BEHXHET Sh.SHALA BAJGORA: ÇDO E KEQE E KA EDHE NJË TË MIRË!

Prishtinë, 10. 11. 2015: (Po të ishte vetëm dy gishtërinj mbi ballë…) – Kërkesa e Kosovës për anëtarësim në UNESC-o u refuzua sepse munguan vetëm edhe tri vota të jetësohej ky synim dhe ne e merituam të jemi anëtar i këtij mekanizmi të organizmit bëtërorë të Kombeve të Bashkuara. Nuk e besoj se mund të ketë ndonjë qytetar të Kosovës që është gëzuar me këtë refuzim me përjashtim të paramilitarit ortodoks, igumenit Sava Janjiq i cili nuk la gurë pa lëvizur për të penguar synimin e Kosovës drejt integrimit në Kombe të Bashkuara dhe duke përdorur rrenat ordinere të kishës dhe politikës serbe. Tash, po i njëjti paramilitar ortodoks, i veshur me veladon të popit dhe me përmbajtje të shovinistit serbomadh deklaron se pas refuzimit të kërkesës së Kosovës për anëtarësim në UNESC-o janë hapur mundësi të reja për dialog duke e demonstruar në këtë mënyrë karakterin e dyfytyrësisë bizantine që e karakterizon kishën ortodokse serbe. Realisht, “otac“ Sava Janjiq është gjenetikë e treshëguar kriminale nga ati Nikollaj Velimiroviq i cili, në cilësinë e të parit të kishës ortodokse serbe bekoi dhe angazhohej për asgjësimin e çifutëve para dhe gjatë luftës së dytë botërore në kampet e përqëndrimit në Banjicë dhe llogoret tjera asgjësuese. Po ky Velimiroviq e bekonte kryeçetnikun Drazha Mihajloviq dhe krimet e tij së bashku me Kosta Peçancin i njohur për krimet e llahtarshme ndaj shqiptarëve, sidomos të rajonit të Dukagjinit. Igumeni Sava Janjiq e kaliti dinakërinë për dyfytyrësi nga otac Pavli, Amfilohije Radoviqi dhe, së fundi nga “humanisti“ i kishës ortodokse serbe Irinej që, në stilin e Arkanit bëri thirrje që ndaj shqiptarëve duhet të përdoret forca për ta mbrojtur Kosovën. Nuk pati reagime kundërshtuese ndërsa igumeni Sava Janjiq është bërë më aktiv në Twiter kundër Kosovës dhe për Serbinë se sa Kristiano Ronaldo për Real Madridin! Shovinizmi i ka verbëruar mendjen këtij paramilitari ortodoks ndryshe ai do të duhej të angazhohej për anëtarësim të Kosovës në UNESC-o më shumë se vet Petrit Selimi, Hashim Thaçi apo Gjet Pacolli!

Po të anëtarësohej Kosova në UNESC-o, kisha ortodokse serbe në Kosovë do të bëhej shtet brenda shtetit dhe do të kishte shumë më tepër favore se që ka tani. Nëse paramilitari ortodoks Sava Janjiq mendon se me këto veprime shoviniste do të ndikojë dhe ndihmojë që Serbia të ushtrojë pushtet në Kosovë përmes këtij pioni, e ka shumë gabim! Le të nxjerrë mësim nga babai i tij politik dhe shpirtëror, Amfilohije Radoviq i cili, pas pavarësisë së Malit të Zi bëri përpjekje që kishën ortodokse të Serbisë ta bëjë pronarë të kishës ortodokse të Malit të Zi dhe ia huqi keq sepse malazezët e deportuan dhe nuk i lanë hapësirë për veprim politik! Në çdo shtet normal Sava Janjiq do të shpallej person i padëshiruar e jo sikur te ne kur po shndërrohet në yll medial! U bë keq që Kosova nuk u pranua në UNESC-o por dihet se çdo e keqe e ka një të mirë! Gjatë Marshit të Madh kinez, kur situata përkeqësohej dhe binte morali i luftarëve, prijësi i tyre Mao ce Duni i motivonte me thënien se: “sa më keq që bëhet, bëhet edhe më mirë“! Pra, nga kjo e keqe mund të ndalet edhe e keqja më e madhe e që është nënshtrimi i pakusht i Kosovës ndaj Serbisë përmes bisedimeve për “normalizim“ e që zbatohen vetëm në mënyrë të njëanshme pasi që vetëm Kosova detyrohet t’i zbatojë ndërsa Serbia i zbaton në përputhje me përfitimet politike që mund t’i ketë! Ashtu ka vepruar deri më sot dhe shumë mirë i kanë ecur punët, shkaku se bashkësia ndërkombëtare presionin apo shkopin e ka pasur si mjet bindjeje për Kosovën ndërsa Serbinë e ka ushqyer vazhdimisht me karrota! Njeriu që e çmon veten dhe dëshiron ta respektojnë të tjerët, parimin e zbatimit të reciprocitetit e ka si rregull elementar edhe në raportet me individë e lëre më shtetet që këtë parim e kanë çështje të ekzistencës dhe funksionalitetit të shtetit !
Peshku i artë në duart e Kosovës dhe mundësia për këndellje
Me refuzimin e anëtarësimit të Kosovë në UNESC-o, me rolin destruktiv që e luajti Serbia përkundër bisedimeve për “normalizim“ të marëdhënieve me Kosovën dhe mospërmbushjen e detyrimeve përmes refuzimit të zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara për çka garantuan “lehtësuesit“ ndërkombëtarë dhe ata që na bënin aq shumë presion, Kosova, nga pozita e të gjendurit buzë greminës erdhi në situatë ta ndërpresë theqafjen, poshtërimin dhe nënshtrimin njerëzor, kombëtar dhe shtetërorë. Tash ka mundësinë të mbajë qëndrim ndaj Serbisë në bazë të parimit të reciprocitetit; si sillet Serbia ndaj nesh, ashtu duhet të sillemi edhe ne. Tash ka argumente që, edhe para miqëve dhe “miqëve“ ndërkombëtarë të tregohet e vendosur dhe të kërkojë nga ata që: “ate që i takon Cesarit, t’i ipet Cesarit….” dhe asgjë më tepër duke u mbështetur në praktikat ndërkombëtare e jo duke u mbështetur në standardet e dyfishta. Në Kosovë, së paku deri më tani roli i bashkësisë ndërkombëtare nuk ka dalluar shumë nga kisha ortodokse serbe dhe ruse sepse, bizantinizmi politik dhe moral ka qenë përcaktues për trajtimin e palëve negociuese.
Ky rast i krijon mundësitë reale për të dalë nga kriza e “fermës së vezëve“ dhe “bombolave të gazit lotësjellës“ që u bënë mjet veprimi në Kuvendin e Kosovës! Në shtetet normale por edhe te ne pas situatës së krijuar, Qeveria e Kosovës do të duhej të thirrte një mbledhje të jashtëzakonshme me ç’rast do të ndërpriteshin bisedimet e kota , të paafatizuara, pa përmbajtje konkrete me Serbinë, ku roli i Kosovës është vetëm bartja e valigjeve dhe dokumenteve për integrimin e Serbisë në BE, deri në vendosjen e një rregulli ku të dyja palët “negociuese“ do të trajtoheshin në mënyrë të barabartë dhe ku roli i bashkësisë ndërkombëtare nuk do të ishte sikur roli i pleqnarëve që e ndajnë pleqninë sipas fuqisë; të fortit i japin ajkën, të dobëtit i japin hirrën ! Është një mundësi e mirë që pozitë dhe opozitë të bisedojnë në frymën e situatës së re dhe të sakrifikojnë diçka nga interesi personal për vendin që ua ka krijuar të gjitha kushtet, që shpeshherë, pa e merituar, bëjnë jetë përrallore! Nëse qeveria edhe pas këtij roli çoroditës të Serbisë në pengimin e çdo nisme të Kosovës, këmbëngulë në vazhdimin e bisedimeve të këtij formati, atëherë, me një procedurë të shpejtuar duhet ta dërgojmë në shtëpi! Dikush mund të pensionohet, dikush duhet ta kalojë procesin e risocializimit në institucionet e specializuara, dikush i kthehet hotelerisë ndërsa dikush edhe mund të kthehet në “rrugë të Zotit “! Kjo është një mundësi e mirë të çbllokohet Kuvendi pasi objektivisht Kuvendi po e paguan çmimin për një problem ku përgjegjësia duhet të adresohet te Qeveria e Kosovës. Nëse kryeministri Mustafa dhe ai, Thaçi deklarojnë se Serbia ka bërë lobim dhe propagandë raciste (e që kanë plotësisht të drejtë), pse u dashka t’i vazhdojnë bisedimet me një shtet racist?! Nuk shoh këtu ndonjë arsye përveç faktit se: “mos ua ka pirë sorra mandët“…! Nëse veprohet në përputhje me situatën e krijuar, janë mundësitë objektive të dalim nga kriza në Kuvend dhe t’i ndërprejmë proceset degraduese siç janë pranimi i të gjitha kushteve dhe marrëveshjeve edhe në rast kur rëndë e dëmtojnë Kosovën! Mendoj se propozimin për ndërprerjen e bisedimeve dhe pezullimin e marrëveshjeve deri në një situatë kur edhe ne do të trajtohemi si palë e barabartë duhet ta bëjë koalicioni qeverisës apo njëra nga subjektet politike të këtij koalicioni, PDK ose LDK-ë. Ky veprim do të ishte dorë e zgjatur për opozitën për një dialog konstruktiv dhe mënjanim i logjikës përjashtuese si dhe manifestim i arrogancës muskulore të numrave të ulëseve në Kuvend. Nëse jo, atëherë të gjithë do të shkojmë drejt greminës që edhe është qëllimi i Serbisë !
Diçka për titullin
Tash, pas refuzimit për anëtarësim në UNESC-o, nuk është normale që dikush të përfitojë nga kjo gjendje. Apo të kërkohen kokat sipas preferencave personale, politike dhe partiake. Kosova është një vend i vogël, i izoluar dhe shumica e qytetarëve nuk ka informata të sakta se çka ndodhë rreth nesh. Jemi të preokupuar me “madhështinë “ tonë, “rëndësinë strategjike“ dhe “miqësinë e përjetshme“ me këtë apo atë fuqi në ndërkohë që askush nuk merret me ne kur ka probleme shumë më të mëdha se te ne. Madje, në konstelacionin e zhvillimeve botërore ne jemi fare të parëndësishëm dhe vetëm pafuqia jonë na detyron që percepcionin se: ”Barak Obama, posa të zgjohet nga gjumi, së pari mendon për Kosovën, pastaj për Amerikën dhe pjesët tjera të botës“ e kemi shndërruar në fakt! Ky vetmashtrim është bërë udhërrëfyes për mosveprimin tonë! Madje, lehtë mund ta krahasojmë me një dukuri në psikologji i quajtur “iluzioni i shpëtimit“ ku i dënuar për vdekje, pasi i janë refuzuar të gjitha kërkesat për falje, shpreson se në momentin e fundit do t’i falet jeta! Adresimi i fajësisë është lehtë të bëhet dhe kokat dihen mirëpo duhet ta kemi parasysh se në politikë interesi material përcakton interesin politik. Çka ofrojmë ne si Kosovë, në këtë drejtim dhe pse do të duhej që Japonia, Polonia, Koreja e Jugut dhe shtetet tjera të rrezikojnë investimet miliardëshe euro dhe dollarë në Serbi apo Federatën e Rusisë?! Nuk ka, sidomos në politikë miqësi të përjetshme por ka vetëm interes të përjetshëm! Duhet ta mësojmë njëherë e mirë këtë sepse nënshtrimi i pakusht dhe i padinjitetshën nuk hynë në kategorinë e miqësisë! Shumë shtete arabe ende blejnë armatim nga Serbia dhe kanë pilotë ushtarakë apo ekuipazhe nga Serbia dhe Rusia. Kosova, si shtet i rraskapitur që është dhe me aq shumë probleme, tepër shumë ka arritur. Krahasojini me vendet e rajonit dhe lehtë i vëreni ndryshimet! Disa miq janë ndarë të zhgënjyer pse kemi dështuar vetëm për tri vota. Besoj se akterët e drejpërdrejtë në këtë proces, shumë saktë ose përafërsisht saktë kanë pasur informacione se sa vota do t’i fitojnë andaj ishin të rezervuar duke e cilësuar votimin si shumë të vështirë e që nënkupton se edhe mund të dështojmë në përpjekjen e parë. Pastaj, ua tregova një refren të një kënge popullore ku nëna e vajton të birin e vrarë me një plumb në ballë me fjalët: ”o biri i nënës, po të kishte shkuar plumbi vetëm dy gishta mbi ballë, nëna nuk do të të vajtonte sepse ti do të ishe i gjallë…”!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura