PËLLUMB GORICA: LASHTËSIA E NJË KALAJE TË HARRUAR

Tiranë, 02. 12. 2015: (Kalaja antike e Qafës në Sulovë) – Atje në kodrat e Sulovës nën këmbët e malit Tomorr, ku shkëmbinjtë e bardhë reflektojnë nën efektin e rrezeve të diellit dhe një rrugë e vjetër fsheh trupin në mjegull të kohërave, ndodhet kalaja e lashtë e Qafës.
Kalaja e Qafës në Sulovë, është një ndër objektet e rëndësishme arkeologjike në trevën e Elbasanit. Ajo datohet si ndërtim i shekullit të VI, të erës sonë, si një ndër kalatë e periudhës së perandorit bizantin Justiniani (526-565, zotëruese në një lartësitë shkëmbore të kodrave të Sulovës,624 m. Teknika e ndërtimit, qëndrueshmëria e mureve, pozicioni ku është ngritur po të marrim parasysh mjetet e sulmit të asaj kohe, dëshmojnë se ishte shëndërruar shekuj më parë në një fortesë ushtarake për popullsinë dhe në ruajtje të nëndegës së rrugës Egnatia. Me copëtimin e perandorisë bizantine në shekullin XIII, të feudalëve në shekujt XI – XII, kalaja kaloi dora-dorës në duart e të huajve. Dy shekuj më vonë ajo zotërohet nga princë feudale të familjes së Muzakajve, të cilët nuk rezistuan dhe kalaja pësoi shkatërrim të pjesshëm prej pushtuesve osmanë dhe u zhduk si njësi mbrojtëse. Pëshpërisin legjendat dhe historitë gojore, për rezistencën ndaj pushtuesëve, sidomos atyre osmane. Duke vijuar më tej, të paraqesim se ç’dëshmohet nga historitë gojore e ç’farë shkruhet për këtë kala nga historianë e studius të arkeologjisë.

Pjesë e hulumtimeve arkeologjike
Si barrikadë luftërash ndër shekuj, me sistemin fortifikues e të ruajtur që nga lashtësia deri në ditët tona, Kalaja e Qafës ka tërhequr vëmendjen e historianëve të njohur dhe studiues të fushës arkeologjike,të cilët e kanë shprehur mendimin e tyre. Neritan Ceka një ndër arkeologët më të mirë në Shqipëri në studimet e tij e hedh fjalën shpesh tek kjo kala. Studiusi Aleksandër Meksi në fillim të viteve ’60 ishte hulumtues i territorit arkeologjik të Sulovës. Historiani elbasanas, Dr. Shyqyri Demiri nën shoqërinë e mësuesit normalist nga Sulova, Riza Cërriku, po ashtu kishte vëzhguar ndërtimet dhe territorin e kalasë së Qafës. Në vitin 1987 u kryen gërmime arkeologjike të imtësishme nga arkeologët Ylli Cerova, Riza Hasa e Ardjan Papajani. Studiusi Aleksandër Meksi shkruante se ishte një ndër kalatë e rralla në Shqipëri, e cila i përket kohës së perandorit bizantin Justiniani (526-565). Arkeologu Neritan Ceka në librin “Ilirët’’, faqe 245,citon: “Ajo në atë kohë shërbente për të kontrolluar lëvizjet e ushtrisë armike në luginën e Devollit në Sulovë e më tej për të mbrojtur banorët nga sulmet e papritura të pushtuesëve, të cilët shkatërruan shumë vendbanime. Nga kalaja në raste rreziku shkëmbeheshin sinjale me kala të tjera se siç dihet Iliria ka qënë e mbushur me një rrjet kalash mbrojtëse. Nga pozicioni ku ndodhej kalaja vështroheshin një sistem kalash malore si ajo e Mengëlit, Gracenit, Valshit, Galigatit, Antipatraeas,asaj fushore të Skampinit,e tj dhe sigurisht formonin pjesën lindore të zinxhirit fortifikues për Durrahun si një bazë e fortë e perandorisë bizantine në atë kohë”. Si rrjedhojë e gërmimeve arkeologjike të kryera rezulton se janë zbuluar objekte që hedhin dritë mbi aspekte të lashtësisë së saj, me një inventar arkeologjik mjaft të pasur: vegla pune, shigjeta, mburoja, shpata,stoli, enë prej balte, qeramikë, amfora, pitosa. Fakti më i dritësuar arkeologjik, që vërteton se “Kalaja i përket shekullit VI të erës sonë janë gjetja e 7 monedhave nga të cilat 3 janë të lexueshme. Këto monedha i përkasin periudhës së sundimit të perandorit bizantin Justiniani” (Ylli Cerova “ Iliria ” Nr 2 viti 1987, faqe,165.) të cilat i përkasin shekujve VI, që janë një tregues i zhvillimit ekonomik të trevës. Brenda mureve rrethues të kalasë ka pasur edhe banesa, që kanë shërbyer për luftëtarët e kalasë, familjet e tyre e në raste sulmesh për mbrojtjen e popullsisë. Vendi ku ngrihet kalaja ka formën e një lëndine të vogël. Për historianët ishte një fortesë e fuqishme me pozicion tejet të mbrojtur, e kështu nuk ka pasur nevojë për fortifikim të shumtë,pasi shkëmbinjtë e thepisur në anën perendimore e bënin të pamundur t’i afroheshin asaj dhe kështu e bënin mbrojtur një pjesë terreni. Në lindje e veri kalaja ishte e mbrojtur nga dy rrethime, njeri me një rreth të vogël e muri e tjetri i përforcuar nga një seri kullash. Arkeologu Ylli Cerova një nga studiusit dhe gërmuesit kryesor të saj, në botimin“Iliria”, nr 2,viti 1987, faqe157 shkruan: “Me gjithë pozitën e favorshme strategjike me mure që shkojnë 2. 30- 2. 50 m të trasha, gjatësinë 220 m dhe dy kthesa në kënd të drejtë, të pajisura me kulla, nga ndërtuesit është parë e arsyeshme që për të arritur më tej aftësinë mbrojtëse të kalasë në anën lindore dhe veriore është ngritur një protekizëm, (mur mbrojtës ) ky është larg murit rrethues 10-12 m dhe i trashë 1. 4 m i ndërtuar me gurë të vegjël e mesatar. Ajo është jo më shumë se 110 m gjatësi ”.Studiuesi Aleksandër Meksi në botimin “Arkitektura mesjetare në Shqipëri’’, faqe 36 shkruan: “Mbrojtja e një kalaje ishte në varësi të fortësisë së kullave dhe të mureve të saj ashtu nga vendndodhja e saj dhe forma e terrenit. Zgjedhja e vendit me mbrojtje natyrale ka qenë një nga kërkesat bazë’’. Muret janë ndërtuar me gurë gëlqeror të nxjerrë në vend nga shtresat shkëmbore në trajtë rrasash,gjë që aty gjenden lehtë. Muret e kalasë në përgjithësi sot janë të dëmtuara, të rrëzuara dhe nuk ruhen të plota, me përjashtim të një fragmenti që ruhet mirë me një gjerësi 2. 30 m dhe i gjatë 30 m. Lartësia mesatare në këtë fragment është 2, 5 m. “llaçi që është përdorur ka një cilësi të mirë.Muret dikur arrinin lartësinë 5 m” (Neritan Ceka, “Monumentet “ 7-8, viti 1974, faqe 84). Ndërtimi i kullave në këtë mënyrë nga studiuesit është shpjeguar me goditjen më të madhe që mund të përballonin ato gjatë luftimit.Të pesë kullat shquheshin për forma të ndryshme planimetrike. Kulla Nr 1 kishte formën katërkëmbëshe dhe ndodhej në anën juglindore të kalasë. Kullat Nr 2, 3, 4 forma e tyre ishin trekëndëshe me kulm të prerë që ndodheshin në anën lindore. “Këto kulla kanë qenë me majë të mprehtë, trekëndëshe me kulm të prerë të cilat rrallë janë në kala të tjera në Shqipëri’’, shkruan arkeologu Gjerak Karaiskaj në librin “5000 vjet fortifikime ne Shqipëri’’, faqe 121.Kulla Nr 5 ndodhej në anën perëndimore me formën e shkronjës U. Kalaja ka një hyrje që gjendet në skajin juglindor të saj. Ajo është krijuar si rezultat i ndërprerjes së murit rrethues dhe mbrohet nga kulla Nr1 që ndodhet pranë saj. Element me interes i murit rrethues është një shkallë ngjitje e vendosur 6. 5 m përpara kullës nr 2. Rreth kalasë shtrihej një vendbanim i vjetër dhe i madh, Klosi i Vjetër, gjurmët e të cilit i gjejmë edhe sot. Historinë e këtij qyteti dhe kalasë e ka përshkruar historiani elbasanas, Shyqyri Demiri, në librin“Histori e shkutër e trevës së Elbasanit”, faqe 27 ku shkruan:“…është shfaqur mendimi se këtu kemi të bëjmë ndofta me një qytet mesjetar nën sundimin e Muzakajve, që u shkatërrua më vonë prej turqve, siç thotë edhe legjenda popullore, me qirinjtë e ndezur mbi brinjt e dhive. Për këtë vendbanim interesante është historia e kecit që kalonte nga njëra çati në tjetrën pa zbritur në tokë deri në kala dhe kjo prej dëndësisë së ndërtimeve.

Aty ku legjendat pëshpërisin
Si një kala e vjetër, rreth saj pëshpërisin legjenda dhe histori të shumta gojore për rezistencën e luftëtarëve ndaj pushtuesëve. Një histori e njohur tregon qëndresën për të mbrojtur kalanë, kur Arbëria u pushtua nga turqit, e si shumë kala e fortifkime të tjera u shkatërrua.“Hordhitë turke vijnë me mijëra ushtarë për të pushtuar kalanë. Betejë që u vazhdoi ditë e netë me radhë derisa një natë me dredhi ushtarët turq me të gjitha forcat arritën të thyejnë qëndresën e luftëtarëve që e mbronin. Hyrja e ushtrisë së pushtuesëve osman e marrja e kalasë u mundësua nga pjesa e përparme e saj, se pjesa para është shkëmbore. Natën maskuan një tufë të madhe dhish, duke u vendosur në brirët e tyre qirinjë të ndezur dhe i nisën nga perëndimi i saj. Luftëtarët u përqëndruan nga ky krah. Ndërkohë turqit sulmuan nga lindja me forca të shumta, që ishte lënë e lirë nga luftëtarët dhe mësynë në kala, duke bërë gjakderdhje ndër luftëtarët. Pas shkatërrimit luftëtarët dhe banorët u tërhoqën nga kalaja e vendbanimi afër saj, Klosi. Nuk i rezistuan barbarizmave dhe sëmundjes së kolerës, që mori shumë jetë njerëzish, duke e lenë atë në dorë të pushtuesve.” Le të tregojmë edhe këtë legjendë interesante e mbetur në kujtesën e kohës. Princesha e kalasë,që për të mos rënë në duart e ushtarëve turq u hodh nga shkëmbi i kalasë. “Në kohën e pushtimit turk, një pasha turk u nis me taborrin e tij nga Stambolli për të pushtuar toka e midis tyre pushtoi edhe kalanë e Qafës. Princesha e kalasë, Çobanka për t’i shpëtuar turqëve kur e pa se nuk ishte në gjëndje të mbronte kalanë para taboreve të tyre në numër,që e kishin rrethuar “fluturoi” së bashku me mushkën mbi të cilën kishte hipur nga kalaja në një pllakë të gjërë shkëmbore (toponim) Gjurma e Mushkës, dhe mandej në një gropë të madhe e cila mori edhe kjo emërtimin Hurdha e Çobankës. “Thuhet gjithashtu se për të vërtetuar se ky “fluturim” nuk ishte përrallë dëshmonte gjurma që ka lënë mushka mbi pllakën shkëmbore në fjalë. Një histori tjetër gojore tregon: ‘’Prej Ponepthi afër Goricës së Çalës, toponime në lartësitë shkëmbore të Sulovës, çohej uji me qyngje në kala. Kur rrethohej kalaja sigurohej dalja ndërmjet një tuneli të nëndheshëm, që përdorej për sigurimin e ujit, ushqimeve, armatimeve në raste sulmesh e luftërash të gjata, që banorët e luftëtarët e saj të shpëtonin.”

Në roje të rrugës “Egnatia”
Afër kalasë së Qafës, në shpatin shkëmbor kalonte një rrugë, që lidhej me nëndegën jugore të rrugës Egnatia,e cila njihet edhe sot si Rruga e Kaurrit. Studiuesi kanë përmendur në botime se Rruga “Egnatia” kishte një degëzim në luginën e Devollit në Sulovë, duke ardhur nga qyteti antik i Apolonisë për në Scampini. Ky degëzim ka lënë gjurmë në hartat dhe dokumente e kohës i cili përfaqësonte një shkurtim, por që nuk duhet të ketë pasur ndonjë rëndësi të madhe dhe përdorim në stinën e dimrit veçanërisht në kohë shirash nga vërshimet e përrenjve, të cilët shëndërronin të pakalueshme në mjaft pjesë të saj. “Mbrojtja e rrugës Egnatia përveç fortifikimeve të qyteteve u sigurua edhe ndërmjet ndërtimit të kalave, të cilat kontrollonin rrugët. Për të kontrolluar daljen e rrugëve natyrore nga lugina e Devollit në fushën bregdetare u ndërtua kalaja e Qafës…”(Neritan Ceka “Ilirët”, faqe 244). Lidhur me itinerarin e saj studiuesi i rrugëve dhe urave të vjetra në Shqipëri Valter Shtylla në librin e tij“Rrugët dhe urat më të vjetra në Shqipëri”, faqe 10 shkruan: “Kjo rrugë që vinte nga Apolonia, pas urës së Kuçit, duke ndjekur anën e majtë të rrjedhës së lumit Eurodakis, (emri i lumit Devoll në antikitet) kalonte luginës së lumit Devoll.

* * *
Kalaja e Qafës, dëshmitare e lashtësisë dhe historisë në trevën e Elbasanit, pas viteve ‘90, është lënë në harresë dhe pak nga pak po shëndërrohet në rrënojë. Vula e shkatrrimit prej agjentëve atmosferike,përpos dëmtimeve nga njerëzit është e dhimbëshme dhe të ngjall një zymti shpirtërore. Heshtja e pushtetarëve dhe institucioneve arkeologjike, si sëmundje e vjetër shqiptare, s’ndihet me indiferencën, por gjurmët e lashta të kalasë s’kanë gojë të flasin.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura