REXHEP KASUMAJ: GËZUAR GJERGJ…

Berlin, 2 korrik 2018: Pasdite e bukur vere në Berlin. Një erë e lehtë dëshmonte se piku i saj duhej të priste pak. Ndërsa vështroja titujt e librave, papritur ndalova: Burrat më të mëdhenj të historisë.
Dukej një vëllim gjithëpërfshirës. Total. Enciklopedik.
Dhe pa hezituar e hodha në shportën e blerjes.
Udhës për shtëpi shfletova kapitujt, emrat, madhështitë.
Por mungonte Dikush që, po të mos kishte radhë alfabetike, duhej t’i printe kolonës së tyre.
Ndër njëmijë, sa kishin marrë lejën e përndertë autoriale për të hyrë mes kopertinash të pafaj, mungonte kryezoti mesjetar, strategu e shpatari, Skënderbeu i Kastriotëve.
U ktheva pa vajtur fare në shtëpi. Jo, thashë. Kurrë. As Quirin Engasser, e as libri i tij, nuk do zënë vend në bibliotekën time. Fundja, kush ishte ky shkronjës i shkretë?
U afrova sërish në arkë. Më falni, por jam gabuar. Dua t’a kthej librin që posa kam blerë. Po përse, është i mrekullueshëm, u përgjegj librashitësi i kulturuar. Ju, vijova, sigurisht besoni, nuk mund t’a lexoja atë për gjysmë ore që, kështu, të kurseja meskinshëm. Aq më tepër që të tillët i shfletoj prorë e përherë. Është mënyra ime e dijenxënjës. E kujtesës. Natyrisht, shtoi ai. Më vjen keq. Vetëm kaq. Do kishit në dorë një literaturë elitare.
Meqë libraria është njëkohësisht dhe kafene, pasi falënderova zotërinë dhe mora sërish lekët, u ula në një kënd prehës të saj.
Pa vonuar u shfaq kamerieri i qetë dhe elegant.
Një gotë verë, ju lutem. Me kënaqësi, tha gatitshëm dhe, pas pak, e bekuara ishte aty, ndihmëtare e revoltës sime.
Gëzuar arbnori im Gjergj, urova në heshtje. Më i madhi i burrave të mëdhenj. Hyj i shpresës dhe lirisë!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura