Prishtinë, 07. 11. 2015: (Definicioni i invalidit ushtarak të paqes) – Invalidë konsiderohen të gjithë personat të cilët kanë dëmtime, deformime apo çrregullime të funksionimit të organizmit të tyre, pasojë e të cilave është paaftësia ose zvogëlimi i dukshëm i aftësisë për punë dhe jetë të pavarur në kushte normale, apo kanë vështirësi për aktivitet normal dhe realizim të nevojave jetësore. Ky është definicioni më i përgjithshëm real për invalidët, pa marrë parasysh shkaqet e invaliditetit: i lindur invalid, apo që me kohë është bërë invalid, si pasojë e ndonjë lëndimi apo sëmurje. Në kuptimin ligjor, invalid konsiderohet personi të cilit i është njohur cilësia dhe statusi i invalidit, sipas legjislacionit të caktuar, të cilit i takojnë të drejta e favore të caktuara me ligjet pozitive.
Në kuptimin e mësipërm juridik, legjislacioni pozitiv njeh tri kategori kryesore të invalidëve: invalidët e punës, invalidët ushtarak të luftës, dhe invalidët ushtarak të paqes dhe ata që barazohen me ta. Për secilën kategori të invalidëve shteti duhet të ketë ligje të posaçme, me të cilat përcakton statusin, kushtet, kriteret, procedurat dhe të drejtat e tyre. Temë bosht e këtij shkrimi është statusi i invalidëve ushtarakë të paqes, prandaj për dy kategoritë e para nuk do bëjmë fjalë.
Invalidë ushtarakë të paqes janë qytetarët të cilët duke, kryer shërbime për nevoja të ushtrisë, gjatë shërbimit ushtarak, ushtrimeve ushtarake ose shërbimeve tjera për nevoja të ushtrisë e të mbrojtjes së vendit, janë plagosur, lënduar, kanë pësuar varrë trupore ose sëmundje, prej të cilave u është dëmtuar organizmi në përqindjen e paraparë me ligj. Me legjislacionin e ish-RSFJ, statusi i invalidit ushtarak të paqes u njihej edhe për rastet e tjera të lëndimeve ose sëmurjes profesionale të shfaqur nga shkaku i kryerjes së detyrave për nevoja ushtarake, dhe nëse invaliditeti ishte së paku 20%. Invalid ushtarak i paqes konsiderohet edhe personi i cili ka vuajtur nga ndonjë sëmundje para se të ketë shkuar në shërbim ushtarak, por që gjatë shërbimit i është përkeqësuar sëmundja dhe nëse ai përkeqësim ka lidhje kauzale me shërbimin ushtarak. Ky status iu njihet edhe kadetëve nëse invaliditeti është paraqitur gjatë shkollimit në shkolla ushtarake, personave që kanë qenë në ushtrime ose përgatitje paraushtarake,etj. Për të fituar statusin e invalidit të kësaj kategorie, ishte me rëndësi që invaliditeti të mos jet shkaktuar me fajin e invalidit. Invalidëve ushtarak të paqes, dhe familjeve të tyre, iu takonin të drejta te caktuara me ligj.
Në Kosovë është një numër, përafërsisht 400-500 veta, që e kishin statusin e konfirmuar të invalidit ushtarak të paqes, të cilët e kishin pësuar gjatë shërbimit ushtarak në “Armatën Popullore të Jugosllavisë” në kohë paqe. Jemi të sigurt se, duke pasur parasysh trajtimin e keq të ushtarëve shqiptarë në APJ, po të ishte bërë një kontrollë e mirëfilltë mjekësore, numri i invalidëve të tillë do ishte shumë më i madh. Sot, askush nuk e din numrin e saktë të tyre, as nuk e dimë nëse ekziston ndonjë shoqatë apo organizëm tjetër i asaj kategorie të invalidëve, dhe nëse kanë evidencë të saktë, me emra e adresa të invalidëve të tillë. Duke marrë parasysh se kanë ekzistuar shoqata të tilla, prej nivelit federativ deri në nivel komunave, mund të supozojmë se edhe në nivel të Kosovës ka ekzistuar ndonjë shoqatë e tillë, por asaj nuk i është dëgjuar zëri as shumë vjet para lufte, as tash e gjashtëmbëdhjet vjet pas luftës çlirimtare të Kosovës! Dhe si pasojë e një mosorganizimi të tyre, sot ajo kategori e invalidëve ka mbetur pa status, pa të drejta, e harruar dhe pa kurrëfar mbrojtje shoqërore nga shteti i ri i Kosovës. Prandaj, është e nevojshme që ajo kategori e invalidëve të organizohen, ta ngritin zërin për problemet e tyre dhe të veprojnë në rifitimin e statusit dhe realizimin e të drejtave që duhet t’u takojnë.
Në legjislacionin e Kosovës për invalidët e punës as për invalidët ushtarak (të UÇK/TMK/FSK-së) nuk ekziston asnjë dispozitë për statusin apo të drejtat e invalidëve ushtarakë të paqes të kohës së ish-Jugosllavisë, dhe familjeve të tyre. Prandaj, është koha e fundit që organet kompetente të shtetit të Kosovës, të mendojnë për këtë kategori dhe ta rregullojnë statusin dhe të drejtat e tyre me ligj të veçantë, apo me plotësime të ligjeve ekzistuese. Ata tashmë janë në moshë të shtyrë dhe nuk ka kohë të pritet më tutje për rregullimin e statusit të tyre. Gjithashtu, në “bisedimet teknike” që po zhvillohen me Serbinë, Kosova duhet ta ngritë çështjen e kompensimit material të invalidëve ushtarak të paqes, sepse Serbia ka marrë pasurinë, të drejtat dhe obligimet i ish APJ-së, pa marrë parasysh ndryshimet e mëvonshme që ka bërë në legjislacionin e saj për ushtrinë e vet. Sipas ligjit të vet Serbisë, kjo e drejtë nuk parashkruhet, ndërsa e drejta e pagesave që është dashur t’iu bëhet atyre invalidëve, parashkruhet me kalimin e kohës së caktuar me ligj.
APJ ishte varr për shqiptarët
Për shkak të moshës së re të popullsisë së Kosovës, në proporcion me numrin e popullsisë së republikave tjera e të Krahinës së Vojvodinës, numri i shqiptarëve që kanë shërbyer në APJ (me dhunë natyrisht, sepse askush nuk ka shkuar ushtar vullnetarisht), ka qenë dukshëm më i madh se i njësive tjera të asaj Federate. Përkundër numrit të madh të ushtarëve të rëndomtë shqiptarë, numri i oficerëve, nënoficerëve ose kuadrit komandues profesional shqiptar në atë ushtri ka qenë minor. Nga 70.000 profesionistë (kuadro komanduese, oficerë e nënoficerë) që kishte në vitin 1985, Serbia ishte e përfaqësues me + 51%, dmth, 51% më tepër se që do t’i takonte sipas numrit të popullsisë (në numrin e popullsisë së Jugosllavisë, sipas regjistrimit të vitit 1981, në tërë Jugosllavinë, Serbë ishin 36,3%); Mali Zi me + 148% (në numrin e popullsisë kishte 2,6%); kategoria e popullsisë e ashtuquajtur “jugosllavë” +45% (3,6% në popullsi); Maqedonët +8% (6% në popullsi); Boshnjakët – Muslimanët –78%, dmth. minus 78% (8,9% popullsi); Hungarezët -70% (1,9% popullsi); Sllovenët 66% (7,8% popullsi); Kroatët –53% (19,7% popullsi); ndërsa Shqiptarët me -91% (7,7% popullsi). Këto përqindje të përfaqësimit të Serbëve në kuadrin komandues dhe udhëheqës në APJ është rritur në mënyrë rapide në periudhën pas Memorandumit famëkeq të AShAS, dhe kohës së S.Millosheviqit, kur APJ u serbizua akoma më tepër dhe u shndërrua në vegël të politikës hegjemoniste serbomadhe, për të dominuar mbi të gjitha njësitë e tjera, e që “rezultoi” me shkatërrimin e përgjakshëm të asaj Jugosllavie, ndarjen dhe formimin e shtatë shteteve të reja e të pavarura.
APJ me tërë potencialin e vet ushtarak dhe ekonomik, ishte një imperi në shërbim të hegjemonizmit serbomadh. Pasuria e saj, e luajtshme dhe e paluajtshme, vlerësohej në mbi 70 miliardë dollarë amerikanë. Kishte 550 fabrika në kompleksin e industrisë ushtarake, gjithandej Jugoslavisë, të cilat prodhonin dhe eksportonin armatim e pajime ushtarake. Njësite të mëdha dhe arsenal ushtarak i APJ ishin dislokuar dhe angazhuar në Kosovë prej vitit 1981, për të shuar protestat dhe demonstratat e shqiptarëve, e deri në mbarim të luftës dhe tërheqjes “me bisht nën këmbë (qershor 1999). Kështu, e ashtuquajtura APJ (Armata Popullore e Jugosllavisë) ishte varr i shqiptarëve, jo vetëm i atyre që shërbyen (me dhunë) në atë ushtri, por përgjithësisht i popullit shqiptar gjithandej në ish-Jugosllavi.
Kur shkonte shqiptari ushtar në APJ, familja e përcillte me shumë dhembje, gati-gati si ta përcillte për në varr, sepse askush nuk ishte i sigurt nëse do kthehej shëndosh apo i gjallë. Vetëm në periudhën 1981 – 1991, nga APJ u kthyen në arkivole 122 shqiptarë, të vrarë në vende të ndryshme gjithandej Jugosllavisë. Organet ushtarake thoshin se ishin vetëvrarë, por nuk lejonin të hapej arkivoli as të bëhej obduksioni e të konstatohej mënyra e vrasjes. Ata që kanë mund të hapin arkivolet, në shumë raste kanë konstatuar vrasjen pas shpine, që do të thotë nuk mund të bëhej fjalë për vetëvrasje. KOS-i famëkeq (shërbimi ushtarak i zbulimit) i përcillte rekrutët, ushtarët dhe eprorët ushtarak shqiptarë këmba-këmbës, biografitë e tyre të thella, veprimet dhe shokët para dhe gjatë shërbimit ushtarak. Nëse nuk gjente ndonjë shkak, trillonte shkakun për të bërë presion, maltretim, akuzë, gjykim, ndërsa ata që kalonin nëpër ingranazhet e atij shërbimi dhe atyre gjykatave, dinë të tregojnë për vuajtjet e maltretimet që kanë përjetuar. Rekrutët shqiptarë zakonisht dërgoheshin larg nga Kosova. Shumica nuk e dinin gjuhën serbokroate, prandaj ata shoqëroheshin më tepër midis tyre, se sa me të tjerët. Për shkak të propagandës serbe që gjithmonë ka zhvilluar kundër shqiptarëve, ushtarët e nacionaliteteve tjera ishin të rezervuar ndaj shqiptarëve. Dhe këtë shoqërim të shqiptarëve, KOS-i e trajtonte sikur ata po përgatisin diçka fshehtas: ndonjë sabotim, diversion, helmim të ushqimit, të ujit, vrasje të ndonjë eprori, thyerje të depove dhe vjedhje të armëve, etj. Në këtë mënyrë, montonin procese gjyqësore, ndërsa presioni, represioni, torturat psikike e fizike, dënimet dhe vuajtja e dënimit me burgim afatgjatë të ushtarëve, ose eprorëve shqiptarë, ishin të tmerrshme. Vetëm në periudhën 1981-1987, në APJ ishin “zbuluar” 216 grupe ilegale, me 1435 pjesëtarë, ushtarë ose eprorë shqiptarë, shumica prej të cilëve janë gjykuar nga gjykatat ushtarake dhe kanë vuajtur mijëra vjet burgim! Sa e sa prej tyre janë bërë invalid, por që atyre shteti nuk ua ka njohur statusin e invalidit,veçse i ka trajtuar si armiq të Jugosllavisë. Dhe tash, shteti ynë nuk ua njeh statusin e invalidit ushtarak të paqes, dhe nuk iu jep kurrëfar të drejte as atyre të cilëve ai shtet antishqiptar ua ka njohur atë status! Kjo është jo vetëm amorale, por edhe e pafalshme.