MEHMET HAJRIZI: ROLI HISTORIK I ‘GRUPIT REVOLUCIONAR’ PËR ҪLRIMIN E KOSOVËS E VISEVE TJERA SHQIPTARE TË PUSHTUARA DHE BASHKIMIN E TYRE ME SHQIPËRINË

Pashtriku.org, 30. 01. 2015 – (Fjalë në promovim të librit “Nga Grupi Revolucionar te Fronti i Republikës”) – Të dashur miq, Zonja dhe zotërinj – Kanë kaluar mbi dyzet vjet nga fillimi i viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar, kur një grup të rinjsh e të rejash në Kosovë, filluan ngritjen e një organizate kombëtare me qëllimin e vetëm, çlirimin e Kosovës e viseve tjera shqiptare të pushtuara dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë. Organizata me modesti u quajt Grup Revolucionar, por zhvillimi dhe rritja e saj për dymbëdhjetë vjet rresht, si dhe masivizimi i Lëvizjes Kombëtare me një varg organizatash të tjera, sidomos pas Kryengritjes së vitit 1981, rezultuan me nevojën e një fronti të gjerë e gjithëpërfshirës për Republikën e Kosovës, si etapë historike që do të shpinte natyrshëm në realizimin e të drejtës për vetëvendosje të popullit të pushtuar shqiptar. Kjo organizatë çlirimtare shquhet për jetëgjatësinë e veprimtarinë e pareshtur, për rolin historik, organizativ dhe politik e kombëtar të saj, për vlerat dhe virtytet e larta që kultivoi, për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare e çlirimtare në Kosovë, për përgatitjen e kushteve të veprimit të hapur e të rezistencës kolektive kundër pushtuesit, për përpjekjet e bashkimit të të gjithë potencialit çlirimtar dhe për sigurimin e vazhdimësisë së Lëvizjes Kombëtare deri në Luftën fitimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Shtypi i fshehtë, ishte jo vetëm një nga vlerat që e karakterizojnë organizatën, por në fakt përbënte shtyllën kurrizore të veprimtarisë dhe kontributit historik të saj. “Zëri i Kosovës” i viteve shtatëdhjetë, “Pararoja”, “Liria” e „Këngët e lirisë“ dhe shumë trakte, thirrje etj., përbëjnë një fond të pasur të traditës luftarake të Lëvizjes sonë Kombëtare në përgjithësi dhe të shtypit të saj klandestin, në veçanti.

Prishtinë, 29. 01. 2015: Pamje nga promovimi i librit  “Nga Grupi Revolucionar te Fronti i Republikës.

Brenda këtij libri dokumentar janë rreshtuar në kolonë 40 autorë, me 111 punime e dokumente, 102 poezi dhe 8 tregime, skica e vështrime që bëjnë korin e madh a polifoninë e kushtrimit të lirisë e të zgjimit shqiptar. Duhet të vë në pah se, për befasinë e brezit të fjalës së lirë, këto shkrime i kanë mjaftuar regjimit pushtues si korpus delikti për të shqiptuar qindra e mbase mijëra vite burgimi. Kleriku dhe statisti i shquar francez, Rishëlje Armand (1585-1642) i tha njëherë gjykatësit të tmerrshëm Labordmo: “Më jepni dy rreshta të shkruar nga një njeri të cilin ata e bëjnë të pafajshëm, kurse unë do të gjej argumente për ta dënuar me vdekje”. Shkrimet e këtij libri qenë padrejtësisht të mbyllura në dosjet e arkivave dhe sot përfundimisht dalin në dritë, për të mos u kthyer më kurrë në errësirë.
Mund të kontestohen nga aspekte të ndryshme e të qortohen, por kurrë nuk mund t’u mohohet këtyre shkrimeve militante zëri kumbues i mobilizimit popullor, të cilin e kërkonte më shumë se çdo gjë tjetër çasti historik i Rubikonit të Kosovës.
Dokumentet dhe materialet, të përshkruara nga origjinali dhe me ndonjë shkurtim redaktorial, shpresojmë t’u hyjnë në punë studiuesve si burim i dorës së parë.
Për shfrytëzim më të lehtë, libri është ndarë në dhjetë kapituj tematikë, duke nisur me shkrimet programore politike e kombëtare, për të vazhduar me çështjet organizative e statutare të organizatës, me letra dhe thirrje, artikuj politikë analizues e komentues, trakte të karakterit politik, sqarues e mobilizues, ekonomi, histori, vështrime dhe informata, zhvillime ndërkombëtare dhe për të përfunduar me punime arti e letërsie.
Publikimi i librit, tani në kohë lirie dhe në rrethana krejt të tjera historike për kombin tonë, vjen në këtë janar si një dhuratë lexuesve dhe nderim me pietet për të rënët e kësaj organizate të Lëvizjes sonë Kombëtare, Kadri Zeka, vrarë bashkë me Jusuf e Bardhosh Gërvallën në mërgim, Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha, Naser Hajrizi e Asllan Pireva, Bajram Bahtiri e Zija Shemsiu, Afrim Zhitia, i rënë bashkë me Fahri Fazliun me armë në dorë, Xhevë Krasniqi-Lladrovci, e cila u flijua bashkë me të shoqin, Fehmi Lladrovci në rezistencë kundër forcave pushtuese serbe, Isa Kastrati e Abdullah Tahiri dhe Hafir Shala e Avdilgafurr Luma. Këto dokumente dhe materiale botohen edhe në vigjilje të 34-vjetorit të Kryengritjes së vitit 1981 në Kosovë.
Shfrytëzoj këtë rast të mirë të falënderoj botuesit dhe të gjithë ata që ndihmuan për mbledhjen e këtyre materialeve, duke veçuar studiuesen, Sabile Keçmezi-Basha dhe veprimtarin Skënder Vardari. Falënderoj të madhin Rexhep Qosja për fjalët e ngrohta e të mençura që tha para nesh, drejtorin e Institutit të Historisë, zotin Sabit Syla dhe recensentët, zonjën Sabile Keçmezi-Basha, zotin Hamit Kaba e zotin Prend Buzhala, për vlerësimin shkencor të botimit. Falënderoj gjithashtu, Ndërmarrjen Publike të PTK, e cila e financoi shtypjen dhe radhitjen kompjuterike të librit.
Do të përfundoj me piktorin e shquar holandez të shekullit të 17-të, Rembrand, i cili për të ngritur çmimin e veprave të tij, u mor vesh me të shoqen që të largohej përkohësisht nga Amsterdami dhe të hapej fjala se kishte vdekur. Gruaja për ta bërë më të besueshme lojën, u vesh në të zeza dhe gjoja mbajti zi. Atëherë amatorët vrapuan nga të gjitha anët e Holandës për të blerë veprat e tij me çmime më të larta.
Ne, autorët nuk do të largohemi as përkohësisht nga Prishtina, sepse libri nuk do të shitet, por do të shpërndahet falas, ashtu siç shpërndaheshin dikur materialet e tij.
Dua t’ju falënderoj përzemërsisht edhe juve të nderuar të pranishëm, për pjesëmarrjen në këtë veprimtari, botuese, kulturore e përkujtuese.
Ju falemnderit
Prishtinë, më 29 janar 2015
***
(Libri i autorëve Mehmet Hajrizi dhe Gani Sylaj: “Nga Grupi Revolucionar te Fronti i Republikës”, u promovua më 29 janar 2015 në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë.)

===================

– MEHMET HAJRIZI –
Më 29 janar 2015, në programin e mëngjesit në RTK’1 ishte i ftuar Mehmet Hajrizi – autor i librit, “Nga Grupi Revolucionar te Fronti i Republikës”.

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura