PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: PËRPJEKJET E GAZETËS ‘PËRPJEKJA KOSOVARE’ NË MËRGIM (1)

Pashtriku.org, 20. 04. 2015 – (Organi kryesor i Lidhjes Kosovare “Përpjekja Kosovare”, bënë përpjekje të shumta për të sensibilizuar situatën e rëndë politike ndaj shqiptarëve në Kosovë) – Gazeta “Përpjekja Kosovare” ishte organi kryesor i organizatës politike “Lidhja Kosovare”, që botohej në Paris të Francës. Numri i saj i parë u botua më 31 maj 1957. Në të, kryesisht trajtoheshin tema të ndryshme nga jeta e mërgimtarëve shqiptar, por që kryesisht vinin nga trojet e okupuara shqiptare që kishin ngelur nën okupimin e shtetit të Jugosllavisë. Edhe në vetë gazetën në shumë editoriale dhe në shumë fjalime të udhëheqësve të saj thuhej se qëllimi i botimit të kësaj gazete, ka qenë dhe ishte që në kancelarit evropiane e botërore të futej, të depërtojë dhe të sensibilizohej çështja e pazgjidhur shqiptare në përgjithësi dhe okupimi i Kosovës në veçanti.

Numri i parë i gazetës doli më 1957, dhe kryesisht, të gjithë numrat që kam pasur rastin ti shfletojë, janë të shtypur në fletë A-4, dhe nuk bien në sy me ndonjë përgatitje të lartë teknike. Janë të shtypura në makina shkrimi dhe të shaptilografuara në shumë ekzemplar.
Qysh në faqen e parë apo ballinë, bije në sy një hartë e Shqipërisë e copëtuar etnike dhe shqiponja dy krenare. Veç emërtimit “Përpjekja Kosovare” që është një simbolik e llojit të vet, në ballin shkruan edhe “Drejtimi” i saj, se ku botohej kjo gazetë: 85 Rue de la Solidariete Montreuil-sous-Bois Seine-France; 2525 Minesota Avenue, S.E., Washington 20, D.C., U.S. America; dhe Tarlabasi Caddesi 16, Taksim ISTAMBUL-TURQUIE.
Nga këto të dhëna del se kjo gazetë është botuar në Francë dhe është shpërndar në SHBA dhe në Turqi. Ngase edhe Organizata Politike “Lidhja Kosovare”, kishte degët e veta gati në të gjithë globin, aty ku jetonin dhe vepronin mërgimtarët tanë që kishin ikur nga trojet shqiptare që kishin ngelur nën okupimin jugosllav.
Përmbajtja e numrit të parë (I) të gazetës “Përpjekja Kosovare”
Numri i parë (I) i gazetës ka gjithsej gjashtë (6) faqe dhe qysh në fillim vëmendjen të tërheqin shkrimet e shkurtra që trajtojnë tema të ndryshme nga jeta e kosovarëve që jetojnë dhe veprojnë në mërgim. Si një lloj editoriali, gazetës i prinë shkrimi “Thirrje Kosovarëve”, që iu bëhet një apel të gjithë atyre që të kenë kujdes dhe të jenë vigjilent për çdo ngjarje dhe për çdo dhunë që përdorët ndaj vëllezërve dhe familjarëve të tyre në Kosovë dhe në mënyrën më të shpejt të njoftohen dhe të ngritin zërin kundër padrejtësive të shumta që ndodhin në vendin e tyre prej nga vijnë.
Shkrimet e kësaj gazete, sikurse në të gjitha gazetat ilegale që janë botuar gjatë kohës së ish-Jugosllavisë, bie në sy se të gjitha shkrimet janë pa emër të autorit, por është edhe më e çuditshme se këto shkrime nuk kanë as pseudonime, që zakonisht gazetat që botoheshin në ilegalitet të thellë brenda vendit ato i kishin dhe herë-herë në disa gazeta të tjera shkruheshin vetëm nismëtoret e emrit e të mbiemrit.
Thirrje Kosovarëve
Shkrimi i parë “Thirrje kosovarëve”, fillon:
Kosovarë,
Ndjekjet dhe gjyqet që u banë në Kosovë vitin që kaloi, i rrëfyen edhe njëherë botës se në Jugosllavi gjendet gjysma e tokës dhe e popullit shqiptarë. Një popull që dallohet nga gjuha, zakonet dhe historia, nuk mund të shkrihen në kazanin e një kombi të huaj për shkak të traktateve të padrejta, prandaj qon zërin për me kërkua drejtësi kundër përjetësimit të shtypjeve. Por, “Drejtësia” që i fali regjimi komunist Kosovës, u pa në sallën e gjyqeve të Prishtinës, të Shkupit dhe të Prizrenit, ku u dënuan si fajtorë pse ishin shqiptarë thuhej në editorial.
Në vazhdim të shkrimit thuhej se këto dënime ishin shumë të rëndësishme ngase dëshmuan edhe njëherë se regjimi komunist i Jugosllavisë dhe ai i Shqipërisë nuk janë kundër njëri tjetrit sa herë që vriten, dënohen ose nxirren jashtë kosovaret nga trualli i tyre.

Artikullshkruesi dëshmon se mu kjo kohë na bënë të vetëdijshëm se ne si demokrat që jemi duhet të angazhohemi me mish e me shpirt për ti dal zot tokës së robëruar dhe vëllezërve tanë që bëjnë jetë prej robi në Jugosllavi.
Po ashtu mu në këtë kohë filluam të mendojmë se në qoftëse përpjekja për Kosovën është detyrë e të gjithë shqiptarëve, kjo detyrë u përket së pari kosovarëve. Prandaj, filluam të kërkojmë njëri tjetrin në mërgim, të bashkohemi dhe ti vihemi punës për me u bë edhe na, më të organizuar detyrën tonë thuhej më tej.
Suksesi dhe nderi që pat “Lidhja Kosovare” me u pranua si anëtare e “Bashkimit Federalist të Komuniteteve Etnike Evropiane”, është hapi më i rëndësishëm që është bë deri më tani. Tani e mbrapa duhet ti bëjmë më të dendura përpjekjet tona me mbledhje, me shtyp, me gojë, në çdo rast duhet qua zërin e Kosovës Shqiptare.
Në shkrim jepen edhe qëllimet që janë paraparë të përfshihen në statutin e kësaj organizate:
1. Me i bashkua kosovaret në mërgim dhe me i rëndua përpjekjet e tyre duke pasur parasysh mbrojtjen e të drejtave të Kosovës.
2. Me i dhënë mbrojtje qëndresës së grumbullit etnik shqiptar në Jugosllavi kundër shtypjeve të autoriteteve jugosllave, kështu që të mundin me e ruajt dhe me e mbrojt të drejtat fillestare duke shpresua në një ndryshim të fatit të tanishëm të tyre.
3. Me e lajmërua botën e lirë për padrejtësitë, shtypjet, dallimet që po pëson populli shqiptarë në Jugosllavi.
4. Me luftua për çlirimin e Kosovës, domethënë për zbatimin e vetëvendosjes së popujve sipas frymës së Kartës së Atlantikut dhe të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
5. Me luftua që Kombi Shqiptar, i liruam dhe i bashkuam, të gjejë pavarësinë e tij nën një regjim demokratik të zgjedhur lirisht dhe të bëhej faktor paqe në Ballkan në bashkëpunim të harmonishëm me shtetet fqinje.

Dhe krejt në fund autori e mbyll shkrimin po me të njëjtën thirrje që e bënë edhe në fillim:
Kosovar,
Në një kohë kur qeveria e Beogradit fletë me aq guxim në favor të lirisë së popujve të kolonizuam të Afrikës dhe të Azisë, kishte me qenë një dobësi për ne mos me e qua zërin e me i thënë pa frikë Evropës se Kosova nuk ka dashur dhe as nuk donë në asnjë mënyrë të jetë koloni e Jugosllavisë. Duke kërkua të drejtat tona me këmbëngulje dhe pa u zmbrapsur para asnjë pengese, kemi arsye me shpresua që një ditë Kombi Shqiptar të bëhej një, i lirë dhe vet sundues. Ky shkrim mban firmën e Komiteti “Lidhja Kosovare”
Çështja e Kosovës prezantohet në Kongresin e 7-të të Bashkimit Federalist të Komuniteteve Etnike Evropiane
Në faqet e gazetës, në numrin e parë, rëndësi e veçanti iu kushtua mbajtjes së Kongresit të shtatë të Bashkimit Federalist të Komuniteteve Etnike Evropiane, dhe ndër qëllimet e para që i kishte para vetes Lidhja Kosovare, ishte, që kjo organizatë politike të pranohej në radhët e saja. Ky kongres sipas të dhënave që na iu ofron kjo gazetë, thuhej se u mbajt në qytetin Westerland të Gjermanisë Perëndimore, më 6- 8 qershor të këtij viti (1957). Në këtë kongres, njoftohej opinioni i gjerë se do të marri pjesë edhe një përfaqësues i Komitetit nga ”Lidhja Kosovare”, që në të njëjtën kohë do të paraqitet para të pranishmëve, dhe do të flasë për gjendjen dhe çështjen e pazgjidhur të shqiptarëve në Jugosllavi.

Përfaqësuesi i “Lidhjes Kosovare”, që do të paraqes referatin kishte përgatitur një raport të gjithanshëm dhe me hollësi e të dhëna të dokumentuara do të vë në spikamë padrejtësitë e shqiptarëve si edhe qëllimet që kishin pushtetarët serbë në Kosovë. Ky raport sipas Komitetit të Lidhjes Kosovare, nuk do ti paraqitet vetëm Kongresit, por do t’iu dërgohet edhe Organizatës së Kombeve të Bashkuar, Këshillit të Lëvizjes Evropiane, Qeverive të ndryshme të Evropës dhe të Amerikës, si dhe shumë organizatave politike dhe instituteve shkencore dhe kulturore , në gjithë botën.
Trajtimi i popullsisë shqiptare në Jugosllavi
Komiteti i Lidhjes Kosovare, në faqet e organit të saj: “Përpjekja Kosovare”, bënë një analizë të popullsisë shqiptare në Jugosllavi duke dëshmuar se gjatë kohës së monarkisë serbe nuk kishte ndonjë statistikë të saktë. Shifrat e botuara atëherë mezi kalonin gjysmë milioni për këtë popullatë.
Ndërsa, në regjistrimin e popullsisë që u bë në kohën e regjimit të Titos, më 1948, Kosova del me një popullsisë 750.000 shqiptarësh. Ndërsa nga ana tjetër pakica turke kishte vetëm 50.000 mijë veta.
Më 1953, një tjetër statistikë qeveritare rrëfente se mbas pesë vitesh 750.000 mijë shqiptar ishin shtua vetëm me 12.000 veta, kurse 50.000 turqit ishin shtua me 200.000 veta dhe numëronin mbi 250.000 veta.

Krahasuar këto dy regjistrime të popullsisë, statistikat janë alarmante, ngase numri i popullsisë në aspektin kombëtar ndryshon dukshëm në Jugosllavi: Duke e ditur se 50.000 turq nuk mund të shtohen e të bëhen 250.000 për 5 vjet, është e çart se ky numër i popullsisë është shqiptarë të cilët ishin shtuar arbitrarisht në pakicë turke, e cila me shqiptarët ka të përbashkët vetëm besimin dhe jo kombësinë.
Popullata shqiptare në Jugosllavi, pra i kalon një milion vet dhe, është pothuajse sa gjysma e Shqipërisë Etnike në përgjithësi. Asnjë komb në Evropë nuk ka pasur fatin e keq të ndahet për gjysmë si u ndanë shqiptarët më 1913. Vlen të përmendet se qysh më 1957, mërgata shqiptare kishte hetua rrezikun nga pushtetarët serb dhe kishte kuptua qysh me kohë dredhitë që iu bëheshin shqiptarëve për ti regjistruar sa më shumë turq e më vonë për ti shpërngulur nga trojet e veta.
Angazhimi i Këshillit Evropian për të drejtat e pakicave
Duke i parë padrejtësitë e shumta që bëheshin ndaj shqiptarëve në Jugosllavi dhe duke i pasur në tavolinat e kancelarive botërore ankesat e vazhdueshme nga mërgata shqiptare. Me 30 prill, 1957, Komisioni i Çështjeve Juridike dhe Administrative të Këshillit të Evropës, kishte vendosur që të caktoj një Nën komision të ngarkuar special për problemet e Pakicave Kombëtare Evropiane.

Si anëtarë të këtij nën komisioni ishin emëruar përfaqësues të Këshillit të Evropës si: Z.Henri Rolin (Belgjikë), Kryetar u caktua Z.Fr.Bennet (Angi), Z.Flanagan (Irland), Z.Hermann Kopf (Republika Federale Gjermane), Z.Hermond Lannung (Danimark), dhe Z. Lujo Tonçiç (Austri). Me kalimin e viteve, ky komision kishte luajtur një rol të madh për sensibilizimin dhe deri diku kishte ndikua dukshëm në situatën e rënduar në Jugosllavi ndaj pakicave në përgjithësi, por, ndaj asaj shqiptare në veçanti.
Shpërngulja e shqiptarëve për Turqi
Gazeta “Përpjekja Kosovare” në vitet 1956-1957 në faqet e saja rëndësi të madhe i kushtoi presionit dhe shpërnguljes së madhe të shqiptarëve nga Jugosllavia për në Turqi. Më 1957, në një artikull kushtuar shpërnguljeve, në mes tjerash shkruan se: Ndjekjet e filluara qysh në vitin e kaluar (1956), në Kosovë kanë pas për qëllim jo vetëm që ti shtypin ndjenjat e shqiptarëve për liri, por edhe ta mërzisin aq shumë popullsinë shqiptare në Jugosllavi deri sa ta detyrojnë që ajo të lë vendin dhe tokën e vet dhe të ik e të emigroi në Turqi dhe në vende tjera të botës.

Duke shtuar më tej, thuhej se “Ky emigrim, sipas lajmeve që kishte Komiteti i Lidhjes Kosovare, ishte bë i mundshëm sipas një marrëveshjeje me gojë në mes Qeverisë së Beogradit dhe të asaj të Ankarasë. Sipas kësaj marrëveshjeje, nënshtetasit jugosllavë të kombësisë turke kishin liri dhe përkrahje për të emigruar në Turqi. Duke u nisur nga vet statistikat e qeverisë Jugosllave, më 1948 e nxirrte pakicën turke jo më shumë se 50.000 mijë, më 1953 kjo shifër u rrit si për çudi dhe u numëronte mbi 250.000 mijë banor.
Nga këto të dhëna del se me një politikë perfide, Beogradi në radhët e turqve kishte futur edhe 200.000 mijë shqiptar, që i paraqiti si turq , dhe epilogu dihej se ajo ishte e interesuar në mënyrë institucionale ta zbrazte Kosovën dhe tokat tjera shqiptare nga popullata shqiptare. Dhe të dhënat e më vonshme thonë se për çdo ditë e më shumë shtohej popullata turke dhe zvogëlohej ajo shqiptare. Ajo që i shtynte shqiptarët që të deklaroheshin si turq ishte presioni i vazhdueshëm shtetëror që ushtrohej në mënyrë sistematike ndaj tyre, andaj ata ishin të detyruar që të merrnin rrugën e mërgimit për Turqi, të cilët ishin të detyruar të lënë vendin, tokën dhe tërë pasurin që kishin, vetëm e vetëm për të shpëtuar atë që mund të shpëtohej, vetë jetën.
Me këtë rast, “Lidhja Kosovare” duke e parë se po zbrazej Kosova, kishte marr disa nisma. Anëtarët e saj, nëpër mes miqve iu kishin shpjegua Qeverisë Turke çështjen e shqiptarëve në Jugosllavi. Por edhe nga ana tjetër, kishin porositur kosovaret që mos të shpërngulën nga tokat e tyre, ngase në këtë mënyrë po iu lehtësohej Beogradit puna që të bënte pastrimin etnik të tokave shqiptare. Komiteti në mënyra të ndryshme porosiste bashkëkombësit e vet, që të qëndrojnë të pa përkulur në tokat e veta dhe të rezistojnë, se zbrazja e Kosovës në një mënyrë është vdekja e gjysmës së Shqipërisë porosiste mërgata shqiptare.
Një shpallje e panjohur e Ministrisë së Punëve të Brendshme Turke për popullatën shqiptare
Në Kosovë, shumë pakë ka qenë e ditur se Ministria e Punëve të Brendshme Turke ka shpallur një njoftim se ata nuk kanë qenë të informuar se të shpërngulurit që vinë nga Kosova, nuk janë turq. Pas informatave që marrin nga Komiteti i Lidhjes Kosovare, ministria informon opinionin se të gjithë ata persona që vijnë në Turqi, porse nuk dinë të flasin gjuhën turke, dhe nuk janë turq, do të kthehen nga kanë ardhur. Dhe të gjithë ata që kanë dokumente false, do të kthehen në Jugosllavi . Këtë informatë të rëndësishme, shtypi shqiptar në Kosovë dhe në Jugosllavi nuk e ka botuar dhe nuk e kanë dhënë as një agjenci për informim në Jugosllavi, porse Komiteti i Lidhjes Kosovare e ka pritë me gëzim dhe nëpër mes kanaleve të saja e vërteta ka depërtuar edhe në Kosovë.

Prezantimi i të dënuarve politik shqiptarë në Jugosllavi
Gjatë tërë kohës sa ishte Kosova e okupuar, Komiteti i Lidhjes Kosovare ishte i angazhuar që opinionin e gjerë botëror të njoftonte me padrejtësitë e shumta që iu bëhen shqiptarëve nga ana e Jugosllavisë. Në mesin e shumë informacioneve që i kishte grumbullua Komiteti në mesin e tyre ishte edhe ajo se të gjithë djemtë shqiptarë të dënuar politik në gjykatat e Prishtinës, Shkupit e të Prizrenit, mbahen nëpër burgjet më të rënda që ekzistojnë në Jugosllavi. Ato janë të errëta, kanë lagështi të madhe, të burgosurit ushqehen vetëm me pak bukë bajate dhe me ujë.

Në këtë gjendje të mjerë që ndodhen, ata vazhdimisht torturohen, rrahën e përbuzën nga gardianet duke iu thënë: Ju doni ta ndani Kosovën nga Jugosllavia; Ju doni ta bëni Shqipërinë e Madhe; Ju doni ta kremtoni 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë Shqiptare, në vend që të kremtoni 29 Nëntorin, ditën e çlirimit të Jugosllavisë; Ju kërkoni demokracinë shqiptare, në vend të komunizmit tonë e shumë e shumë fjalë të tjera.
Shkollimi i shqiptarëve frikëson Beogradin
Duke e parë Beogradi se, nga kuadri arsimor dhe nëpër shkolla bëhej rezistenca më e madhe ndaj pushtuesve, ata kishin vendosur që nëpër shkolla të sjellin dhe të vendosin për drejtorë të tyre kuadër serb nga Beogradi e Serbia. Me të madhe kishte fillua një propagandë që fëmijët shqiptar, kishte qenë shumë më mirë të vazhdonin shkollat për zeje të ndryshme se sa të shkolloheshin e të vazhdonin shkollimin superior në fakultetet të ndryshme në vend.

Qeveria e Beogradit, shkruan “Përpjekja Kosovare” shihte me ankth se shpirti i lirisë që kishte fillua të shfaqej nëpër shkollat e Polonisë e të Hungarisë, kishte fillua që të hidhte shtat edhe në shkollat ku mësonin shqiptarët e që kishin vazhdimisht presion nga dominimi serb e ajo nga kjo situatë që u manifestonte në këtë shtete u frikësonte tej mase.
Shtypi i diasporës lëvdon Komitetin”Lidhja Kosovare”
Shtypi shqiptarë që botohej nga mërgata shqiptare lëvdonte Komitetin e Lidhjes Kosovare. Gazeta “Dielli”, organ i kolonisë Shqiptare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gazeta “Besa”, organ i Shqiptarëve të Turqisë, si dhe gazeta “Flamuri”, organi i Ballit Kombëtar, kanë dhënë shumë fjalë të mira dhe lëvdata për Komitetin “Lidhja Kosovare” si dhe për sukseset e mëdha që pat duke u pranua unanimisht si anëtare në Organizatën ndërkombëtare të Bashkimit Federalist të Komuniteteve Etnike Evropiane.

Armiqtë e shqiptarëve përkrahin Beogradin
Shpesh gjatë historisë ka ndodhur që armiqtë e një kombi përkrahin të tretin vetëm e vetëm për të qenë më të përbashkët në qëllimet e errëta ndaj një kombi tjetër. Kështu ndodhi edhe në mes serbëve dhe grekëve kur mendonin se shqiptarët i kishin armik të tyre të përbashkët. Një fletore qesharake e quajtur “Vorioipirotikos Agon” (Lufta Vorioepirote), që botohej e shpërndahej nga agjentët grekë të ushqyer dhe të mbajtur nga “Megalo idhea” dhe nga drahmit e Athinës dhe nuk pushon së kërkuari copëtimin e Shqipërisë, flet për fjalimet dhe deklaratat e bëra në Kongresin e Ballit Kombëtar, në Napoli, të 10 marsit, 1957, dhe zënë me gojë kërkesat tona për sa i përket Kosovës, tokë shqiptare dhe e banuar prej Shqiptarësh .

Organi i agjentëve grekë është skandalizuar për kërkesat tona të ligjshme duke harrua se ata vetë nuk pushojnë së zbuluari kudo “pakica” greke dhe kërkojnë t’ia ngjisin “atdheut- nënë”.

(VIJON…)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura