(Viti, 14. 07. 2011) – Ka dy ditë që po matem, po mendohem: Të flas (shkruaj) apo të heshtë? Të shkruash pas kërcënimeve të hapura të Ambasadorit Dell se kushdo që nuk mbështet dhe nuk pranon “ligjet” dhe “drejtësinë” e miqëve tanë ndërkombëtarë, sidomos të tij, e ka të përfunduar karrierën politike (mbase edhe pasoja të tjera) nuk është e lehtë. Të heshtësh para një kërcënimi, dhunimi dhe rreziku të këtillë për lirinë dhe demokracinë (nëse ka pak demokraci) në këtë hapësirë shqiptare, që quhet Kosovë, është e pafalshme. Nuk mund të hesht, sidomos unë dhe të tjerë, më “luftëtar” se unë, për lirinë e shprehjes së mendimit dhe të fjalës së lirë. Të heshtim ne, ta mbyllim gojën ne, që nuk heshtëm dhe nuk e mbyllëm gojën në kohën e tiranisë, terrorit dhe gjenocidit të Jugosllavisë së Titos dhe Milosheviçit është faj që nuk falet. Të heshtim ne, që për ta fituar lirinë dhe të drejtën e shprehjes së lirë të mendimit dhe fjalës kemi bërë vite e vite burg të rëndë, kemi quar rininë tonë burgjeve të Jugosllavisë e Serbisë është faj që do të “dënohet” nga pasardhësit tanë. Të heshtim ne që u përpoqëm, luftuamë dhe sakrifikuam për lirinë e pjesës së pushtuar të popullit shqiptar, ne që i dolëm përpara terrorit shtetëror, gjenocidit dhe makinerisë ushatarake e policore të Serbisë, është vërtetë krim. Prandaj, unë për vete nuk e zgjodha të dytën, heshtjen, por të parën. Vendosa të shkruaj.
Sjellja, paraqitja, angazhimi (publik dhe jo publik) dhe deklaratat e Ambasadorit Dell në Kosovë të kujtojnë mbretin ose monarkun me pushtetin absolut të tij. Tashmë nuk po dihet nëse ky njeri është ambasador i një vendi në vendin tonë apo shef e mbret i Kosovës, i vendit tonë?! Fuqisë dhe pushtetit të tij absolutist do t’ia kishin lakmi edhe mbretër si mbreti Luigji XIV! Ky Delli për çdo ditë po thotë e po deklaron se “Kosova jam unë”!!
– Ai vendosë se kush është “kriminel lufte” (kush ka bërë krime),
– ai vendosë çfarë duhet të bëjë Kuvendi i Kosovës,
– ai është Gjykata Kushtetuese,
– ai është ligji,
– ai është Kushtetuta,
– ai është drejtësia,
– ai është liria e Kosovës,
– ai është demokracia e këtij vendi,
– ai e do më shumë se ne këtë vend,
– ai është i gjithëdijshmi,
– ai vendos a mund të jetë Jakup Krasniqi Kryetar i Kuvendit të Kosovës a jo,
– ai vendosë a do të nxej dielli në këtë vend a jo,
– ai është Kosova,
– ai vendosë kush do të ketë e kush jo karrierë politike,
– ai vendosë për tenderët,
– ai…
Krejt ky pushtet dhe kjo e drejtë e paska burimin te ndihma që na paska dhënë Amerika!! Absurde. Po pse, cili vend dhe cili popull nuk ka nevojë për t’u ndihmuar nga popuj dhe vende mike? Vetë Amerika (fuqia më e madhe ushtarake dhe ekonomike) po kërkon ndihmë dhe po ndihmohet nga vende dhe popuj të tjerë në luftën e saj në Afganistan, Irak, etj. Madje edhe shqiptarët po japin ndihmën e tyre. Pse Franca vetë u çlirua nga Gjermania hitleriane? Pastaj, pa shqiptarët dhe luftën e tyre, kur do të hynte Amerika dhe aleatët e saj në Ballkan?
Por, ne shqiptarët duhet ta dimë një gjë nga përvoja jonë historike dhe tragjike: Miku që vjen dhe kërkon të të bëhet zot në shtëpinë tënde nuk është bash mik, mik… Ka dymbëdhjetë vite që po e falënderojmë dhe do ta falënderojmë gjithmonë Amerikën dhe secilin vend a popull që na ka përkrah dhe mbështet në përpjekjet dhe luftën tonë për liri e demokraci, por nuk mund ta pranojmë kurrë që në emër të asaj përkrahjeje miqtë tanë ndërkombëtar të vendosin një diktaturë të re, të ndjekin, shtypin, denoncojnë, kërcënojnë, dhunojnë dhe shantazhojnë institucionet, personalitetet, demokracinë dhe lirinë e këtij populli, sepse kjo herët a vonë do të shpie në mosmarrëveshje, fërkime dhe konflikte që më së paku i ka dëshiruar dhe i dëshiron ky popull. Ata që kanë vrarë, masakruar, shfarosur, djegur e shkatërruar këtë popull e këtë vend janë bërë “pëllumba” të paqesë për miqtë tanë ndërkombëtarë, kurse këta që u përpoqën dhe luftuan për ta mbrojtur dhe cliruar këtë vend po kualifikohen “kriminelë lufte” nga Delli dhe kompania e tij “ndërkombëtare”!
Që t’i biem shkurtë, Delli dhe miqtë e tij (UNMIK-EULEX’i, etj.) po kërkojnë që Jakup Krasniqi dhe mbështetësit e tij t’ia bëjnë varrin me duart e tyre Partisë Demokratike të Kosovës. Po duket që kjo është dëshirë edhe e të parit të PDK’së (lexo Hashim Thaçit – Sh.B)!! E kam fjalën për atë PDK’në që doli nga Lufta Çlirimtare, për atë Parti që edhe sot, me gjysmë zëri, përpiqet për zgjerimin e lirisë dhe demokracisë së këtij populli dhe institucioneve. E kam fjalën për atë parti që përditë, ngapak, por sigurtë po mundet nga brenda dhe nga prurjet dhe pjella e “vëllazërim-bashkimit”. Prandaj, Delli po kërkon që kjo Parti të mundet përfundimisht dhe të varroset me duart tona?! Po kërkohet që edhe kjo Parti ta ketë fatin e TMK’së! Skena politike dhe politika në Kosovë duhet të drejtohet dhe dominohet nga ata që vëllazërim-bashkimin me vrasësit tanë e ruanin si “sytë e ballit”, nga ata që luftojnë ta forcojnë kufirin me shtetin dhe vendin AMË, nga njëra anë, dhe që angazhohen të mos ketë kufi me Serbinë, nga ana tjetër. Nga ata që angazhohen ta shuajnë cdo gjë shqiptare për një Kosovë multietnike, joshqiptare!! Ata që kërkojnë që J.Krasniqi me miqtë e tij (siç i quanë Delli) t’i burgosë drejtuesit kryesor të Luftës Antipushtuese Çlirimtare me dorën e tij, me votën e tij dhe të deputetëve të këtij vendi?! Me Gjykatën Kushtetuese tashmë e ka rregulluar Delli. Vendimi i saj dihet qysh tash! Jo pse nuk munden ata me e burgosë cilin t’ua do qejfi, sepse kanë pushtet dhe fuqi të pakontrolluar dhe të pakufizuar nga ligjet dhe drejtësia, por ata duan që këtë punë ta bëjmë ne, ta burgosim njëri – tjetrin, që jo neve të na vij turp e të përçahemi e hallakatemi, po që t’u vijë turp edhe pasardhësve tanë për këtë turp që kemi bërë (do të bënim) ne.
Me këtë veprim Delli dhe miqtë e tij duan përfundimisht t’i varrosin idealet shqiptare për liri, demokraci dhe ribashkim të kombit. E ka gabim Delli. E kanë gabim edhe miqtë e tij. Çështja e Kosovës dhe cështja shqiptare në Ballkan nuk zgjidhet kurrë duke shtypur ndjenjën kombëtare dhe liritë demokratike, politike e qytetare të shqiptarëve, duke ndjekur, dhunuar, dënuar e anatemuar ata që ia sollën lirinë dhe demokracinë këtij vendi e duke biseduar e bashkëpunuar me ata (serbët dhe shtetin serb) që vërtetë kanë kryer krime, spastrim etnik dhe gjenocit, me ata që edhe pas lufte kanë spastruar krejtë veriun e Kosovës me vrasje e terror nga shqiptarët, të cilët edhe sot e kësaj dite nuk mund të kthehen në shtëpitë e tyre. Me ata (me Serbinë dhe serbët) që edhe sot e kësaj dite mbajnë dhe financojnë institucionet e tyre në Kosovë! Kështu nuk ndihmohet paqa dhe stabiliteti në Ballkan dhe Evropë, kështu nuk do të rregulloheshin dhe paqësoheshin kurrë marrëdhëniet midis popullit shqiptar dhe popujve të Ballkanit që mbajnë të pushtuara tokat shqiptare dhe shqiptarët edhe sot e kësaj dite.
A ka një pikë ndershmërie njerëzore dhe qytetare te ata që e kanë plotë gojën liri e demokraci kur e quajnë “kriminel lufte” Fatmir Limën, i cili edhe nga një Gjykatë Ndërkombëtare, siç është ajo e Hagës, e shpalli të pafajshëm pas tri vitesh burg? Për çfarë lirie, drejtësie, demokracie, për çfarë të drejtash dhe lirish të njeriut mund të flasin ata që e mbajtën në burg tri vjet Fatmir Limën, e shpallën të pafajshëm dhe të paktën nuk i kërkuan falje? Çfarë janë ata që me tam-tame, me qenë e me maska (në mënyrë banditeske) e bastisën Ministrinë e Fatmir Limës (Qeverinë e Kosovës) dhe shtëpinë e tij gjoja për korrupcion dhe e shpallën paraprakisht të “korruptuar”, “hajdut”…, por nuk doli gjë nga kjo hajkë. “U mbarsë mali dhe polli një mi”! U harrua sikur nuk kishte ndodhur gjë! U mbyll ajo dosje dhe u hap tjetra për krime lufte?! Të njëjtën gjë kanë bërë dhe po bëjnë me Ramush Haradinajn dhe me shumë luftëtarë të tjerë të lirisë. “Drejtësia” e tyre nuk do të ndalet vetëm me Fatmir Limën dhe nuk do të ndalet deri sa ta “drejtojë” Kosovën. Turp! “Drejtësia” e UNMIK-EULEX-it dhe e Dellit është vetëm një armë politike në duart e tyre për zbatimin e projektit famëkeq politik dhe antishqiptar për “decentralizimin” (ndarjen) e Kosovës dhe për realizimin e një Atisari plus. Dhe kjo “armë” përdoret vetëm kundër shqiptarëve, sepse paskan vrarë policë e ushtarë serbë, spiunë e bashkëpunëtorë të Serbisë. Saherë që Serbia të provojë ta pushtojë Kosovën, jam i sigurtë se shqiptarët do ta bajnë të njëjtën gjë, sic do ta bënte cdo popull në mbrojtje të lirisë dhe jetës së tij. Kështu gjenocidi i serbëve dhe i shteti serb u harruan?! Me raporte të llojit të Dik Martit, të sponzorizuara nga miqtë tanë ndërkombëtar dhe me presione e shantazhe të hapura dhe të fshehura Delli dhe miqtë e tij po kërkojnë t’ia marrin frymën lirisë dhe demokracisë së këtij vendi, institucioneve dhe figurave tona politike e kombëtare, duan t’ia mbyllin gojën këtij vendi dhe këtij populli. Në këtë debat, në këtë përpjekje dhe cështje të madhe për vendin dhe popullin tonë mendoj se duhet të angazhohet fuqishëm edhe inteligjencia jonë, e cila duhet të vihet edhe më fuqishëm në mbrojtje të lirisë, demokracisë, krenarisë dhe pavarësisë së këtij vendi dhe populli.
Popullit të Kosovës nuk po i bënë dëm J.Krasniqi, zoti Dell, por ata, që po e mbajnë peng lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e këtij vendi tash dymbëdhjetë vite, ata që e bënë rrush e kumbulla (e trafikuan) ekonominë dhe pronën (pasurinë) e këtij vendi dhe të këtij populli dhe ata që po mundohen ta mbajnë Kosovën të lidhur pas qerres serbe. Miqësinë tonë me ndërkombëtarët, mendoj unë, po e dëmtojnë ambasadorë dhe përfaqësuesë të vendeve të tjera dhe të Bashkimit Evropian, të tipit Dell, në bashkëpunim të ngushtë me disa “udhëheqës” kosovarë! Prandaj, mendoj që Qeveria amerikane dhe Presidenti Obama duhet ta shqyrtojnë sjelljen dhe angazhimin e Ambasadorit Dell ose të politikave të tyre ndaj Kosovës, nëse këto janë politika të Vashingtonit. Marrëdhëniet me miqtë tanë po marrin karakterin (ishin të tilla që nga fillimi) e raportit suzeren-vazal. Politika dhe politikanët, inteligjencia, mediat dhe gjithë populli ynë duhet të bëjnë edhe më shumë që vërtetë të ndërtojmë marrëdhënie të mirëfillta miqësore me botën demokratike dhe të civilizuar në të mirën dhe për të mirën e lirisë, demokracisë dhe paqesë së popullit tonë dhe popujve të rajonit.
Postime të Lidhura
ELIFE LUZHA: FALË I QOFSHIM KOSOVËS
Edhe kësaj here Kosova u kurorëzua me fitore në përballjen e saj diplomatike me Serbinë. Botë e qytetëruar…
SKËNDER SADRI KAPITI: NË SHQIPËRI DHE KOSOVË LIGJI DHE MORALI JANË MASKA TË ANTILIGJIT DHE ANTIMORALIT!
Durrës,14 shkurt 2019: Moral do të thotë pagabueshmëri, do të thotë drejtësi, vërtetësi, liri, humanitet e njerzillëk, mirësi…
SHFHDK: TË ANULOHEN MARRËVESHJET QË DËMTOJNË KOSOVËN!
Prishtinë, 09. 12. 2105: (Reagim i Shoqatës së Familjeve të Heronjve dhe Dëshmorëve të Kombit – SHFHDK) •…
FONDI AMERIKAN I INVESTIMEVE “BLACKROCK” BËHET PRONAR I SERBISË!
Përveç Ukrainës, Argjentinës, Pakistanit dhe disa vende të tjera të botës… FONDI AMERIKAN I INVESTIMEVE “BLACKROCK” BËHET PRONAR…