Pashtriku.org, 02. 06. 2015 – Reagimet e shumta për heshtjen e dy udhëheqësve të partive politike shqiptare që kanë qenë, herë njëra e herë tjetra, në pushtetet antishqiptare të Maqedonisë bëri që më në fund t’i drejtohen opinionit publik shqiptar lidhur me Masakra e Kumanovës. Pas dy intervistave televizive të Kryetarit të BDI-së në Alsat M dhe TV Klan, për të cilat dhashë një pjesë të qëndrimeve të mia në artikullin «Besa kanunore dhe përgjegjësia institucionale”, opinionit publik shqiptar iu drejtua edhe Kryetari i PDSH-së.
Më 22 maj, në intervistën për Klan Kosova, Menduh Thaçi u përpoq të shfajësohet nga implikimi i tij në këtë tragjedi. Megjithatë, jo brejtja e ndërgjegjes por ndërdija e tradhtoi keq Menduh Thaçin i cili zbuloi disa elemente domethënëse për këtë situatë. E shoh të rëndësishme t’u kthehem këtyre elementeve që mbetën pa u sqaruar për teleshikuesin e kësaj interviste.
Zona B – Menduh Thaci – 22.05.2015 – Klan Kosova.
Elementi kyç në këtë intervistë ishte lënia në heshtje e faktit se publikimi i përgjimeve të telefonatave në Maqedoni nxori në shesh BETIMIN e Menduh Thaçit se Sasha Mijallkovit do t’i qëndroj besnik deri në vdekje! Por, Menduh Thaçi sqaroi se raporti i besueshmërisë ndaj Sasha Mijallkovit ishte për shkak të pozitës kyçe që kishte ky person në strukturat e VMRO-së dhe pushtetit të Maqedonisë. Sikur Menduh Thaçi të ishte një qytetar i thjeshtë i Maqedonisë askush nuk do t’ia kontestonte të drejtën që t’i betohej kujt të ketë qejf dhe t’i qëndrojë besnik sa të ketë qejf. Por, është skandaloze në aspektin kombëtar kur një udhëheqës partie, që kërkon vota prej qytetarëve shqiptarë për të realizuar aspiratat e tyre politike, në vend të betimit se do t’u qëndrojë besnik premtimeve të dhëna para elektoratit shqiptar i betohet shefit të aparatit represiv të shtetit që shtyp shqiptarët. Edhe më keq se kaq. Përderisa Menduh Thaçi i betohet Sasha Mijallkovit se do t’i qëndrojë besnik deri në vdekje, në intervistën për TV Klan Kosova, Kryetari i PDSH-së përmendi qëndrimet e tij në raport me Kosovën dhe udhëheqësin e AAK-së, Ramush Haradinajn. Në këto raporte Menduh Thaçi theksoi se “besueshmëria e tij është vdekjeprurëse”. Nuk ishte një llapsus! Ai e përsëriti dy herë se “besueshmëria e tij ndaj Kosovës dhe Ramush Haradinajt është vdekjeprurëse”. Madje herën e dytë ai shtoi se kjo “besueshmëri vdekjeprurëse është në kuptimin pozitiv”!
Teleshikuesve të vëmendshëm u imponohet të shikojnë se a mundet të ketë mbiemri «vdekjeprurës» edhe kuptim pozitiv! Definicioni i këtij mbiemri përfshin personat dhe aktet “që sjellin vdekjen, që janë shumë të rrezikshëm, që janë shumë të dëmshëm… që sjellin shkatërrim, shkatërrimtar, asgjësues… Politikë vdekjeprurëse. Pasoja vdekjeprurëse…” . Shkurt, në asnjë rast, në asnjë formë dhe në asnjë kuptim figurativ mbiemri «vdekjeprurës» nuk ka kuptim pozitiv.
Ajo që është pozitive në këtë intervistë del nga nëndija e Menduh Thaçit: besnik deri në vdekje ndaj Sasha Mijallkovit ndërsa besnikëria ndaj Kosovës dhe Ramush Haradinajt është vdekjeprurëse!
A thua ndërdija e tij nxori në shesh edhe atë që Menduh Thaçi u mundua ta lërë në heshtje gjatë intervistës?!
Nuk mund të harrohen faktet se gjatë pushtetit diktatorial të VMRO-së dhe PDSH-së 2006-2008 forcat policore dhe ushtarake maqedonase ndërmorën aksione vdekjeprurëse për të terrorizuar Malësinë e Karadakut në përgjithësi, ndërsa fshatarët e Tanushës në veçanti;
Nuk mund të harrohen faktet se në aksione vdekjeprurëse u vranë shqiptarë në fshatin Vaksincë, në Haraçinë, në Shkup, në Rrafshin e Pollogut …
Nuk mund të harrohen faktet se në aksione vdekjeprurëse të masakrës në fshatin Brodec të Malësisë së Tetovës gjatë operacioneve ushtarako-policore maqedonase, u vranë, u plagosën dhe u arrestuan me dhjetëra shqiptarë;
Nuk harrohen fjalimet e Zv. Ministrit të Punëve të Brendshme (anëtarë i PDSH-së) dhe deputetëve të PDSH-së në Parlamentin e Maqedonisë kur mburreshin se kishin qenë “shumë efikas në aksionet vdekjeprurëse në Brodec kundër kosovarëve që kishin ardhur të destabilizonin Maqedoninë!”
Bombardimet e Malësisë së Tetovës dhe Masakra e Brodecit ishte paralajmërim se pushteti terrorist i Maqedonisë nuk zgjedh mjete për të terrorizuar shqiptarët.
Në Kumanovë u përsërit, në një shkallë më tragjike, Masakra e Brodecit dhe ajo që kemi parë nga politika vdekjeprurëse e deriatëhershme. Kush ka pasur gisht në këtë masakër e dinë Sasha Mijallkovi dhe argatët e tij. Shpresojmë se njerëzit që i kanë shpëtuar kësaj masakre do të hedhin dritë për të ndriçuar këtë krim të shëmtuar. Kam bindjen e plotë se një ditë do të ndriçohen krimet e diktaturave “multietnike” në Maqedoni.
Por, nuk duhet të harrojmë se Çështja shqiptare në përgjithësi dhe ajo e shqiptarëve të Maqedonisë në veçanti kanë bartur mbi kurrizin e vet pasojat e betimeve për t’i qëndruar besnik deri në vdekje armiqve të popullit shqiptar siç i ka bartur edhe pasojat e politikës vdekjeprurëse antishqiptare.
Njerëzit e tillë nuk largohen vullnetarisht nga politika sepse, deri sa të jenë gjallë, ata janë betuar të jenë besnik ndaj armiqve tanë. Unë nuk ua dëshiroj vdekjen. Por, ata që dëshirojnë të çlirohen nga barra e njerëzve të tillë këtë gjë mund ta arrijnë përmes mobilizimit politik dhe votës për opsion tjetër. Veprimi i këtillë i votuesve shqiptarë në Maqedoni do t’i çlironte edhe njerëzit e tillë, sepse do t’ua bënte të pavlefshëm betimin: nuk do t’i duheshin as Sasha Mijallkovit dhe pasardhësve të tij!
________
P.S: Në ditët në vijim do të trajtoj aspekte tjera të këtyre tri intervistave.