Pashtriku.org, 15. 04. 2015 – (Fjalimi i Albin Kurtit në ligjëratën “Integrimi brendashqiptar përballë integrimit në BE” në Shkollën për Lidership të Qendrës për Zhvillim dhe Demokraci në Shkup, mbajtur më 11 prill 2015) – Integrimi është integrim i pjesës te tërësia, i asaj që tashmë konsiderohet pjesë sepse do të bëhet pjesë e tërësisë, te tërësia e përbërë prej pjesëve e së cilës do t’i shtohet edhe një tjetër e tillë. Pra, ne që duam të integrohemi përkufizohemi si pjesë ndërkaq BE-ja përcaktohet si tërësi. Pas aktit të integrimit sigurisht që nuk ndryshon vetëm pjesa por edhe tërësia.
Etimologjia e fjalës integrim tregon origjinën prej latinishtes që do të thotë ripërtërirje apo restaurim. Pra, integrimi nënkupton një dezintegrim paraprak dhe, më tutje, ai dezintegrim nënkupton dikur të qenit i integruar, pra një integrim më të hershëm sesa kyintegrimi ekzistues që tash e dëshirojmë. Të duash të përfshihesh do të thotë të jesh i përjashtuar. Dëshira për t’u përfshirë e maskon përjashtimin aktual.
Shtetet normale e kanë ca si siklet integrimin në BE sepse atje duhet deleguar ca sovranitet (anipse ky është akt sovran). Jo edhe Kosova: ajo ka nevojë t’i konfirmohet sovraniteti, qoftë kjo edhe përmes zvogëlimit të tij (duke qenë se delegimi është akt sovran).
Qeveria e Kosovës kërkon integrim në BE, kërkon t’i mundësohet ta delegojë sovranitetin që nuk e ka. Pra, ajo njëherë duhet ta ketë sovranitetin. Kërkesa për sovranitet duhet t’i paraprijë asaj për integrim në BE.
Komisioni evropian mund ta pengojë bashkimin e kompanive, koorporatave, nëse beson që kjo mund të shpie te konkurrenca jolojale por edhe kujdeset që vendet e BE-së të mos e dëmtojnë konkurrencën përmes subvencioneve të tepruara të industrive të tyre. Qeveria e Kosovës ka më pak kompetenca për Kosovën sesa që Komisioni Evropian ka për BE-në. BE-ja nuk është shtet, por është më shtet se Kosova. Pra, do të diskutojmë për integrimet evropiane dhe bashkimin kombëtar, në kushtet kur Kosova është më shumë shtet i pavarur në dokumentet e saj zyrtare, sesa në realitetin e qytetarëve të saj.
Integrimi i Kosovës në BE me hapa të Breshkës!
Integrimi në BE nuk realizohet thjesht duke e pasur qëllim atë, por si pasojë e zhvillimit dhe emancipimit të brendshëm të shtetit dhe shoqërisë. Jo duke dalë nga vetja por duke u bërë vetja, duke u ribërë vetja. Gjermanët, italianët e francezët nuk janë evropianë duke mos qenë gjermanë, italianë apo francezë, por pikërisht pse janë gjermanë, italianë e francezë. Kësisoj, në kontekstin tonë, është e pamundur që ne të bëhemi evropianë duke mos qenë shqiptarë. Në fakt e vetmja mënyre se si mund të jemi evropianë, në kuptimin e qytetarit evropian, është pikërisht duke qenë shqiptarë.
Në vitin e kaluar janë bërë 300 vjet nga Traktatit të Utrecht-it, i cili ia dha Gjibraltarin Britanisë. Bashkë me Spanjën edhe Britania e Madhe sot është anëtare BE-së, mirëpo Gjibraltari vazhdon të jetë pjesë e Britanisë së Madhe. Shtetet kur hyjnë në BE i konfirmojnë dhe i forcojnë kufijtë e tyre, nuk i relativizojnë ata siç ekziston bindja e përgjithshme. Kufiri midis Francës dhe Gjermanisë në BE, është kufi pothuajse inekzistent për francezët dhe gjermanët si individë, ndërkaq për Francën dhe Gjermaninë si shtete kurrë nuk ka qenë kufi më i fuqishëm. Prandaj të gjitha shtetet që hyjnë në BE nuk i dobësojnë kufijtë, përkundrazi i konfirmojnë dhe i forcojnë kufijtë, por atje kufijtë bëhen pothuajse të paqenë për qytetarët, e jo për shtetet.
Ne realisht nuk e shohim shumë Bashkimin Evropian në vetveten e tij, por përgjithësisht në misionet që i dërgon tek ne. Për shkak se jemi shumë larg BE-së, përkatësisht përfshirjes, anëtarësimit, integrimit në të. Ne i shohim vetëm sytë e BE-së që na shohin neve. Ne, eventualisht, mund t’ia kthejmë shikimin BE-së, mirëpo si është BE-ja atje nuk e shohim dot meqë se paku edhe 5 vjet nuk do të ketë anëtarësime të reja në BE, e kjo do të thotë që mbase edhe shumë më tepër sesa kaq.
Në anën tjetër, ka në BE politikanë e diplomatë, që konsiderojnë që mbase nuk është gjendja e keqe e tillë siç është, për shkak se BE mund të ketë interes të na mbajë jashtë, sepse edhe kësisoj po na kontrollon pothuajse plotësisht. Ne kemi obligimet dhe detyrimet e BE-së por jo edhe benefitet kështu siç është tash. BE-ja t’i jep benefitet për hir të detyrimeve mirëpo kjo gjë s’vlen për neve në Kosovë.
Kosova dhe Shqipëria, në aspektin gjeopolitik që u përmend më herët në fjalën hyrëse të organizatorit, kanë shumë arsye që të mos ia lehtësojnë Serbisë rrugën drejt BE-së. T’i ndihmosh Serbisë përderisa ajo s’ka kërkuar falje e s’na njeh si shtet i pavarur, si Republikë parlamentare, do të thotë t’ia njohësh Serbisë aspiratat hegjemoniste për Kosovën, dhe t’ia falësh krimet e panumërta nga e kaluara.
Fakti që shqiptarët janë komb i fuqishëm, por me shtete të dobëta, kurse serbët janë komb më i dobët se ne, por me shtet të fuqishëm, është një mënyrë tjetër për të thënë që konflikti në Ballkan është midis shqiptarëve si komb dhe Serbisë si shtet, pra jo thjesht konflikt etnik dhe as shqiptaro-serb.
Avancimi i Serbisë – njëherë duke marrë statusin e vendit kandidat e më pas edhe duke i nisur negociatat për anëtarësim të plotë në BE – në integrimet evropiane po e normalizon Serbinë, po bën që Serbia të duket shtet normal i ardhshëm evropian. Ajo po e fshin të kaluarën e saj kriminale kësisoj. Po fshihet arkiva. Po fshihet kujtesa. Aktualiteti dinamik progresiv i saj po e pasivizon të kaluarën, po e lë shumë prapa atë. Qeveria e Kosovës fatkeqësisht është bërë argat aq i mirë i kësaj.
Nëse Serbia hyn në BE para Shqipërisë dhe Kosovës, atëherë do ta shohim se si ajo që i bën Greqia Maqedonisë është asgjë krahasuar me atë që do t’i bëjë Serbia Kosovës dhe Shqipërisë. Pra, Serbia është një shtet që kundrejt shqiptarëve do ta mbyllë derën e anëtarësimit në BE-së, po hyri para nesh atje.
Ndërkohë që Kosova e Shqipëria, njësoj sikurse edhe Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja e Serbia, nuk do të hyjnë në këtë dekadë në BE, dhe kur të përfundojë kjo dekadë duhet ta shohim se ku ndodhet BE-ja që të mund të flasim se çka do të bëhet në dekadën e tretë të këtij shekulli, besoj që Kosova e Shqipëria do duhej të integrohen me njëra-tjetrën dhe gjithashtu të ndihmojnë për integrim në bashkim të gjithë shqiptarët në Ballkan.
Një ndër kriteret për integrim në BE është edhe kapaciteti për t’u përballur me presionin e konkurrencës dhe forcat e tregut brenda BE-së. Kjo tregon se duhet forcuar vetë ne e që s’bëhet ndryshe përveç përmes prodhimit vendës. Shqipëria e Kosova janë shumë komplementare me njëra-tjetrën: Shqipëria me klimë mesdhetare, Kosova me kontinentale; Shqipëria me det, male e ujëra, Kosova me fusha e minerale. Prandaj, natyrën e kemi komplementare dhe neve na e përcakton edhe interesi jonë i zhvillimit ekonomik para së gjithash si prodhim që të integrohemi drejt bashkimit.
Po them të integrohemi drejt bashkimit meqë ka një tendencë të disa politikanëve në trojet shqiptare që ta paraqesin integrimin ndërkombëtar midis Kosovës dhe Shqipërisë, si zëvendësim për bashkimin. Pra, “s’ka nevojë të bashkohen Kosova me Shqipërinë, por hajt se po i integrojmë abetaret, transmetuesit elektroenergjetik”, e kështu me radhë. Po bëjnë gjithfarë integrimesh vetëm që të mos ketë bashkim. Unë i përkas atij orientimit që i sheh integrimet si hapa drejt bashkimit e kurrsesi si zëvendësim për bashkimin.
Në BE hyjmë më parë të bashkuar me Shqipërinë, si Kosovë, sesa të ndarë. Jemi të vegjël dhe jointeresantë vetëm si Kosovë. Pra, nuk përfshihesh në BE për shkak të dashurisë, por për shkak se ndanë vlera e qëllime. Në këtë kuptim, kur Kosova bashkohet me Shqipërinë, ne do të bëhemi një shtet shumë më atraktiv për BE-në, sesa siç jemi sot kështu të ndarë. Po u bashkua Kosova me Shqipërinë, atëherë edhe me territor edhe me popullsi jemi përafërsisht sa Danimarka.
E di se në muajt e vitet e fundit janë shtuar ankesat ndaj nacionalizmit shqiptar. Por, nacionalizmi i shqiptarëve si popull nuk është vetëm reagim ndaj nacionalizmave të fqinjëve, por edhe reagim ndaj mungesës së nacionalizmit shqiptar në sistemin shtetëror dhe institucionet e tij. Andaj, shfaqja e dukja e nacionalizmit shqiptar është disi e sforcuar. Kur Republika e Shqipërisë dhe e Kosovës të jenë më nacionaliste, shqiptarët do të duken më pak nacionalistë. Shqiptarët duken më shumë nacionalistë sesa që janë, për shkak se shtetet nuk i kanë nacionaliste siç zakonisht ndodhë në vendet e BE-së dhe jo vetëm aty. Pra, deficienca nacionaliste e sistemeve dhe institucioneve tona shtetërore, bën që nacionalizmi në popull të jetë më i theksuar. Mbase francezët, gjermanët dhe të tjerët në BE duken më pak nacionalistë, për shkak se një pjesë të madhe të nacionalizmit atyre ua kryen shteti, dhe ata nuk kanë nevojë si popull e si qytetarë të jenë nacionalistë, sepse institucionet e shtetit i kanë të tilla. Ne, duke mos i pasur institucionet e shtetit nacionaliste, patriotike, atëherë patriotizmi dhe nacionalizmi i popullit del disi më i sforcuar dhe më i dukshëm sesa që është tek të tjerët.
Kemi dëgjuar edhe politikanë të cilët thonë se ka kaluar koha e patriotizmit. Thua se patriotizmi është sikur fakulteti që e merr një diplomë dhe përfundojnë studimet. Patriotizmi duhet të ekzistojë sa të jetë jeta e njeriut, dhe disi jo vetëm kaq. Njerëzit edhe kur vdesin ua mbulojnë kufomën a arkivolin me flamur kombëtar. Pra, nuk kalon a tretet patriotizmi as pas vdekjes se lëre më gjatë jetës. E për përshtypjen time, ata që thonë se ka kaluar koha e patriotizmit nga radhët e politikanëve, në fakt, disi duan të na thonë se tash ka ardhur koha e hajnisë. Pra, duan të na thonë se ka kaluar koha e patriotizmit dhe interesit të përgjithshëm, e tash ka ardhur koha e hajnisë dhe e interesit personal.
Dikur bashkimi kombëtar cilësohej në Kosovë si synim optimal kurse pavarësia kompromis, mandej pavarësia synim optimal kurse protektorati ndërkombëtar kompromis. Sot, Kushtetuta e Ahtisaarit është bërë tavan që po zbret, është bërë qëllim maksimal, ndërsa po optimalizohet ndarja e brendshme e Kosovës. Përderisa ne shqiptarët i presim tepër gjatë integrimet ndërkombëtare, nuk duhet të harrojmë se kemi bërë e po bëjmë tepër shumë koncesione kombëtare.
Kundër bashkimit të Kosovës me Shqipërinë dihet se është Serbia. Dhe, mandej, miq ndërkombëtarë të saj dhe ndërkombëtarë të tjerë që disi i frikësohen kësaj. Por, është edhe elita provincialiste kosovare: njerëzit që duan të duken të mëdhenj në një vend sa më të vogël. Them kështu, sepse shumica e kundërshtarëve të bashkimit kombëtar të shqiptarëve vijnë nga koniukturat udhëheqëse shqiptare politike, gazetareske, publicistike, e kështu me radhë, e jo nga populli shqiptar apo nga të huajt.
Disa prej tyre thonë se nuk lejon Kushtetuta e Kosovës bashkimin. E vërtetë: neni 1.3 e ndalon bashkimin e Kosovës me një shtet tjetër. Dhe, po, do të mund të pajtoheshim e të themi që nga kjo pikëpamje juridiko-kushtetuese dhe formaliste bashkimi kombëtar mbase nuk është legal. Por, ai gjithsesi është legjitim. Mirëpo, pikërisht këso çështjesh që janë legjitime e nuk janë legale e bëjnë politikën avantgardë. Prandaj, në këtë aspekt, kemi nevojë më shumë se kurrë për politikanë kombëtarë për bashkim kombëtar, të cilët ia japin këtë substancë politikës në kuptimin e politikbërjes.
Politikanët qeveritarë kosovarë përgjithësisht mendojnë lokalisht dhe nuk veprojnë kombtarisht. Politikanët shqiptarë, në përgjithësi, i lavdërojnë personalitetet e shquara kombëtare përgjatë historisë, porse në të njëjtën kohë nuk dëshirojnë ta vazhdojnë rrugën e tyre. Ama populli është për bashkim. Për integrimin dhe bashkimin e shqiptarëve, dëshira e popullit në të gjitha anët e të gjithë kufijve që na ndajnë është shumë më e madhe sesa angazhimi i politikanëve. Unë besoj që liderët nuk duhet t’i prijnë popullit por duhet ta ndjekin popullin. Dhe, bëhet bashkimi kombëtar. Nëse liderët duhet të prijnë për çështje të tjera, atëherë më mirë është t’iu thuhet se për çështjen e bashkimit kombëtar mos prini, por ndiqeni popullin. Dhe, referendumet do ta tregonin të vërtetën e vullnetit dhe të interesit të popullit, e këtë gjë e kanë treguar edhe sondazhe të ndryshme.
Ka edhe aso që thonë se bashkimin kombëtar duhet ta realizojnë me punë pa fjalë. Pra, ta realizojmë heshturazi. Ta bëjmë bashkimin kombëtar pa e përmendur atë. Mirëpo, profesor Feraj e ka një tezë shumë interesante, ku thotë se bashkimin kombëtar nuk mund ta realizojmë tinëz. Bashkimi kombëtar është tepër i madh për ta realizuar tinëz. Nuk mund ta bëjmë fshehurazi. Dhe, madje rrezikojmë si kauzë ta kriminalizojmë, për shkak se tinëz veprojnë kriminelët. Është e drejtë, vullnet, interes dhe nevojë e jona bashkimi i shqiptarëve, dhe nuk kemi nevojë ta bëjmë këtë tinëz. Mbase e ka edhe një efekt tjetër negativ që nëse provojmë ta bëjmë tinëz, siç edhe ndoshta është parë ndonjëherë, atëherë krejt çfarë ndodh është që përfundojmë me tepër shumë vetëcensurë. Ke aq shumë shqiptarë që e duan bashkimin kombëtar por ja që nuk e thonë. Mandej, bërja e bashkimit kombëtar pa e thënë shndërrohet si një pretekst për të mos e thënë, e në fund edhe për të mos e bërë.
Luftimi i identitetit kombëtar shqiptar bëhet nganjëherë duke e zbehur kujtesën tonë, nganjëherë duke e rrudhur përfytyrimin për veten tonë. E, kur dështojnë të dyja këto, zakonisht përmenden dallimet e brendshme midis shqiptarëve. T’i pranosh dallimet ndërmjet popullit në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni e Luginë të Preshevës, në dimensionet kombëtare, do të thotë ta përbrendësosh dallimin në mes të sundimeve në të cilat ndodheshin shqiptarët në këto vise përgjatë shekullit XX. Këto janë dallime midis sundimeve, e jo midis shqiptarëve. Nëse ia mveshë shqiptarëve dallimin midis sundimeve, kjo do të thotë t’i përbrendësosh ato sundime. Sundimet e ndryshme mbi popullin e kombin tonë, dhe përvojat e ndryshme në anët e kufijve të imponuar me dhunë, nuk janë edhe identitete të ndryshme. Aq më pak identitete të ndryshme kombëtare. Besoj që të gjithë pajtohemi në këtë aspekt se më të mëdha janë dallimet midis fshatit dhe qytetit në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, sesa midis shqiptarëve të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë. Merreni cilëndo komunë në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, dhe gjeni dallimet fshat-qytet, ju dalin dallimet më të mëdha sesa ato të shqiptarëve që jetojnë në këto shtete të ndryshme.
Shteti i Shqipërisë dhe i Kosovës duhet të vihen në shërbim të faktorizimit të kombit shqiptar kudo që ai është. Shqipëria dhe Kosova, si dy shtete, nuk duhet të bëjnë vetëm marrëveshje me njëra-tjetrën duke u konfirmuar si të ndara, por duhet të krijojnë institucione të përbashkëta.
BE-ja e ka kryesisht valutën e përbashkët, e ka tërësisht tregun e përbashkët, dhe e ka bankën qendrore unike, porse këto u treguan të pamjaftueshme dhe bashkimi politik në BE po shfaqet i domosdoshëm. Nuk mund të jetë ndryshe as me bashkimin e Kosovës me Shqipërinë: integrimet në aspekte të ndryshme duhet kurorëzuar patjetër me bashkimin politik.
Bashkimi kombëtar do të kontribuonte në çlirimin social të shqiptarëve. Bashkimi kombëtar do të rriste resurset natyrore e lëndët e para, fuqinë punëtore, madhësinë e tregut, kapacitetet zhvillimore, administrative, menaxhuese e intelektuale.
Bashkimin kombëtar të shqiptarëve nuk do ta bëjnë të pasurit që duan të pasurohen edhe më shumë, sepse kjo po ndodh edhe tash kur jemi të ndarë sepse shqiptarët e pasur përgjithësisht janë tregtarë e jo prodhues. Por, motorë të bashkimit të shqiptarëve do të jenë të varfrit dhe klasa e mesme. Të varfrit si masa popullore, klasa e mesme si një klasë nga e cila përgjithësisht burojnë intelektualët.
Në BE ndodh bashkimi ndërkombëtar (midis shteteve) dhe jo bashkimi kombëtar (i shqiptarëve). Bashkimi kombëtar i shqiptarëve nuk e kundërshton Bashkimin Evropian por as nuk mund të zëvendësohet prej tij. Në njërën anë nuk mund të thuhet se nuk duam të bashkohemi në Evropë sepse e duam bashkimin kombëtar: mund ta bëjmë bashkimin kombëtar dhe të anëtarësohemi në BE. Dhe, në anën tjetër, nuk mund të thuhet se nuk do të bashkohemi si shqiptarë, sepse do të bashkohemi në Evropë: në Evropë bashkohemi me Holandën, Gjermaninë, Francën, Danimarkën, Italinë, etj., ndërkaq ne shqiptarët nuk mund ta kemi bashkimin kombëtar të zëvendësueshëm me BE-më.
Të gjitha viset e Ballkanit perëndimor kanë interes që të inkuadrohen në BE, aq më tepër që ka mungesë të politikave socialdemokrate, që i karakterizon barazia, solidaritet, shteti aktiv në ekonominë prodhuese e kështu me radhë. Por, mbase për dallim prej shteteve të tjera, Shqipëria nuk ka ndonjë motiv që të hyjë në BE për shkaqe të sigurisë. Shqipëria është shteti më i sigurt në Evropë sepse rrethohet me shqiptarë!
Shpesh ju ka rastisur që të shihni, ose në media ose në debate institucionale, mbi atë grumbullin e pyetjeve që iu bëhen njerëzve që duan bashkim e integrim: A je ti për bashkim kombëtar? A je ti për integrim në BE? Po për integrim në NATO? A je për? Nuk na e lejojnë të drejtën për bashkim me Shqipërinë dhe as për integrim në BE e NATO, na kanë bllokuar në paradigmën e stabilitetit që përkthehet në stagnim ekonomik dhe mjerim social për ne, dhe tash na pyesin për dëshirat që kushedi kur do të plotësohen. Na pyesin për dëshirat në kushtet kur na e mohojnë vullnetin. Pse do duhej të përgjigjeshim ne a jemi për integrim a për bashkim, ndërkohë që askund nuk është e drejta për to? Por, kjo është beteja politike ku ofensiva është shumë e rëndësishme. Rezultatin eventual të së drejtës së mohuar e interpretojnë si dëshirë tonën përmes pyetjeve së tyre. Prandaj, ne duhet të flasim shumë më tepër me gjuhën e vullnetit dhe të drejtës sonë, e të interesit tonë, më parë e më shumë sesa me gjuhën e përgjigjeve ndaj pyetjeve që nuk janë të sinqerta.
Përfundimisht, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë si hap i parë dhe më i rëndësishmi i bashkimit kombëtar, nuk është çështje luksi por nevojë ekzistenciale për kombin tonë. Nuk është se mund ta zgjedhim ose jo. Ai po na zgjedhë neve, ashtu që ne të mund të zgjedhim më pastaj. Duke e pasur vullnetin dhe dëshirën, pa të drejtën për bashkim, megjithatë pashmangshëm bashkimi po bëhet nevojë e jona. Jam i bindur që bashkimi i shqiptarëve është e ardhmja e tyre. Ne të ardhmen e kemi të përbashkët sepse do të jemi bashkë. Ne edhe të kaluarën e kemi të përbashkët sepse gjithmonë ishim bashkë, në të mirat e në të këqijat. Ne jemi të ndarë vetëm në të tashmen tonë, e cila po shkon me shpejtësi.
Ju falemnderit.
***
Fjalimi i Albin Kurtit në Kuvendin e Kosovës lidhur me Projektligjin për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, mbajtur më 7 prill 2015
Deputetë të Kuvendit të Kosovës,
Në pikën 2 të memorandumit shpjegues të Projektligjit për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, dialogu në Bruksel quhet dialog në mes të Prishtinës dhe Beogradit. Pra, ky dialog quhet ashtu siç e quan Serbia e cila nuk e njeh shtetin e Kosovës. Natyrisht që kështu dialogun e quan edhe Brukseli, mirëpo në këtë projektligj edhe vetë Qeveria e Kosovës po heq dorë nga cilësimi i dialogut si Kosovë-Serbi.
Në pikën 4 të memorandumit shpjegues thuhet që “Natyra e pavarur e AKP-së, strukturat e saj aktuale me ndryshime të kufizuara dhe me përkrahjen e vazhdueshme të donatorëve ishin paraparë që të mbesin siç janë, në mënyrë që dëshira e palëve për zbatim të shpejtë dhe për funksionim të konkluzioneve të dakorduara nga dialogu teknik i datës 2 shtator 2011 të plotësohet.” Së pari, konkluzionet e dialogut teknik të datës 2 shtator 2011 e bënin Kosovën shtet kopje, sepse Qeveria pajtohej që të marrë kopjet e dokumentacionit kadastral i cili paraqet element thelbësor të shtetndërtimit dhe sovranitetit. Së dyti, mundet Qeveria e Kosovës ta shprehë dëshirën për plotësim të konkluzioneve të dakorduara por nuk mund të flasë për dëshirën e palëve, sepse nuk ka pasur as dëshirë e as vullnet të Serbisë për këtë. Dhe, së treti, nuk ka kuptim të flitet për dëshirë për zbatim të marrëveshjeve siç bëhet këtu, por vetëm për obligim ose detyrim të zbatimit të tyre.
Neni 6 i këtij projektligji, parasheh që Bordi mbikëqyrës i Agjencisë, të përbëhet prej pesë anëtarëve ku tre prej tyre i emëron Përfaqësuesi Special i BE-së ndërkaq dy anëtarë Kuvendi i Republikës. Mandej, në nenin 8, pika 2, thuhet që Komisioni për kërkesa pronësore, përbëhet prej tre anëtarëve nga të cilët dy janë ndërkombëtarë që u vazhdohet mandati, kurse vetëm njëri emërohet nga Kuvendi i Republikës pas propozimit nga Kryetari i Gjykatës Supreme. Më tutje, në nenin 9, Komisioni për Verifikim dhe Vendosje për Prona, thuhet se do të përbëhet prej 5 anëtarëve ku tre emërohen nga PSBE-ja ndërsa dy nga Kuvendi i Republikës pas propozimit nga Kryetari i Gjykatës Supreme. Rrjedhimisht, ky Projektligj e nënshtron Kuvendin e Republikës dhe Kosovën të shpallur shtet i pavarur ndaj Përfaqësuesit Special të BE-së për shkak të dialogut në Bruksel. Me këtë nënshtrim, i cili shihet në raportet 1 me 2 dhe 2 me 3, vendorë ndaj ndërkombëtarëve sipas emërimeve, Kosova edhe është Republikë e pakicës, edhe vend të cilit nuk po i zvogëlohet diktati ndërkombëtar por po i shtohet ai. E thënë ndryshe, këso projektligji nuk sjellin shtetet e pavarura e republikat parlamentare por kolonitë vazale e krahinat e varura. Pika 3 e nenit 10, tregon që jo vetëm emërimi por edhe shkarkimi i anëtarëve të Komisioneve mund të bëhet vetëm nga autoriteti përkatës që i ka emëruar, e që do të thotë se ky projektligj e vulos përgjithnjë dyzimin institucional përbrenda Kosovës me komplet Kuvendin e Republikës të dominuar nga një zyrtar i vetëm ndërkombëtar, PSBE-ja.
Në planin praktik, dështimi i garantuar i kësaj trupe të instaluar vërtetohet më së miri me funksionimin e paraardhësit të tij, Agjencisë Kosovare të Pronës. Gjatë gjithë mandatit prej se është themeluar kjo agjenci, ajo shquhej si vendtakim i pazarllëqeve në mes të palëve, asaj posedueses dhe pretendueses për të drejtën e pronësisë. Jo pak zyrtarë të kësaj agjencie, kanë shërbyer si ndërmjetësues të këtyre pazarllëqeve për transferim të pronave. Tani, me natyrën konfirmuese për kopjet e librave kadastral, këtij agjencioni i mundësohet që nga ndërmjetësuesi ta marrë edhe rolin e ekzekutorit. Kjo agjenci krahas asaj që në kuptimin politik dhe juridiko-kushtetues paraqitet si mutacion brenda sistemit tonë shtetëror, ajo do të paraqesë edhe pengesë në procesin e zbatimit të së drejtës.
Në planin teorik, e i cili do të aktualizohet në praktikë, kjo agjenci paraqet cenimin e vet kuptimit që në konceptin e së drejtës quhet e drejta subjektive. Pra, Komisioni për Verifikim dhe Vendosjen e Pronës, bazuar në nenin 13 të këtij projektligji, sipas fuqisë ligjore (ex lege), vihet në veprim të vërtetimit të krahasimit të gjendjes faktike dhe asaj juridike të servuar me kopjet e dokumenteve kadastrale që janë dërguar nga Serbia. Kjo qasje vjen në kundërshtim me të drejtën në diskrecion të qytetarëve që të drejtën e tyre subjektive të karakterit absolut ta mbrojnë sipas vullnetit të tyre. Mirëpo, ky karakter që i është instaluar kësaj agjencie tregon më së miri se letërkëmbimi në mes të Presidentes Jahjaga dhe Baroneshës Ashton është bërë burim kushtetues dhe ligjor. E, ky burim në kuptimin material nuk e paraqet vullnetin e forcës që krijon të drejtën, por vullnetin e Serbisë që të harmonizojë normativën e Republikës së Kosovës me kërkesat e brendshme kushtetuese dhe ligjore të saj në një raport ku ajo veten e konsideron si republikë ndërsa Kosovën si krahinë.
Përfundimisht, dialogu teknik e politik me Serbinë, jo vetëm që e ka shtuar fuqinë e Serbisë në Kosovë duke e bërë Serbinë palë për aq shumë çështje e gjëra të brendshme të Kosovës, por edhe e ka zvogëluar fuqinë e Kuvendit të Republikës karshi instancave ndërkombëtare mbi Kosovën të cilat, me këso ligjesh, vetëm sa po trashen, dy vjet e gjysmë pas asaj që u quajt përfundim i mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.
Ju falemnderit.
***
Fjalimi i Albin Kurtit në seancën e Kuvendit të Kosovës mbajtur më 3 prill 2015 lidhur me Programin Qeverisës të Qeverisë së Kosovës
Deputetë Kuvendit të Kosovës,
Këto 100 ditë kanë qenë ditët më të mira të Kosovës me këtë qeveri. Ditët pas këtyre 100 ditëve do të jenë vetëm më të këqija e gjithnjë e më të këqija. Pra, ditët më të mira me këtë qeveri tashmë i kemi parë. Ato njëmend ishin shumë të këqija, por ditët në vijim do të jenë edhe më të këqija. Mbase nuk mund të jetë ndryshe me një qeveri e cila është themeluar me Marrëveshjen e Rashkës së 9 dhjetorit 2014. Atje e gjejmë këtë qeveri e jo këtu në programin e saj qeverisës.
Kjo Qeveri do të hap pakrahasimisht më shumë vende pune në Serbi sesa në Kosovë. Dhe këtu nuk e kam fjalën për transportuesit e shqiptarëve nëpër Serbi për në Hungari e as për hotelet e restorantet në Suboticë ku lajmërimet jepen edhe në gjuhën shqipe. E kam fjalën për lejimin që këta do t’ia bëjnë mallrave të Serbisë në Kosovë. Serbia për çdo ditë i merr së paku një milion euro në ditë nga Kosova, sipas shifrave zyrtare. Në këto 100 ditë i ka marrë më shumë se 100 milionë euro.
Mustafa tha se fluksi i migrimit në dy muajt e parë të këtij viti ka mbetur ende i pashpjegueshëm në pikëpamje të faktorëve që e kanë shkaktuar. Mirëpo, kjo është dëshmi e asaj thënies popullore se i ngopuri të uriturit nuk ia din. Nga kolltuku qeveritar në zyre ose në xhip, ose nga dhoma e ngrohtë në pallat nuk mund ta kuptosh as atë që e sheh: ikjen e atyre që janë të varfër e po varfërohen dhe fëmijët e të cilëve nuk kanë shansë të hapin biznese me kompani sigurimesh, gurthyes apo shitblerje veturash sado i lirë e i hapur të jetë tregu sepse as ushqim të mjaftueshëm nuk kanë në baza ditore.
Është interesante qysh në raportin për 100 ditëshin e punës së Qeverisë, Mustafa nuk e përmendi shkarkimin e Jabllanoviqit. Shtrohet pyetja: pse? Kjo është e vetmja e arritur e tij reale. Si bëhet që kryeministri nuk e përmend vendimin e tij më të madh e më të mirë? Natyrisht, pa ato 20 protesta nëpër Kosovë dhe pa protestat e 24 dhe 27 janarit, e sidomos pa paralajmerimin për protestën e 4 shkurtit, pa dyshim që nuk do të shkarkohej Jabllanoviqi me 3 shkurt. Mirëpo është një padrejtësi e madhe që Mustafa ia bën edhe vetvetes kur nuk e përmend të arriturën e tij kryesore. Unë do ta kisha pyetur pse nuk e përmendi suksesin e tij real, ndërkohë që flet për suksese përgjithësisht të dyshimta?
Ky program qeverisës është prozë e dobët e premtimeve të përgjithësuara. Po them prozë e dobët dhe jo shumë e dobët, për shkak se nuk është kollaj që t’i shkruash plot 84 faqe e të thuash kaq pak. Pra, e do kjo punë një lloj talenti, sado pervers që mund të duket ai. Është e natyrshme që kur shkruhen 84 faqe të shpërfaqet një përmbajtje e substancë sado kudo e konsiderueshme – gjithsesi nevojitet ca talent që kjo të mos ndodhë siç është bërë në këtë program.
Në tekstin e këtij programi dhjetëra gjëra nga më të ndryshmet thuhet se do të jenë prioritet këtu e atje, kjo prioritet, ajo prioritet, pra: prioritet gjithçka! Kur ka shumë prioritete, kjo është një mënyrë tjetër për të thënë se nuk ka fare prioritete. Mbase edhe një dëshmi më shumë se kësaj qeverie prioritetet do t’ia caktojë dikush tjetër: burokratët ndërkombëtarë e qeveritarët e Beogradit, Gjykata Speciale në Holandë e Gjykata Serbe në Mitrovicë.Sigurisht që nuk mungojnë as formulimet, le t’i quajmë ekzotike, si psh. dallimi midis ‘shtyllave kryesore’ dhe ‘shtyllave të rëndësishme’ siç thuhet në këtë program apo edhe shprehjet si ‘një ndër prioritetet parësore’ thua se kjo nënkupton që ka prioritete joparësore dhe se ka joprioritete parësore, dhe, atë, disa sosh, natyrisht.
Se ky nuk është program për treg por se tregu vetë është programi të cilit i nënshtrohemi e pranoi vetë kryeministri Mustafa kur tha dje që nuk ka shifra e numra në program sepse ato na i përcakton tregu i lirë! Vetëm në paragrafin e parë të programit qeverisës përmendet ekonomia sociale e tregut, e më vonë kjo harrohet tërësisht: fjala ‘sociale’ zhduket dhe mbetet gjithandej vetëm ekonomia e tregut. Kjo qeveri është në treg, është në pazar, prandaj ajo do që edhe Kosova, edhe shteti e vendi ynë të jenë veçse në treg. Pra, në njërën anë, kemi të bëjmë me një fundamentalist të tregut të lirë. Mirëpo, në anën tjetër, kemi të bëjmë edhe me hipokrizi, apo jo? Sepse, shtrohet pyetja: si bëhet që në fushatë zgjedhore jepeshin premtime me shifra, psh 120.000 vende pune, kurse tash nuk bën të jepen numra sepse ato i jep tregu në fund?
Ky program i shkruar në kohën e ardhme është përplot premtime – kjo qeveri do të promovojë, do të forcojë, do të angazhohet, do të insistojë, do të stimulojë, do të marrë parasysh, do të reflektojë, do të sigurojë, do të punojë, do të përkushtohet, do të funksionalizojë, do të operacionalizojë, do të rrisë, do të mobilizojë, do të ndërtojë, do të adresojë, do të hartojë, do të trajtojë e deri te do t’i shikojë mundësitë, por s’ka as shifra të sasisë e as të afateve kohore askund për asnjë çështje për të cilat premtohet se ‘do të’.
Edhe atëherë kur fjalët i paralajmërojnë numrat sërish nuk i gjen ata. Në program thuhet se do të bëjnë: caktimin e një kuote, caktimin e një përqindjeje për aplikimin e pushimeve tatimore, Fond të veçantë për zhvillim të teknologjisë informative dhe komunikuese, së shpejti do të sigurohet financimi për fabrikën e trajtimit të ujërave në Pejë, të rritet ndihma për invalidë, familje të dëshmorëve e veteranëve, do të themelojnë Fond për bursa për studime të avancuara, do të themelohet dhe funksionalizohet Agjencia për kërkime shkencore dhe zhvillim, do të themelohet Qendra nacionale e kërkimeve të avancuara, do të ketë rritje të buxhetit për Teatrin Kombëtar, Qendrën Kinematografike, Filharmoninë, Baletin, Ansamblin ‘Shota’, për skenën e pavarur kulturore, për librin dhe veprimtarinë botuese, për teatrot dhe bibliotekat e qyteteve, për prezantim në festival e panaire nëKan, Berlin, Venedik e Frankfurt, për gërmime arkeologjike, për restaurim të monumenteve të trashëgimisë kulturore, do të ndërtohet Teatri i Operas dhe i Baletit dhe Muzeu i Artit Bashkëkohor, do të renovohet plotësisht Teatri Kombëtar, Muzeu i Kosovës, i Bibliotekës “Pjetër Bogdani”, i objekteve të artit e kulturës nëpër komuna, mandej fond për ndërmarrësi të rinisë, për subvencionim të organizatave rinore për aktivitete rinore, për KQVR, për KLVR, për qendrat rinore, modernizim i infrastrukturës sportive, palestrave, pishinës olimpike, shtigjeve të atletikë, stadiumit me standard të UEFA/FIFA-s, poligone sportive në shkolla dhe lagje, më tej rritje e mbështetjes financiare për Komitetin Olimpik, për Komitetin Paraolimpik dhe federatat e sportit, fond i veçantë për bursa për studentë të mjekësisë në universitetet perëndimore si dhe mbështetje e projekteve të hulumtimeve shkencore etj.etj. As buxheti i Zvicrës nuk i mbulon dot këto përralla të qeverisë se lëre më ai i Kosovës.
Në faqen 7 thuhet që “Qeveria do të aplikojë një politikë tatimore të thjeshtë, me procedura të thjeshta të deklarimit të tatimeve…” dhe, më tutje, “kujdes i veçantë do t’i kushtohet ruajtjes së thjeshtësisë së sistemit tatimor të Kosovës, faktor ky me të cilin është karakterizuar Kosova deri më tani”. Deputetë e qeveritarë të Kosovës, thjeshtësia në politika shtetërore nuk është vlerë. Budallai është i thjeshtë. I mençuri është i sofistikuar. Thjeshtësia përveçqë nuk është vlerë, nuk është as fuqi. Shtetet e thjeshta nuk janë të fuqishme. Shtetet e sistemet e sofistikuara janë të fuqishme. Nuk ka më thjeshtë se shteti ynë me tatime përgjithësisht të sheshta, me buxhet që kryesisht mbushet në kufi e jo në brendi e me Forcën e Sigurisë që rregullish rri në brendi e jo në kufi. Kjo është shumë thjeshtë, porse edhe shumë dobët njëkohësisht. Thjeshtësia nuk është as seriozitet. Sepse thjeshtësia është pandjeshmëri. Në Kosovën ku është rritur shumë pabarazia të keshë sistem tatimor të thjeshtë do të thotë të jeshë i pandjeshëm, sepse do të thotë të mos keshë ndjeshmëri ndaj atyre që janë në gjendje më të rëndë dhe të cilët ia kanë nevojën më së shumti shtetit.
Veriu i Kosovës në këtë program përmendet për herë të parë vetëm në faqen 38, pra gati te gjysma e programit, ndërsa në faqe 50 tregohet që Forcat e Armatosura të Kosovës do t’i kemi për jashtë vendit, pra, në misione të huaja (sic.). Në faqe 48 thuhet se do të luftohet terrorizmi dhe ekstremizmi fetar nëpër botë, por jo edhe ai i Serbisë në veri të Ibrit. Kjo politikë e mbrojtjes dhe sigurisë së vendit i përngjan atij airbag-ut në veturë për të cilin thuhej se funksionon në mënyrë të përsosur përveç në rast aksidenti.
Komunat me shumicë serbe përmenden, merreni me mend, vetëm në faqen 82 nga 84 faqet e programit. Mbase, ato mendojnë t’ia lënë Asociacionit të komunave dhe shteti i Kosovës s’ka pse i konsideron ato pjesë të Kosovës më.
Një teoricien i psikanalizës dinamike thotë që shakaja është gjithmonë për diçka tjetër. Kjo Qeveri është një shaka, sepse kjo Qeveri nuk është për këtë program qeverisës. Kjo Qeveri është për Gjykatën Speciale, për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, dhe, për rehatim të qeveritarëve me klikat e tyre partiake e biznesore. Kaq dhe vetëm kaq. Andaj kjo mazhorancë njëmend i ka numrat por me një këso programi që gjithsesi s’ka se si të ketë numra.
Ju falemnderit.
***
Kontakti me autorin: [email protected]