Tiranë, 23. 07. 2015 – Shkenca dhe kultura janë Kurora e artë e ekzistencës dhe kuptimshmërisë së kombit shqiptar. Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve në Kosovë e kanë detyrë parësore unifikimin në një paradigmë konceptuale dhe shkencore. Pseudoteoritë e dualitetit absurd të gjuhës standarde shqipe dhe gjuhës kosovarishte, apo e dualitetit gjithashtu absurd të kombit shqiptar apo të kombit “kosovar” janë mistifikime makabre dhe antiintegruese dhe parasëgjithash janë aksidente dhe atentate ndaj shkencës dhe kulturës së kombit shqiptar. Dezintegrimi shqiptar është një negativitet ndaj integrimit europian!
***
Shkenca dhe kultura janë konceptualisht identitete të veçanta dhe të ndërthurura. Nuk është fjala për formalizimin e koncepteve por për substancën shoqërore unifikuese. Në tërë përcaktimet mbi shkencën dhe kulturën, janë ide kapilare të përshkueshme tek njëra-tjetra, dmth në thelb janë ide komplementare dhe përbashkuese.
Ndonëse studimet kronologjike dhe historike për shkencën dhe kulturën në botën shqiptare janë në një fazë empirike dhe jo shumë të zhvilluara, prapë se prapë, nga një vështrim i shpejtë në përgjithësi mund të konstatojmë se shkenca dhe kultura në rrugëtimin shekullor të kombit shqiptar kanë qenë instrumente të domosdoshme dhe të patjetërsueshme të emancipimit kombëtar.
Po skicoj shkurt disa panele konceptuale për rolin e shkencës dhe të kulturës shqiptare si fuqi mendore integruese.
Pa u thelluar në të kaluarën antike, por edhe më të hershme, atë prehistorike, mund të themi se arkeologjia si shkencë historike, por edhe gjuhësia historike kanë vërtetuar bindshëm se formimi i etnosit ilir si dhe revolucioni neolitik, por edhe epoka e bronzit dhe e hekurit, tregojnë një autoktoni të qartë dhe një vijimësi, pa ndërprerje, që solli më pas dukurinë madhore të Antikitetit të Vonë, atë të transformimit të ilirëve të vjetër tek arbërit e hershëm, ç’ka përbën subjektin unitar të etnogjenezës të kombit shqiptar, si subjektin më të pazëvendësueshëm të ilirologjisë klasike dhe sidomos të albanologjisë moderne. Artefaktet e lashta dhe kultura arbërore në tërë trojet shqiptare tregojnë të njëjtin popull të veçantë, me një identitet të spikatur, pra kemi një integrim përvijues.
***
Epoka e mesjetës shqiptare reflekton një lidhje natyrore me zhvillimin kulturor të Europës, një lloj paradhome të integrimit europian.
Milan Shuflai, ky dijetar gjenial kroat e thotë qartësisht se Shqipëria mesjetare kishte një nivel zhvillimor me mesjetën europiane në një formë gati arketipale. Ky zhvillim historik i shqiptarëve u ndërpre nga pushtimi otoman i shekullit XV.
Në këtë epokë kontrastuese shkëlqen saga e Gjergj Kastriot Skënderbeut, heroit tonë kombëtar, por njëkohësisht dhe një hero i semantikës kulturore të shqiptarëve si popull i mirëfilltë europian me ndikim të jashtëzakonshëm deri në integrimin e sotëm modern europian.
Shekulli XVI përbën një shpërthim kulturor shqiptar: Tre emra të mëdhenj Buzuku – Barleti – Onufri, pra një Trinitet konceptual fuqizoi kulturën kombëtare.
– Buzuku qe Ati i Madh i letrave shqipe, duke kuptuar se gjuha jonë amtare e shkruar dhe e kultivuar është një kimi mendore e identitetit kombëtar.
– Barleti themeloi historiografinë si shkencë sociale. Libri i tij për Gjergj Kastriot Skënderbeun u përkthye në tërë gjuhët europiane dhe kështu Barleti është i pari dijetar shqiptar më i ndërkombëtarizuar.
– Onufri, piktori ikonograf gjenial krijoi një zenit artistik pikturik të pashembullt, duke u renditur ndër emrat më të shquar të ikonografisë bizantine dhe metabizantine. Në ditët e sotme vepra e Onufrit njihet dhe çmohet lart nga historianët e artit në botë duke e ndërkombëtarizuar fuqinë krijuese të kombit shqiptar.
***
Shekujt XVII dhe XVIII me figurë madhore si Pjetër Budi, Pjetër Bogdani, Frang Bardhi krijuan vepra që dimensionohen në letërsinë baroke europiane dhe janë ndërthurje e artit dhe shkencës në funksionalizimin progresiv të identitetit tonë kombëtar.
Këto vepra me ind bashkohor europian hodhën themele të kulturës dhe të bazave të albanologjisë, të gjuhësisë drejt rrugës për institucionalizmit shkencor.
***
Shekulli XIX është një epokë e jashtëzakonshme e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Shekulli XIX është dhe shekulli i mirëfilltë i albanologjisë si institucion tashmë integral. Kjo meritë pioniere i takon Georg Hahnit, pa harruar edhe meritat e Franc Bobit, Lajbnicit, Artur Evansit dhe Leon Hezeyt që themeluan edhe arkeologjinë shqiptare si institucion të mëvetshëm.
De Rada dhe Naim Frashëri krijuan letërsinë romantike dhe për herë të parë moderne, që i bëri shqiptarët si dimension i integruar i letërsisë europiane dhe botërore.
Faik Konica dhe Naim Frashëri konceptuan projektin e gjuhës standarde shqipe – një arritje padyshim madhështore.
Dijetarë të mëdhenj si Hoxha Tahsini, Sami Frashëri por edhe Konstandin Kristoforidhi sendërtuan vizione të mëdha shkencore dhe të kulturës enciklopedike. Këto e forcuan vetëdijen europiane të shqiptarëve dhe formësimin e kombit shqiptar. Pra e kalitën dhe e forcuan integrimin e shqiptarëve si entitet historik dhe njerëzor.
***
Shekulli XX është ai i një zhvillimi të paparë të shkencës dhe kulturës shqiptare. Në 1902 Faik Konica botoi librin “Ese mbi gjuhët natyrore dhe artificiale” që është një kryevepër e një eruditi të pazakontë, me konteks europian, që u çmua kaq shumë nga Gijom Apolineri dhe Remy de Gurmon.
Format të jashtëzakonshëm dijetari dhe eruditi pati sidomos Fan Noli me dy libra, po kryevepra, për historinë e Skënderbeut si dhe atë të Revolucionit Francez dhe Bet’hovenit – kjo vepër e fundit u çmua shumë lart nga Bernard Shou.
Shekulli XX është shekulli i dijetarit më të madh shqiptar të tërë kohërave, gjuhëtarit Eqrem Çabej dhe i gjuhëtarëve të shkëlqyer si Mahir Domi, Shaban Demiraj, Idriz Ajeti, Selman Riza. Gjuhësia shqiptare u bë kështu institucioni më madhor i albanologjisë.
U zhvillua arkeologjia shqiptare me Hasan Cekën, Çesk Prendin, Skënder Anamalin, Aleksandra Manon, Zhaneta Andrean, Dhimosten Budinën etj.
Shekulli XX është shekulli i piktorëve të mëdhenj Abdyrrahim Buza, Nexhmedin Zajmi, Sali Shijaku, Skënder Kamberi, shekulli i skulptorit gjenial Odise Paskali, i Janaq Paços dhe Shaban Haderit.
Shekulli XX është shekulli i kinematografisë dhe teatrit shqiptar, i Kadri Roshit, Sulejman Pitarkës, Sandër Prosit, Dhimitër Anagnostit, Pirro Manit, Marie Logorecit, Tinka Kurtit, Violeta Manushit etj.
Shekulli XX është shekulli i shkencave politeknike, i bujqësisë dhe industrisë, i gjeologjisë, i shkencës së naftës dhe mineraleve me shkencëtarë të nivelit europian.
Shekulli XX është shekulli i zhvillimit cilësor të Arsimit Kombëtar Shqiptar, i Instituteve dhe Akademisë së Shkencave. Shekulli i disiplinës së historisë së letërsisë me Dhimitër Shuteriqin dhe Rexhep Qosen.
Shekulli XX është shekulli i shkrimtarëve të mëdhenj si Petro Marko, Jakov Xoxe, Ismail Kadare dheDritëro Agolli.
Ismail Kadare sot, mbas Barletit është shkrimtari shqiptar më i ndërkombëtarizuar. Vepra kadareiane është referencë shqiptare për botën.
Shekulli XX është shekulli i muzikantëve Çesk Zadeja, Tish Daija, Limoz Dizdari, i koreografit cilësor Panajot Kanaçi, shekulli i këngëtarëve të shquar Mentor Xhemali, Vaçe Zela, Lukë Kaçaj, shekulli i Preng Jakovës dhe Feim Ibrahimit.
Tërë kjo trashëgimi ndikoi në integrimin tonë kombëtar si asnjëherë në histori.
***
Nga viti 1991 e deri në ditët e sotme, në etapën e stërzgjatur të tranzicionit të vështirë shqiptar shkenca dhe kultura shqiptare kanë pësuar degradime të mëdha.
Në rrafshin e shkencës dhe kulturës, personalitetet e këtyre fushave gati nuk përfillen dhe nuk përkrahen. Dituritë politeknike janë shkatërruar. Albanologjia dhe arkeologjia mezi marrin frymë. Politika ka sot një raport negativ me kulturën.
Ka të drejtë filozofja Hanah Arendt që thotë, që në situata të tilla paradoksale “një gram pushtet ka më vlerë se një tonelatë intelekt”. Por s’duhet të jemi fatalistë. Edhe në një demokraci autentike (jo konvencionale) një ditë shkenca dhe kultura shqiptare do të fuqizohen dhe do të rilindë sërish!
Filozofi Karl Poper ka thënë se shkenca dhe kultura janë substanca e vërtetë e historisë. Kështu do të ndodhë dhe për ne shqiptarët.
Shkenca dhe kultura jo vetëm ngjizin integrimin brendakombëtar por edhe integrimin e shqiptarëve me Europën.
Shoqëria shqiptare duhet të krijojë një klasë politike me përfaqësues që të kenë në optikën e së ardhmes shkencën dhe kulturën. Jam i bindur që kjo do të arrihet, pavarësisht paradokseve të pafund.
Integrimi europian është para së gjithash një integrim shkencor dhe kulturor. Kush mund që ta mohojë këtë të vërtetë supreme? Askush!
Shkenca dhe kultura emancipojnë kombin dhe shoqërinë civile, lirinë dhe të drejtat e njeriut.
Shkenca dhe kultura janë Kurora e artë e ekzistencës dhe kuptimshmërisë së kombit shqiptar.
Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve në Kosovë e kanë detyrë parësore unifikimin në një paradigmë konceptuale dhe shkencore.
Pseudoteoritë e dualitetit absurd të gjuhës standarde shqipe dhe gjuhës kosovarishte, apo e dualitetit gjithashtu absurd të kombit shqiptar apo të kombit “kosovar” janë mistifikime makabre dhe antiintegruese dhe parasëgjithash janë aksidente dhe atentate ndaj shkencës dhe kulturës së kombit shqiptar. Dezintegrimi shqiptar është një negativitet ndaj integrimit europian!