SERVET PËLLUMBI: SI U THEMELUAN PARTITË POLITIKE NË SHQIPËRI

Pashtriku.org, 22. 05. 2015 – Tek ne s’ka pasur parti, por diskutimi i lirë, zgjidhja e problemeve të popullit në rrugë demokratike, në mbledhjet e fshatit, në kuvende, në pleqësi, në oda, etj., është traditë e lashtë. Partia jonë që ushqehet me mençurinë e dijeve dhe mendimit të popullit, e ka ngritur shumë lart këtë traditë. Ajo, pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të masave, në përpunimin e zbatimin e planeve të zhvillimit ekonomik e kulturor të vendit, në diskutimin e çdo problemi që i intereson popullit, e ka bërë metodë të punës së vet. Pra del që s’kemi ç’kërkojmë më tepër! Për më tepër që tani këtë gjë, d.m.th., pluralizmin mund ta realizojmë edhe nëpërmjet organizatave dhe shoqatave të ndryshme, siç janë Fronti Demokratik, Bashkimi i Rinisë, Bashkimi i Gruas, Komiteti i Veteranëve të Luftës etj. Madje për këtë porosit “prerë”: “Thellimi i vijës së masave, që përbën thelbin e demokracisë sonë socialiste, duhet të jetë në qendër të vëmendjes…”! (AQSH., Fondi 14/AP ou. dosja.1) Në këtë mënyrë, R.Alia, sekretari i parë i PPSH-së, kujtoi se e mbylli, hë për hë, shtegun për krijim partish të pa kontrolluara prej tij. Gjithsesi, R. Alia dhe në përgjithësi drejtuesit e lartë të Partisë së Punës dhe të shtetit “komunist”, ende mendonin se mund ta kapërcenin situatën kritike duke bërë vetëm destalinizimin e vendit, disa reforma të pjesshme dhe një lloj demokratizimi. Heqja natën e monumenteve të Stalinit në Shkodër, në qytetin “Stalin”, në hyrje të kombinatit të tekstileve në Tiranë dhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, do të ishte një mesazh i qartë edhe për Perëndimin, i cili kërkonte që edhe në Shqipëri të përmbysej “komunizmi” njëlloj si dhe në vendet e tjera ish-socialiste. Veçse kjo duhej të përligjej me një kërkesë nga poshtë, nga demonstruesit! Kuptohet, kjo kishte riskun e vet, se demonstratat nuk i shpëtojnë dot spontanitetit, logjikës së turmës, prandaj demonstruesit nuk është e lehtë t’i komandosh që të mos tregojnë agresivitet, të mos shtrojnë kërkesa për hallet e jetës së përditshme që po bëheshin gjithnjë e më kritike.
Lidhur me stalinizmin e udhëheqjes së PPSH-së, po hap një parantezë. Ashtu si dhe për çështje të tjera me natyrë parimore, E.Hoxha kishte vetëm një kriter të cilit i qëndroi besnik deri në fund. Për të ia vlente të mbrohej çdo gjë që i shërbente pushtetit të tij. Kur Hrushovi kritikoi kultin e individit të Stalinit, në Kongresin e XX-të (1956), ai pa rrezikun që e kërcënonte, prandaj dhe mbrojtjen e Stalinit e quajti diçka madhore, duke e identifikuar me mbrojtjen e M-L, të revolucionit, të socializmit e komunizmit. Nga këto pozita ai shkroi librin “Me Stalinin” por siç del nga botimi i dokumenteve kohët e fundit, pra dhe e bisedës së plotë të tij me Stalinin janë “harruar” disa “pasazhe të bisedës” lidhur me etapën demokratike që duhej ndjekur edhe nga Shqipëria, si vend i Demokracisë Popullore.

“Babai” i themelimit të partive politike në Shqipëri, Ramiz Alia me kryetarët: Fatos Nano (PS), Sali Berisha (PD), Sabri Godo (PR) dhe Skënder Gjinushi (PSD).

Sipas dokumentit, Stalini pyet: A ka në Shqipëri borgjezi tregtare kombëtare? E.Hoxha përgjigjet: Në Shqipëri ka borgjezi tregtare, por ajo s’ka as fabrika, as dyqane, as shtëpi. Të gjitha këto asaj i janë marrë. Pas kësaj Stalini vëren dhe sugjeron: Kjo s’është gjë e mirë. Borgjezia kombëtare do të mund të ndihmonte për të prodhuar disa mallra dhe për të bërë një farë tregtie, deri sa të forcohet shteti, sidomos nëse ndërmjet kësaj borgjezie tregtare kombëtare ka elementë, të cilëve u dhimbset liria dhe pavarësia e Shqipërisë. Të tillë elementë patriotikë ndërmjet borgjezisë duhen shfrytëzuar dhe jo larguar. (Dhe i sjell shembullin e praktikës së Kinës veriore, se e tërë Kina u shpall RP më 1949). Kjo mbase ishte dhe një autokritikë e vetë Stalinit. Më 1924 vdiq Lenini dhe bashkë me të edhe Politika e Re Ekonomike (Nep-i). Stalini zbatoi edhe më tej një variant të “Komunizmit të luftës”. Tani që kishte përfaqësuesin e një vendi të varfër, të prapambetur (si një mikro-Rusi e viteve 1924), i kujtohet dhe i sugjeron E.Hoxhës një lloj Nep-i me emrin “demokraci popullore”. Por E.Hoxhës, me sa duket i pëlqente ç’kishte bërë Stalini dhe jo ç’kishte menduar Lenini para se të vdiste! (“Biseda sekrete e Stalinit me E.Hoxhën, 23 mars 1949. Europa Lindore në dokumentet e arkivave ruse, vëllimi 2-të)
THEMELIMI I PD DHE PARTIVE TË TJERA
Një tjetër pamje në linjë partie. Më 19 dhjetor 1990, Ramiz Alia thirri sekretarët e parë. Që në fillim u tha: E dëgjuat lajmin për legalizimin e PD-së? Ajo parti është djall që do të shkatërrojë idealet socialiste. Por nuk do ta lejojmë. Partia e Punës ka dalë nga zjarri i luftës. Ka kockë të fortë. Prandaj do të hidhemi në sulm. Që sot. Të shkoni në rrethe. Do të keni punë me regjistrat. Jo të gjendjes civile. Regjistrat e bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit. Do t’i lexoni një për një. Pastaj do t’i thërrisni. Kuptohet në mes të natës, me fshehtësinë më të madhe. Do t’u jepni detyrën të futen në radhët e Partisë Demokratike. Të mbështesin njëri-tjetrin. Informatorët tanë duhet të jenë në komisionet drejtuese. Ata duhet të mbushin listat e kandidatëve për deputetë. Nëse ky aksion përfundon me sukses, dhe suksesi varet nga puna juaj, atëherë Partia Demokratike do të kthehet në një simotër e Partisë së Punës…!
Në një atmosferë të tillë politike, me fillimin e vitit të ri 1991, nisi rrugën e vet krijimi i partive politike njëra pas tjetrës. Më 10 janar 1991, u themelua Partia Republikane me nismëtar Sabri Godon; Partia ekologjike me nismëtar Namik Hotin; Partia Socialdemokrate me nismëtar Skënder Gjinushin; Partia e Unitetit kombëtar me nismëtar Idajet Beqirin. Flitej se këto parti kishin dalë nga zyra e KQ të PPSH-së, por njerëzit përgjithësisht, sikur e mirëkuptonin një gjë tillë me arsyetimin popullor: “T’u shohim punën dhe jo gunën”! Në të vërtetë, ky proces kishte një domethënie të madhe. Ajo në substancë përbënte enigmën e krijimit “të skalionit të parë katovicist”, të grupit potencial pushtetmbajtës, thënë ndryshe, të forcës kryesore opozitare, e cila për shumë vite do të zëvendësonte “partinë në pushtet”, do të qeveriste vendin. Këtu nuk përjashtohet as ndërhyrja e shërbimeve sekrete të huaja e në radhë të parë të atyre që e kanë pasur historikisht “merak” çështjen se kush e qeveris Shqipërinë.
Pjesë e këtij procesi fillimisht ishte “kontrolli” mbi ecurinë e krijimit të partive të reja. Normalisht do të duhej filluar me ndryshimin e qeverisjes dhe me dorëheqjen e R.Alisë, por nuk ndodhi as njëra as tjetra, me arsyetimin se pas një muaji ishin caktuar zgjedhjet politike. Partitë e porsa krijuara, ashtu si dhe Partia Demokratike, u deklaruan si opozitë e Partisë së Punës dhe ishin nën një presion të fortë nga poshtë, nga anëtarët dhe simpatizantët që nxituan t’i mbështetin. Kjo prirje disi revanshiste, binte më tepër në sy tek Partia Demokratike, e cila duke filluar nga 5 janari 1991, botonte edhe gazetën e vet “Rilindja Demokratike” (RD).
Fryma “disi revanshiste” kishte shpjegimin e vet. Së pari, ajo dukej si diçka ekzistenciale për partitë e reja në raport me PPSH-në, parti me stazh 50 vjeçar, që kishte pushtet, bazë sociale e struktura të ngritura. Bie fjala, që më 26 dhjetor, PP i kishte shqyrtuar në Byronë Politike kandidaturat për deputetë; së dyti, diktohej nga vonesa e theksuar për pranimin e pluralizmit partiak dhe mos shoqërimi i tij me ndryshimin e formës së qeverisjes; së treti, nga fakti që Partia Demokratike, e para parti opozitare në vend, që kur ishte ende në proces organizimi, i duhej të përgatitej me urgjencë, si për shtrirjen në tërë vendin dhe ngritjen e degëve në qytetet kryesore, ashtu dhe për të marrë pjesë në zgjedhjet e 31 marsit 1991. Madje, pretendonte që t’i fitonte ato meqë koha dhe mbështetja e Perëndimit e favorizonte.
U pa qartë se “maturia” e treguar nuk e kishte evituar spontanitetin që përsëri kishte mbetur në duart e “rrugës” dhe të një antikomunizmi inatçor. Më 7 shkurt 1991, Berisha në “Zëri i Amerikës”, për të përligjur strategjinë e rrugës, foli për një grusht shteti në Shqipëri. Dy ditë më vonë, më 9 shkurt 1991, në Durrës, sidomos në rrugën e portit, në përpjekje për eksod masiv u plagosën 35 policë dhe u arrestuan 42 veta; u thyen xhama institucionesh dhe dyqanesh, u vodhën lokale. U përdorën parullat: “Komunizmi mbaroi”, “Poshtë qeveria”, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa’, “Enver Hitler” etj. (Zëri i Popullit, “Trazime në Durrës”, 10 shkurt, 1991).
Më 13 shkurt, në Kavajë u dogj një depo artikujsh industrialë dhe pajisjesh shtëpiake. Më 18 shkurt 723 studentë u ngujuan në grevë urie në qytetin “Studenti”, kurse më 20 shkurt u rrëzua monumenti i Enver Hoxhës. Ngjarje të lidhura zinxhir me njëra-tjetrën.
Ndërkaq, artikulohej jo vetëm në RD, por dhe në intervista, sidomos në “Zëri i Amerikës” se ndryshimi i pritshëm i sistemit politik në Shqipëri, nuk mund të bëhej e as të pritej si dhuratë e “Nomenklaturës komuniste” dhe e PPSH-së, që kishte përgjegjësi direkte për dështimin dhe gjendjen e mjeruar ekonomike dhe që nuk kishte krijuar kurrfarë besimi te faktori ndërkombëtar, rreth mundësisë së një rotacioni të shpejtë të pushtetit. Madje, në logjikën e fushatës elektorale udhëheqja e partisë në pushtet dhe kandidatët për deputetë të PPSH-së dhe levave të saj, nxitnin armiqësinë me partitë e reja politike, që do të ballafaqoheshin për herë të parë me elektoratin (fillimisht zgjedhjet ishin caktuar për më 10 shkurt 1991). Me fjalë të tjera, vendi po kalonte situata tepër të vështira, sepse dominimi gati 50 vjeçar i komunistëve nuk mund të menaxhohej lehtë, aq më pak të fshihej nga vetëdija e njerëzve me një vendim që njihte të drejtën për krijimin e partive të tjera pretendente për të marrë së shpejti pushtetin.
20 SHKURTI
Ishte data 20 shkurt. Nuk kish si të ndodhte ndryshe. Ndërrimi i sistemit, doemos, si hap të parë e të rëndësishëm do të kishte rënien e ideologjisë, të simboleve dhe “udhëheqësit të madh” Enver Hoxhës. Ramizi, për këtë, siç më tha në konfidencë i mençuri dhe kurajozi Sofo Lazri, që bënte pjesë në “grupin e Ramizit” (me Sofon gjatë 5 vjetëve 1977-82 kur punova në aparatin e KQ, i kishim zyrat ngjitur dhe diskutonim shpesh), përgatiti vetë gjithçka, me njerëzit e tij të besuar edhe “nga krahu tjetër”.
Më datën 20 shkurt, pritej të zhvillohej demonstratë e madhe nën drejtimin e Partisë Demokratike që do të synonte të pushtonte ndërtesat e institucioneve qendrore, përfshi dhe KQ të PPSH-së dhe më pas të rrëzonin dhe monumentin e Enver Hoxhës! Një lloj si dhe në raste të tjera të ngjashme, R.Alia lajmëron mbledhje urgjente të KQ të Partisë. Dhe këtu vihet në veprim Katovica ramiziste! Hap mbledhjen, paraqet rrezikun, i vjen shënimi nga sekretari për avancim të situatës së rrezikshme, kërkon mendim ç’të bëjmë, hidhen të parët ekstremistët e thonë: Të mbrohet monumenti, të qëllohet mbi demonstruesit…Pa mbaruar mirë fjalën ata që thonë: “o sot o kurrë”!, vjen shënimi tjetër “Ra monumenti!”. R. Alia i pezmatuar u deklaron: “I dhashë urdhër Hekuranit të qëllonte, por ai nuk e zbatoi, se tha “nuk qëllohet mbi popullin”!
Një taktikë të tillë të R. Alisë, që shprehte frikë e pasiguri, sepse gjithnjë ka qenë vetëm zbatues i “mësimeve e porosive të Enver Hoxhës”, e pohon Guro Zeneli, sekretar për shumë vjet i R.Alisë. “Rënia e busteve, shkruan ai për të sfiduar mburrjet e disa “demokratëve”, filloi me heqjen e bustit të Stalinit (Shkodër 14 janar 1990). Busti u hoq natën me urdhrin tonë. Kush mund ta hiqte bustin e Stalinit dhe të Enverit po të mos donim ne?…
Ata ishin urdhëruar nga udhëheqja. Ramizi e kishte problem, kërkonte që të hiqeshin bustet e monumentet që u kishte ikur koha..”(Guro Zeneli, “Grupi i Ramizit rrëzonte bustet natën me urdhër, ne i qanim ditën”. Sot, 15.01.2015). Pra, kështu ndodhi dhe me monumentin e E.Hoxhës. Pjesëmarrësit që s’merrnin vesh nga taktikat “Katovica”, u revoltuan, Nexhmija ngrihet dhe duke qarë thotë: “Sot Enveri vdiq për së dyti”. Në fakt tha një të vërtetë, se ata që e kishin hequr atë nga mendja, natyrshëm, donin ta hiqnin edhe nga sytë!
Ndërkohë, situata u ndërlikua. R.Alia thirret nga oficerët e Ministrisë së Brendshme për të dhënë llogari! Dhe shkoi menjëherë pa asnjë hezitim, por ua hodhi me disa lot dhe me lojën Ramiz-Hekuran (i dhashë urdhër të qëllonte, por Hekurani nuk e zbatoi!) Të dy të mirë e të larë! Më kritike u bë gjendja në Shkollën e Bashkuar “Enver Hoxha”, ku pati provokime nga jashtë për t’i detyruar ushtarakët të ngriheshin me armë në dorë për të vendosur një bust të E. Hoxhës, në vendin ku ishte monumenti dhe për të luftuar kundër “forcave të errëta dhe veprimeve të tyre kriminale”. Thirrja e efektivit të shkollave ushtarake prej 7 pikash, kishte karakter ultimativ dhe dukej sikur një “Grusht shteti” ishte në prag. Populli i grumbulluar rreth shkollës dhe në sheshin “Skënderbej” ishte i dyzuar dhe nuk dinte nga vinte “goditja”.
Demonstrimet në Tiranë vazhduan deri më 23 shkurt. Në sheshin para Shkollës së Bashkuar “Enver Hoxha”, pati të shtëna me armë nga tarracat e pallateve, pati të vrarë e të plagosur. Ndërtesat e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe Këshillit të Ministrave ishin rrethuar me tanke, gjë që dëshmon për gjendjen tepër të rendë në vend. Në rrethe, bustet e E. Hoxhës u rrëzuan rreth orës 11, gjë që tregonte për veprim të koordinuar nga lart. “Vullnetarët e Enverit”, që krijuan shoqata të posaçme anë e mbanë Shqipërisë, filluan të rivendosin bustet: në Korçë, Fier, në Gjirokastër. Një numër i konsiderueshëm oficerësh të Brigadës së tankeve në Zall-Herr dorëzuan teserat e Partisë së Punës në mënyrë demonstrative, në shenjë proteste pse nuk u mbrojt monumenti! Në disa rrethe si Skrapar, Gjirokastër, Tepelenë, Përmet…, grupe njerëzish që kërkonin armë. Madje, R. Alia në një moment çekuilibri e paniku, i jep urdhër Ministrit të Mbrojtjes që të ngriheshin në alarm rreth 15 brigada me rezervistë dhe pasi të kompletoheshin, të niseshin drejt Tiranës!
Zgjedhjet e para pluraliste dhe dalja nga skena e Partisë së Punës
Në një klimë të tensionuar dhe në një atmosferë konfliktuale e jo në formën e një gare demokratike u zhvillua fushata e zgjedhjeve të para pluraliste. Partitë e reja, ende të pa strukturuara mirë, duhet të zhvillonin fushatën e tyre. Risi ishte edhe fushata që duhet të zhvillonin Fronti Demokratik, Bashkimi i Rinisë, Bashkimi i Gruas dhe Komiteti i Veteranëve të Luftës që quheshin subjekte elektorale, por që realisht nuk e ndanin dot veten, pra dhe fushatën nga PP, gjë që “përligjte” juridikisht manipulimin e votës! Në të vërtetë, nuk mund të fshihej që ishte diçka e stisur për të kontrolluar pluralizmin politik.
Por edhe parti të tjera të formuara, si të “thuash me porosi” (PSD, PE, PUK), më tepër ishin mbështetëse të kandidaturave të PPSH-së. Ballafaqimi i vërtetë pluralist (të paktën në pamje), ishte ai i Partisë së Punës me Partinë Demokratike, që kishte arritur të siguronte mbështetje të fortë politike e financiare nga jashtë. Slogan kryesor, PD kishte përmbysjen e Pushtetit Popullor. Madje me takime, trakte e fletushka edhe trazirat e organizuara nga vetë kandidatët dhe shtabet elektorale të PD-së u faturoheshin organeve të pushtetit dhe strukturave të PP-së. Sali Berisha, reklamohej si politikani energjik dhe me vizion të ri, kurse Ramiz Alia, që kandidonte në lagjen ku “lindi Partia Komuniste Shqiptare”, paraqitej si një politikan që duhet të ikë sa më parë në “pension politik”. Gjë e re për zgjedhësit e mësuar me “votimin unanim”! Entuziazmi i anëtarëve dhe i mbështetësve të Partisë Demokratike ishte shpërthyes, kurse ai i simpatizantëve të PP-së, sidomos në qytete, i vakët, sikur të ndiheshin në faj. Partia Demokratike si risi tjetër përdori gjerësisht krijimin dhe mbështetjen fort nga Sindikata e pavarur, sidomos nga Sindikata e lirë dhe e pavarur e minatorëve të Valiasit e Mushqetasë në Tiranë, si dhe nga degët në rrethe të tjera të ngritura, nga 10 deri në 23 mars 1991. Nuk mungoi në këtë muaj as vënia në kontakt me sindikatat amerikane, nëpërmjet një delegacioni të kryesuar nga Donaldo. Nga pala tjetër, nga partia në pushtet dhe qeverisja e saj pritej që të krijoheshin kushte që zgjedhjet të ishin të lira, të drejta e demokratike. Aq më tepër kur R.Alia, më i pushtetshmi në atë kohë, paraqitej nga propaganda dhe Urian Hip-ët e tij, si “supermeni” që solli demokracinë dhe vendosi pluralizmin në Shqipëri”!
Gjatë analizës së deritanishme, kam synuar të jem objektiv, të shkruaj mbi bazën e fakteve dhe dokumenteve, por nuk ndaj mendimin që R.Alia “solli demokracinë dhe vendosi pluralizmin politik në Shqipëri”. Nëse deri në këto zgjedhje mund të përligjej ideja e gradualitetit të ndryshimeve për të “evituar gjakderdhjen”, siç thuhej, pas kësaj ajo rrezikonte të shndërrohej në të kundërtën e vet. Së pari, sepse kjo nuk mund të jetë vepër e një personi sa do i shquar qoftë ai; së dyti, se kështu injorohen lëvizja studentore dhe aksionet e tjera popullore që imponuan ndryshimet; së treti, se ka plot fakte konkrete që R.Alinë e prezantojnë krejt ndryshe: kontradiktor, që bënte lojë të dyfishtë, njeri hije, që mbi gjithçka gjatë ndërrimit të sistemeve vuri ruajtjen e pushtetit dhe të kokës së vet. Në thelb, me zbatimin e “Katovicës”, R.Alia synonte vendosjen e demokracisë komuniste me ngjyra shqiptare!
Në këtë rrafsh, qëllimisht u fry edhe rreziku i luftës civile, të cilën sipas propagandës së kohës e evitoi vetëm R.Alia. Mendoj se kjo ka qenë tipike e sferës së miteve që thuren për udhëheqës “legjendarë”, pse jo për të fshehur pas kësaj mëkate nga më befasueset. Vetë R.Alia nuk duhej ta pranonte këtë “mit” dhe në shkrimet e daljet e shumta në publik duhej ta kishte denoncuar. Veçoria e proceseve demokratike në Shqipëri ka qenë se elementët e klasave të përmbysura nga komunizmi apo dhe të përndjekurit e të dënuarit politikë, thuajse nuk morën pjesë në mënyrë të organizuar në demonstrata, manifestime apo në rrëzim bustesh e monumentesh të komunizmit, aq më pak në drejtimin e tyre. Vetë populli, punëtorët, rinia studentore, përfshi dhe komunistë u bënë forcë lëvizëse e ndryshimeve në gjirin e të cilëve s’kishte potenciale hakmarrëse të përmasave që mund të çonin në luftë civile. Madje edhe më pas, kur të përndjekurit e të dënuarit politikë u organizuan në shoqata të veçanta, edhe ata asnjëherë s’kanë shfaqur prirje ekstremiste hakmarrjeje politike.
(Pjesë e shkëputur nga libri “Përmbysja e ‘komunizmit'” Botime UET PRESS).

………………………………………………….

DËSHMI: SALI BERISHA, MË 11 DHJETOR 1990, NJË DITË PARA THEMELIMIT TË PD’së, I SHPREH MIRËNJOHJE PRESIDENTIT RAMIZ ALIA !!!

……………………………………………

(Ilustrimet i përzgjodhi editori i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura