RAMIZ BOJAJ: DITËLINDJA E KATËRT E SHTETËSISËSË, PA VERIUN

(Prishtinë, 17. 02. 2012) – Në katër vjetorin e shtetësisë dhe në prag të 13-vjetorit të dëbimit të forcave pushtuese serbe, shteti i Kosovës ende nuk ka arritur të shtrijë autoritetin e vet unikat në pjesën veriore. Fatkeqësisht edhe këtë vit, aroma e çlirimit (17 shkurti) ndihet vetëm këndej Ibrit, ndërkaq, matanë (në veri) vazhdojnë të kontrollojnë territorin (strukturat ilegale serbe), elemente kriminale këto të përkujdesura, udhëhequra e menaxhuara nga interesat sllave serbe e ruse. Edhe pas katër vjetësh pavarësi, Kosova (padrejtësisht) mbetet i vetmi shtet në geto, sa i përket lëvizjes së lirë (regjimi i vizave).
Përvjetorët e pavarësisë, na kujtojnë sakrificën sublime…
Përvjetorët e pavarësisë së Kosovës (me 17 shkurt), mot për mot, na kujtojnë sakrificën sublime të kombit tonë për liri, demokraci e pavarësi, në këtë pjesë të etnisë shqiptare. Filozofi shtetformimi kjo, e projektuar nga vizionet e arkitektit të shtetit tonë modern, dr. Ibrahim Rugova, i kurorëzuar nga heroizmi i komandantit tonë legjendar, Adem Jashari, dhe të gjithë atyre që dhanë jetën për këtë ditë të madhe. 17 shkurti i vitit, 2008, na kujton faqet më të ndritura të historisë sonë kombëtare, duke u nisur që nga epoka e Skënderbeut, Ismail Qemalit e gjer më sot. Shtetësia e Kosovës është hapi më sublim i qytetarëve të shtetit të ri, duke u vulosur përjetësisht, në kujtesën e të gjithë shqiptarëve anekënd etnisë sonë, (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Kosovë Lindore, Mal të zi dhe diasporë), si një datë e madhe e bërjes së kombit tonë, të ndarë e përçarë padrejtësisht nga fuqitë e mëdha. Po në këtë ditë, na kujtohen breza të tërë që u përgjakën, burgosën e u flijuan për liri, demokraci e pavarësi. Republika e Kosovës në ditëlindjen e katërt të shtetësisë së saj, vazhdon të përballet me sfida tejet serioze siq janë: shtrirja e sovranitetit unikat në tërë vendin (barrikadat dhe aventurat kriminalo – politike të strukturave paralele të Serisë në veri), regjimi i vizave dhe varfëria gjithnjë në rritje. Po ashtu, lufta kundër korrupsionit, forcimi i drejtësisë e gjyqësisë, keq qeverisja, rikthimi i imazhit të qarë qeveritar, mbesin referenca mbi të cilat duhen orientuar prioritetet e politikëbërjes institucionale. Pavarësisht këtyre problemeve, shteti i pavarur e sovran i Kosovës, është njohur nga 87 vende të botës, duke u konfirmuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND). Kredibilitei i Republikës së Kosovës,(në shkallë ndërkombëtare) është cënuar nga atakimet e njëpasnjëshme të Serbisë dhe aleatëve të saj, kundër sovranitetit të shtetit tonë. Në vazhdën e kësaj aventure, rrjedhin edhe aktivitetet kriminale të strukturave paralele të Serbisë në veriun e shtetit tonë (kontrabanda, trafikimi, aventurat politike, si referndumet, mohimi i institucioneve legjtime RKS etj), të cilat kanë qëllim rrënimin e sovranitetit, prekjen territoriale dhe krijimin e shtetit kanton të Kosovës. Qëllim i gjithë kësaj është edhe mbajtja afatgjate (deri në legalizim) të Serbisë brenda shtetit tonë.
Getoja, penalizim i Kosovës
Edhe pas katër vjetësh pavarësi, padrejtësisht, Kosova mbetet i vetmi vend në geto (regjimi i vizave). Evropianët e rinj ose shtetasit e Republikës së Kosovës, (ashtu sikur edhe të gjithë fqinjët e tyre), duan të lëvizin të lirë dhe pa viza në Evropë e gjetkë. BE-ja padrejtësisht i ka futur në ‘geto’, qytetarët më të vuajtur të Ballkanit, të cilët, tash e 13 vjet nuk e bartin mbi supe pushtimin e egër serbosllav, por ndihen të penalizuar për lirinë e lëvizjes së lirë. Duke vështruar nga “zgafella” ballkanike rrjedh pyetja: Përse ‘evropianët e rinj’, u dënuan të jetojnë në geto?! Ngjitas kësaj, vetvetiu rrjedhë pyetja: BE-ja, po i qendron Kosovës në anën periferike të saj, apo janë probleme të brendshme për shkak të keqqeverisjes. Qeveria e Kosovës, proklamon deklarata të përvitshme me synime integruese e “plotësim” kriteresh evropiane, por me përjashtim të gëzimit për Deklaratën e Pavarësisë dhe parakalimit të ushtrisë sonë FSK, nuk mund të shkruhet ndonjë sukses i veçantë. Nëse flasim për vizat (qeveritarët krenohen për nismën e dialogut), por qytetarët vazhdojnë t’i nënshtrohen regjimit të tmerrshëm procedural për një leje udhëtimi jashtë shtetit. Nëse flitet për mbylljen e mbikqyrjes së pavarësisë, do të thotë, tërheqje të ndërkombëtarëve pa mbikqyrje cilësore të territorit (komunat veriore). Këto dy elemente janë vetëm “ceremoni” të kota për të cilat qeveritarët tanë thirren në sukseset vjetore. Realisht askush se ka idenë se kur do të udhëtojmë pa viza (ashtu sikur fqinjët tanë), e nuk dihet se kur do ta mbikqyrim edhe shtetin tonë (e kam fjalën për pjesën veriore). Kriteret nuk bazohen në retorika boshe (deklaratat për shtyp), por në aplikimin e politikave zhvillimore ekonomike, (lufta kundër krimit të organizuar, sistemi i pavarur i drejtësisë, ulja e papunësisë, kontrolli i tërësisë territoriale etj). Qeveria jonë realisht mban diskrepancë, (shkëputje nga qytetarët), duke fshehur rrjedhat realpolitike të fushës së integrimeve. Kualifikimi i fundit në ranglistë nuk është sukses, por mos sukses. Vite me radhë, Kosova vazhdon të rënditet ndër shtetet me të korruptuara në rajon. Por, QK-ja, numëron sukseset njëra pas tjetrës, duke proklamuar nota të larta zhvillimi e efektiviteti “mirëqeverisjeje”. Nëse dikush i gëzohet sukseseve të kësaj “mirëqeverisjeje”janë vet pushtetarët, të cilët bëjnë harxhime marramendëse të parasë publike për llukset e tyre, ndërsa qytetarët jetojnë në papunësi dhe varfëri gjithnjë në rritje.
Detyrat e shtëpisë nuk kruhen në Bruksel as në Nju-Jork
Edhe pse miqtë tanë ndërkombëtarë (SHBA dhe ata të BE-së), japin referenca e mbështetje për shtetin tonë, detyrat e shtëpisë duhet të kryhen nga vet ne. Një mik mund të na ndihmojë ta ndërtojmë shtepinë, por askush nuk vjen të na heqë bërlogun para dere. Qeveritarët (ministrat zv.kryeministrat bashkë me kryeministrin a presidenten), bëjnë ekskursione jashtë vendit, mbushen fjalë e deklarata se kush kënd e ka lavdëruar më shumë, por pa shënuar ndonjë sukses qe do të rriste mirëqenien qytetare, kredibilitetin e shtetit tonë. “Jemi shtet i pavarur, jemi të garantuar nga ndërkombëtarët, kemi përkrahjen e Brukselit dhe Uashingtonit”. Kaq dinë, kaq flasin dhe kaq bëjnë politikë institucionalistët tanë. Në këtë kontekst, edhe ndërkombëtarët e bëjnë punën e tyre aq sa u takon dhe kanë interesa, por jo edhe të na ulin në “trenin” e integrimeve, apo zhvillimeve ekonomike. Deputetja e PE-së, Tanja Fajon, thotë se Kosova duhet të fitojë liberalizimin e vizave, sikur të gjithë fqinjët e tjerë në Ballkan. “Liberalizimi i vizave është një nga vlerat kryesore të BE-së. Prandaj, presim që edhe Kosova të fitojë liberalizimin e vizave, ku qytetarët e saj të gëzojnë këtë të drejtë, si një nga vlerat kryesore që ka BE-ja”. Edhe sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, premton mbështetjen e fuqishme të SHBA-së, për sovranitetin, tërësinë territoriale dhe rrugën integruese të Kosovës. “Ashtu siç kam bërë vazhdimisht, në emër të SHBA-së, shpreh mbështetjen e fuqishme dhe të vazhdueshme për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Presidenti Obama dhe unë jemi të përkushtuar që të sigurojmë se e ardhmja e Kosovës është jashtëzakonisht e rëndësishme së pari për njerëzit e Kosovës, por edhe për gjithë rajonin”. Pavarësisht getos dhe renditjes së fundit në tabelë, qeveritarët tanë, vazhdojnë rehabilitimin e pushtetit dhe grupeve të interesit. Si gjithmonë, qytetarët (edhe pse më të pafajshmit), janë ata që vuajnë paaftësinë ose papërgjegjësinë e udhëheqësve të tyre.
Veriu poligon krimi dhe aktivitetesh mafioze serbe
Veriu i Kosovës, vazhdon të mbetet sfidë për vendosjen e rendit, autoritetit të shtetësisë dhe sundimin uniform të ligjit. Duke vepruar i shkëputur nga funksionimi i sitemit juridik të qendrës, veriu i Kosovës vazhdon të mbetet poligon i krimit të organizuar, segmenteve mafioze dhe epiqendër përmes të cilit Serbia fqinje sulmon sovranitetin dhe tërësinë territoriale të shtetit tonë. Në këtë kontekst rrjedhë edhe referendumi serb, me pretekst të mosnjohjes së institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës. Në fakt institucionet legjitime në veri, nuk u njohën as para këtij “referendumi”, e nuk do të njihen as pas kësaj aventure politike. E quaj aventurë, sepse “loja” e përçarjeve (për dhe kontra referendumit), tingëllojnë si fushatë elektorale në Serbi, me tendencë mbushjeje të kutive të votimit me serbët e Kosovës. Kjo për faktin se klikat politike në Serbi, (që nga epoka e kriminelit Milosheviq), janë ngritur nën dozën e nacionalizmit teokratik, për dhe rreth Kosovës. Kjo është arsyeja kryesore që klasa politike në Serbi është kaq shumë e mbështetur në bandat dhe trafikantët në veri. Por, ajo qe për mua duket krejtësisht absurde, vjen nga fakti i neglizhencës dhe tolerancës qe Qeveria e Kosovës, ka treguar e po tregon kundrejt strukturave kriminale dhe paralele të Serbisë në veri. Thjeshtë këto struktura u toleruan të bllokojnë rrugët, të mbajnë refendume kundër shtetit të Kosovës, por edhe të mbajnë rendin e ligjin në këtë pjesë të territorit tonë. Institucionet tona qeveritare, vazhdimisht i dënuan (veprimet kriminale në veri) vetëm nga ulëset e buta të Qeverisë dhe Kuvendit. Në këtë kontekst, QK-ja e quan referendumin serb si të pa efekt. Në vend që elementet e shtetit fqinj të cilësohen si kërcënim dhe shpallje luftë vendit tonë, ato lejohen të veprojnë, të bëjnë “rendin e ligjin”, për tu shpallur më pas si të pa efekshme. Pra, strukturat ilegale serbe e bëjnë pushtetin në veriun e vendit, ndersa, institucionalistët tanë e lexojnë Kushtetutën dhe Planin e Ahtisaarit. Lihen të veprojnë kriminelët e më pas “shfuqizohen”, ose denohen me deklarata! “Referendumi serb për mosnjohjen e institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës nuk do të ketë efekt juridik për të ardhmën e vendit”. Unë nuk po kuptoj se për çfarë efektesh e kanë fjalën qeveritarët. Tash e 13 vjet, në pjesën veriore, funksionojnë ligjet e Serbisë, simbolet dhe vet institucionet e këtij shteti fqinj. Njëherësh këto struktura janë elementet më të rrëzikshme të cilat vazhdojnë të kërcënojnë sovranitetin dhe tërësinë territoriale të shtetit tonë. Është tejet i quditshëm qendrimi perulës i Qeverisë së Kosovës kundrejt elementeve pushtuese në veri, por edhe ndaj vet Serbisë. Pavarësisht rrezikut që vjen nga cënimi i sovranitetit të shthurur në veri, qeveria jonë, duket se tërë angazhimin e saj e ka përqendruar kah marketingu i brendshëm politik. Sulmet dhe kundërsulmet e rivalëve politikë të partive parlamentare, “se kush është më patrioti”, kanë të bëjnë me “fushata” politike, por jo me qeverisje efektive ose luftë të vendosur kundër dukurive qe cënojnë rendin a ligjin ketu. Krahas kësaj, janë harruar detyrat qe ka shteti për mbrojtjen e ligjshmërisë, sovranitetit dhe të vet territorit. Republika e Kosovës vetëm duke qenë unike dhe tërësisht e çliruar i jep kuptimin e plotë lirisë së saj, shtetit dhe sovranitetit.Për këtë shtet, u burgosën, u vranë e u masakruan brez pas brezi shqiptarët, populli më i vjetër i këtij rajoni.
– Autori është publicist dhe drejtor për marrëdhënie me publikun në Institutin për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura