MEHMETALI REXHEPI: IN MEMORIAM – UKSHIN ZAJMI PUBLICISTI I URTË I PELLGUT TË LUGINËS SË MORAVËS

Gjilan, 7 mars 2020: Një njeri i urtë, gazetar, publicist veteran, letrar Ukshin Zajmi tashmë i përket amshimit!… Lajm i rëndë për të gjithë ne që e kemi njohur, respektuar dhe çmuar… Pa dyshim ikja e “Ukëzanos”, kështu e kishte nofkën që i kishte vënë vetes, varfëroi kulturën tonë publicistike…Gjithsesi mbetëm të varfër edhe pa një njeri të mirë, njeri me artikulime të qarta në sferën e informimit; autorit të kronikave historike e shoqërore në hapësirën e Pellgut të Moravës së Gjilanit me Dardanë e Malësi të Gallapit… Uka i pandalshëm e komunikativ… Uka i veprimtarive letrare-artistike në shkollat e nivelit të mesëm në Gjilan, në Kamenicë e gjetiu...

Uka i korrespondencave, lajmeve kulturore për “Flakën e Vëllazërimit” në Shkup para Luftës e pas Luftës Çlirimtare në Kosovë… Pa dyshim artikujt e Ukshin Zajmit për rrjedhat kulturore-artistike, për depërtimin e censuruar të kulturës shqiptare në mediet e censuruara të kohës, pasqyronin ritme jete brenda nëntekstit, në të përditshmen “Rilindja”, në RTP ku kryente detyrën e korrespondentit për hapësirën e Gjilanit e të rrethinës.
Koha e hyrjes së Ukshin Zajmit në vitet e moshës së tretë, është me interes për tu theksuar përqendrimi i tij në kërkime të terrenit, për grumbullimin e të dhënave për masakrat e serbëve ndaj shqiptarëve të Gallapit për periudhën e Luftës së Dytë Botërore. Nga këto kërkime të publicistikës historike, Ukshin Zajmi publikoi një seri shkrimesh në portalin e popullarizuar “Zemra Shqiptare”.
Gjithsesi, ai la një mori dorëshkrimesh me interes për sferën e studimeve historike dhe etnografike, shënime artefaktesh për lashtësinë e ilirë-dardanëve për studiues e specialistë të arkeologjisë… Ukshinin do ta kujtojmë si karakter të sinqertë, me ndjenjën e afrisë dhe mëtimin për shkëmbime të ndërsjella… Figura e Ukshin Zajmit rrezatonte kthjelltësi, mirësi dhe miqësi…Qoftë i përhershëm fanari i dritës tij Iluministe!

Gjilan, më 6 mars 2020 Mehmetali Rexhepi

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura