Prishtinë, 16. 03. 2016: Po jetojmë në kohën e mohimit të krijuesve të vlerave më të larta kombëtare, lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, dhe të afirmimit të përfituesve të këtyre vlerave. Të premtën, më 11. 03. 2016, në përvjetorin e 35-të të demonstratave të ‘81-shit, Kadri Kryeziu, në atë kohë student dhe tani profesor në UP, përmes emisionit Info Magazine në TV Klan Kosova, gënjen publikisht dhe përpiqet të dezinformojë opinionin e gjerë për bartësit e protestave gjithëpopullore të vititi 1981. Ai me mburrje dhe krenar, fjalë për fjalë, deklaron: “Ne ishim në burgje, por jemi krenarë me atë që e bëmë. Ne në atë kohë nuk i kishim profesorët krah nesh. Vetëm Ukshin Hoti e përkrahte në mënyrë indirekte protestën. E kuptoj që mbretëronte frikë, për shkak se ishim në kohë komuniste…..“
Burracaku, gënjeshtari dhe mashtruesi Kadri Kryeziu!
Pra, sipas këtij mburracaku, Ukshin Hoti, i cili, nga marsi deri në nëntor të vitit 1981, kur u arrestua një grup i intelektualëve, – në mbledhjet e profesorëve universitarë, ku merrnin pjesë anëtarë të LKJ-së, inspektorë dhe spiunë të UDB-së, – mbrojti haptas dhe në mënyrë brilante demonstratat e atij viti dhe kërkesat e tyre për Kosovën – Repubilkë;
Ukshin Hoti, i cili, për tetë muaj, sa zgjaten hetimet, qëndroi i pathyeshëm në mbrojtje të kërkesave të demonstrantëve dhe, në seancat gjyqësore, argumentoi arsyeshmërinë e kërkesës Kosova-Republikë;
Ukshin Hoti, i cili nuk e pranoi vlerësimin e përbashkët të krerëve politikë e shtetërorë të asaj kohe (të Kosovës, Serbisë dhe Jugosllavisë), për karakterin armiqësor të demonstratave dhe të kërkesës së tyre për Kosovën-Republikë, i cili e dënoi dhunën shtetërore serbo-jugosllave kundër rinisë kosovare, dhe, i cili, për këto arsye, u dënua me burg në kohëzgjatje prej 9 (nëntë) vjetësh;
Pra, Ukshin Hoti, i cili gjithë jetën e tij e lidhi me kërkesën Kosova-Republikë, i cili u identifikua me Republikën e Kosovës dhe, i cili, edhe pas ngjarjeve të ’81-shit, u shndërrua në simbol të Republikës së Kosovës, sipas burracakut Kadri Kryeziu, s‘paska qenë tjetër veçse “përkrahës indirekt i protestës së studentëve“!!!
Profesorët e tjerë universitarë: Halil Alidemaj, Muhamet Terrnava, Shaqir Shaqiri, autorin e këtyre radhëve, të cilët, në të njëjtin vit dhe për të njëjtat ngjarje, u arrestuan dhe u dënuan me shumë vjet burg, bashkë me Ukshin Hotin, dhe profesorët e tjerë, të cilët, për qëndrimin e tyre ndaj ‘81-shit, u përjashtuan nga procesi mësimor, – mohuesi Kadri Kryeziu, nuk i përmend fare. Sipas tij, ata “nuk ishin në krah të studentëve“!!!
Moderatori i emisionit Info Magazine, Kushtrim Sadiku, në vend të ndonjë pyetjeje sqaruese, për të ndriçuar qëndrimin e profesorëve universitarë, ose për ndriçimin e qëndrimit, tashmë të mirënjohur, të Ukshin Hotit, ndaj demonstrative të ’81-shit, – me disponim të papërmbajtur, e aprovante me kokë mjegullnajën që po e përhapte mohuesi Kadri Kryeziu, mbi figurën e Ukshin Hotit, – ngjashëm me disponimin e papërmbajtur të shefit të tij, kryemohuesit Baton Haxhiu, kur flet për “të bëmat” e bartësve të demonstrative të vitit 1981 dhe për „të bëmat“ e bartësve të luftës sonë të fundit, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Tashmë s’kemi të bëjmë vetëm me një rast, por me një dukuri të përbaltjes së vlerave e të figurave tona kombëtare, që është përhapur, pothuaj, në të gjitha mediet shqiptare.
Është kohë e mburracakëve, e gënjeshtarëve, e mashtruesve. Kohë e mohimit të krijuesve të vlerave më të larta kombëtare, lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, dhe e afirmimit të përfituesve të këtyre vlerave.
___________________
SHERADIN BERISHA: UKSHIN HOTI, EMBLEMË E FILOZOFISË POLITIKE SHQIPTARE (1 – 3)
””
Pjesa 1: https://pashtriku.org/?kat=62&shkrimi=1606
***
Pjesa 2. https://pashtriku.org/?kat=62&shkrimi=1607
***
Pjesa 3: https://pashtriku.org/?kat=62&shkrimi=1608