ARIF EJUPI: KOMUNITETI SHQIPTAR I GJENEVËS SHKON NË KUVENDIN E TRETË VJETOR ME REZULTATE TË KONSIDERUESHME

Gjenevë, 04. 05. 2015 – Komuniteti Shqiptar i Gjenevës edhe pse i themeluar vetëm para dy viteve ka arritur rezultate të konsiderueshme. Duke parë si pasuri të pa kompensuar ruajtjen e gjuhës dhe të traditës shqiptare ky Komunitet që në ditët e para të krijimit të tij si nevojë urgjente parashtroi financimin dhe publikimin e spotit publicitar në RADIO TELEVIZIONIN E KOSOVËS “MËSO SHQIP”.
Kjo u bë me të vetmin qëllim që prindërit shqiptar të ndikojnë në përfshirjen sa më masive të fëmijëve të tyre në shkollën e mësimit plotësues të Gjuhës Shqipe. Nxënësit shqiptar nëpërmjet orëve mësimore në këtë shkollë përveç mësimit të gjuhës amtare kanë mundësi që të pajisen edhe me njohuri të reja nga historia, gjeografia dhe kultura shqiptare. Komuniteti Shqiptar i Gjenevës, së bashku me UPSH-në po ashtu të Gjenevës,dhe Kuvendin Shqiptar në Zvicër është ballafaquar që në nismë me një të papritur. Më 12 qershor 2013 në lokalet e huazuara të Universitetit të Gjenevës, nga përkrahës të regjimit të Asadit dhe nga gazetarja franceze me baba serb Vanessa Stojilkoviq është organizuar Konferenca me temë: ”Trafikimi i organeve dhe armët kimike në konfliktet në Siri dhe Kosovë”.
Falë reagimeve me prova dhe fakte nga zonja Albana Krasniqi Malaj, koordinatore e UPSH-së në Gjenevë z. Jeton Kryeziu avokat në Lozanë dhe përfaqësuesve të Komunitetit Shqiptar të Gjenevës, kjo Konferencë propaganduese në kurriz të shqiptareve që kishte për qëllim njollosjen dhe lidhjen e pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në kriminalitet me pjesën tjetër të kontinentit, pati dështuar plotësisht. Pas kalimit të kësaj gjendje Komuniteti Shqiptar i Gjenevës, i është kthyer misionit të tij duke organizuar mbrëmje të shumta nga arti dhe kultura shqiptare. Ky Komunitet debutimin në këtë fushë e ka filluar me organizimin e 101 vjetorit të Shtetit Shqiptar dhe ditës së Flamurit duke sjellë para mërgimtarëve tanë këngëtarin e mirënjohur Arif Vladi.

Arif Vladi në Gjenevë të Zvicrës, duke festuar së bashku me bashkëkombësit e tij përvjetorin e 101 të Shtetit Shqiptar dhe ditën e Flamurit Kombëtar.
Kurse më 8 shkurt 2014 Komuniteti Shqiptar në bashkëpunim me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve “GËZUAR” dhe Rrethin Shqiptaro-Mejrinas të Gjenevës, ka bërë promovimin e librit monografik “ SHQIPTARËT NË ZVICËR NJËMIJË E NJË PAMJE” të autorit Rexhep Rifati.

Bashkorganizator të promovimit të kësaj Monografie Ansambli i Këngëve dhe i Valleve “Gëzuar”Rrethi Shqiptaro-Merjrinas” dhe” Komuniteti Shqiptar i Gjenevës”.
Dhjetë ditë më vonë ky Komunitet së bashku me Shoqatën e Studentëve të Gjenevës,në një nga sallat e Universitetit të Gjenevës,kanë organizuar një ligjëratë mjaft interesante me profesorin e Qendrës së Mendimit Pozitiv të Kosovës z. Daut Demaku. Profesor Demaku, ka porositur të gjithë shqiptarët që secili në mënyrën e vet të mbjellë kudo dashuri,respekt e miqësi . Ky virtyt i trashëguar nga nëna e mirësisë Gonxhe Bojaxhiu “NËNA TEREZË” ka thënë Demaku na obligon që edhe ne si pasardhës të saj të jemi predikues dhe misionar të vërtetë të paqes dhe të humanizmit.

Profesori i Mendimit Pozitiv Daut Demaku, do të mbetet gjatë në kujtesën e rinisë studentore të Gjenevës. Ai gjatë ligjërimit të tij ka rikujtuar që miqësia e shqiptarëve me Gjenevën, zë fill që nga 24 tetor 1892 , kur në Universitetin e këtij vendi pati kryer studimet në fushën e jurisprudencës me shumë sukses rilindësi ynë i njohur Ando-Zako-Çajupi .
Nëpërmjet të një mbrëmje të paharruar më 22 shkurt 2014 Komuniteti Shqiptar i Gjenevës, në bashkëveprim me Shoqatën Humanitare Medvegja Fylly nga kantoni i Valis-it të Zvicrës para dashamirësve të librit ka prezantuar monografinë e vëllimshme “Tridhjetë Vjet në Shërbim të Kombit” të bashkautorëve Dr.Llukman Halili dhe Mr.Sc. Dashnim Hebibi.

Dr.sc.Llukman Halili dhe Mr.sc.Dashnim Hebibi – Bashkëpromovues Komuniteti Shqiptar i Gjeneves dhe Shoqata Humanitare Medvegja-Fylly
Aktivitet tjetër me vlerë i këtij Komuniteti është dhe njohja dy vite radhas me studentët shqiptar të porsa diplomuar në nivelin Master në Fakultete të ndryshme të Universitetit shtetëror të Gjenevës. Me rastin e manifestimeve të organizuara të përvjetorëve të shpalljes së Pavarësisë së Shtetit Shqiptar dhe ditës së Flamurit Kombëtar, Komuniteti Shqiptar i Gjenevës në shenjë respekti për punën e shkëlqyer të këtij brezi të rinjsh dhe të rejash ka ndarë mirënjohje simbolike.
Kjo është konsideruar si një ide shumë e pëlqyeshme sepse njohja me të rinjtë që po shënojnë suksese në sferën e shkencës dhe të kulturës na nxjerr si komunitet më të plotë e më të konsoliduar në shoqërinë zvicerane. Njëkohësisht këta intelektualë të fushave të ndryshme të formuar në një Universitet prestigjioz si ky i Gjenevës,motivojnë edhe gjeneratat në vijim për një punë akoma më serioze në zënien e dijeve. Gjithashtu është evokuar dhe Epopeja e lavdishme e Minatorëve të Trepçës,të cilët për sakrificën e tyre deri atëherë të paparë u kujtuan nëpërmjet një dokumentari të përgatitur nga ky Komunitet. Ndërkaq për rininë studentore të Kantonit të Gjenevës është mbajtur një ligjëratë tejet e rëndësishme nga Dr.sc.Claudio Bolzman dhe Dr.sc. Rifat Haxhijaj i doktoruar vitin e kaluar në Universitetin e Gjenevës.
Përgjatë dy orëve këta dy specialistë të lëmit të sociologjisë kanë trajtuar temën rreth identitetit të shumëfishtë të të rinjve të gjeneratës së dytë, posaçërisht të atyre me origjinë nga ish-Jugosllavia. Të pranishmit në këtë debat në formë bashkëbisedimi me referuesit e temës kanë zbërthyer anët pozitive të përfshirjes në jetën institucionale të shtetit mikpritës, paharruar për asnjë moment edhe sfidat apo vështirësitë e mundshme që sjell migrimi i pa planifikuar.
Takime pune janë mbajtur edhe me Z. Ibrahim Makolli ish-Ministër i Diasporës së Republikës së Kosovës.
Të gjitha kontaktet me ish- Ministrin Makolli, janë përshkuar me besim reciprok dhe gatishmëri për bashkëpunim të vazhdueshëm . Ky bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës,del i frytshëm dhe i konkretizuar me rastin e 102 vjetorit të pavarësisë së Shtetit Shqiptar dhe ditës së Flamurit Kombëtar,ku në kremten e organizuar nga Komuniteti Shqiptar i Gjenevës, mori pjesë edhe përfaqësuesi i Ministrisë së Diasporës Prof.dr. Muhamet Shatri. Përveç kësaj kjo Ministri në pajtueshmëri me ligjet obliguese ndaj diasporës, ndihmoi financiarisht,edhe një pjesë të organizimit të kësaj feste mbarëshqiptare.
Natyrisht nuk ka munguar bashkëpunimi edhe me komunat e Kantonit të Gjenevës,gjë të cilën e argumentoi edhe prania e disa personaliteteve gjeneviane në përvjetorin e 102-të të Shtetit Shqiptar. Autoritetet e kantonit të Gjenevës,disa prej tyre Kryetarë komunash e disa këshilltarë administrativë patën mbajtur edhe fjalë rasti. Kjo një dëshmi apo provë shtesë se shqiptarët si komunitet janë integruar plotësisht në jetën shoqërore dhe politike të këtij vendi. Komuniteti Shqiptar i Gjenevës,i ndihmuar nga Lotarie Romande e Zvicrës dhe nga Bashkia e Gjenevës, fillim vitin 2015 e ka nisur me një sukses të jashtëzakonshëm, duke sjellë në teatrin qendror dhe me mjaft renome të Gjenevës, aktorin e Madh dhe Nderin e Kombit Z. Mirush Kabashi.
Monodrama “Zoti Ibrahim dhe Lulet e Kuranit” si një nga perlat më të çmuara të artit skenik të botës interpretuar nga Z.Kabashi pati tubuar në “Théâtre de la Madeleine” të Gjenevës, mbi pesëqind shqiptarë të të gjitha moshave. Dëshmia më e mirë se çdo gjë pati rrjedhur sipas parashikimeve janë edhe vlerësimet e dhëna nga Z. Anthony Pi’ece përgjegjës i këtij teatri. Ai nga pozita e njohësit të shkëlqyer të artit dramatik me mjaft modesti pati shprehur opinionin e tij duke thënë : “ Rrallëherë ndodh që ambientet e këtij teatri të jenë përplot me artdashës .

Aktori ynë i Madh i dekoruar edhe si Nderi i Kombit, Mirush Kabashi pati mbushur përplot me artdashës,këtë qendër të njohur të kulturës në Gjenevë të Zvicrës.

Prania juaj kaq e madhe më bëri të kuptojë që vërtetë jeni popull i gjithanshëm si në sport ashtu edhe në kulturë” Veçanërisht mua më bëri përshtypje skena me një dekor aq të thjeshtë dhe me një interpretim aq brilant nga ana e Z. Kabashi” Qartë kjo ishte një ngjarje kulturore që kënaqi të gjithë”. Si ndodhi tjetër kulturore e një rëndësie të veçantë është edhe ajo me “8 MARS” të vitit të sivjetmë. Në ditën ndërkombëtare të gruas nënat,gratë dhe motrat tona në Gjenevë, i nderoi me pranin e saj e adhuruara dhe mirënjohura Tina Kurti, një nga emrat më të shquar të teatrit dhe kinematografisë sonë.
Tash sa kohë në manifestim tradicional është shndërruar edhe Dita kombëtare e trashëgimisë sonë kulturore. Me rastin e kësaj dite organizohen këngëtarë e grupe të ndryshme vallëzimi nga e gjithë Zvicra, të cilat nga repertori i tyre i pasur prezantojnë këngë e valle nga të gjitha trojet tona. Me gjithë kushtet aspak të favorshme për punë Komuniteti Shqiptar i Gjenevës, edhe në të ardhmen do të bëjë çmos që bashkërisht me Shoqatat dhe Klubet e ndryshme shqiptare që veprojnë në Gjenevë e Zvicër, ta begatojnë jetën kulturore të mërgimtarëve tanë në këtë vend.
Prioritet i këtij Komuniteti çdoherë mbetet marrja në konsideratë e vlerave të njëmendta krijuese në art, sport e kulturë, qofshin ato të prodhuara në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Medvegjë Ulqin, Preshevë apo Diasporë. Komuniteti Shqiptar i Gjenevës, do ta mbajë Kuvendin e tij të tretë zgjedhor më 10 maj të këtij viti,më ç`rast para anëtarësisë së gjer do të pasqyrohet dhe do të analizohet në hollësi puna e deritashme e kësaj Shoqate jofitimprurëse dhe apolitike.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura