Buchs, 16. 04. 29015 – U publikuan listat e të dalurve nga lufta e të gjitha zonave. I lexova ngadalë dhe me shumë interesim, jo për ta gjetur veten në ndonjërën prej tyre, se kurrë në jetë plumb nuk kam shkrepur, por për të parë dhe për t’iu gëzuar gjetjes së emrave të shumë shokëve e miqëve dhe bashkëveprimtarëve (nuk po them bashkëluftëtarëve) të mij në listat e veteranëve, të atyre që vërtetë kanë luftuar. Gjëja e parë që më shkoj ndërmend qe ligji për këto kategori.
– Një ligj i pakërkund shoq për të keq,
– ligj që përligj gjithçka tjetër pos vlerave të luftës,
– ligj që i fut luftëtarët, invalidët dhe dezertorët në një vend.
– Ligj i përshtatur për masën e secilit.
„Kam qenë në luftë dhe kam qëndruar një javë, dy, tri apo edhe një muaj dhe në ballafaqimin e parë me forcat pushtuese kam ikur, ia kam mbathur… dhe megjithëkëtë duhet të jem veteran…“
– Po ai tjetri që ka qëndruar në istikamet e luftës për aq kohë sa ka zgjatur lufta çka është?!
Leximi i shumë emrave në listat e veteranëve, pjesëtarëve, pjesëmarrësve më është dukur më shumë se absurd. Me çka u blenë ato vende në lista dhe me cilin kontribut (?!), nuk mund të mos pyes njeriu që sadopak merr vesh nga këto punë. Sa është absurde gjetja e bukur do emrave që kurrë një argat nuk e kanë bërë për ta ndihmuar vendin e vetë dhe UÇK-në! Në lista, më shumë se absurde, madje skandaloze është mosgjetja e emrave të tjerë.
Të mos gjenden Fadil Nimani apo Binak Dinaj dhe shumë të tjerë në këto lista, vërtetë është jo absurde, por skandaloze.
Fadil Nimani – Komandamnt Tigri
Veprimtari dhe luftëtari i orëve të para të UҪK’së, Binak Dinaj.
Pashë në listat e veteranëve emra „veteranësh“ të cilët asnjë ditë nuk kanë munguar në kurse të gjuhës gjermane nga nëntori – dhjetori i vitit 1998 deri diku në vitin 2000, që më bënë të pyes se si është e mundur në të njëjtën kohë të jenë në dy vende me një distancë 2000 kilometërshe.
Pashë në lista edhe emra të disa tjerëve që qebesa sa kanë mundur e kanë shajtur UÇK-në në ditët e saj më të vështira, me fjalët më të rënda duke filluar nga rrugaqë e kopila që janë më të lehta e deri te ato më të rëndat si bashkëpunëtorë e shpijuna të Serbisë.
– Si do ta ndjejnë vetën ushtarët e vërtetë kur përkrah e ndoshta edhe para tyre i shohin njerëzit nga të cilët janë fyer dhe janë përbuzur.
– A do të mund ta durojnë krekosjen e tyre „a po e sheh kush ka qenë ushtar i vërtetë“ apo „a po e sheh more bacë se kur i kam nisë unë ti as që ke ditur se ka UÇK. Sikur të mos ishte kështu unë nuk do isha në listë“ e shumë llafe e krekosje tjera, të cilat fare lehtë mund të çojnë edhe te konfliktet, gjë që sipas fjalëve të dëgjuara, por jo edhe të verifikuara nga unë, edhe kanë ndodhur, madje me zbrazje plumbash. Për të qenë absurdi edhe më i madh po fliten edhe fjalë tjera të stilit:
– „Jo more, sikur të mos kisha qenë unë as që do të ishin në listën e veteranëve apo pjesëtarëve filani e fisteku…“ (edhe pse ata kanë qenë me grada ushtarake dhe llafet e tilla vijnë nga askush tjetër pos nga nga veteranët e shpifur (e verifikuar).
Nëse flasim për ndërgjegje, ndërgjegjja jo vetëm që nuk është venë në peshojë, por ajo pa asnjë dyshim ka rënë fare për dhe jo vetëm te profiterët e luftës, prej të cilëve as që pritet të kenë ndërgjegje sepse sikur të kishin nuk do të merrnin turr për të hyrë në lista veteranësh ashtu siç morën turr në vitin 1990 për të hyrë në LDK, madje kolektivisht nga Organizatat Themelore të LKJ-së duke e ndryshuar akronimin nga LKJ në LDK, por edhe te shumë ushtarë jo të shpifur, të cilët heshtin dhe nuk e ngrisin zërin për t’u thënë veteranëve të shpifur „trusni dhe dinani për nderë që atëherë kur na shanit dhe na fyenit e përbuznit nuk ua falëm plumbin!“
Të shpifurit duhet t’i gëzojnë frytet e luftës, para së gjithash lirinë, por jo edhe t’u hyjnë në hise në privilegjet që duhet t’i gëzojnë familjet e atyre që flijuan jetën, atyre që lirisë së Kosovës ia falën gjakun dhe gjymtyrët e trupit, atyre që ia falën më shumë se 18 muaj jetë duke qëndruar me armë në duar në llogore lufte, në ndërkohë që veteranët e shpifur i ndiqnin birucat për ta shpëtuar kokën.
Edhe Komisioni për verifikimin e listave duket se ka rënë në provim. I ka futur në dy tri lista me të njëjtin emër dhe mbiemër duke ua ndryshuar mbaresat e mbiemrave nga i në aj apo nga aj në i. Po ky komision ishte dashur ta verifikoj edhe sa anëtarë familjeje të komandantëve të njësive të ndryshme janë futur në lista veteranësh, sepse ka indikacione se edhe fëmijë 12-13 vjeçarë të kohës së luftës janë futur në këto lista. Pastaj ky komision secilit aplikues ia ka borxh njoftimin me shkrim me arsyetim se pse është pranuar apo pse është refuzuar dhe njoftimin brenda sa ditësh ka të drejtë ankese.
Nëse vërtetë Komisionit i ka mbetur deri te verifikimi i listave, atëherë do të duhej bërë edhe njëherë verifikimin, pastrimin e listave nga të shpifurit dhe të bëjë edhe shumë kallzime në prokurori për veteranët e shpifur dhe ata që iu kanë ndihmuar të shpifen.
Pashë, çka nuk pashë në lista dhe pyeta veten nëse duhet të heshtë a të mos heshtë. Nuk munda të heshtë sepse heshtja do të thotë pajtim dhe unë nuk mund të pajtohem, edhe pse nuk kam bërë asgjë më shumë se përpjekje për ta larë borxhin ndaj atdheut tim që kur di për vete në mënyrën që dita dhe munda, ndaj shokëve të mi, të cilët nuk janë më, ndaj shokëve të cilët kanë lënë gjymtyrë trupi dhe kanë dhënë gjak në frontet e luftës dhe që nuk janë në lista, prandaj edhe me këtë mosheshtje po përpiqem ta laj borxhin tim. Ata veteranë të vërtetë që janë në lista dhe ata që janë lënë me apo pa qëllim jashtë listave nuk duhet të heshtin. Duhet t’i denoncojnë komandantët e vetë lokalë që i kanë menjanuar veteranët e vërtetë dhe në lista i kanë futur akraballëkun e vet, duke filluar nga prindërit, vëllezërit, motrat, kunatat e kunetërit apo klientët e vetë me të cilët kanë bërë pazare të ndryshme për të dhuruar vendeve në lista. Ata denoncimin duhet ta çojnë deri në instancat më të larta që të mos lejojnë matrapazët të përfitojnë në kurrizin e tyre dhe në kurrizin e atdheut. Fundja edhe ligji i obligon. Të dhënat e rrejshme dhe ndihma për arritjen e statusit të pamerituar të veteranit është e denueshme!
Mos lejoni të ndodhë kjo! Kjo i damton vlerat e luftës. Lirinë e atdheut e përlyen, i fyen dëshmorët, iu fyen vetë juve, prandaj mos heshtni!
– Kontakti me autorin: [email protected].