DR.JAKUP KRASNIQI: NESËR 28 NËNTORI ËSHTË PËR MANIFESTIM PAQËSOR

Prishtinë, 27. 11. 2015: Nesër është 28 Nëntori, festa që rrugëtuam 572 vjet, që nga kthimi triumfal i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në Krujën shqiptare. Është Festa që e kanë festuar sa e sa breza deri të 28 Nëntori i Ismail Qemalit. Deri këtu e kanë festuar më shumë fshehurazi sesa haptas e të lirë. Rilindësit na ringjallen Skënderbeun dhe bashkë më te edhe Flamurin e tij, flamurin që e kemi edhe sot dhe është flamuri më i mirë në Botë. Rilindësit na krijuan alfabetin e shqipes, shkollën shqipe, e konsoliduan kombin, na ruajtjen atdheun dhe e bënë Shqipërinë. Frytet e rilindësve duhet t’i ruajmë si sytë e ballit. Si sytë e ballit duhet t’i ruajmë edhe trojet tona.
Rrugëtimi ynë vazhdon më një Shqipëri Londineze (1913) të lirë dhe një tjetër Shqipëri të robëruar dhe të shkëputur pa drejtësisht nga trungu shqiptar. Festa e Nëntorit vazhdoj të festohet haptas dhe fshehtë. Haptas në Shqipëri e fshehtas në trojet etnike të Shqipërisë së robëruar, krejt deri në Nëntorin e vitit 1999, kur Kosova Festoj Nëntorin e parë në Liri, pas një rrugëtimi gati një shekullor në robëri. Një rrugëtim interesant apo jo?
Nesër është 28 Nëntori, Festa më e lavdishme e shqiptarëve, Maja e Festës sonë e krijuar pas lavdive e tragjedive të mëdha. Tragjedi e lavdi që na bëjnë krenar të jemi shqiptar. Pse ato tragjedi e lavdi na mbushin me KRENARI? Si mos të na mbushte me krenari, Triumfi i Skënderbeut në rimarrjen e Kështjellës shqiptare të Krujës më 1443! Si mos të na mbushte me krenari rrugëtimi gati pesë shekullor deri të rizbulimi i flamurit dhe ri krijimi i shtetit shqiptar të pavarur, nga burrat e mëdhenj të Shqipërisë! Si mos të na mbushte me krenari Nëntori i 1944, kur Shqipëria e Bota u çliruan nga nazi-fashizmi. Krenaria vazhdon me ditëlindjen e suksesshme të UCK-së dhe me ditëlindjen e Komandantit Legjendar të saj – Adem Legjendarin.

Nesër, 28 Nëntori është Dita e Madhe e qytetarëve të Kosovës, e qytetarëve te Prishtinës, është Dita e studentëve të Universitetin Publik “Hasan Prishtina” dhe të Kolegjeve private të Prishtinës, që duhet ta bëjnë një Manifestim protestues, për t’i kundërshtuar marrëveshjet e dëmshme që i kanë bërë dy Kryeministrat e fundit te Republikës së Kosovës. Studentet, nesër duhet të jenë në krye te detyrës, ashtu si ishin studentet e ’68, të ’81 e në vazhdim. Nesër qytetarët nuk protestojnë kundër shtetit e rojeve të tij si në të kaluarën, Ata nesër janë në mbrojtje të shtetit, të sovranitetit të tij e tërësisë territoriale te Republikës. Nesër Policia e Kosovës duhet të jetë në mbrojtje te qytetarëve dhe te Republikës! Nesër i bashkon qëllimi fisnik i mbrojtjes së atdheut!
Qytetarët nesër në Manifestimin e tyre paqësor e të dinjitetshëm, janë aty për të festuar, janë aty për t’i mbrojtur frytet e Nëntorëve me pjesëmarrjen e tyre dinjitoze.
Deri me 28 Nëntor 2015, ishte obligim i zërave opozitar të shoqërisë shqiptare dhe i opozitës së bashkuar që t’ua tregonin qytetarëve se marrëveshjet e Brukselit e demarkacioni me Malin e Zi janë të dëmshme dhe se kjo nuk është çështje e dy individëve, pse ata janë në qeverisje të vendit. Të gjithë që merren aktivisht me politikë (dhe jo vetëm ata) e dinë fare mirë sesa mund e sakrifica janë bërë për të ardhur deri te shteti i pavarur i Kosovës. Të gjithë e dinë se sa gjak është derdhur në çdo pëllëmbë të tokës sonë. Kush mund të marr guximin që të nxjerr në ankand këtë tokë të përgjakur? Askush nuk ka të drejtë ta bëj një gjë të tillë. Çështja e integritetit territorial nuk është çështje që na takon vetëm gjeneratave që jetojmë aktualisht. Por, kjo çështje u takon edhe atyre që vijnë pas nesh! Mu për këtë arsye askush nuk ka të drejtë të veprojë siç vepron Qeveria e Kosovës (krerët e saj)! Jo vetëm Qeveria e Kosovës që nuk ka të drejtë të sillet me integritetin territorial si të ishte pronë e tyre private por të gjitha gjeneratat që jetojnë aktualisht në Kosovë nuk mund të vendosin që t’i japin edhe një pjesë të territorit të Kosovës Malit të Zi. Çështja e tokës nuk është çështje votash! Edhe sikur të gjithë të çmendeshin dhe të donin t’ia falnin territorin dikujt këtë gjë nuk kanë të drejtë ta bëjnë! Për këtë arsye AS REFERENDUM NUK MUND TË ORGANIZOHET PËR TOKËN E PËRGJAKUR TË KOSOVËS!
Duke parë arrogancën e Qeverisë së Kosovës e cila nuk dëshiron të tërhiqet nga këto marrëveshje më shumë se të dëmshme, i mbetet Gjykatës Kushtetuese që t’i anulojë marrëveshjet si antikushtetuese. Përndryshe, vetëm populli i bashkuar rreth opozitës mund të ndal rrezikun që na kanoset nga matrapazët e interesave vitale të Kosovës.
Ketë të drejt, të drejtën për të kundërshtuar qoftë edhe me manifestim protestues paqësor, qytetarëve të Kosovës nuk mund t’ua mohoj askush, por as t’i frikësoj a të frikësohet dikush nga e drejta e tyre. Ata që mbjellin frikë, i vret e vërteta. Ata që i vret e vërteta, kanë qëllim sundimin me anën e frikës duke e përhapur atë në çdo formë!
Nesër studentë e qytetarë, të rinj e të reja të dilni me familje e të bashkuar si në kohet e moteve të mëdha në Sheshin Zahir Pajaziti, për të manifestuar me pjesëmarrjen e tyre krejt paqësore, në mbrojtje të Republikës!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura