BEDRI ISLAMI: KRYESIA E LPK’së NDËRTOI SEKTORIN E RËNDËSISË SË VEҪANTË & IBRAHIM KELMENDI: XHAVIT HALITI DHE AZEM SYLA NUK U DËRGONIN FINANCA ZONËS SË DRENICËS, DUKAGJINIT DHE TË LLAPIT

Pashtriku.org, 12. 03. 2016: VIII Përgatitja e luftës dhe fillimet e saj/ (Bedri Islami – B.I.) – Kryesia e Lëvizjes Popullore të Kosovës, me miratimin e Këshillit të Përgjithshëm, ndërtoi Sektorin e rëndësisë së veçantë të saj, i cili në të vërtetë ishte zanafilla e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Në këtë sektor do të bëjnë pjesë Xhavit Haliti, i cili ishte drejtues i tij, Ali Ahmeti, Jashar Salihu, më pas edhe Azem Syla. Përmes këtij sektori do të lëviznin gjërat për ndërtimin dhe funksionimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të ringriheshin lidhjet e vjetra dhe do të formoheshin lidhje të reja. Pak kohë më vonë, jo menjëherë, do të ngrihen edhe strukturat e Shtabit të Përgjithshëm në Kosovë. Si është e ditur tashmë, Sektori vepronte si njësi e pavarur edhe brenda kryesisë. Ai ruante lidhjet e tij, nuk jepte llogari për veprimtari konkrete, duke mbetur çdo gjë brenda një rrethi të ngushtë, sigurisht të besuar. Kjo bëhej që të mos zgjerohej rrethi i njerëzve që dinte më shumë se sa duhej dhe të mos kishte goditje të tjera në dëm të veprimtarisë çlirimtare. Kur mësuat ju për krijimin e këtij sektori? Si ishin lidhjet tuaja me këtë Sektor dhe me cilin nga anëtarët e Sektorit kishit ndërtuar lidhje më të qëndrueshme?
(Ibrahim Kelmendi – I.K.) – Për Sektorin e rëndësisë së veçantë nuk jam informuar, por në mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm (KP të LPK’së – sh.b) kam votuar që të formohet, diku në fund të vitit 1993, kur kemi formuar edhe Fondin “Vendlindja thërret”. Me atë rast qe vetëkuptuar se po i formonim për të jetësuar vendimin që Lëvizja kishte marrë në Kosovë – formimin e forcave të armatosura çlirimtare. Këto dy institucione duhet vlerësuar si fillesat konkrete të ngritjes së formacionit të armatosur, të cilin Kryesia e Lëvizjes, Dega jashtë vendit, e emërtoi me 17 dhjetor 1994: Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Po në atë mbledhje, për shkak të rëndësisë se tij, KP ia ka bartur përgjegjësitë Kryesisë që të emërojë anëtarët dhe përgjegjësin e atij Sektori. Sektori nuk ka qenë i pavarur. Ai, sipas një vendimi të posaçëm, jepte llogari para Kryesisë, por pa u ndalur në hollësitë, të cilat ishin ekskluzivitet i sektorit. Gjysmën e tij, do të thosha, e “pavarësuan” në ndërkohë Xhavit Haliti dhe Azem Syla.

Anëtarët e Sektorit të Rëndësisë së Veçantë: Xhavit Haliti, Azem Syla, Jashar Salihu dhe Ali Ahmeti

Meqë tani nuk është kohë për propagandë, me dhëmbje shpirti shpreh bindjen se Shtab të Përgjithshëm, të mirëfilltë, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk ia kemi dalë të formojmë e të konsolidojmë që në fillim. Edhe më vonë ka qenë e vështirë, fjalën e kam për kuptimin klasik të një shtabi të përgjithshëm. Ndoshta mungesa e përvojës, koha që ishte shumë e vrullshme, por edhe nga dëshirat subjektive të ndryshme. Shtabi, më të shumtën, ka ekzistuar si emër dhe është shfrytëzuar e nganjëherë shpërdoruar, kryesisht nga 3-4 individë. Ndoshta tek nga muaji qershor 1998 ka marrë formë të përafërt me shtab që duhej të ishte në gjendje për të koordinuar e komanduar gjithë ushtrinë tonë, e për këtë merita fillestare u takon ushtarakëve të sprovuar që u futen në Kosovë, siç ishte Bislim Zyrapi, e jo vetëm ai.
E di se ju keni mendim tjetër, por po deshët, debatojmë. Që të dy jemi të informuar, nga se nuk kemi qenë vështrues periferikë, por pjesë aktive, nëse mund të shprehem kështu. E për të debatuar duhet të kapësh premisën bazë, se LPK-ja e ka themeluar UÇK-në. Ajo e ka organizuar politikisht, ajo e ka mbështetur, ajo e ka financuar, etj. Megjithatë, UÇK-ja, pavarësisht të metave organizative, që kanë qenë pasojë e pamundësive, paaftësive, por edhe e komploteve, Ajo ia ka dalë ta bëjë luftën çlirimtare dhe në përmbyllje të luftës, të dalë fitimtare. Vullneti i madh i trimave patriotë, fakti se idetë e Lëvizjes u bënë të njënjëshme me aspiratën e popullit, shtabet e zonave, e kanë kompensuar mungesën e shtabit të mirëfilltë të pëtgjithshëm.
Sektori i rëndësisë së veçantë i ka raportuar dhe ka qenë i detyruar t’i raportojë Kryesisë, sepse edhe në këtë rast ka vlejtur rregulli i përgjithshëm, secila krijesë i raporton, për të mos thënë i jep llogari, “krijuesit” të saj. Kam pas dyshime se koordinatori i Sektorit, bashkëveprimtari shumëvjeçar Xhavit Haliti, qysh nga viti 1996 ka anashkaluar bashkëpjesëtarët e Sektorit, Ali Ahmetin dhe Jashar Salihun, ka anashkaluar dhe Kryesinë, duke sajuar grup të tij të veçantë. Këto nuk po i them tani, për herë të parë, këto i kam ngritur në mbledhjet e Këshillit të Përgjithshëm, në Kryesi të tij, qysh gjatë vitit 1996 e deri në mbarim të luftës. Dhe jo vetëm që i kam ngritur, por edhe jemi përballur me to, për t’i menaxhuar. Besoj, prova për këto që po them, ekzistojnë në arkivin e LPK-së.
(Bedri Islami – B.I.) – Është e vërtetë se i ke ngritur edhe më parë këto probleme, bile më ashpër se sot. Në arkivin e Organizatës janë dy materiale nga ti, me shkrim, por edhe të incizuara, pikërisht për probleme të tilla. Mirëpo, po ashtu, është e vërtetë se jo të gjithë anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm apo të Kryesisë, të kanë mbështetur dhe kanë qenë në një mendje me ty. Ndoshta është me vend të përcaktoj se përgjithësisht vlerësimet kanë qenë pozitive për grupin që punonte në Sektorin e rëndësisë së veçantë, por edhe për Xhavit Halitin, kryesisht, e jo rrallë edhe për Azem Sylën. Nga ana tjetër, edhe ata, në diskutimet e tyre, kanë qenë krejtësisht kundër idesë tënde se është formuar “një katërshe”, si e ke cilësuar, por edhe kundër punës që ti, herë pas here, bëje sipas mendimit tënd, duke kaluar strukturat përkatëse. Çdo ngjarje dhe çdo njeri duhet shikuar në kompleksin e tij, në kohën që ka jetuar, dhe në momentet që kanë qenë përcaktuese. Si ishin lidhjet tua me shokët e Sektorit të rëndësisë së veçantë, pasi, megjithatë problemet që mund të ishin, në fund të fundit, ishit në të njëjtën strukturë.
(Ibrahim Kelmendi – I.K.) – Keni të drejtë kur thoni se shumica ishin kundër vlerësimeve të mia kritike. Sikur të mos ishte shumica, mendoj unë, mangësitë ndoshta do të riparoheshin me kohë. Dhe përse ndodhte kështu? Sepse Lëvizjen, Degën j.v., e kishte përfshirë sëmundja e konformizmit. Ishim shoqëruar aq shumë me vete, sa na vinte keq ta kritikonim njëri-tjetrin. Ta zëmë: Kryesia nuk miratonte kritikat e mia ndaj Sektorit të rëndësisë së veçantë, sepse në Kryesi ishin shokë tepër të ngushtë të Xhavitit. Pastaj duke i pranuar kritikat për Sektorin, vetë Kryesia do të bëhej bashkëfajtore, përse nuk e ka mbajtur me kohë nën kontroll. Por, ama, fakt ishte se koordinuesi i Sektorit, Xhavit Haliti, në bashkëveprim me Azem Sylën, qysh nga viti 1996 kishin anashkaluar Ali Ahmetin dhe Jashar Salihun. Ky Sektor nuk kishte lidhje me tri zonat e Ushtrisë dhe nuk u dërgonte ndihma financiare. Për kohën që po flasim, Ushtria (është fjala gjithnjë për UÇK-në) ishte e organizuar, e shtrirë dhe aktive në të tri këto zona. Ku ishin strukturat e tjera të Ushtrisë? Ushtri nuk mund të quhen dy persona, që sorollateshin nëpër Prishtinë dhe bënin sikur ishin komandantët kryesorë – Nait Hasani, i kooptuar nga Xhavit Haliti dhe Xheladin Gashi, i kooptuar nga Azem Syla. 

Pra, fillet e Ushtrisë ishin.
– njësitet në Zonë të Llapit, të komanduara nga Zahir Pajaziti, pastaj nga Ilir Konushevci dhe Rrustem Mustafa;
– njësitet në Drenicë, që komandoheshin nga Adem Jashari, Rexhep Selimi dhe të tjerë;
– njësitet në Dukagjin, që komandoheshin nga Adrian e Mujë Krasniqi, Luan Haredinaj.
Të gjithë këto kanë qenë antarë të Lëvizjes, kjo është e vërteta. Thuajse asnjërin nga këta komandantë dhe këto njësi nuk i donin Xhaviti dhe Azemi, sepse ata nuk pranonin që të komandoheshin nga Zvicra. Mu për këtë qëllim, Xhaviti dhe Azemi nuk u dërgonin armë e financa atyre dhe e quanin të dënueshme po që se u dërgonin të tjerët.
Tjetra, pastaj.
Kur shpërtheu kryengritja e armatosur, ku ishte Shtabi i Përgjithshëm, Azem Syla që bartte çizme e “hekura” në Tiranë; Xhaviti që vegjetonteve nëpër kafehane të Tiranës? Përse atëherë konflikti në mes të Xhavit Halitit e Azem Sylës kundër Kryesisë në mars-prill 1998? Për të mos e zgjatur, Shtabi zuri të formohej tek në qershor 1998, kur Drejtor i Drejtorisë operative u caktua Bislim Zyrapi. Vetëm atëherë u vendos që në Shtab të Përgjithshëm të merrnin pjesë të gjithë komandantët e zonave, bashkë me Xhavitin dhe Azemin, që sorollateshin vetëm në Tiranë, me Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, si “ndërlidhës”, përkatësisht si drejtorë në drejtoritë politike dhe të shërbimit informativ dhe Jakup Krasniqit si Zëdhënës.
Unë e kuptoj se për të gjithë diletantët, që nuk kishin idenë se ç’është ushtria dhe çfarë është shtabi i përgjithshëm, sigurisht që ekzistonte shtabi i përgjithshëm, ama atij vetëm era shtab i mirëfilltë nuk i vinte. Me këtë nuk dua të them se të gjithë ata që i quanin improvizimet shtab i përgjithshëm, nuk donin të kishim Shtab të Përgjithshëm, por ama duhet të pranojmë se nuk kishim mundur ta formonim e konsolidonim para se të shpërthente kryengritja dhe kur ajo na gjeti pa të, vetëkuptohet se ishte e vështirë që të formohej. Po i akuzoja si komplotistë sidomos Xhavitin e Azemin, jo për tjetër, por se kishin një koncept të tyre për ushtrinë, që ta mbanin të vogël në numër. Ajo të bënte aksione gjithashtu të vockla, e kështu me radhë, por, gjithsesi, të ishte e komanduar vetëm prej tyre. Me kaq ndiheshin të vetëmjaftueshëm, të kënaqur. Jo vetëm gjatë viteve 1996 -1998 “gjysma” e Sektorit të rëndësisë së veçantë (Xhaviti dhe Azemi), nuk i kishin ndihmuar zonat, por edhe pastaj, derisa mbaroi lufta, ata përpiqeshin të bllokonin armatimin e të gjitha zonave. “Gjysma” tjetër, ndërkaq (Aliu dhe Jashari) ishin dhe angazhoheshin për të armatosur e ndihmuar me financa të gjitha zonat. Këto janë fakte që kanë ndodhur në terren dhe ushtrisë sonë nuk ia ulim vlerat nëse i themi të vërtetat. Përkundrazi, vlerat do t’ia ulnim po të pranonim të dezinformonim, se UÇK-në e ka komanduar Azem Syla dhe Xhavit Haliti.
Për të përforcuar vlerësimet tuaja, pos faktit se shumica në Këshill të Përgjithshëm ishin kundër kritikave të mia, sjell edhe Ilir Konushevcin si dëshmitar për mos ekzistim të shtabit të përgjithshëm. Vërtet atë e kishte “deleguar” Zona e Llapit për në Shtab të Përgjithshëm. Por, Iliri, për të gjallë të tij, nuk ka marrë pjesë në ndonjë mbledhje të shtabit, pos që i bënin lajka herë Xhaviti e herë Azemi se ai ekzistonte dhe se Iliri ishte anëtar i tij. Ai ishte udhëheqës i Sektorit logjistik, sepse bashkë me bashkëluftëtarë e kishte ngritur atë dhe prandaj e kishte merituar të ishte. Tjetër strukturë logjistike Ushtria nuk kishte. Por, a kishte Sektori logjistik buxhet të vetin? Nuk kishte. Iliri herë pas here u përshpirtej Xhavitit dhe Azemit për financa dhe ata i jepnin ca mjete modeste, sa për t’i treguar se nuk ishin të barabartë, sa për t’i treguar se ata që kishin kuletën, prandaj edhe komandonin.
Duke parë gjendjen në terren, nga mesi i prillit 1998 vendosa të kthehem në Gjermani, të konsolidoj logjistikën e Fondit dhe të përkujdesem që të gjitha mjetet financiare t’u shkojnë vetëm zonave, qoftë si armë, qoftë si të holla, dhe, mundësisht, asnjë të mos u bjerë në dorë Xhavitit e Azemit. Fatmirësisht kështu ka ndodhur. Prandaj janë përpjekur që të më komplotojnë, që edhe këto mjete t’i shtinin në kthetrat e tyre, por nuk ia dolën dhe për këtë isha krenar dhe u bëra krenar edhe më shumë pas lufte, kur mësova shumë të vërteta të hidhura të asaj kohe.
(Bedri Islami – B.I. / Ndërhyrje:) – Ti, Ibrahim, flet sikur fondi në Gjermani ka qenë pronë e ytja dhe se vetëm ti kishe të drejtën e komandimit të tij. Në të vërtetë nuk ka qenë kështu, pasi fondi, edhe në Gjermani, ka patur grupin e tij drejtues e kontrollues, ishte i lidhur me pjestarë të shtabit dhe, po ashtu, edhe me kryesinë e fondit, që ndodhej në Zvicër. Nga ana tjetër, unë e di fare mirë se, në kohë të ndryshme, pikërisht nga fondi që flet Ti, u janë dërguar shuma të ndjeshme financiare pjesëve të lidhura me këtë anë të shtabit, i cili, vazhdoj të mbroj mendimin tim, ka ekzistuar, dhe për kohën, ashtu si rrodhën ngjarjet, ka bërë pjesë të rëndësishme të punës së tij. Nganjëherë, përplasjet që keni pasur në vite, kanë qenë të ashpra, por edhe afrimet e bashkëpunimet kanë qenë të vyera. Këtë nuk e them për të zbutur qëndrimet mes jush, sepse nuk u kam trajtuar kurrë si dy palë të kundërta, por të ndryshme, por për të saktësuar ngjarjet që kanë ndodhur atëherë. Ne, të dy, kemi qenë të pranishëm në Mbledhjet e Këshillit të Përgjithshëm, dhe kundërvëniet ndaj disa pikëpamjeve apo qëndrimeve Tuaja, nuk kanë ardhur nga sektarizmi, sepse nuk ishin të gjithë sektarë, dhe si ke thënë disa herë, në organizatë ka qenë tejet i pranishëm mendimi ndryshe, por edhe nga parimet që herë pas here janë shkelur. Ti e ke parë të keqen, në se mund të them kështu, tek dy apo tek katër njerëz, të cilët, duke qenë në pozita drejtuese, kanë bërë aq sa kanë mundur, ndërsa unë e shoh tek devijimi që ka ndodhur, tek shprishja që mund të mos ishte. Ashtu edhe mbështetja që ka ndodhur me pikëpamje të tjera Tuaja, nuk ka ardhur nga familjariteti apo se ishit të njohur të vjetër, por sepse janë gjetur të drejta e të sakta.
(Ibrahim Kelmendi – I.K.) Më lejo të përfundoj mendimin tim. Tani po i rikthehem pyetjes suaj. Lidhjet e mia me Sektorin e rëndësisë së veçantë ishin aktive. Sa herë që pjesëtarët e Sektorit më ngarkonin me angazhime, i kryeja. Më konkrete kanë qenë lidhjet me Ali Ahmetin dhe Jashar Salihun. Qysh në vitin 1996 Aliu na kishte angazhuar Fehmi Lladrovcin dhe mua të merreshim me ushtarakët profesionistë shqiptarë, të cilët kishin mbaruar akademi ushtarake dhe kishin bërë karrierë në Ushtrinë e Jugosllavisë (APJ). Për të qenë më të sigurt, ata na kishin udhëzuar që të orientoheshim për të afruar ushtarakët e sprovuar në luftërat e Sllovenisë, Kroacisë dhe të Bosnjës. Bazuar në këtë udhëzim, Fehmiu dhe unë jemi angazhuar që të përafrojmë ushtarakë që nga viti 1996 e këtej dhe për këtë kemi folur më herët. Ai angazhim që shpaguar, sepse angazhimi i tyre në UÇK i dha asaj formën dhe përmbajtjen e Ushtrisë.
Me Jashar Salihun, Drejtues kryesor i Fondit “Vendlindja thërret” nga viti 1996 e tutje, kemi pasur bashkëpunim të ngushtë, fal edhe shoqërimit tepër të afërt dhe respektit të ndërsjellë mes nesh, me bazë që në kohën e angazhimit të Jusuf Gërvallës. Bashkëpunimi me Jasharin ka funksionuar ndonjëherë duke anashkaluar edhe përcaktimet e koordinatorit të Sektorit, Xhavitit, por edhe të Kryesisë. Po të sjell shembuj.
Ndonjëherë Nëndega e LPK-së në Gjermani, qysh nga viti 1996, dërgonte ndihma financiare në Drenicë, Llap e Dukagjin, duke anashkaluar organizimin dhe kompetencat e centralizuara organizative. Këto i miratonte Jashari, edhe pse pastaj me kritikonte koordinatori i Sektorit dhe Kryesia. Natyrisht, për t’u mbrojtur nga kritikat e tyre, nuk dekonspiroja se kisha miratimin e Jasharit, të Aliut e të ndonjërit që ishte në pozita udhëheqëse, sepse nuk doja t’u shkaktoja atyre vështirësi më të mëdha. Gjatë këtij angazhimi kemi pasur përplasje, por i kemi tejkaluar ato, duke gjetur zgjidhjet më të mira, vetëkuptohet, të mundshme në kohë e hapësirë, të cilat kanë rezultuar me sukses.
Ta zëmë, qysh më 1996 kanë filluar t’i vinin kërkesa për ndihma financiare Nëndegës së LPK-së në Gjermani nga bërthamat e Ushtrisë në Drenicë, Llap e Dukagjin. Nga Drenica, kërkesat na vinin përmes Fehmi e Ramiz Lladrovcit; nga Llapi, përmes Sabri Kiçmarit e Ali Ramës; nga Dukagjini, përmes Xhemajl Fetahut e Sali Kelmendit. Dhe ne u kishim premtuar atyre se do t’i ndihmonim, siç edhe vepruam. Kisha besimin se Kryesia dhe Sektori i rëndësisë së veçantë po anashkalonte ndihmesën e atyre zonave, për shkak të shkëputjes së lidhjeve që ndodhnin nga goditjet e herëpashershme nga forcat e specializuara pushtuese serbe. Më vonë më rezultoi se ishin bërë anashkalime nga Sektori i rëndësisë së veçantë, nga se kishin zënë të ndihmonin vetëm të dëgjueshmit e tyre në Kosovë dhe ata, të dëgjueshëm, nuk ua përcillnin ndihmat financiare zonave. Pata formuar bindjen, se përmes mjeteve, Xhavit Haliti dhe Azem Syla donin të shtinin nën kontrollin e komandimit individual të tyre çdo gjë që kishte lidhje me luftën, pa pasur koncept, dije e përvojë, se si ndërtohet dhe komandohet një ushtri.
(Bedri Islami – B.I.) – Sidoqoftë nuk duhet harruar se Lëvizja, si krijuese dhe drejtuese e UÇK-së, njeriun e saj kryesor në strukturat e luftës kishte deleguar pikërisht Xhavit Halitin, meqenëse pikërisht ai ishte emëruar si drejtues i Sektorit të Rëndësisë së Veçantë, apo më shkoqur, si drejtuesin e sektorit ushtarak, që ishte edhe pjesë e Shtabit të Përgjithshëm. Parë në parim, edhe kërkesa e tij, që gjërat të kalonin përmes sektorit, është e arsyeshme, pasi mund të mendohet se, duke qenë ata të zotët e punës, e dinë më mirë se ku i pikon çatia dhe se çfarë duhet bërë. Pastaj ne flasim për fillimet e luftës, fillimet e lëvizjes së armatosur klandestine. Që ndërtimi i UÇK-së po bëhej në klandestinitet të plotë tregon edhe një diskutim yti në Këshillin e Përgjithshëm, më 23 maj 1998. Aty ti ke thënë se e kishit kuptuar se vëllai yt, Qerimi, i njohur si Dema ose Shpirtmadhi, ishte ushtar i Ushtrisë, vetëm pasi ishte plagosur dhe në shtëpinë tuaj në Kosovë kishin filluar arrestimet dhe keqtrajtimet e njerëzve tuaj të afërt. Por, ju e dinit se Qerimi dhe Sali Kelmendi kishin kohë që blinin armë. Si mësuat për pjesëmarrjen e tij në ushtri? Më intereson përgjigja e saktë, për të dalë më pas në një pyetje tjetër?
(Ibrahim Kelmendi – I.K.) – Të lutëm, me mirëkupto, edhe unë kam votuar që Kryesia të formoi Sektor të rëndësisë së veçantë, por ama votën nuk ia kisha dhënë blanko dhe të përjetshme. Nga viti 1996 e kam kuptuar se Xhaviti, i caktuar si koordinues, nuk po e ushtron atë përgjegjësi si duhet, prandaj kam filluar ta kritikoj dhe t’i kundërvihem. Sidomos nga mbledhja e Kryesisë, në mars të vitit 1997, kur u thirra të jap llogari pse po u dërgonim ndihma zonave në Kosovë. Kurse Kryesia e kuptoi tek në prill të vitit 1998, por atëherë ishte bërë vonë. Për fillesat e angazhimit të Qerimit dhe të Salihut, me bashkëveprimtarë të tyre, qysh në vitin 1991, kam shpjeguar më herët. Këtë e dija, sepse ata më detyronin t’u jepja ndihma financiare, nga ato që ishin të Shtëpisë Botuese “Iliria”, menaxher i së cilës isha zgjedhur nga investitorët. Kurse më konkretisht, gjatë vitit 1996, për bërthamat e ushtrisë në Drenicë jam informuar nga Fehmi e Ramiz Lladrovci, Ilaz Kodra e Sami Lushtaku; për Llap, nga Ali Rama (i caktuar si korrier nga Zona e Llapit) e Sabri Kiçmari; për Dukagjin, nga Xhemajl Fetahu e Sali Kelmendi. Ndërsa nga mesi i dhjetorit 1996 kam shkuar vetë në Tiranë, bashkë me vëllanë, Dautin, që punonte në Zvicër, për të vizituar Qerimin e plagosur dhe për të ndihmuar shërimin e tij. Atje kam takuar Adrian Krasniqin, madje në banesë të tij, afër Urës në Rrugën e Elbasanit, ku edhe kemi pritur Vitin e Ri 1997. Po gjatë asaj vizite kam takuar Zahir Pajazitin dhe të tjerë bashkëluftëtarë të tyre. Me atë rast jam bindur se Ushtria po rritej e konsolidohej, sepse pata fatin të njihesha me personalitete të devotshme të saj.

(Titulli dhe ilustrimi janë të pashtriku.org)

– Shkëputur nga libri: (Bedri Islami – “Lëvizja – Lindje e përgjakur” – Bashkëbisedim me Ibrahim Kelmendin – Kapitulli VIII. Përgatitja e luftës dhe fillimet e saj”, faqe 290 – 300)
________________
IBRAHIM KELMENDI: “FEHMI LLADROVCI PARASHIKONTE FILLIMIN E LUFTËS” & BEDRI ISLAMI: “NUK E KAM KUPTUAR KU QËNDRON KOMPLOTI I XHAVIT HALITIT”
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=5109

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura