NË PRISHTINË PROMOVOHET LIBRI ‘HESHTJA E DASHURISË’ E AUTORES MALSORE LLAPASHTICA

Pashtriku.org, 29. 10. 2015: Ky libër është përmbledhja e tretë me radhë e krijueses, Malsore Llapashtica nga Prishtina. Në fakt, Malsore Llapashtica në Kosovë ka botuar përmbledhjet me poezi: “ZOGU I MBYLLUR” (1997) dhe “I KAM MËRZITUR VRASËSITË” (2000). Ajo tash punon në Itali, ku edhe e ka botuar përmbledhjen me poezi “IL SILENEZIO DEL AMORE” (“Heshtja e dashurisë”).
Sot në ambientet e Biblotekës Kombëtare “Pjetër Bogadani” Prishtinë, u promovua libri “Heshtja e dashurisë” (shqip-italisht) e autores Malsore Llapashtica, e cila udhëtoi nga Italia për të qenë prezent në këtë takim letrar shumë interesant dhe impresionues.
Takimin e drejtonte Frrok Kristaj, Shkrimtar, studiues, publicist. Merrnin pjesë një auditor i përzgjedhur nga fusha letrare, Abdyl Kadolli, Adem Zaplluzha, Hysni Gashi e të tjerë. Në takim mori pjesë dhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Tima Kadrija, e cila në fjalën e saj, mes tjerash, tha, se “poetët duhen mbështetur në misionin e tyre artistik e kulturor.

– Malsore Llapashtica –

– Kopertina e librit në gjuhën italiane –

Ndërsa poetja dhe redaktorja e librit nga Tirana, Fatime Kulli, u shpreh në fjalën e saj:
“Vëllimi poetik, “Heshtja e dashurisë”, na intrigon dhe ysht për ta lexuar me ëndje, na fut në një botë të ndjeshme me shpirtin e thellë të dëshirave njerëzore në poezi. Në tërësinë e këtij libri, gjallon një poezi koncize e herë hermetike, që vetëm një lexues i kualifikuar mund të gërryej me “traponin”e trurit, për t’i gjetur thellësinë e asaj çka ka dashur të thotë autorja. Poezia e Malësores zhytet si nëndetëse brenda karakterit poetik, për shkak të nuancave dhe lëvizshmërisë së gjendjes shpirtërore në aktin e krijimit lirik, me një tematikë të larmishme, në shumë këndvështrime. Veçojë në këtë buqetë të larmishme me poezi: “Gjuha e prekjes”, “Hija e fytyrës”, “Bimët e fshehtësisë”, “Zjarrheshtur…” , “Skulptore e gjallë”, “Virgjëresha vdes e virgjër” , “Heshtja e dashurisë” e të tjera.
Shpirti poetik i autores Llapashtica, rreket me prekë çdo detaj poetik, nga ngjarjet apo ëndrrat e jetuara ose të ëndërruara… Poezitë e autores Malësore Llapashtica shfaqen brenda një bote të ndjeshme, ku lexuesit do t’i mbetet gjatë në mendjen metafora poetike “Heshtja e dashurisë” për shpirtin poetik, për artin e përdorur me mjeshtëri në çdo fjalë, në çdo varg, në çdo poezi.”
Poetja Kulli pas fjalës së saj, lexoi poezi nga libri ku u duartrokit nga auditori. Autorja Llapashtica e emocionuar nga vleresimet që i bënë kolegët, shprehu mirënjohje të thellë pjesmarrësve dhe mes të tjerash, tha: “Libri im është botuar në Lece të Italisë dhe është promovuar dy herë në Itali, por unë nuk ndjehesha mirë, pa e prezantuar librin në Kosovën time” . Promovimi u kthye në nje festë letrare, ku diskutimet e vlerësimet ndaj autores, vazhduan gjatë. Theksojmë se libri “Heshtja e Dashurisë ( shqip-italisht) ështe vlerësuar shumë në Itali dhe është botuar me kontratë mes autores dhe botuesit italian, e cil pret të botojë të tjera vepra të sajat në Itali.

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura