Zvicër, 13. 05. 2015 – Para se të bëhej terrori shtetëror mbi popullsinë shqiptare të Kumanovës opinioni publik në Maqedoni ishte njoftuar se regjimi i Nikolla Gruevskit dhe Sasha Miallkovit (Shefi i Shërbimit Sekret maqedonas) kishte paguar miliona euro për të inskenuar një konflikt të armatosur me karakter ndëretnik. BDI-ja, si partner politik i këtij regjimi diktatorial por që kishte marrë shumicën e votave të elektoratit shqiptar, i kishte futur veshët në lesh. Apo, me thënë më mirë, i kishte veshët e prerë dhe vetëm nxirrnin cijamë. Shpërthimi i konfrontimit të armatosur dhe shtetrrethimi i Lagjes së Trimave në Kumanovë shtroi dilema të shumta.
– Kush nga shqiptarët hyri në këtë skenar të tmerrshëm kundër popullit të vet?
– Cili politikan shqiptar morri miliona euro nga Sasha Miallkovit për të kurdisur këtë terror?
– Mbetet të sqarohet se a janë pjesëtarë të BDI-së që futën në grackë ish bashkëluftëtarët e tyre apo ky skenar u ndërmjetësua nga ata që u betuan se do t’i qëndrojnë besnik deri në vdekje Sasha Miallkovit?
Unë kam bindjen e plotë se pjesëtarët e grupit të armatosur shqiptar nuk kanë marrë para nga regjimi i lartpërmendur, por u mbetet atyre të ndriçojnë se nga kush u futën në këtë skenar tragjik. Pa marrë parasysh dëmi që u shkaktua ne nuk duhet të harrojmë se këta djem, emrat e të cilëve po qarkullojnë në media si të implikuar në konflikt, janë atdhetarë që kanë dëshmuar edhe në të kaluarën se janë në gjendje të sakrifikojnë çdo gjë për lirinë e shqiptarëve. Ata nuk marrin para nga pushtetarët që shtypin shqiptarët. Milionat e eurove u janë dhënë politikanëve shqiptarë në Maqedoni për të manipuluar me ndjenjat patriotike dhe gatishmërinë e shqiptarëve për t’u flijuar për liri e bashkim kombëtar.
Trinomi: Ahmeti – Jakullovska – Gruevski dhe Sami Ukshini –
Komandant Sokoli, i arrestuar më 10 maj 2015!
Mbes me shpresë se këta veprimtarë të çështjes kombëtare do të sqarojnë se kush i tradhtoi në këtë projekt, sepse ndriçimi i kësaj çështje do të heq manipulimin se gjoja ata janë angazhuar për para.
Shqiptarët nuk shkojnë mercenarë për çështjen e tyre kombëtare. Përkundrazi, ata që angazhuan tinëzisht politikanët e shitur shqiptarë për të manipuluar me ndjenjat e atdhetarëve të mirëfilltë ata nxorën në shesh logjikën e tyre mercenare karshi maqedonasve.
Një ditë pasi shpallën përfundimin e aksionit për shkatërrimin e Lagjes së Trimave në Kumanovë, Qeveria e Nikolla Gruevskit dhe Sasha Miallkovit bënë publike se të gjithë anëtarët e policisë që morën pjesë në këtë aksion do të paguhen nga 5000 euro si shpërblim ndërsa anëtarëve të Njësisë për Operacione Speciale, anëtarëve të Njësisë për Ndërhyje të Shpejtë dhe anëtarëve të Njësisë së Helikopterëve do t’u jepet kompensim financiar në vlerë prej 10,000 euro për çdo anëtar. Nuk munguan as shpërblimet për ekipin mjekësor (nga një rrogë shtesë). Nuk ka shembull më të qartë të implikimit të regjimit në logjikën mercenare. Për ata që nuk e dinë po sqaroj se shuma prej 10 mijë eurosh paraqet rrogën mesatare 4 vjeçare në Maqedoni.
Edhe familjarët e pjesëtarëve të forcave të policore të vrarë kompensohen me 70 mijë euro, ndërsa ata të plagosur deri më 40 mijë euro.
Është domethënëse se ky regjim premtoi që për dëmet e shkaktuara ndaj shqiptarëve të Lagjes së Trimave do t’u jepen nga 1600 euro!
A ka tallje më të madhe se sa të dëmshpërblehen maqedonasit që janë “traumatizuar” duke shikuar përmes TV-së bombardimet e Lagjes së Trimave në Kumanovë ndërsa shqiptarët e traumatizuar të lihen në gërmadhat e shkaktuara nga regjimi diktatorial VMRO-BDI.
A ka tallje më të madhe për kumanovarët se premtimi i qeverisë që shkatërroi pronën me vlerë prej qindra milionësh se do t’i kompensojë fillimisht me nga 1600 euro dëmet e shkaktuara!
Shqiptarët e kësaj pjese të Maqedonisë që u rrënuan nga lufta e vitit 2001e mbajnë mend fare mirë se pushteti antishqiptar i Shkupit i vodhi 500 milion eurot, të cilat Konferenca e Donatorëve në Bruksel i ndau Maqedonisë për zonat e dëmtuara nga lufta e vitit 2001. Populli shqiptar i Maqedonisë, që aq shumë ka kontribuar për lirinë e Kosovës dhe për çështjen shqiptare në përgjithësi është shndërruar në Popull të Pambrojtur siç thoshte dikur Rexhep Qosja për shqiptarët e Kosovës.
Populli shqiptar i Maqedonisë, sot si asnjëherë më parë, ka nevojë për mbrojtje përball politikës së diskriminimit racial që aplikohet ndaj tyre. Të gjithë shqiptarët, kudo qoftë në botë, duhet të ngrenë zërin e protestës kundër terrorit që ushtrohet ndaj vëllezërve të tyre. Ndërsa, politikanët shqiptarë me vesh të prerë e me bisht të zënë duhet të hiqen sa më parë nga skena politike se e morën në qafë popullin shqiptar.
Institucionet ndërkombëtare, sidomos ata që ndërmjetësuan për përfundimin e luftës dhe çarmatosjen e shqiptarëve, duhet të jenë energjik në dënimin e kësaj barbarie të pushtetit ndaj popullsisë civile shqiptare dhe t’i imponojnë Maqedonisë respektimin e tërësishëm të angazhimeve ndërkombëtare. Në të kundërtën bëhen bashkëpjesëmarrëse në krimet kundër njerëzimit që po përgatit regjimi i Nikolla Gruevskit dhe Sasha Miallkovit.
– Kontakti me autorin: [email protected].
_________________________
NGA EDITORI I PASHTRIKU.ORG
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka publikuar pamjet gjatë arrestimit të pjesëtarëve të grupit të armatosur në Lagjen e Trimave në Kumanovë. Në mesin e të arrestuarve duket edhe Sami Ukshini i njohur gjatë luftës 2001 – si Komandant Sokoli…
Shikoni videon: