Dr.SULEJMAN ABAZI (NESHAJ): NË KOSOVË ËSHTË PRISHUR AKSI I POLITIKËS!

Tiranë, 25. 04. 2013 – Serbia nuk e njeh Kosovën, por e njeh atë si “krahinë autonome” të saj. Paralelisht me këtë, po na kërkon një “krahinë autonome brenda krahinës”. Sa për të qeshur me këtë politikë kaq konfuze dhe konfliktuale. Po këtë nuk e dinte Hashim Thaçi? Pse na e firmosi tani kur e dinte që në krye të herës përmbajtjen e marrëveshjes? Edhe këtu sa për të qeshur. Këtë marrëveshje kryeministri i Kosovës e paraqiti si “sukses”. Mirë, ashtu i thanë dhe ashtu bëri.
U miratua me shumë zhurmë një marrëveshje në Kuvendin e Kosovës. Sigurisht që duhej bërë ky çertifikim. Kështu donte Baronesha. Dhe ashtu u bë. Ndodhi përplasja midis palëve në Kuvend dhe asnjë fjalë nuk u tha për zgjidhje të çështjes dhe qëndrimet e perspektivës. Çështja ishte shumë e thjeshtë përballë vullnetit ndërkombëtar: Politika zyrtare e Tiranës dhe e Prishtinës duhet për ekuivalencë të kërkojnë të gjithë të drejtat për shqiptarët në Luginën e Preshevës.
Është e nevojshme ballancimi i të drejtave të shqiptarëve në Preshevë me ato të serbëve në Kosovë. Në krahinën e Preshëvës politika dhe opinioni duhet të orientohen në një votë dhe në një qëndrim partiako politik. Të gjithë të bashkuar përballë presionit të politikës dhe diplomacisë serbe. Në këtë çështje mbështetja maksimale është e nevojshme të shfaqet edhe prej shqiptarëve në Maqedoni.
Në këtë situatë rruga më e drejtë është të hidhemi dhe të lidhemi të gjithë në një kurs politik. Të denoncojmë me fakte pse politika e Evropës ka ngecur në kodoshllëkun që i ka bërë çështjes së Kosovës, në rastin e Mitrovicës Veriore. Pse ajo e solli gjendjen e pasluftës me plotë varjante destabilizimi? Ne duhet të denoncojmë faktin se, përkundër deklaratave të SHBA-ve për “mosndryshimin e kufijve politik të Kosovës”, politika evropiane po ecën në të kundërt të shkollës politike amerikane, me gjykimin se, vetëm kështu mund t’ja marrim gjërat Serbisë “hap pas hapi”.

=============

Bruksel, 19. 04. 2013: Nënshkruhet marrëveshja Kosovë – Serbi!

Kuvendi i Kosovës 22.04.2013 – Votohet Marrëveshja Kosove – Serbi!

Të argumentojmë mbështetur edhe në faktet historike se, Evropa është ajo që nuk na do dhe nuk na ka mbështetur asnjëherë si popull e si komb, përballë vlerave antike dhe historike fondamentale që ne kemi brenda gjenezës tonë. Përballë kësaj politike shkatërruese kundër Kombit Shqiptar, ne duhet të argumentojmë me zgjuarësi, për të treguar se, SHBA-të me politikat e tyre kanë gjetur vetveten brenda Kombit Shqiptar, gjë të cilën kështu Evropa kurrë s’ka për ta arritur. Vetëm kështu do t’i qepet goja Evropës.
Ende nuk po lëmë radhë për shërim. Po na dalin “infermierë”, të cilët marrin përsipër të bëjnë operacione shumë të rënda në trupin e Kombit Shqiptar. Kështu kurrë ne nuk kemi për t’u shëruar. Ta presim gjuhën e hidhur dhe t’u lëmë radhë njërëzve të ditur të Kombit që të thonë fjalën e tyre. T’u presim gjuhën zhurmuesve. Erërat po fryjnë në trojet shqiptare, por ajo që ka ndodhur, tashmë ka ndodhur dhe vështirë të ç’bëhet. Në analizën e tyre absolutizmat do të mbeten qëndrime të gabuara. Nuk po kërkohet të prishet Serbia, por kërkohet të funksionojë demokracia në të dy anët e kufirit Kosovë – Serbi.
Patriotizmi këtu nuk është i nevojshëm, pasi po prish ekuilibrin, i cili nuk është modus shqiptar, por një modus ndërkombëtar, i pranuar nga fuqitë vendimarrëse për çështjet ballkanike. Patriotizmi në këto momente godet edhe unitetin e brendshëm të popullit shqiptar për një çështje të caktuar dhe shumë delikate.
Klasa politike shqiptare edhe nuk di (ose bën sikur nuk di) dhe shet mend. Në këtë çështje delikate tashmë është kuptuar se, Evropa po punon hap pas hapi për ta çuar zgjidhjen drejt “këmbimit të territoreve” dhe për këtë problem, politika shqiptare është e papërgatitur. Ajo nuk ka varjante rezervë për t’i dalë përpara situatës.
Kjo klasë politike po dëshmon se, për një copë karrige po shet atdheun. Mediokriteti politik, i mbarsur me një servilizëm të skajshëm po jep efekte shkatërruese, përkundër sakrificës luftarake të dekadave të fundit. Edhe patriotizmit shqiptar në këtë situatë po i errësohen sytë. Kurrë të mos na tronditet vendosmëria, vetëm për faktin se “Serbia nuk e njeh Kosovën”.
Të mendojmë në rastin më ekstrem se, po shkojmë drejt shkëmbimit.
– Çfarë strategjie do të ndjekë klasa politike me këtë rast?
– Çfarë roli luan qyteti i Mitrovicës për shumë arsye në këtë rast?
– Pse nuk mësojmë që deri tani, politika dhe diplomacia serbe ka ecur me parashikime dhe na ka vënë përherë në pozitë të vështirë?
– Deri kur ne do ta lëmë fatin tonë në dorë vetëm tek ndërkombëtarët?
– A nuk po e kuptojmë që brenda kësaj klase politike enden vërdallë shumë titistë, që punojnë natë e ditë kundër Bashkimit Kombëtar?
– Pse bashkëjetojmë me ta dhe e kemi tolerancën pa masë?
– Ku ishin këta kur populli shqiptar në Kosovë masakrohej nga makineria fashiste e Serbisë?
– Pse lejojmë që në çdo hap, gjithçka të na dalë në të kundërtën e vet?
– Pse nuk nxjerrim me argument në dritë vlerat më të mira që përfaqëson Kombi Shqiptar, por lejojmë që një legjion titist të shajë dhe anatemojë gjithçka të mirë që kemi në identitetin tonë kombëtar?
– Pse biem pre e skenarit serb dhe titist të “ndryshimit të kufijve” dhe nuk dimë të propogandojmë dhe të zbatojmë në praktikë elementët e integrimit mbarëshqiptar, aq të nevojshëm në këtë situatë?
– Pse të mos vihemi në krah dhe mbështetje të njeri tjetrit, por atëherë kur duhet ka vetëm heshtje në Tiranë dhe në Shkup?
– Pse i lëjojmë injorantët të përfshirë në politikë e të shajnë vendin e tyre, për të na thënë se “janë këtu”?
Në Kosovë është prishur aksi i politikës.
Edhe ata që po përpiqen të mbrojnë Kosovën në këtë situatë, me ose pa dashja, po dalin kundër.
– Çfarë kërkon në këto momente kryeministri i Kosovës?
– Kjo projekt marrëveshje është ditur nga ai dhe grupi negociator që në fillimet e bisedimeve me Serbinë.
– Pse nuk e firmosi që atëherë?
– Pse me dinakëri kërkohej hap pas hapi lodhja dhe çoroditja politike e opinionit shqiptar?
– Pse e hodhi në këtë kohë dhe u tall me opinionin shqiptar?
Hashim Thaçi dhe disa të tjerë duhet të pyesin veten, se nëse nuk do të jenë më gjallë, do të qeshë apo do të qajë atdheu dhe populli shqiptar me veprimet e tyre sot?
Mund të ketë një mori pyetjesh që na mundojnë të gjithëve në këtë situatë të vështirë, por ajo që do të ishte më adekuate, i drejtohet rinisë shqiptare dhe inteligjencies patriote. Ajo duhet të sulmojë qiejt për të mbrojtur interesat e Kosovës dhe të shqiptarisë, ajo duhet të flakë tutje kufijtë ndarës, ato kufij që po ndërohen me shumë dinakëri kundër unitetit tonë kombëtar.
Në këtë çështje mund të ndalemi në disa qëndrime. Fundi i marrëveshjes së paraqitur në Kuvendin e Kosovës erdhi si një rrugëtim i paracaktuar hap pas hapi, me lëshime reciproke, formale nga Serbia dhe shumë reale nga Kosova.
Serbia nuk e njeh Kosovën, por e njeh atë si “krahinë autonome” të saj. Paralelisht me këtë, po na kërkon një “krahinë autonome brenda krahinës”. Sa për të qeshur me këtë politikë kaq konfuze dhe konfliktuale. Po këtë nuk e dinte Hashim Thaçi? Pse na e firmosi tani kur e dinte që në krye të herës përmbajtjen e marrëveshjes? Edhe këtu sa për të qeshur.
Këtë marrëveshje kryeministri i Kosovës e paraqiti si “sukses”. Mirë, ashtu i thanë dhe ashtu bëri. Opozita në Parlament me demostrimin e saj teatral, nuk arriti të sensibilizonte opinionin shqiptar. Ngjarja tashme nuk ç’bëhet më.
I kujtojmë opozitës se, koha fundore është e pamjaftueshme për ta rrëzuar poshtë një marrëveshje të tillë. Ashtu siç e filloj në Mitrovicë me protestën qytetare, ashtu duhet të kishte vazhduar në tërë qytete dhe katundet e Kosovës deri në këtë fazë finale. Zjarri i protestës për gjëra të tilla madhore duhet mbajtur përherë i ndezur. Për shumë arësye, mjaft problemeve që kemi në lëvizjen kombëtare duhet t’u shkojmë deri në fund, si procese në zhvillim. Këtu nuk është çështje personalizimi kundër kryeministrit, as për elektorat, por për qëndrim adekuat kundër një marrëveshje, e cila nuk do t’i dihet se si e ka fundin.
Në këto vlerësime, nuk mund të mos marrim parasysh qëndrimin e aleatëve tanë strategjikë në mbrojtje të interesave të Kosovës. Në këtë çështje kuptojmë se, të gjithë po bëhen lëmsh dhe krijojnë një amulli, e cila meriton të shpjegohet hap pas hapi. Askush nuk mund të pranojë në qëndrimet politike, që çështja e marrëveshjes dhe problemet brenda saj, të vlerësohen brenda të njëjtit dimension. Analiza e këtij fenomeni duhet të jetë shumë e thellë.
Të paktë janë ata që e kanë këtë privilegj.
Kjo do të thotë se në përgjithësi, pothuajse të gjithë që kanë dhënë mendimet e tyre, janë nxituar dhe shpesh i kanë bërë dëm çështjes. Në këtë kuadër, sot është e vështirë të parashikosh pasojat e këtyre qëndrimeve. Ajo që kuptojmë në këtë maratonë marramendëse komentesh dhe “njerëzish kompetentë”, është se klasa politike shqiptare në këtë çështje, mbetet dhe është jashtë loje. Ajo po mbart vetëm vlerat e karakterit historik të momentit, mirë apo keq. Gjeostrategjia e fuqive vendimarrëse në çështjet ballkanike, sot po rrezaton fuqi dhe interesa të perspektivës. Beteja është e fortë, e vështirë, afatmesme dhe afatgjatë. Mos bëni të diturin, sepse kjo ju kthen në qesharak. Në këto raste, nderi më i madh që mund t’i bëni Kombit dhe Unitetit Kombëtar, është të heshtni.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura