Pashtriku.org, 12. 10. 2015: – (Vëllaznim Hasani, Besoj zemrës sime, Prishtinë, 2015) – Recension – Ungjill thuhet: E para ishte fjala! Dhe, ashtu është vërtetë.Përmes fjalës njeriu shpreh gjithë lëngun e jetës: gëzimin e hidhërimin, dashurinë e urrejtjen, lumturinë e mjerimin, atdhedashurinë e hipokrizinë, sakrificën e mbjetesën. Raca jonë e stërlashtë shkoj edhe më tej, duke ia shtuar edhe binomin sinonimik sfidues të historisë: pushkën dhe lahutën. Sa bukur: pushka dhe lahuta. Lahuta dhe pushka! Një ripërtëritje ciklike jetësore e etnosit tonë nëpër shekuj.
Këtë simbiozë sikur e ka kapur në thelb edhe djaloshi i Qyqavicës, Vëllaznim Hasani. Ai, me muzën e vet krijuese, i frymëzuar nga cicërimat e zogjve në Lugun e Kishës dhe i nanurisur me krismat e grykëhollave çlirimtare, arriti të na dhuroj nektar të pasur prej vargjesh që qëndrojnë midis këngës dhe poezisë.
Lirizmi funksional i gërshetuar natyrshëm me epizmin narrativ, bëjnë që ato hartime të thjeshta, me vargje e strofa tradicionale, të përvetësojnë zemrat rinore dhe shumë prej tyre edhe ta dalldisin telin e çiftelisë.
Rima dhe ritmi konvencional, i afrueshëm më atë popullor, në shikim të parë, lë përshtypjen e ca krijimeve të bëlbëzimeve fillestare. Por, zbërthimi më i hollësishëm i tyre, zbulon një botë të pasur emocionale poetike që shpërthen fuqishëm përballë dukurive shoqërore, siç janë: kurbeti, skamja, lufta, vdekja, mbijetesa, dashuria.
Megjithatë, dy janë linjat kryesore që si një pe i kuq përshkojnë vargjet e poetit debytant dhe këngëtarit, Vëllaznin Hasani:
Motivi atdhetar e shoqëror dhe
Motivi i dashurisë
Nisur nga kjo edhe libri “Besoj zemrës sime” është ndarë në tri cikle, të titulluara:
– Atdhetare
– Shoqërore dhe
– Dashurore
Në cilkin e parë trajtohen dhe rrahen tema nga historia jonë, e djeshma dhe e sotmja. Sidoqoftë, më të fuqishmet mbesin përkushtimet kushtuar trimave të lirisë të luftës sonë të fundit çlirimtare, udhëhequr nga komandanti legjendar Adem Jashari, për të cilin shkruan:
Ndal or shka mos na e luj gurin,
mos na prek gjuhën e flamurin.
Kurrë s’u ngope me gjak shqiptari,
tash priti plumbat e Adem Jasharit.
Në fakt, këto janë edhe tekste këngësh, shumica e të cilave janë kënduar e këndohen nga të tjerët dhe nga vetë autori. Me fjalë të tjera autori mëton të ngrisë lapidarë për ata që na e sollën Lirinë dhe vetë fituan Pavdekësinë. Aty lartësohen dëshmorët: Adem Jashari, Jashar Jashari, Bislim Trepçalia, Hamdi Hajrizi, Mehdi Zabeli, Bektesh Haliti, Blerim Saraçi, Avni Klinaku, Enver Tahiri, Avni Saraçi, Gëzim Rama, Jonuz Jashari, Xajë Jashari, Blerim Zuçaku, Musë Hajrizi, Zahir Pajaziti e Nazmi Aliu.
Kështu, duke i kënduar Komandant DURAKUT (Jashar Jashari) ai pos tjerash thotë:
Kush i tha Serbisë,
Ndal, këtu ke kufirin,
komandant Jashari,
me ushtrinë që u prini.
Botën emocionale te krijuesit të ri e shqetësojnë edhe dukuritë shoqërore si: dashuria për vendlindjen, plaga e kurbetit, çoroditja e rinisë, devijimet nga tradita etj. Kështu, që në fillim, ai i këndon vendlindjes së tij të dashur:
Ku aty kam lindur,
edhe jam krenar,
që i takoj këtij fshati,
Strofcit legjendar
Ai ngre edhe çështjën e bashkimit tonë kombëtar, synim yni i kahershëm, duke theksuar:
Për bashkim jemi të etur,
me dekada e me shekuj.
Sot të gjithë me një fjalë
Duam bashkimin kombëtar.
Mirëpo, siç duket, vokacion më i pëlqyer i këtij autori mbetet erotizmi. Muza e dashurisë e ka mbushur fund e krye cilklin e dytë, andaj edhe titulli i gjithë librit doli qëkëndej. Është kjo një dashuri e çiltër dhe e pastër bilur, mu si Krojet e Bardha të Qyqavicës. Heroi lirik kalon nëpër sfida të ndryshme. Sa është i lumtur dhe fluturon me krahët e dragoit të fildidhtë, sa e kaplon mërzia dhe melankolia e romantikut të dëshpëruar, sa ndjek rrugën e një kompromisi të heshtur, duke u munduar ta qetësoj zemrën e dalldisur e të egzaltuar deri në shfrenim.
Kështu tek poezia Besoj zemrës sime thuhet:
Besoj zemrës sime,
se po i vjen mund.
Falja zemrën tënde,
jepju vujtjeve fund.
Ndërkaq tek Plagë shpirti lexojmë:
Ndarja jonë krijoj mendime,
filluan dhimbjet në zemrën time,
plagë pas plage, hall pas halli,
për ty çdoherë më djeg malli.
Shikuar hollë e hollë, me syrin mikroskopik të vlerësuesit të thellë analitik, vargjet e brumosura me një muzikalitet e nuanca këndimi, nuk kanë atë fuqinë e duhur shprehëse, me ngjyrime të figurshmërisë e të semantikës poetike, për ta vënë në spikamë gjithë spektrin e laryshisë së dukurive jetësore që përfshihen në libër. Meqë ky është libri i parë, besojmë se, pena e tij do të stërhollohet dhe, në të ardhmen, do të na dhuroj margaritarë me vlera mbi mesatare artistike.
Sidoqoftë, libri “Besoj zemrës sime” do të jetë një dhuratë e çmuar për lexuesit e të gjitha moshave, andaj i dëshirojmë jetëgjatësi nëpër bibliotekat tona personale e shoqërore, ndërkaq autorit, Vëllaznim Hasani, shëndet dhe suksese në krijimtari. / Galicë, Qershor 2013/