndjeshëm/ të thjeshtë/ krenar/ zemërimi i tyre është si bubullimë e qiellit/ ndërsa dashuria e tyre si turfullimë e një fluture/ … Dashurova/ vështrimin tënd/ në zemërim dy grykë të një pushke/ në buzëqeshje një tufë lule” , shprehet autori.
Në faqen e pestë shkruhet për librin e Enver Hoxhës “Eurokomunizmi është antikomunizëm”, që u botua më 1980, në Tiranë. Po ashtu në faqen e 8-të ndodhej shkrimi i marr nga V.I. Lenini “Situata Revolucionare”. Ndërsa “Kronika e lajmëtarit”, ndodhet në faqen e gjashtë të gazetës ku në mënyrë të dendur jepen ngjarjet që ndodhin në botë, por që prezantohen në mënyrë informative.
Shkrimi “Dokumenti i gatishmërisë”, shkruan për situatën tejet tensionuese që mbretëron në këta muaj në Kosovë. Aty thuhej se pas një ndeshjeje futbolli, gati-gati erdhi edhe te shpërthimi i demonstratave të përgjithshme popullore. Populli shqiptarë asnjëherë nuk do të harrojë vitin 1968 dhe demonstrata studentore, po vallë? pyet autori i shkrimit se vendi dhe preteksti i tyre mund të jetë i pakuptimtë në dukje të parë: reagim për një padrejtësi sportive në fushën e futbollit. Por, duhet të jesh fare jashtë realitetit shoqëror kosovar, nëse çështjen e kufizon në këtë mënyrë. Edhe fizikisht, demonstratat kaluan jashtë fushës së sportit, u përhapën në rrugët e Prishtinë dhe zgjatën deri natën vonë. Vallë, një padrejtësi e thjeshtë sportive mund t’i shtynte qytetarët tanë që “tërbimin” e tyre ta derdhnin mbi çdo automjet, të madh a të vogël, që nuk kishte targë të Krahinës sonë?! A s’i përkujtojnë autobusët dhe veturat e përmbysura, demonstratat e 1968-ës?!. Me këtë rast kërkon autori i shkrimit që ilegalja shqiptare që e ka marr përsipër që ti shtyjë proceset përpara dhe duhet të bëjë kujdes, dhe të ketë çdo gjë nën kontroll se s’ka revolucion pa popullin dhe s’ka popull jo revolucionar. Gjithçka varet nga kushtet objektive , në të cilat do të shpërthejë ose jo revolucioni . Ndërsa sa i përket situatës në Kosovë ajo është e stër-ngarkuar me elektricizëm të fuqishëm revolucionar. Duke përfunduar shkrimin autori anonim thotë se “Për revolucionarin e vërtet është e qartë se shkarkimi i këtij elektrizimi do të bëhej më me vend e më me efekt po të kishte udhëheqës të denjë revolucionar, që do të viheshin në ballë të masave të revoltuara për t’u prirë atyre kah fronti i shenjët i çlirimit të tokave stërgjyshore dhe i bashkimit me Atdheun tonë të lirë, Shqipërinë Socialiste ” përmbyllet teksti.

Petraq Risto, në këtë numër prezantohet me një cikël poezish “Vargje për Revolucionin” të përbërë nga tri poezi: Vargje për revolucionin, Superfuqitë; dhe Kronik polake. Në formë vargjesh poeti polak paraqet realitetin në vendin e tij duke thënë se : Varshava/ Gdansku/ Balltiku/ marrin ngjyrën e gjakut/ Punëtorët e revoltuar/ shtrëngojnë radhët/ Jerosheviqi çmendet, bërtet:/ Sus, heshtni, sus/ Po çmimet ngrihen me shpejtësi/dhe punëtori ndjen dhembje/ ngre zërin pa frikë/ Tërbohet Sejmi polak… ” duke shtuar se gjithçka në botë mund eksportosh por për revolucionin është një pikëpyetje e madhe.
2. 5. Vendi meritor i Eqrem Çabejit të madh
Në një faqe e gjysmë tekst, gazeta i kushton vend meritor figurës poliedrike të profesorit të nderuar Eqrem Çabejit të madh. Autori “Drini”, shkruan gjerë e gjatë për jetën dhe veprën shkencore të vet profesorit. Në mes tjerash ai thotë se “ Vdekja e këtij biri të shtrenjtë të kombit tonë u prit me pikëllim të madh edhe në Kosovë, si në të gjitha trevat shqiptare. Shumë punonjës të shkencës e të arsimit, studentë e të tjerë, e kanë pasur fatin e bardhë t’ia lexojnë t’ia studiojnë veprën, po edhe të njihen personalisht me profesorin e nderuar, i cili vinte në mesin tonë që të përgatiste studentët për punë shkencore në fushën e studimeve albanologjike. Autori vazhdon të shkruaj për dhembjen dhe humbjen e madhe që përjetoi bota akademike dhe të gjithë shqiptarët kudo që ndodheshin.
Të dhënat biografike për profesorin fillojnë me lindjen e profesorit në Gjirokastër, në gusht të vitit 1908. Mësimet e para i mori në vendlindje, kurse shkollimin e mesëm dhe studimet e larta i vazhdoi në Austri. Në Gracë e në Vjenë i dëgjoi ligjëratat e Paul Kreçmerit dhe të Norber Joklit, dy nga gjuhëtarët më të shquar të asaj kohe. Pas kësaj i pajisur me dije kthehej në vendlindje dhe filloi me zell të madh punën shkencore për një gjysmë shekulli rresht . Në vijim të shkrimit autori jep të dhëna të bollshme për veprimtarin shkencore dhe për librat e shkrimet që patën jehonë në vend dhe jashtë tij. Shkruan për kontributin e pa krahasueshëm që e dha në ngritjen dhe shkollimin e kuadrove arsimore të Shqipërisë. Për punën e madhe që bëni në fushën e gjuhësisë, me hapjen e Akademisë së Shkencave, profesor Qabeji zgjidhet anëtar i rregullt i saj. Ndërkaq, instituti më i lartë shkencor i vendit e zgjodhi anëtar të Presidiumit. Për rezultatet e jashtëzakonshme në fushën e shkencave albanologjike dhe për kontributin e çmueshëm në fushën e arsimit kombëtar para e pas çlirimit, Presidiumi i Kuvendit Popullor i RPS të Shqipërisë i dha prof. Qabejit titullin e lartë Mësues i Popullit.
Autori “Drini”, vazhdon më tej duke shtuar se rezultatet shkencore nga rrafshet e gjuhësisë, profesor Qabeji i kumtoi, përveç se në Universitetin Shtetëror të Tiranës, në atë të Prishtinës a në ndonjë universitet tjetër të Evropës-edhe në shumë kongrese të shkallës ndërkombëtare . Punimet e tij janë botuar në një varg publikimesh shkencore të vendit dhe të botës së jashtme dhe ato janë përkthyer e janë aprovuar nga gjuhëtarët më eminent të mjediseve të ndryshme të Evropës” Dhe si gjithkund në tokat shqiptare, vdekja e profesor Eqrem Qabejit u prit me dhembje, për të cilën në vazhdim autori “Drini”, konstaton se vdekja e profesor Qabejit na la pa njërin nga kokat më të ndritura dhe figurat më të mëdha të shkencës sonë kombëtare. Dhe ne mbesim të pikëlluar për mungesën e tij. Por, për jetë do të përulemi me nderime e dashuri para trashëgimisë kolosale kulturore që na la ky vigan i dijes dhe para kujtimit të personalitetit të tij të ndritur përmbyll shkrimin autori.
2. 6. Krahasimet mitologjike me realitetin
Në shkrimin “Mashtrimi i madh i ramzesianëve të vegjël”, autori L.Ndreu, shkruan për mashtrimet e shumta që iu bëhen popullit shqiptar si nga pushtetarët e shtetit sllav po ashtu edhe nga pushtetarët shqiptar të asaj kohe. Të gjitha këto farsa politike të shtetit të quajtur Jugosllavi, krahasohen me politikën e vitit 1296 para e.s. kur kremtoi faraoni egjiptian Ramzesi i II fitoren mbi hititë, i urdhëroi që beteja, e cila gjëja se i paskësh sjell nam atij të përjetësohej me epe dhe monumente madhështore. Dhe autori i këtij shkrimi shkruan se po mbaj vesh pak më me kujdes, në Beograd, Kralevë, Titograd, Shkup… do të dëgjosh fragmente gjëmash për Kosovën, e cila po i përballon serbizimit dhe po kërcënohet me shkëputje dhe bashkim me vendin e vet amë, Shqipërinë . Në vijim autori përmend Desanka Maksimoviqin një marionetë e konsumuar e cila me dhembje çirret duke pyetur se pse nënat serbe nuk lindin më 9 jugoviq që ata ta serbizonin Kosovën. Por, mendojë se për popullin shqiptar nuk është e panjohur kjo klithje ngase edhe më herët kishin trumbetuar e këlthitur edhe shumë shkencëtar të sojit alla çubrilloviqiane si Jovan Cvijiqi, Ivo Andriqi, J.Duqiqi, I. Laliqi, D. Çosiqi e shumë e shumë të tjerë, që u angazhuan me mish e me shpirt për të bërë serbizimin e Kosovës e të shqiptarëve në përgjithësi. Të gjithë ata u angazhuan që të gjejnë mënyra , metoda dhe mjete për të bërë ç’kombëtarizimin e shqiptarëve dhe në mënyrë permanente përdorën metoda gjenocidale për mbi ta, vetëm e vetëm që ti detyronin ata që të shkonin sa më larg nga trojet e tyre stërgjyshore.
Në vitet e tetëdhjeta, të shekullit 20, propaganda jugosllave e sidomos ajo serbe ishte shumë më e organizuar dhe në formë të orkestruar punohej në të, që situata politike, ekonomike e arsimore në Kosovë të paraqitej sa më stabile dhe më e qetë. Detyroheshin politikanët shqiptar që të dilnin në popull dhe të flisnin se në Kosovë populli është i kënaqur, dhe se çdo gjë ecën sipas rrjedhës së dëshiruar. Autori i shkrimit thotë se në një fjalim M. Bakalli numrin e të burgosurve politik shqiptar prej 2.000 vetave e prezanton në vetëm 50 veta, kurse anëtarët e lëvizjes ilegale patriotike shqiptare të gjithë i quan informbyroist e çka jo tjetër. Politika jugosllave gjatë kësaj periudhe ishte e tillë se për çdo gjë e sidomos informimi shkonin aq larg sa çdo gjë shqiptare dezinformohej. Dhe, nuk ishte aspak çudi, kur nga numri i 2000 i të burgosurve shkohej në 50 veta, e tërë kjo kishte edhe prapavijën e saj. Nga qarqet politike jugosllave nuk ishte i rastësishëm edhe urdhri siç e quan autori: urdhri i parë: Burgos! I dyti: Shkruaj! I treti : Shlyej dhe prapë shkruaj. Mbi të gjitha – krasit, më të majtë e më të djathtë. Autori pyet vet dhe përsëri përgjigjej vet, se nuk e dijë a e kanë të qartë zotërinjtë udbashë se me krasitje vetëm sa shpejtohej rrita, madje rrita e mbar. Me një mënyrë kështu ndodhë edhe me ne shqiptarët, sa më shumë krasitkemi e futemi nëpër burgje, ne jemi edhe më të fuqishëm dhe sa vije numri i aktivistëve e veprimtarëve shtohej në organizatat atdhetare.
2. 7. Politika dezinformuese e Beogradit
Po ashtu edhe në shkrimin “PASHIQI-HOTI (paralele), jepen paralele në mes Nikolla Pashiqit dhe Beqir Hotit. Më 1979, në Kosovë policia jugosllave kishte arrestuar e burgosur shumë të rinj shqiptarë. Mirëpo, atdhetaret shqiptar nuk po rrinin duarkryq. Në vendet ku arrestoheshin të rinjtë tanë fshati ose qyteti të nesërmen zbardhej me trakte. Në këtë mënyrë atdhetarët i tregonin pushtetarëve jugosllav se ata janë të distancuar nga ata dhe një ditë kur do të vij koha ata nuk do të harrojnë për torturat që bëheshin nga ana e tyre. Udbashët, në mënyrë permanente punonin që në Kosovë të ruanin gjendjen ekzistuese, fundja thoshte një udbash, po qe nevoja do të ecim mbi kufoma të shqiptarëve dhe ndërrim të situatës nuk do të ketë. Më 1980, pushtetarët kishin hetuar se diçka po lëvizte, diçka po përgatitej, andaj dhe morën masat e “duhura”, duke shtuar rojet gjithandej ku jetonin shqiptarët. Rojet u vunë në universitet, në shkolla, në fabrike, në institucione shtetërore e shoqërore e ku jo tjetër. Agjentët e UDB-es, sidomos kontrollonin dhe vëzhgonin familjarët e të burgosurve politik, duke u munduar që në këtë mënyrë bënin edhe izolimin total të familjeve të tyre nga rrethi dhe të tjerët. Edhe pse pushtetarët e udbashët kishin marr të gjitha këto masa, rinia shqiptare ishte e gatshme për sakrifica. Dhe ç’ndodhte me ta, mu aty ky ishte shtua përgjimi e përcjellja e agjentëve, mu aty rinia liridashëse mori shumë aksione duke shpërndarë, trakte dhe duke thirrur popullin se gjendja e robëruar nuk durohej më, duke shkruar parulla në vende frekuentuese. Bie fjala, cek autori i shkrimit, në fshatrat në afërsi të Dubovikut dhe në Dubovik (katund në afërsi të Pejës), ku ishte burgosur patrioti Hysen Gërvalla), traktet e afishet shpërndaheshin pa e pritur njëra tjetrën mu para hundëve të njerëzve të pushtetit .
Duke i parë të gjitha këto që kishte ndërmarr rinia përparimtare, udbashët kishin “gjet”, një formë të “re” të ndëshkimit. Filluan një aksion të paparë për të arrestuar sa më shumë të rinj. Fillimisht i merrnin natën e ditën, i burgosnin duke iu montuar lloj-lloj gjërash që ata nuk kishin lidhje me to. Pastaj i arrestonin dhe me ditë të tëra i mbanin në hetuesi. Dhe siç dihej, gjatë hetuesisë përdornin torturat më shtazarake ndaj tyre. Bile, disa nga ata të arrestuar nuk dilnin fare nga ato dyer të hekurta, e të tjerëve iu kurdisnin procese të montuara politike dhe i dënonin me vite marramendëse burgu. Veç këtyre që i përmenda më lart, pushteti dhe UDB-ja jugosllave kishte edhe një “dhunti” të jashtëzakonshme të cilën e përdorte më shpesh se çdo gjë. Rrena ishte modeli dhe forma më e preferuar që e përdornin pa pikën e turpit. Kur u binden se nuk mund ta ndalin një rini të tërë për mos të bërë vepra atdhetare, ata shkuan aq larg sa filluan ta mohonin veprën e tyre, duke thënë se disa fëmijë të pakujdesshëm po shpërndajnë trakte e afishe ose tjetra duke lançuar të pavërtetën tjetër duke thënë se populli shqiptarë është i kënaqur në Jugosllavi, por se serbet e malazezët, me qëllim po shpërndajnë trakte vetëm e vetëm që ti rëndojnë komshit e tyre shqiptar. Dhe vërtet duhet besuar në këto fjalë boshe e pa mbulesë.

Pjesë nga artikulli “Dokumenti i gatshmërisë”, botuar në gazetën “Lajmëtari i lirisë”, tetor – nëntor 1980, faqe 6.

Popullata e pakënaqur me gjendjen që mbretëronte, në ditën e dytë të vdekjes së Titos, në fshatin Raushi kishte ndodhur edhe kjo: Në Raushiq u grisën fotografit e Titos dhe flamuri i urryer i okupatorit. Edhe pse policia u turr që ti gjente aktorët, por më kot, ata nuk ishin pak, ishte i tërë populli që i griste ato dhe i tërë populli i mbronte veprimtarët. Pushtetarët, do të vendosin që ta mbulojnë dhe ta fshehin të vërtetën nga populli. Atyre nuk iu mungonin shërbëtoret që t’iu vinin në ndihmë. Dhe në këtë mënyrë autori i shkrimit shkruan se si e angazhojnë B. H. Në bashkësitë lokale dhe në aktivet e LK, të shpallte në popull se si aksionin në fjalë e kishin kryer serbët . Populli shqiptar ishte krenar për punën e të rinjve që bënin, në shikim të parë të urtë por çdo shqiptar në ndërdijen e tij e dinte të vërtetën, se baballarët e tyre iu kishin lënë amanet, se edhe dhurata që vije nga serbet ka një rrezik në vete. Për shqiptarët e urtë një histori e tillë nuk ishte e panjohur, se edhe Jugosllavia e vjetër kurdiste situata të ndërlikuara. Ndërsente bandat çetnike të digjnin lagje qytetesh dhe fshatra shqiptare, e në anën tjetër shpallte se ato djegie i kanë bërë shqiptarët. Pastaj organet e pushtetit gjoja ndërhynin në gjithë këtë marifet, dhe intervenimi i tyre kishte një rezultat: torturimin e shqiptarëve në mënyrën më të egër. Ashtu sot qeveria e Titos në Beograd e sheh të domosdoshme (njëherë për njëherë) jo të flasë për aksione të shqiptarëve, se në atë mënyrë do të popullarizoheshin në popull aksionet dhe lufta e rinisë përparimtare dhe e keqja do të merrte përmasa më të mëdha , po përkundrazi, ta fsheh çdo punë në drejtimin patriotik të shqiptarëve , konkludon autori i shkrimit.
2. 8. Gjendja e rëndë ekonomike, në faqet e gazetës
Shkrimi “Gjendja e rëndë në ekonomin e Kosovës” është një shkrim që është huazuar nga shtypi revolucionar kosovar, nga gazeta ilegale që botohej në Kosovë “Liria”. Gazeta “Liria” , shkrimet i botonte pa emra dhe pa pseudonime, andaj edhe ky shkrim që po e prezantojmë është pa emër, por në librin e parë të “Shtypit ilegal në Kosovë…” autori është i zbuluar dhe se shkrimin e kishte shkruar Berat Luzha. Duke u bërë analiza e situatës, me një fjalë autori vjen në përfundim se shkaktar i gjendjes së mjerueshme ekonomike në Kosovë është robëria e Kosovës nga Jugosllavia. Shteti okupues me qëllime të caktuara nuk investon në Kosovë, në ekonomin që do kishte domethënie për shqiptarët. Në mënyrën më të vrazhdë pasurit kosovare shfrytëzohen dhe bartën jashtë kufijve të Kosovës, duke e shkretuar dhe duke e sjellë në buzë gremine popullin shqiptar. Kosova gjendet si një zonë tregu për shitjen e mallrave të gatshme industriale nga republikat e Jugosllavisë. Rreth 70% të tregtisë të Kosovës e mbajnë mbi 200 firma tregtare të jugosllave më me shumë se 600 njësi tregtare, 200 prej të cilave vetëm në Prishtinë. Ndërmarrjet e republikave jugosllave nuk kanë kurrfarë pengese për shitjen e mallrave të tyre në Kosovë, ndërsa mallrat e pakta kosovare vështirë gjejnë vend në tregjet jugosllave, bile edhe në tregun kosovar, jo vetëm për shkak të konkurrencës së egër, por edhe nga pengesat administrative. Në këtë mënyrë shumë ndërmarrje kosovare punojnë me kapacitet të përgjysmuar ose i kanë mbushur depot me mallra stoqe, duke i shtuar edhe me humbje. Por shton autori i shkrimit se më 1980, nuk ndodhnin pengesa administrative kur ishte në pyetje lënda e parë minerare që nxirreshin nga “Trepça”, “Kosova”, Novobërda, Kishnica, Hajvalia, Goleshi, Deva, Volljaka, Karaçeva, Strezovci, Babushi e në vende të ndryshme anë e këndë Kosovës.
Padrejtësitë nuk ndodhnin vetëm në tregtinë e brendshme, por të gjitha këto kishin kaluar dhe ishin bërë dukuri në sistemin jugosllav. Deri sa në Jugosllavi vitin e kaluar (1979, shënimi S.K-B), iu dhanë ndërmarrjeve 1.188 pëlqime për tregti të jashtme, në Kosovë u dhanë vetëm 5 sosh. Tregtia e jashtme e Kosovës, e cila bëhet në të shumtën me ndërmjetësimin e ndërmarrjeve jashtë Kosove, vitin e kaluar kishte një deficit prej 3 miliardë dinarësh, ose dy fish më shumë se një viti më parë. Importi , që u rrit për 67 %, ishte dy fish më i madh se eksporti , ndërsa vetëm gjatë gjashtëmujorit të par të këtij viti (1980, shënimi S.K-B), , përkundër masave të kufizimit, u rrit për 34%. Vlera e eksportit mbulonte vetëm 50% të vlerës së importit.
Duke u nisur nga të dhënat statistikore, dhe nga vet shkrimet që i publikonte gazeta e përditshme “Rilindja”, autori konstatonte se papunësia ishte njëri ndër faktorët kyç që e prekte rëndë dhe ndikonte në mënyrë negative popullatën shqiptare. Papunësia e madhe ndikonte që njerëzit e aftë për punë të merrnin në sy rrugën e kurbetit, që me vite e vite ishte një plagë e hapur e shqiptarëve. Autori thotë se të aftë për punë Kosova kishte mbi 52% të popullatës (rreth 800 mijë veta), por të zërë në punë në të ashtuquajtura në sektorin shoqëror ka vetëm rreth 168 mijë veta. Më tepër se 700 mijë vetë kërkojnë punë nëpër entet e punës, po numri i të papunëve është shumë më i madh, sepse shumica e tyre as që paraqiten fare në këto farë entesh. Shkalla e zënies në punë e popullsisë së Kosovës është më shumë se katër herë më e ultë se sa ajo në Slloveni .
Edhe pse trumbetohej se në Jugosllavi respektohej struktura kombëtare, ajo ishte farsë e kulluar. Si çdo kund në vendet e punës dhe në pranimin e punëtorëve, diskriminimi kombëtar ishte shumë i hapur dhe as që mundoheshin pushtetarët që ta fshihnin. As struktura nacionale e punonjësve nuk ishte në proporcion të drejt me strukturën nacionale të popullsisë. Vetëm 62% të punonjësve ishin shqiptarë, kurse serbët dhe malazezët jo më pak se 32,4%. Kjo mospërputhje do të ishte shumë më e madhe po të analizohej struktura e atyre që punojnë nëpër zyra dhe vende udhëheqëse. Populli shqiptarë është i vetëdijshëm dhe ka njohuri të bollshme pse po ndodhin këto, por edhe i mban shpresa se një ditë kupa do të mbushet e pastaj në një mënyrë apo tjetër do të zbrazet, por pasojat e saja do i ndjen mbi të gjitha pushtetarët e Beogradit. Më kot mundohej që të bëhej propagandë e organizuar se pse në Kosovë ekziston një gjendje e tillë kaotike, duke arsyetuar se pse ekziston një gjendje e tillë. Gënjeshtrave dhe kësaj propagande të pështirë në Kosovë nuk i besoi njeri. Populli i Kosovës po shihte gjithnjë e më qartë se shkaktari i vërtet i kësaj gjendjeje është kriza e thellë politike, ekonomike e shoqërore që po e brenë nga themelet regjimin e Titos dhe shtypja e shfrytëzimi i egër kolonial që po ushtrohej mbi ta. Ai po e kuptonte gjithashtu se e vetmja rrugë për të dal nga kjo gjendje është lufta e pa kompromis kundër regjimit jugosllav dhe tradhtarëve shqiptarë , e mbyll analizën autori i gazetës “Liria”.
2. 9. Prezantim i denjë i gruas shqiptare në burgjet jugosllave
Gruaja shqiptare edhe një herë është temë trajtimi në faqet e gazetës “Lajmëtari i Lirisë”. Kësaj radhe shikuar historikisht, gruan shqiptare e gjejmë të pandashme nga burrat në luftërat për liri dhe pavarësi. Gruan shqiptare në çdo kohë dhe në çdo periudhë e gjejmë aktive krahë për krah me burrat, por vitet dhe dekadat e fundit të shekullit njëzetë, ajo ishte aktive si në frontin e dijes ashtu edhe në frontin e rezistencës. Ishte aktive dhe merrte pjesë në të gjitha organizatat e grupet ilegale që vepronin në Kosovë por edhe jashtë saj. Mori pjesë aktive në demonstrata, por atë e gjejmë edhe pjesëtare të proceseve gjyqësore, por edhe të arrestuar. E gjejmë të torturuar e stoike por edhe të dënuar me vite të shumta burgu.
Për angazhimin dhe burgosjen e gruas shqiptare flet edhe shkrimi i huazuar nga gazeta “Bashkimi” , me titull “Ik, o natë, po këndon agimi”. Autori i shkrimit trajton jetën e gruas (70 vetave), që ndodhen në burgun e Mitrovicës. Dhe habit fakti se në burgjet jugosllave, aty dhe vetëm aty respektohet barazia gjinore, bile një numër i konsideruar i tyre thyen rekordin ndër shtete ballkanike për përfaqësimin e tyre në radhët e të burgosurve.
Shqiptarja kosovare, thotë autori, e cila deri më dje ishte në terrin e plotë të padijes, kurse sot ka zënë të ecë fare natyrshëm në tribunat më të larta shkencore e kulturore, e kuptoi përfundimisht se duhet të dal kudo krah për krah me të vëllanë, me të shoqin dhe të birin, në të gjitha frontet dhe më qëndrimin e patundshëm: Një komb unik shqiptar- një shtet unik! Ky akt i burgosjes masive edhe të femrës shqiptare në Jugosllavi, tregon qartë se kanë rënë përfundimisht në ujë gjithë kombinacionet e fëlliqura jugosllave (që nga viti 1912 e këtej), të cilat shkollimin e femrës shqiptare e shihnin si një nga mjetet e rëndësishme për ç’kombtarizimin e shqiptarëve. E si të mos dështonin, pasi penat e mprehta, që pushteti i Jugosllavisë së vjetër dhe ky i Titos i kishin angazhuar të bënin hulumtime e projekte shkencore për asimilimin dhe shfarosjen e shqiptarëve, nuk kishin parashikuar dot që do të vinte dita që femra shqiptare e Kosovës, e mbrojtur nga një brumë fisnik, në vend që të përqafoi kuazi emancipimin jugosllav, shkollimin e vet e pa si një detyrë të shenjët , të cilën duhet vënë në shërbim të popullit dhe të çlirimit social e nacional, na dëften autori.
Ajo që e shqetëson më së shumti pushtetin jugosllav, është jo vetëm angazhimi i burrave në jetën ilegale patriotike, por është edhe ndihmesa shumë e madhe që e japin gratë shqiptare në ilegale. Dëshmia më e mirë për shëndetin politik, social e nacional të shqiptares në Kosovë sot është inkuadrimi gjithnjë e më i madh dhe drejtpërdrejt në lëvizjen e gjerë për çlirimin social e nacional të shqiptarëve nga Jugosllavia dhe bashkimin e tyre me vendin amë-Shqipërinë. Dhe ky akt i saj bëhet më madhështor kur e dimë se gjithë përpjekjet nacional-shoviniste të pushtetit jugosllav ishin përqendruar në degjenerimin, përkatësisht në apolitizmin e rinisë kosovare. Veçanërisht qëndrimi ndaj femrës sonë ishte i tillë që asaj i ofronte mundësi të shfrenuara për shfrime instinktesh të ultë pa kurrfarë përgjegjësie shoqërore, mundësi që krijonin një bazë të fortë amoraliteti total, për degjenerimin, që do tu epte dorë projekteve shtetërore jugosllave për asimilimin e shqiptarëve. Për të vazhduar më tej se gruaja shqiptare si dëshmitare e kohës, e kuptoi drejt pse ishim të ndarë me shtetin amë, pse burgoseshin e vriteshin vëllezërit, burri e djemtë e saj vetëm pse kërkonin liri e bashkim që ishim ndarë padrejtësisht. Ajo pa hezituar u fut në radhët e ilegales, duke iu ndihmuar në organizimet e tyre. Bile në shumë raste gratë ishin ato që kryenin shumë punë pa u vërejtur fare nga udbashët. Ato bartnin postën për ilegalet, bartnin ushqime, por bartnin edhe armatimin për të cilën ilegalistët kishin aq shumë nevojë.
Ndërsa burgjet për gratë shqiptare ishin histori në vete, por edhe aty u treguan të forta dhe i përballuan çdo torture. Me indinjatë të thellë shkruante autori për torturat që i bëhen sot kosovares në burgjet jugosllave, po me zemër të gufuar për aktin e saj të ndritshëm historik të inkuadrimit direkt në çështjen e madhe të lirisë, i falënderohemi, nënës, motrës, gruas shqiptare që na e forcoi krahun e luftës dhe jemi të bindur se qysh sot mund t’ia themi të gjithë së bashku këngës: Ik, o natë, po këndon agimi… , dhe vërtetë vitet në vijim e dëshmuan se gruaja shqiptare ishte njëri ndër faktorët që e mundi armikun shumë shekullor.

(VIJON…)

…………………………………………………………………………………

PJESA E PARË:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: GAZETA ‘LAJMËTARI I LIRISË’, BEFASI E KËNDSHME PËR MËRGATËN SHQIPTARE (I)
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=3837
***
PJESA E DYTË:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: GAZETA ‘LAJMËTARI I LIRISË’, BEFASI E KËNDSHME PËR MËRGATËN SHQIPTARE (II)
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=3844
***
PJESA E TRETË:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: GAZETA ‘LAJMËTARI I LIRISË’, BEFASI E KËNDSHME PËR MËRGATËN SHQIPTARE (III)
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=3848
***
PJESA E KATËRT:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: GAZETA ‘LAJMËTARI I LIRISË’, BEFASI E KËNDSHME PËR MËRGATËN SHQIPTARE (IV)
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=3849

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura