GJOKË DABAJ: SHKRIMI I Z. ROMEO GURAKUQI, PROGRAM PËR 100 VJETORIN E PAVARËSISË

(Durrës, 21 korrik 2012) – I nderuari kryeredaktor i portalit mediatik “Pashtriku”! Sot, më 21 korrik 2012 – Ju publikuat shkrimin e z.Romeo Gurakuqi (*) “Etërit shtetformues dhe trashëgimia e tyre”. (Lexoni shkrimin këtu: https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=634)
Është e drejta Juaj, gjithanësisht e rregullt, që ribotimi ose rimarrja e cilitdo shkrim e, rrjedhimisht, edhe e këtij, të jetë e drejtë ekskluzive e autorit dhe e Juaja. Pa dalë nga ky kuadër i ligjshmërisë, jam i mendimit që Ju vetë, një shkrim të këtillë, kaq të rëndësishëm në këtë vit tonin jubilar (vit përgjithësisht i çoroditur prej njerëzish jokompetentë), duhet t’ua dërgoni të gjitha gazetave që botohen sot në gjuhën shqipe. T’ua dërgoni me kërkesën, ose së paku me sugjerimin dashamirës e qëllimmirë, që ky shkrim, mirëfilli programor, të publikohet, jo në ndonjë cep apo faqe që nuk vihet re, por në ballë të secilës gazetë.

 

…………………………………..

 Përveç gazetave, ky shkrim meriton që, nga ana Juaj, si editor ekskluziv (natyrisht, me pëlqimin e vetë autorit), t’u dërgohet edhe 2 parlamentevet të sotëm shqiptarë, si dhe grupevet të deputetëvet shqiptarë në Ish-Rep.Jug të Maqedonisë dhe në Rep.e Malit të Zi. T’u dërgohet ky shkrim edhe komisionevet përkatës të Festës, nëse i kemi, dhe të kërkohet që, jo vetëm të lexohet, por të merren vendime, mbi bazën e asaj çfarë shkruhet aty, dhe të zbatohen ata vendime me ngut, në këtë kohë prej më pak se 4 muajsh.
Jemi në vitin e 100-të të krijimit të shtetit modern shqiptar! Nuk është kohë për t’u treguar para botës adoleshentë. O duhet sot të dëgjohet zëri racional i intelektualëvet patriotë, ose… le ta lëmë për më vonë, kur s’do të na mbetet tjetër, përveç të anatemojmë pushtetmbajtësit e sotëm!
Me nderim të veçantë, miqësisht,
Gjokë Dabaj – Durrës, 21 korrik 2012

__________________________

(*) ROMEO GURAKUQI

*   *   *

Romeo Gurakuqi mban titullin Profesor që nga viti 2007 dhe graden Doktori Shkencave Historike nga vitit 1997. Profesor i Historisë Moderne Botërore, Historisë Moderne dhe Bashkëkohore të Ballkanit dhe Historisë së Institucioneve në Universitetin Europian të Tiranës. Fushat e Kërkimit Shkencor: Historia e Pavarësisë së Shqipërisë, 1910-1921. Romeo Gurakuqi është Visiting Fellow; pranë London School of Economics and Political Science. Autor i monografive “Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës e vitit 1911” dhe “Shqipëria dhe Çështja Shqiptare, pas Luftës së Parë Botërore, 1918-1921”, “Principata e Shqipërisë dhe Mbretëria e Greqisë, 1913-1914” dhe “Shqipëria 1911-1914” (në proces botimi), i teksteve bazë universitare: “Historia e Kohës së Re 2 (Qytetërimi Perëndimor) 1775- 1871”, “Historisë së Kohës së Re 3, (Qytetërimi Perëndimor) 1871-1918” (në bashkautorësi me Menduh Dërguti), “Historia e Institucioneve Perëndimore”, “Hyrje në të drejtën publike”, “Hyrje në Studimin e Historisë”, (në bashkautorësi me Ëalter Höflechner dhe Gëzim Hoxha), dhe autor i një numri artikujsh studimorë kushtuar historisë politike dhe diplomatike të Shqipërisë në periudhën 1910-1914, 1918-1921, 1925-1936, 1941-1945 dhe autor seri analizash botuar në shtypin shqiptar etj. Nga vitit 1998 deri në vitin 2006, Romeo Gurakuqi drejtoi revisten shkencore “Phoenix”, organ i Qendrës së Studimeve Shqiptare “Ernest Koliqi”, Shkodër. Bashkëthemelues i Universitetit Europian të Tiranës – UET. Nga viti 2006 deri më 2008 ka qenë Dekan i Fakultetit të Drejtësisë dhe Dekan i Fakultetit të Shkencave Sociale UET. Aktualisht është drejtor i Institutit të Historisë Bashkëkohore, pranë UET, anëtar i Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës, Anetar i Bordit Drejtues të Qendrës së Studimeve Albanologjike, Tiranë dhe Anëtar i Bordit Drejtues të Institutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit, dhe anëtar i Akademisë Shqiptare të Shkencave dhe Arteve.

__________________________

Këngë kushtuar 100 vjetorit të pavarësisë

………………………………………………….

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura