HASAN UKËHAXHAJ: JUBILEU I NJË APOSTULLI (NË 200 VJETORIN E LINDJES SË JERONIM DE RADËS) /4/

Pashtriku.org, 04. 02. 2016: „Antologjinë shqipe“, si e para vepër e këtij lloji në kulturën shqiptare, studiuesit e kanë vlerësuar lart nga të gjitha këndet, duke vënë në dukje edhe rëndësinë që ajo e pat në aspektin politik, meqë De Rada aty kërkonte asgjë më pak se pavarësinë e atdheut: „ Ne duam atë të vetëm gjë që don çdo komb: një shtet më vete e për vete, ku të mblidhen të gjithë njerëzit e një gjaku, si familjet në shtëpiat e tyre“ (tekst i cit nga J. Kastrati ). Ishte viti 1896.
D) DE RADA PUBLICIST
U përcaktova që këtë veprimtari të De Radës ta trajtoj në fund të këtij punimi, jo se është më e rëndësishmja, sepse dihet që nuk është , po për faktin se poeti edhe në këtë fushë i doli zot çështjes kombëtare ashtu qysh i ka hije një atdhetari të njëmendet. Po kaq, në mos edhe më i rëndësishëm është fakti tjetër se mendimin e tij politik që fqinjët e shqiptarëve, në radhë të parë, siç ishin në kohën e tij, do të jenë edhe më vonë dhe prore do të përpiqen për t’i gllabëruar trojet e tyre, për fatin e keq e vërtetoi katërçipërisht i tërë shekulli pas deradian, madje edhe me ndonjë dekadë përtej tij. Për këto që u thanë në rreshtat e fundit do të shtjellohen natyrisht pa i banalizuar.
Ngjarjet që u zhvilluan në Itali dhe vendet tjera me 1848 i dhanë atij viti përmasa europiane. De Rada tani poet, gjuhëtar e historian, nuk mund të ishte spektator, prandaj vendosi që qendrimet e tij politike t’i shpreh edhe përmes shtypit. Prandaj në shkurtin e atj viti pa dritën e botimit numri i parë i gazetës „ L’ Albanese d’ Italia“ (Shqipatri i Italisë). Ai ishte guri i parë në themelin e kësaj fushe të kulturës shqiptare. Në formën e një paranteze do të ndalem rreth një të dhëne që nuk mund të mos quhet paradoksale. Në konferencën shkencore kushtuar 100 vjetorit të LSHP, mbajtur në Prishtinë me 1981, R. Qosja e lexoi kumtesën, përndryshe mjaft të gjatë, me titull „Romantizmi dhe Lidhja shqiptare e Prizrenit“. Pasi vë në dukje se gazetaria ishte njëra nga mjetet më të rëndësishme, përmes të cilave Lidhja e kryente misionin e vet politik e kombëtar thekson: „Megjithëse edhe në etapën e parë të Rilindjës ishin bërë përpjekje për nxjerrjen e ndonjë gazete që trajtonte çështjet shqiptare në gjuhë të huaj, ose që i trajtonte edhe në gjuhën shqipe 12…“Kumtuesi nuk përmend emrin e asnjë gazete, respektivisht të asnjë botuesi.

Ndërkaq, në referencën e sipërshënuar tekstualisht thuhet: „ Profesor Aleks Buda në studimin „Të dhëna mbi lëvizjen kombëtare shqiptare në vitet 1859 – 1861, e quan gazetë të parë shqiptare gazetën e Anastas Bykut nga Lekli i Gjirokastrës, Pellazgos, që filloi të botohet me 1 janar 1860. Më vonë gazeta mori emrin e kombinuar „ Pellazgiotis“ dhe mban nën titullin shqip „ Shqiptari dhe Greku“. Gazeta dilte në gjuhën greke por nuk mungonin as materialet shqip. Mund të thuhet se ajo u kushtohej krejtësisht çështjes shqiptare“. Në Studime Historike 1965, nr. 2 f. 65.
E pabesueshme duket! Edhe komenti mund të duket i tepërt, sepse vetë lexuesi mund t’i bije në fije pa vështirësi këtij shkepimi. Edhe heshtja e kumtuesit bashkë me mënyrën e të publikuarit është pak e çuditshme, prandaj e meriton ndonjë rresht. Një nga të mundshmet arsye, ndoshta, është edhe kjo se duke e konsideruar krejt të paqënrueshëm, mospajtimin e ka shprehur ashtu qysh u tha më sipër. Përimtimi, mund të shkojë edhe pak më tej por këtu s’është vendi.
Megjithatë, çështjen e sqaroi vetë historiani Buda, i cili në zërin për Fjalorin Enciklopedik Shqiptar që i kushtohet atij veprimtari, nuk e përsërit mendimin e cituar më sipër (f. 37). Ndërkaq në zërin kushtuar gazetës „Pellasgos“, tekstualisht thuhet se ajo ishte „ një ndër organet e para të shtypit shqiptar“ (f. 817). E sa për „ Shqiptari i Italisë“ në këtë vepër përsëritet konstatimi se ajo „ është e para e përditshme në historinë e gazetarisë shqiptare (f. 589).
De Rada i trajtoi zhvillimet politike në Itali e sidomos në Napoli me ashpërsi të rrallë. Në shënjestrën e tij ishte regjimi i Burbonëve, i cili, i kushtoi shtrenjët. Ai e ngriti njëkohësisht edhe çështjen shqiptare në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare: „ Unë, thot poeti, mendova të themeloj një gazetë që të ndante në vjet e atdheut nga ata që kërkonin prej tij një shpërblim“ (J. K. Vep e cit f. 266), ndarje taborresh kjo që fatkeqësisht e përshkoi vazhdimisht kauzën tonë e sidomos udhëkryqet e saj. Përveç artikujve të karakterit politik, De Rada botonte aty edhe fragmente nga veprat e tij poetike, poezi popullore bashkë me krijime të autorëve të tjerë arbëreshë. „Shqiptari i Italisë“ u prit me gëzim dhe u vlerësua lart nga lexuesit arbëreshë, vlerësim që u shpreh nga disa emra të njohur: E. Gjika e quajti „ paralajmëtare e Lëvitzjes Kombëtare Shqipëtare“, Ndërkaq Santori i shkruante De Radës „ Më lejo të shpreh admirimin tim për këtë gazetë, ku me lotë ndër sy shoh emrin e saj me titull që i përgjigjet qëllimit tonë të përbashkët.
Burbonët ia paguan De Radës, siç u tha edhe më lart, mjaft shtrenjët qëndrimin e shprehur: e censuruan, e konfiskuan, e burgosën po dënimit i shpëtoi falë miqësisë së sinqertë nga ana e oficerit të policisë nga Himara, Dhimitër Leka, të cilit, poeti ia pat kushtuar poemën e parë „Këngët e Milosaos“. Përveç vështirësive politike, me të cilat u ballafaqua De Rada ishin edhe vështirësitë financiare ato që e detyruan publicistin që ta ndërpresë botimin e gazetës në gjysmën e atij viti.
Në gjysmën e dytë të shek. XIX Lëvizja Kombëtare Shqiptare filloi të konsolidohet me ritme më të shpejta në të gjitha aspektet e saj. Në të njëjtën kohë marrëdhëniet ndërkombëtare ashpërsoheshin gjithnjë e më tepër. Tatëpjeta e Perandorisë Osmane dhe synimet ekspansioniste të Rusisë cariste përbënin boshtin e Krizës Lindore. Europa Perëndimore përpiqej ta „menagjojë“ atë. Lufta ruso – turke e vitit 1877 që përfundoi me marrëveshjen e Shën Stefanit në marsin e 1878 – tës, krizën e çoi në krizë për zgjidhjen e së cilës u organizua Kongresi i Berlinit. Vendimet e atij aeropagu trojet shqiptare i kishte fshirë nga harta e Europës – disa pjesë iu dhanë fqinjëve të tjerat mbeteshin pjesë e Perandorisë Turke. Për t’i bërë ballë këtij rreziku të jashtëzakonshëm për fatet e kombit shqiptarët, siç dihet, formuan Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, e cila mori gjithashtu vendime historike.
Në ato rrethana emri i të cilave ishte „ të jeshë a të mos jeshë“ ose „liri a vdekje“, De Rada pasi i kishte mbështetur tërësisht vendimet e Lidhjes, me 1883 pra gati shtatëdhjetëvjeçar e nxori të përjavshmen „ Fjamuri i Arbërit“, në të cilën i sulmoi pa mëshirë të gjithë armiqtë e mundshëm të kombit shqiptar, pa e kursyer as shtetin ku jetonte. Me atë qëndrim prej atdhetari të vërtetë ai e ngriti vetëdijën e shqiptarëve kudo që gjendeshin përveç arbëreshëve të Italisë e të Greqisë edhe në viset e ndryshme të Europës e deri në Turqi. Për të parë këto dy segmente po citoj disa fragmente: „I dashur profesor, për ndërmarrjen tuaj fisnike me të cilën ne, të rinjët arbëreshë presim në çdo çast të tingëllojë këmbana e kryengritjës kombëtare në Shqipërinë tonë, sepse deshirojmë të derdhim edhe pikën e fundit të gjakut për të mirën e atdheut tonë të dashur“. Një lexues tjetër: „ …më lejoni t’ju them se unë ndjek me padurim revistën tuaj, në të cilën shoh t’ardhmen e Shqipërisë… Unë shpreh ndjenjat e mia, të një ushtari kyengritës shqiptar dhe jam i gatshmëm të jap provat e mia për këto ndenja“. Të tjerë lexues e konsideronin De Radën „burrin më të ndritshëm, meqë atij s’duhej t’i flisje gjë tjetër veçse për Shqipërinë“. De Rada ua bëri të qartë të gjithë armiqve të Shqipërisë se „në brigjet lindore t’Adriatikut çështja shqiptare ka marrë rrugën e vet“. Me këto fjalë tribuni me gjithë rrethanat tepër të vështira shprehte optimizmin e vet për të ardhmen e kombit. Me artikujt e njëpasnjëshëm i sulmoi si pushtuesit osman ashtu edhe fqinjët shovinistë , të cilët synonin t’i kapërdinin trojet shqiptare, pa i lënë anash as padronët e tyre bashkë me aleancat që i thurnin në fshehtësi. Ndër të tjera ai theksonte se „ Ideja e parë e federatës ballkanke lindi në mendjen gënjeshtare të Greaqisë. Këtë ide e përkrahin edhe të përkohshmet e Italisë. Zemrat tona janë të helmuara shumë nga një qëndrim kaq armiqësor. Qëndrim të prerë De Rada mbante si ndaj Italisë ashtu edhe ndaj Austrisë: „… Shfaqet dhe shkon gjithnjë duke u shfaqur një dëshirë e sapo shprehur, që të vihet këmbë në bregdetin e Shqipërisë dhe një frigë se shpejt Austria do të zbresë në ato brigje dhe do t’i zërë diellin Italisë. Tribuni s’e kurseu asnjëherë fqinjin përtej Adriatikut; „… përkundrazi, sa herë që u dukej se po shpërthente zjarr, apo dilte tym në Lindje, ata u uronin sukses Greqisë, Serbisë e Malit të zi që kërkonin të coptonin Shqipërinë“.
Me ashpërsi të pashoqe De Rada u vërsulet Fuqive të Mëdha europiane e sidomos Rusisë dhe rodit të saj në Ballkan, duke mbështetur njëkohësisht edhe optimizmin e jashtëzakonshëm si Naimi dhe rilindasit tjerë të shquar në fitoren e popullit shqiptar; „Në çdo rast Shqipëria e strukur në vetvete dhe e mbledhur në degët e saj të shpërndara do të jetë shkëmb në të cilin do të thyhen tallazet sllave. Klyshtë e Rusisë, Mali i zi me Serbinë e tij të vjetër lakmojnë t’i bien për emrit tonë. Dhe kudo qofshin, Panrusët, janë të lidhur në mënyrë të fshehtë me Greqinë, duke bërë plane e projekte për të na shuar“.
Fakte për këtë „akuzë iracionale“?! Sa të duash, Prandaj togfjalëshin e gozhdova në thonjëza se: mos nuk ishin inaguruar dyzet vjet para se të fliste De Rada dy projektët më antishqiptare „Naçertania“ dhe „Megali Idea“, të cilat, fqinjët shovenistë, herë me veprime vetanake e herë të sinkronizuara, u përpoqën t’i realizojnë edhe me terror përmasash gjenocidale, nëpër dekadat e një shekulli të tërë? Pra, se mos ka ndonjë që s’e di se Greqia e Serbia e donin për kufi të tyre lumin Shkumbin! Se mos nuk i priu tavolinës së Berlinit terrori gjenocidal serb i nxitur edhe nga Rusia, në trojet shqiptare nga Nishi e deri në kufijtë e Kosovës së sotme?!
Ndaj atyre mizorive me bajonetë e pendë poeti i madh nuk mund të mos rrebelohej nëpër faqet e „Fjamurit …“ Përveçse i denoi pa mëshirë si një tribun i njëmendët, De Rada mori guximin edhe t’i parashikojë pa kurrëfarë dorashkash armiqtë „standard“ që në vazhdimësi do të përpiqen për t’i gëlltitur trojet shqipatre. Fatkeqësisht ato parashikime ia verifikoi katërçiprisht i tërë shekulli XX kur tashmë poeti ishte në përjetësi. Se mos nuk ia vunë zjarrin trojeve shqiptare sllavë e grekë nga Veriu në Jug, nga Lindja në Perëndim para e pas 28 Nëntorit të vitit 1912, për t’i masakrauar pastaj edhe me bojë në Londrën e ’13-tës! Dihet, leva e tyre ishte Rusia cariste. Edhe tavolina e Parisit e 19-20’tës ishte mjaft e begatshme me projekte për copëtimin e trojeve shqiptare. Ndër ta duhet përmendur ai i Londrës së pesëmbëdhjetës ( Historia e popullit shqiptar III f. 129).
Po tavolinës së Parisit një çerek shekulli pas të parës çka i parapriu? Shovenistët grekë e zbrazën me zjarr e hekur Çamërinë nga popullsia e saj etnike. Edhe pas këtij preludi se i dukej i paktë kërkonte të arrijë deri në Vjosë. E në anën tjetër, pas tavolinës së Parisit në 46-tën, Jugosllavia titiste gati në një të dytën e trojeve shqiptare vrau e shpërnguli qindra e mijëra shqiptarë gjatë një gjysëm shekulli, megjithatë, ato mbetën çfarë edhe ishin – shqiptare. Më në fund, i erdhi radha që edhe kështjella e „Rambujesë“ në saje të luftës së popullit shqiptar për çlirimin e vendit, nën udhëheqjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës hyri në analet e historisë shqiptare dhe të diplomacisë botrore. Aty u shtrua çështja e Kosovës dhe e ardhmja e saj. Dekada pas „Rambujesë“ mendoj se nuk i përket natyrës së këtij punimi.
Me „Fjamurin e Arbërit“, e cila konsiderohet si tribuna më e rëndësishme e atyre viteve, bashkëpunuan rilindasit e të dy anëve të Adriatikut: Santori e Skiroi, Dara e Markianoi, Naimi e Samiu, Vretoja me Mitkon e të tjerë. E çmuan lart dhe bashkëpunuan me revistën edhe shumë dijetarë të huaj, fushash nga më të ndryshmet: si Majeri e Tomazeu, Knor e Buholz, De Simone e të tjerë. Sa për Elena Gjiken të mos flasim se dihet. Përveç emrave të shquar, disa nga të cilët u cekën më lart, „Fjamurin“ e çmuan edhe redaksitë e revistave të njohura europiane siç ishte „Melusine“ e Parisit dhe „Die Presse“e Vjenës. Derisa e para e quante si një organ të parë të Shqipërisë së mirëfillt, e dyta theksonte se „Kjo e përkohshme është një shenjë e përparimit në këtë vend malor – Shqipëri në të cilën historia filllon në kohët më të lashta prehistorike në mos me mitet“. De Rada pas katër vjetësh e ndërpreu botimin e „Fjamurit“ për të njëjtat shkaqe që e detyruan të veproi edhe me „ L’Albanesse …“ para 39 vjetësh. Pezmin e thellë e shprehi poeti dhe tribuni në një letër dërguar mikut dhe albanologut të shquar G. Majer në të cilën ndër të tjera ia kujtoi thënien e famshme të Gëtes se „ … Kush don ta shoh mjerimin, le të shkoj në Itali“ ( J. K. Vep e cit. f. 268 e në vazhdim). Me këtë akt De Rada e mbylli me lavdi veprimtarinë e vet duke vënë gurë të parë në themelin e publicistikës shqiptare.

PËRFUNDIM
Së pari, dua ta përsëris edhe njëherë atë që është thënë më lart se rreth ndonjë vepre letrare, më pak të rëndësishme, apo edhe të ndonjë tjetre që i përket ndonjë zhanri tjetër, nuk u ndala për arsye të natyrës së këtij shkrimi. Megjithatë, nuk mund të kapërcehet „ Testamenti politik“, vepër kjo të cilën ndonjë studiues e ka pagëzuar si dhjatën që arbëreshi i lavdishëm ia linte kombit vetëm pak muaj para se të shkonte në përjetësi. Se është e atyre përmasave dëshmon jo vetëm titulli po edhe përmbajtja e saj, të cilës këtu do t’i referohem vetëm në kornizën e këtij induksioni në cilësinë e portretizimit të figurës së jashtëzakonshme të De Radës dhe vendit që ai zë në historinë e kombit dhe të kulturës së tij. Derisa me përpjekjet për një alfabet të ri e të përbashkët për të gjithë shqiptarët ishte bashkudhëtar i Veqilharxhit, De Rada ishte prijës në këto fusha të kulturës kombëtare:
1. Me veprën e tij poetike, veçoria kryesore e sëcilës ishte tabani i saj thellësisht kombëtar, është themeluesi i letërsisë së re shqipe;
2. Me frymën krejtësisht romantike që e karakterizon poezinë e tij, ai është njëkohësisht edhe bardi i romantizmit në letërsinë tonë;
3. Është i pari që Kryeheroin e shqiptarëve dhe epokën e tij e pasqyroi në ato përmasa që në poezinë shqipe nuk u përserit më;
4.Me të përditshmën dhe të përkohshmen që sapo u trajtuan, De Rada është themeluesi i publicistikës shqiptare;
5. Është i pari studiues shqiptar që e shkroi një gramatikë të gjuhës shqipe;
6. Është, gjithashtu, i pari poet e studiues shqiptar që e shkroi një traktat nga fusha e estetikës;
7. Me botimin e veprës „Rapsodi të një poeme shqiptare“ është themeluesi i folkloristikës;
8.De Rada është i pari mësues i gjuhës shqipe në historinë e arësminit kombëtar.
Ndërkaq, ai nuk ishte gjithkund i pari shtegtar. Në fushën e gjuhësisë, siç u tha atje ku duhej, pati pararëndës. Megjithatë, De Rada ishte njëri nga më të shquarit. Prejardhja e shqipatrëve dhe e gjuhës së tyre ishte tema e preokupimeve të jetës së tij. Mendimin se pellazgët ishin stërgjyshërit e kombit tonë, përveç se në atë vistër punimesh, e mbrojti edhe në „ Testamenti politik“. Në këtë vepër përveç saj dhe të tjerave, De Rada e pasqyroi tërë veprimtarinë e Levizjës Kombëtare Shqiptare në shekullin XIX. Natyrisht se aty ka gjetur vendin e vet edhe veprimtaria e tij. Në këtë vepër De Rada, së pari, shpreh besimin e palëkundur se kombi shqiptar do ta fitojë lirinë. Ndërkaq, për të atdheun e tij e përbënin të katër vilajetet „… të cilat të njësuara e të bashkërenditura, do ta ripëtërijnë“. Aty përsëritet akuza dhe dënimi që ua shqiptoi në artikujt publicistikë si fqinjëve shovinistë ashtu edhe Fuqive të mëdha. Askush nuk të ndihmon, porosit titani arbëresh, nëse nuk sheh aty interesin e vet. Këtë aksiomë, siç u tha edhe më lart e dëshmoi tërë shekulli XX.
Në mbrojtje të prejardhjës së shqipatarëve nga pellazgët De Rada nuk ishte i vetmuar. Pikëpamje të tilla kishte atëherë edhe ndonjë dijetar i metropoleve europiane. Por, shumica e studiuesve nuk e gjejnë të mbështetur, sepse mungojnë shumë të dhëna për atë popull të lashtë. Përveç të tjerave, s’ka asnjë dëshmi të mirëfilltë për gjuhën e tyre, si një nga treguesit kryesor i identitetit të çdo populli. Megjithatë, edhe një shekull pas De Radës çështja pellazge është në tavolinën shkencore të studiuesve shqiptarë e të huaj ( shih: Sh, Demiraj „ Prejardhja e shiptarëve në dritën e dëshmive të gjuhës shqipe“, Tiranë, 1999 dhe „ Epiri, Pellazgët, Etruskët dhe Shqiptarët“, Tiranë, 2008). Shikuar nga ky kënd mundi dhe pikëpamja e rilindësit arbëresh nuk rezulton të jetë farë herezie shkencore. Përkundrazi, mund të konsiderohet një farë statisfaksioni për të. Në anën tjetër, mendimin e De Radës se gjuha shqipe nuk është e afërt me greqishten në atë shkallë sa të quhej binjake me të qysh mendonte Kamarda, gjuhësia shqiptare e gjeti të saktë bashkë me konstatimin tjetër se greqishtja përveçse i ka dhënë shqipes një numër të konsiderueshëm fjalësh, ajo edhe ka marrë prej saj.
Nga këto që u thanë deri këtu mund të shtrohet pyetja: i ka De Rada përmasat e një figure europiane dhe nëse po, me cilat nga fushat e numëruara më sipër duke i përfshirë edhe këto të fundit? Përgjigjja është: Po – me shkronjë të madhe. Së pari, me poemat e tij letërsinë ose më sakt poezinë shqipe e bëri mësë paku pjesë të asaj europiane. Në anën tjetër, ajo vistër punimesh të karakterit historiko – gjuhësor, me gjithë mungesat që i karakterizojnë, dhe pjesëmarrja e tij Në kongresin e XII Ndërkombëtar të orientalistëve që u mbajt në tetorin e vitit 1899 në Romë ku ai lexoi kumtesën „ Tiparet e gjuhës shqipe dhe monumentet e saj në periudhën parahistorike“, janë disa nga provat që dëshmojnë katërçipërisht se edhe në fushën e gjuhësisë ai e kishte arritur, së paku, „ koeficientin“ e një dijetari përmasash europiane. Këtyre mund t’ju shtohen edhe konsideratat e disa studiuesve të shquar për mes të cilave ata shprehin vlerësimet për veprën shkencore të De Radës. Dëshmojnë gjithashtu, në këtë drejtim edhe veprat e tij të përkthyera përveçse në italishte edhe frengjisht gjermanisht.
Nuk është kurrfarë risie nëse theksojmë se nga gjysma e shekullit XIX e deri në Shpalljen e Pavarësisë veprimtaria letrare arsimore publicistike e shkencore kishte njëkohësisht edhe karakter politik respektivisht kombëtar. Sepse, siç u citua më lart „ Liria nuk mund të vinte vetëm nga gryka e pushkës…“ Prandaj, demiurgët e këtyre fushave janë njëkohësisht edhe protagonistë të historisë shqiptare. E, De Rada ishte nga më të shquarit deri në çastet e fundit të jetës. Prandaj ,,përveç autorit të atyre vargjeve, është titani arbëresh në radhë të parë ai që „ Fjalët e qiririt“ mund t’i blatohen si kurorë lavdie. Ai ishte Apostull i shqipatrizmës në kuptimin më të gjerë të kësaj fjale.
____________
LITERATURA
1. E. Çabej: Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes, Titranë, 2006
2. Grup autorësh: Historia e popullit shqiptar II, Tiranë, 2002
3. Dh. S. Shuteriqi: Segoni, De Rada … Noli, Tiranë, 1987
4. J. Kastrati: Historia e gramatoliogjisë shqiptare, Prishtinë, 1980
5. R. Qosja: Historia e letërsisë shqipe – Romantizmi II, Prishtinë, 1984
6. Fjalori Enciklopedik shqiptar, Tiranë, 1985
7. Ismail Qemali, Monografi,Koli Xoxi, Tiranë, 1983
8. E. Çabej: Meshari i Gjon Buzukut, Tiranë, 1968
9. R. Qosja: Semantika e ndryshimeve historiko-letrare, Prishtinë, 2009
10. Gramatika e gjuhës shqipe – Morfologjia, Tiranë, 1995
11. T. Osmani: Udha e shkronjave shqipe, Shkodër,1999
12. J.Kastrati: Studime për De Radën New York, 2003
13. Autoktonia e shqiptarëve në studimet gjermane, Prishtinë, 1990
14. S. Riza: Sistemi foljor i letrarishtes shqiptare bashkëkohore, Tiranë, 1994
15. A. Kostallari: „Mbi disa veçori strukturore … „ Në studime mbi leksikun dhe formimin e fjalëve, I, Tiranë 1972
16. I. Ajeti „E. Çabej dhe studimet e gjuhësisë shqiptare“ Në gjurmime albanologjike, Prishtinë, 2009
17. R. Qosja: „Romantizmi dhe Lidhja shqiptare e Prizrenit“ Në Konferenca shkencore për LSHP, Prishtinë, 1981
18. Konferenca kombëtare e studimeve për LSHP, Titanë, 1979
19. A. Uçi: Estetika e groteskut I, Tiranë, 2001
20. K.Frashëri: Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Tiranë,1997
21. Sh. Demiraj: Prejardhja e shqiptarëve në dritën e dëshmive të gjuhës shqipe, Tiranë, 1999
22. Sh. Demiraj: Epiri, Pellazgër, Etruskët dhe Shqiptarët, Tiranë, 2008

( FUND )

__________________
HASAN UKËHAXHAJ: JUBILEU I NJË APOSTULLI
(NË 200 VJETORIN E LINDJES SË JERONIM DE RADËS) /1/
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=4943
***
HASAN UKËHAXHAJ: JUBILEU I NJË APOSTULLI
(NË 200 VJETORIN E LINDJES SË JERONIM DE RADËS) /2/
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=4944
***
HASAN UKËHAXHAJ: JUBILEU I NJË APOSTULLI
(NË 200 VJETORIN E LINDJES SË JERONIM DE RADËS) /3/
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=4945

***
HASAN UKËHAXHAJ: JUBILEU I NJË APOSTULLI
(NË 200 VJETORIN E LINDJES SË JERONIM DE RADËS) /4/
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=4946

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura