Pashtriku.org, 11. 03. 2016: Në vitin 2012 Shtypshkronja “Tringa design” në Tetovë botoi librin: LËVIZJA (lindje e përgjakur) – bashkëbisedim me Ibrahim Kelmendin, me autor Bedri Islamin. Libri me 496 faqe – ka në qendër të tij memorjen e një rruge 30 vjeçare të Lëvizjes Popullore të Kosovës, që nga ditët e parathemelimit të saj, organizatat që vepronin në perëndim dhe problemet e tyre, njerëzit dhe situatat e shumta, ditën e themelimit me 17 janar 1982, vrasjen e tre Herojve të Kombit, në natën e 17 janarit, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, vështërsitë nëpër të cilat ka kaluar Lëvizja Popullore e Kosovës, përfaqësuesit e saj të denjë, figurat e njohura të rezistencës Kombëtare, themelimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e më pas edhe i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, probleme të njohura e të panjohura gjatë këtij rrugëtimi…, të gjitha këto shpërfaqen përmes një bashkëbisedimi mes dy personazheve: Bedri Islamit, autor i librit “Lëvizja, një lindje e përgjakur…”, i cili gjatë viteve të luftës në Kosovë 1998 – 1999 ishte drejtues i Lëvizjes Popullore të Kosovës, dhe Ibrahim Kelmendit, njëri ndër themeluesit e Organizatës, e me pas, deri në përfundimin e luftës, njëri ndër figurat më të njohura të saj. Në këtë libër, sublimohet një bashkebisedim intrigues, me të vërteta që përplasen me njëra tjetrën, thënie, mendime e kundërshti të ndryshme, e jo rrallë edhe qëndrime të ndryshme.
***
Meqë ditëve të fundit ka “plasur” një polemikë midis Rexhep Selimit dhe Ramiz Lladrovcit, për disa ngjarje të luftës së UҪK’së ku personalitetet më të përfolur në këtë polemikë ishin: Adem Jashari, Fehmi Lladrovci, Hashim Thaçi etj., portali pashtriku.org boton disa pjesë nga bashkëbisedimi Bedri Islami&Ibrahim Kelmendi, lidhur me luftën e UҪK’së dhe bartësit e kësaj lufte.
– Ibrahim Kelmendi dhe Bedri Islami –
(***)
XI. SPROVAT KONKRETE NË FILLIM TË KRYENGRITJES
(Bedri Islami – B.I.:) – Pas takimit të Brukselit kam biseduar gjatë, në fillimin e janarit të vitit 1998, me Fehmi Lladrovcin. Ishte i mllefosur, thoshte vazhdimisht se shokët “nuk po janë në tokë të bukës, nuk po e kuptojnë se këtë vit do të ketë luftë”. Si një njeri që ishte mësuar me shenjat e luftës, ashtu si kishte ndodhur në Kroaci, kur ai u vendos krah forcave kroate kundër fashizmit serb dhe krijoi të parën njësi ushtarake, e njohur si Brigada e Gospiqit, ai e ndjente se lufta po vinte. Po vetë organizata, ju që ishit pjesë e rëndësishme e saj, e ndjenit se lufta po vinte dhe çfarë masash morët përsipër të realizonit?
Fehmiu parashikonte se lufta do të fillonte shpejt
(Ibrahim Kelmendi – I.K.:) – Me Fehmiun më ra hise të bëja disa udhëtime gjatë vitit 1987, pikërisht sepse ai kishte parashikimin se lufta do të fillonte shpejt. Prandaj edhe vinte ai angazhimi i tij me ngulm, përkushtim, i atypëratyshëm, që t’i freskonte e konkretizonte lidhjet e mëhershme, fillimisht me ushtarakët që i kishte njohur personalisht. Pas thirrjes së Fehmiut pat ardhur nga Kroacia në Gjermani, Bekim Berisha. Ata ishin gjatë kohë bashkë, hulumtonin literaturë të armatimit, katalogë të armëve, diskutonin plane, etj. Disa herë kam qenë edhe unë i pranishëm, por nuk përzihesha në diskutimet e tyre konkrete profesionale. Ndonjëherë edhe më mërzisnin me të tilla bisedime. Që në atë kohë Fehmiu takoi ndër të parët ushtarakët Fadil Demirin dhe Xhafer Jashari, ngase me ata ishte shoqëruar qysh kur kishte shkuar për të studiuar në Zagreb dhe, po bashkë me ata dhe të tjerë, i kishin burgosur, duke i akuzuar për veprimtari armiqësore. Kur e vizituam Fadil Demirin në Pragë, mbaj mend të kemi biseduar gjatë, ndonjëherë rreptë, meqë Fehmiu donte ta bindte se shpejt do të fillonte lufta në Kosovë. Fadili i kundërvihej, me shpjegim se luftë mund të ketë vetëm ndërmjet dy ushtrive. Kosova nuk kishte ushtri, kurse Serbia e kishte shumë të fuqishme. Dhe sërish Fehmiu takonte dhe konsultohej me Ali Ahmetin, meqë e dinte se është anëtar në Sektorin e rëndësisë së veçantë, që do të thotë ishte bërthama e shtabit të përgjithshëm që duhej ta konsolidonin.
I thashë këto tani, edhe pse për angazhimet konkrete të Fehmiut në vitin 1997 rrëfeva më herët, por vetëm desha ta konfirmoj informacionin tuaj, lidhur me bisedën që keni pasur me Fehmiun në fillim të janarit 1998. Konkretisht për parashikimin që ka shfaqur ai. Para se t’i përgjigjem pyetjes, përmendet Brigadën e Gospiçit, të cilën e kishte formuar e komanduar Fehmiu. Ai më ka rrëfyer gjerë e gjatë për atë Brigadë dhe për angazhimet e tij në Kroaci, sidomos në rrugëtimet e gjata me makinë, ngase në makinë rëndom flitet e flitet. Shoferëve sikur u duhen bisedat për të përballuar lodhjen fizike dhe monotoninë e rrugës. Këtu po rrëfej një fragment që kishte të bënte me kazermën ushtarake të Ushtrisë jugosllave në Gospiq. Ajo komandohej nga koloneli Ahmet Krasniqi. Ishte kazerma e fundit që po rezistonte kundër Ushtrisë çlirimtare kroate. Pasi merret ajo kazermë Ushtria kroate e kap Ahmet Krasniqin, si macja miun. Por, pastaj e shkëmbejnë si rob lufte me një ushtarak kroat, të zënë nga Ushtria Jugosllave, tashmë e shndërruar në ushtri serbe. Për meritat e rezistencës në kazermë, ushtria serbe e bën Ahmetin anëtar të Shtabit të përgjithshëm të saj dhe komandant për bombardimin e Vukovarit. Fehmiu më pat rrëfyer edhe për një paraqitje të gjatë të Ahmet Krasniqit në Televizionin e Novi Sadit, ku kishte bërë thirrje patriotike serbe për ta mbrojtur “Jugosllavinë”.
Fehmiu, gjatë atyre bisedimeve, ankohej kundër mospërkrahjes nga udhëheqësit e Kosovës, por ndihej i zhgënjyer edhe për përkrahjen simbolike nga Lëvizja, anëtar i së cilës kishte qenë dhe ishte. Më saktë, kishte qenë dhe vazhdonte të ishte njëri nga kuadrot drejtues të saj. Ai mendonte: Kur kjo ndodh me mua, që jam këtu, i brendshëm, i gatshëm dhe në të njëjtën lidhje, po të tjerëve që janë tutje, krejt të papërfillshëm? Më gjatë nuk po ndalem në ato biseda, sepse ju keni bërë një monografi të plotë dhe të denjë për Fehmi Lladrovcin dhe Xhevë Krasniqin-Lladrovcin.
Xhavit Haliti dhe përkrahësi i tij, Azem Syla, me Kryesinë bashkëpunonin vetëm sa për mjetet financiare
Tani, sa i përket pyetjes, nëse Organizata kishte të njëjtat parashikime dhe a ndërmerrte angazhime përkatëse, sikur jam i dyzuar në vlerësime. Pjesa e parë e dyzimit tim lidhet me strukturat organizative në Kosovë. Ata, mund të them me bindje se, në atë masë sa e kishin të mundur, e kishin parashikuar se lufta po vinte dhe, të paktën moralisht, ishin përgatitur për ta përballuar atë. Mungesa e logjistikës ka qenë përherë problemi ynë më i madh, por kjo nuk ka qenë e lidhur gjithnjë me mundësitë tona. Fakti se kërkesat për logjistikë, gjatë vitit 1997, ishin shtuar jashtëzakonisht shumë, pavarësisht humbjeve dhe arrestimeve, ishte një dëshmi se lufta po vinte dhe se strukturat e UÇK-së donin ta përballonin atë.
Dyzimi i dytë. Përgjithësisht, me keqardhje më duhet të pranoj se Kryesia (e LPK’së – sh.b) sikur kishte halle të tjera shqetësuese të saj, sepse Sektori i rëndësisë së veçantë e kishte anashkaluar. Më saktësisht, udhëheqësi Xhavit Haliti dhe përkrahësi i tij, Azem Syla, me Kryesinë bashkëpunonin vetëm sa për mjetet financiare. Kurse Aliu, që vazhdonte të ruante rendin dhe rregullin, ishte anashkaluar dhe po merrej pothuajse individualisht me përgjegjësitë që i takonin si anëtar i atij Sektori. Prandaj Aliu po angazhohej me përkushtim, do të thosha, dhe me shqetësim për të bërë maksimumin e mundshëm, duke bashkëvepruar me ata që kishin preokupime e shqetësime të njëjta, siç ishte rasti me Fehmi Lladrovcin.
Ama, fakt ishte se Aliu kishte lidhje aktive me të tri zonat e atëhershme të Ushtrisë:
– të Drenicës,
– Llapit dhe
– Dukagjinit,
kurse Xhaviti dhe Azemi duhet të kenë pasur lidhje vetëm me Nait Hasanin, Xheladin Gashin, Rexhep Selimin, Sokol Bashotën!
Për cilësinë e atyre lidhjeve koordinuese midis tyre nuk më duket e arsyeshme të flas, sepse ato janë produkt i informimit të mëvonshëm dhe jo të kohës, për të cilën po flasim. Ndërsa Jashari (Salihu) merrej me mbikëqyrje të menaxhimit të Fondit (Vendlindja Thërret – sh.b), drejtues i të cilit ishte. Që të përmbledh përgjigjen: Organizata, edhe për shkak të inercisë nga përcaktimet e mëhershme dhe tradita, ishte në gjendje mobilizuese, siç dëshmojnë angazhimet e Fehmiut me bashkëveprimtarë, që organizoheshin për të shkuar në Kosovë ose, siç ishin ndihmat financiare të strukturave, si ato të Nëndegës dhe Fondit në Gjermani, e jo vetëm në Gjermani, si edhe e veprimtarëve të Lëvizjes që kishin lidhje të drejtpërdrejta me luftëtarët në zona.
Fakt është se kjo është periudha kur strukturat e luftës gjejnë shtrirje më të gjërë se më parë, por, ndoshta edhe për shkak të problemeve të rritjes apo të lidhjeve të përkohshme, edhe e fshehta e klandestinetit luan rol këtu, problemet e krijuara, në dukje të vogla, mund të hapnin telashe më të mëdha, nëse nuk u dilej përpara. Pikërisht për të sanuar atë situatë, qe mbajtur mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm në Bruksel (në fundin e vitit 1997 – sh.b), për të cilën folëm më herët. Në fakt, ajo mbledhje pak gjë sanoi dhe për kohë të shkurtër. Në këtë kohë të shkurtër Xhavit Haliti i rrumbullakosi përsëri punët, unë e quaj komplot, dhe gjërat vazhduan si më parë.
Nuk e kam kuptuar as atëherë, kur e ke ngritur për herë të parë, e nuk e kuptoj dot as tani, se ku qëndron komploti i Xhavit Halitit
(Bedri Islami – B.I.:) – Do të ishte mirë të të ndërpritja, për të thënë edhe unë mendimin tim, pasi po bashkëbisedojmë, dhe, për më tepër, lidhur me rolin e Halitit, ne, jo rrallë, kemi pasur mendime e qëndrime të ndryshme. Jam i bindur se në përgjigjet e mëpasme do ta thellosh idenë tënde, ndaj, më duket me vend, që të kesh edhe mendimin tim. Pastaj, secili nga ne, dhe kushdo tjetër, është i lirë të ketë mendimin e tij. Nuk e kam kuptuar as atëherë, kur e ke ngritur për herë të parë, e nuk e kuptoj dot as tani, se ku qëndron komploti i Xhavit Halitit. Ai ishte emëruar si drejtues i Sektorit të Veçantë. Kjo ishte detyra e tij, të cilën, për kushtet që kanë qenë, nuk mund ta kryente askush më mirë dhe nuk besoj se do të mund të kryhej edhe nga ndonjë tjetër. Si drejtues i sektorit, ai e kishte për detyrë të mbante të fshehta lidhjet, qëndrimet, linjat e veprimit. Të krijonte, me aq sa mundte, një mjedis të përshtatshëm në Shqipëri, në kontaktet me diplomacinë perëndimore, por gjithnjë me aq sa i kishte mundësitë dhe me hapësirat që i linin. Jo vetëm që nuk ka qenë detyra e tij, por, për më tepër, ka qenë e drejta e tij, që gjërat të mbaheshin sa më mbyllur dhe nuk kishte përse ai të informonte sa herë që të donte Këshilli i Përgjithshëm, se si ishin punët dhe sa e si ishin vendosur lidhjet. Në këtë kuadër, ai nuk kishte përse të ju informonte edhe Ju, kur për më tepër, shpesh herë, në Mbledhjet e Këshillit të Përgjithshëm, ai ka thënë mendimin e tij, me forcë do të thoja, se një ndër shkaqet që mund të fragmentizohet lufta, është edhe veprimtaria yte.Sipas bindjes sime, Xhavit Haliti është një njeri i heshtur, i mban enigmat në vete dhe, besoj, do t’i mbajë ato gjatë në vete, por në të gjitha takimet që kemi pasur gjatë kohës së luftës, qoftë në Tiranë, qoftë në banesën time, në Shtutgart, jam bindur se rruga që kishte ndjekur, kishte qenë e arsyeshme, nganjëherë përtej mundësive që kishte pasur. E pse jo, kishte pasur edhe gjëra që mund të bëheshin më mirë. Unë e kam thënë edhe në shkrimet e tjera apo në qëndrimin që kam mbajtur në Organizatë, se ai ishte një njeri i besuar, të cilin që herët e kishin ngarkuar me detyrën e organizimit të lëvizjes së armatosur në Kosovë. Kjo daton që nga emërimi i tij në Byronë Organizative, që ishte i pari organ në ilegalitet, që kishin krijuar lëvizjet klandestine pas bashkim/shkrirjes. Pra, nuk ishte një i panjohur. Keni punuar shumë vite së bashku, herë mirë e herë jo mirë, sepse keq nuk keni punuar; edhe brenda sektorit kishte njerëz më praktikë, siç ishte Xhaviti; më romantikë, me më shumë lidhje e më realizues, siç ishte Ali Ahmeti; më të tërhequr, siç ishte Jashar Salihu dhe, në fund, edhe më të pagjetur e më të pakënaqur, siç ishte Azem Syla. Këta njerëz kanë qenë të caktuar nga Organizata dhe këta kanë krijuar edhe lidhjet brenda vendit, e si duket, nuk kanë qenë vetëm këto. Sidoqoftë, në të gjitha rrethanat, ti ke të drejtën të kesh mendimin tënd, e këtë mendim, e di krejt mirë, nuk e ke prej sodit apo prej hidhërimit, por sepse kjo bindje të është krijuar. Le të vazhdojmë më tej me bisedën tonë!
Xhavit Haliti nuk kishte lidhje me zonat operative të Ushtrisë sonë në Kosovë.
(Ibrahim Kelmendi – I.K.:) – Para se të shtrosh pyetjen, do të më falësh të shpreh mendimin për këto që the. Sa për informim, me Xhavitin kemi qenë shpesh bashkë në angazhime në terren, sepse as ai nuk ishte i zënë me punë dhe nuk përtonte të udhëtonte anekënd Evropës, për të takuar bashkatdhetarët. Kur u arratis dhe u vendos në Zvicër, (ndoshta në vitin 1986, them në të njëjtën kohë me Gafurr Elshanin), meqë në Kosovë kishte ndodhur edhe një valë e goditjeve të organizimeve klandestine, ai u përfshi menjëherë në strukturat drejtuese të Degës, sepse bashkëveprimtarët që kishin ardhur para tij kishin besim e respekt ndaj tij. Rastisi që bashkëveprimtari Muhamet Elshani, nga Osdrimi i Pejës, me banim në Hamburg, reagoi brutalisht kundër angazhimit të tij në Organizatë. Ai e arsyetonte kundërshtimin e tij me njohjet e tyre të mëhershme, që në vitet e 70-ta. Thoshte se qysh atëherë ai është futur nën tutelën e UDB-së. Ngjashëm me Muhametin e përfliste edhe ndonjë imigrant i anëve tona. Megjithatë, unë e mbroja Xhavitin, sepse bashkëveprimtarët e sapoardhur nga Kosova flisnin mirë për të, e lavdëronin për guximin dhe shkathtësinë. Mund ta kontaktoni Muhametin po deshët dhe do të bindeni për atë që më ka thënë, sikundër edhe për këshillat e mia që ai të heshtte dhe për përmbajtjen e tij pas këshillimeve të mia, sepse kishte respekt të madh ndaj meje.
Tjetra: unë nuk po e kontestoj përgjegjësinë dhe angazhimin e tij në Sektorin e rëndësisë së veçantë, por po sqaroj se ai nuk kishte lidhje me zonat operative të Ushtrisë sonë në Kosovë. Prandaj ato nuk përkraheshin me financa, pavarësisht faktit se Aliu kishte lidhje, por nuk kishte influencë në Sektor në ndarjen e ndihmave financiare. Për mua mjaftonin këto njohuri, për të konstatuar se Sektori ishte ndarë dhe se Xhaviti e Azemi po bënin komplot.
(Titulli dhe nëntitujt janë të pashtriku.org)
(***)
– Shkëputur nga libri: (Bedri Islami “Lëvizja – Lindje e përgjakur” – Bashkëbisedim me Ibrahim Kelmendin – Kapitulli XI. Sprovat konkrete në fillim të Kryengritjes faqe 364 – 370)
***
(Përgatiti për botim editori i pashtriku.org, Sheradin Berisha)