Prizren, 03. 07. 2012 – (“Nacionalizmi shqiptar është i “bukur”, i dëshirueshëm, i detyrueshëm, i padebatueshëm”- Koço Danaj) Asgjë të keqe nuk ka nga nacionalizmi shqiptar. Ai është vlerë, është virtyt, energji e shëndosh kolektive që ka mirëmbajtur dhe ende po mirëmbanë ekzistencën etno-gjenetike të këtij populli visar në këto hapësira përherë të trazuara ballkanike. Është traditë gjenetike brezash, e gravuar në substancën e shpirtit kolektiv si veprim. Është fenomen i besimit në tri religjione dhe shumë sekte, por që betohet në kombëtari. Apo, ashtu, sikur në mënyrë edhe më origjinal shprehet, Koço Danaj: “nacionalizmi shqiptar është i “bukur”, i dëshirueshëm, i detyrueshëm, i padebatueshëm”.
Ta dush veten si popull, të ndjehesh krenar për atë çka je dhe të angazhohesh në drejtim të realizimit të synimeve kolektive të etnitetit tënd, në asnjë mënyrë nuk nënkupton urrejtje ndaj të tjerëve, por, përkundrazi, është cytje e natyrshme në drejtim të ngritjes së vetes kah e lartësuara e përgjithshme gjithënjerëzore. Nderimi i vetvetes përherë rrezaton siguri dhe sinqeritet, dhe kjo gjendje regjistrohet qartë edhe si shprehje e respektit ndaj të tjerëve. Pa ushtruar ta dashurosh veten, si mund të dish t’i duash të tjerët? Më thoni, a nuk është e vërtetë kjo?
____________________________
Nacionalizmi shqiptar nuk është shovinizëm i sëmurë, që nxit e ndez armiqësinë, grindjet, urrejtjen dhe nënçmimin paranoid ndërmjet kombeve e racave të ndryshme, por është vetë/respekt, vetëdashje e kulluar instiktive e instaluar me shekuj si mekanizëm i natyrshëm në drejtim të mbrojtjes së qenësisë vetjake, e cila, e kuptuar në raport me të tjerët, detyrimisht na shfaqet në formë të filantropisë grupore sikur: evropianizim, internacionalizëm, kozmopolitizëm… Pra, është dashuri e ushtruar dhe e mësuar mirë së pari në vete, për tu reflektuar më vonë si karizëm edhe në raport ndaj të tjerëve.
Nacionalizmi shqiptar është etnocentrik që nënkupton ndjenjën e të dashuruarit kolektiv në grupin vetjak etnik; ndjenjën e kënaqësisë dhe krenarisë për specifikat e veta si vlera kulturore, sikurse janë: ritet popullore, muzika, veshjet tradicionale, doket dhe zakonet, ushqimi… Duke u udhëhequr gjithnjë nga parimi se edhe të tjerët natyrshëm duhet të kanë një ndjesi të ngjashëm për veten e tyre, nacionalizmi shqiptar ka një qasje tolerante ndaj etniteteve, grupeve dhe pakicave tjera kulturore-nacionale. Në bashkëjetesë shekullore me ta, ky nacionalizëm fare nuk insiston në mbivlerën e vet megalomane, por në një hapësirë territoriale ku është dominuese si shumicë, aspsolutisht nuk lejon favorizimin artificial imponues të vlerave të etnive dhe pakicave tjera, në dëm të atyre vetjake.
Po ashtu, nacionalizmi shqiptar si dukuri nuk është as kallëp, sikur mendojnë disa teoricienë dhe publicist tanë vendor, i cili, si përvojë e përgjithshme praktike, mund të krahasohet ose baras/vlerësohet me standardet dhe teoritë tjera ekzistuese politike-filozofike të kësaj natyre. Nuk mundet, sepse, është i tillë! Mëvetësi, autenticitet, determinizëm i kushtëzuar gjeografik që vetëm me veten si vetja mund të kuptohet.
Nacionalizmi shqiptar e do Kosovën si shtet, por paralelisht këtë realitet e nënkupton si tranzicion drejt realizimit të synimit të vetë nacional historik, të BASHKIMIT KOMBËTAR.
Në krahasim me të tjerët, nga aspekti kërkesave të veta politike, nacionalizmi shqiptar është human, aspak megaloman dhe tepër racional, sepse, edhe pse meriton të dëshiroj shumë e më shumë më tepër, ajo në kërkesat dhe synimet e saja të unifikimit hapësinor- territorial nuk shkon aq larg në thellësira të historisë, por e do veten ashtu të bashkuar mu sikurse është gjendja reale e shtrirjes së popullimit të saj në terren. Mu sikur popuj të tjerë të botës që janë një komb dhe jetojnë në një shtet.
Një gjuhë, një komb, një shtet, një flamur! I haptë me gjithë të tjerët, por në bashkëjetesë në një hapësirë unike me vetveten. Ky është synimi! Ky është qëllimi etno -politik i nacionalizmit shqiptar! Andaj, pse mos të krenohemi se jemi nacionalist… Jo SHOVENIST, po nacionalist shqiptar?