Vjenë, 21. 03. 2016: Behajdin Allaqi ishte një intelektual e patriot që nuk i duronte dot stolirat në politikë, përkundrazi ai e urrente pa masë romantizmin e folklorizmin në Politikë. Ishte ithtarë i krijimit të një mendimi të Ri Politik, që kishte të bënte me depolitizimin e masave të gjëra dhe krijimin e një elite të re politike… e cila Politikën do ta kuptonte – akceptonte si një teori të pozitivizmit dhe funksionalitetit të saj, si një kategori institucionale dhe mbi të gjitha si një proces jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe serioz në ndërtimin e vizionit për një Shtet të ardhshëm të Kosovës. Sot, Behajdini i mungon shumë Prizrenit, i mungon Kosovës…, pra sot mungon mendimi i tij i mprehtë Politik dhe praktik. Behajdini na mungon të gjithë neve që e njohëm dhe vepruam së bashku, për më tepër i mungon familjes së tij! Dhe, mungesa e tij është një mister që kërkon zbardhje – zgjidhje.
Bashkëveprimtarrët: Bashkim Mazreku, Behajdin Allaqi, Arsim Braha dhe Abdullah Abdullahu.
***
Shuarja e Behajdin Allaqit (qershor 1998) dhe përballja me Hashim Thaçin në Vjenë (korrik 1994)
Kam ndjerë një tronditje të madhe, të pazakontë do të thoja, në ditët e fundmuajit qershor 1998 kur në një mënyrë jo fortë të zakonshme më shprehu ngushllime për Behajdin Allaqin, veprimtari i LPK-së Shyqëri Bytyqi (vëllai i Murat Bytyqit poashtu veprimtar i LPK në Suharekë) në banesën e tij në Wells të Austrisë, pas një aktiviteti të Fondit „Vendlindja Thërret“.
Ndërkohë kam risjellur në kujtesë një takim jo të këndshëm që kam pasur me Hashim Thaçin, në Vjenë!
Në korrik të vitit 1994, në një takim të organizuar nga Dr.Xhevat Hasani (në banesën e tij), ishte ftuar edhe Hashim Thaçi. Dr.Xhevati dhe veçanërisht Hashim Thaçi, ka provuar të më bind se Behajdin Allaqi ishte bashkëpunëtor i UDB’së. Më ka mbetuar i pashlyer në kujtesë këmbëngulja dhe pohimi i vazhdueshëm i tyre, se kanë fakte për Behajdinin se ishte i itillë! Në kërkesën time të përsëritur disa herë që t’i bëjnë publike këto fakte, në mënyrë që strukturat organizative të LPK-së për rrethin e Prizrenit të përballen me këtë çështje, ata, e sidomos Hashimi nuk ishte në gjendje të ofronte diçka konkrete, përpos shpifjeve.
Pastaj përpjekjet shantazhuese të Hashim Thaçit, gjoja se ne rrethi i LPK’së për Prizren, nuk kemi bërë asgjë, dhe se shumë vendime të kryesisë Qëndrore nuk janë realizuar, më kanë dhënë një sinjal të qartë se, komploti kundër Behajdinit tanimë ishte bartur edhe jashtë vendit. Meqë unë isha sekretar organizativ i LPK për rrethin e Prizrenit, e kundërshtova me argumente Hashimin, ngase i dija mirëfilli të gjitha aktivitetet e kryera të LPK’së në rrethinë tonë, dhe njëkohësisht isha mirë i informuar çfarë po bëhej dhe si ndodhi që një pjesë e udhëheqjes së LPK’së për Prizren, Suharekë dhe Rahovec të burgosen, në fillim të gushtit 1993, pas mbajtjes së Mbledhjes së katërt të LPRK’së (LPK’së) në Prishtinë (më 26 – 27 korrik 1993 – sh.b).
Behajdin Allaqi bashkëvepronte me Ukshin Hotin, Bedrush Ҫollakun dhe Xhemajli Berishën
***
Me Behajdin Allaqin më lidhin shumë gjëra, jo vetëm Qyteti i Prizrenit, jo vetëm lagja në të cilën u rritëm së bashku, ku për një kohë të gjatë nuk na ndau as dita e as nata. Të shkruash për Behajdin Allaqin do të thotë të shkruash për një Intelektual, për një politolog (ku për shumë çështje të aspektit Sociologjik me te kosultohej edhe Babai i mendimit Politik Shqiptar Ukshin Hoti), të shkruash për Behajdinin duhet të jesh shumë i kujdesshëm, sepse ai ishte një trim i pafrikshëm, ishte i pakompromisë, donte të vërtetën, ishte njeri i kompletuar dhe mbi të gjitha e donte punën dhe dijen.
Zhvillimet politike të fundviteve të tetëdhjeta dhe fillimit të nëntëdhjetave padyshim vë në pah e shënojnë kulmin e përparimit të Behajdinit si një personalitet lider. Kanë shkruar shumë të tjerë për veprimet, punën dhe aktivitetin e organizuar të Behajdin Allaqit, ndërsa unë po provojë të shpërfaq në mënyrë kronologjike një pjesë të jetës së këtij strategu.
Punësimi i tij në Gjimnazin e Prizrenit si Profesor i Sociologjisë – Filozofisë, shënon edhe kthesën e madhe në fillimin e një rreshtimi të ri dhe të veçantë të përgatitjes së aktivistëve të rinjë për ballafaqimet që do t´i prisnin ata në procesin e shkatërrimit të një Sistemi Shtetërorë Antishqiptarë, siç ishte Juogosllavia. Ai për një kohë shumë të shkurtër do të krijojë një rreth të organizuar në kolektivin e tij të punës, dhe këtu vlen të veçohen Prof. Xhemajli Berisha, Besnik Krasniqi, Shaip Buduri e shumë të tjerë. Me këtë kuadër Behajdini arriti që nxënësit e Gjimnazit t´i vë në shërbim të çështjes, duke organizuar një mori aktivitetesh kundër Pushtetit Komunal të Prizrenit. Ai ishte shumë pragmatik, dhe kishte një prirje të veçantë në mobilizimin e masave të gjera.
***
Në fund të viteve të tetëdhjeta ashtu si në gjithë Kosovën edhe Prizreni u përcollë me shumë turbulenca, LKJ-ja po jepte frymën e fundit shkapërderdhja kishte filluar dhe fundi dihej, po perëndonte një Sistem Politik totalitar, dhe në vend të tij po lindëte një sistem i ri. Kontributi i Behajdinit në këtë periudhë ishte i madh, me organizimin e shumë aktiviteteve ilegale të LPRK-së në Prizren dhe rrethinë. Behajdini si udhëheqës i organizatës koordinonte të gjitha veprimet, përpilonte shkresa, pamflete, trakte etj, të cilat pastaj ne i shpërndanim gjithandej. Në këto aktivitete kanë marrë pjesë: Musa, Nijaziu, Begushi, Beqiri, Xhemajliu – vëllai i Behajdinit dhe Krenarja – motra e tij, Sinani, Iljazi e shumë të tjerë.
Si në çdo qytet tjetër të Kosovës edhe në Prizren, me themelin e LDK-së anëtarët e LPRK-së kanë zhvilluar një dualizëm politik, dhe në këtë kuadër roli i Behajdinit ishte i jashtëzakonshëm. Kjo periudhë ishte më e vështirë, për faktin se puna legale rezultoi me dekonspirim të Behjadinit dhe shokëve të tij.
Asokohe për këtë çështje u zhvilluan shumë debate e konsulta. Behajdini për këto zhvillime konsultohej shpesh me Ukshin Hotin dhe këtë gjë e bënte shumë herë në Krushë të Madhe, të shoqëruar nga unë dhe Bashkim Mazreku. Këto biseda e konsulta më vonë artikuloheshin e bëheshin tema të shumë tribunave Politike të organizuara gjithandej nëpër Kosovë. Më kujtohet një takim të mbajtur në Sallagrazhdë të Therandës (Ish’ Suharekës) në shtëpinë e atdhetarit Hysen Gega ku merrnin pjesë: Iljaz Kadolli, Ibrahim Shala, Abdullah Abdullahu, Behajdin Allaqi, Ramadan Avdiu etj., kur Behajdini me prirje të një Intelektuali të mirfilltë trajtoi gjithanshëm dukurinë e veprimit tonë politik Legal dhe Ilegal në të njejtën kohë.
***
Behajdin Allaqi gjithë potencialin e tij organizativ dhe politik e kishte konceptuar në përpjekjen për të dalur nga kthetrat e robërisë serbe, në këtë përpjekje ai kishte rreth vetes një ekip të gjerë aktivistësh, patriotësh e profesionistësh nga Prizreni si: Bedrush Çollaku, Salajdin Braha, Asllan Shala, Bashkim Mazreku, Arsim Braha, Besnik Krasniqi, Shaip Buduri, Përparim Asllanaj dhe shumë e shumë të tjerë, me të cilët për çdo ditë ai po ndërtonte një vizion të qartë të luftës për çlirimin e Kosovës.
Behajdin Allaqi me vëllaun Xhemaliun dhe bashkëveprimtarët e tij në Prizren.
***
Behajdin Allaqi ishte një intelektual e patriot që nuk i duronte dot stolirat në politikë, përkundrazi ai e urrente pa masë romantizmin e folklorizmin në Politikë. Ishte ithtarë i krijimit të një mendimi të Ri Politik, që kishte të bënte me depolitizimin e masave të gjëra dhe krijimin e një elite të re politike…e cila Politikën do ta kuptonte – akceptonte si një teori të pozitivizmit dhe funksionalitetit të saj, si një kategori institucionale dhe mbi të gjitha si një proces jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe serioz në ndërtimin e vizionit për një Shtet të ardhshëm të Kosovës.
***
Sot, Behajdini i mungon shumë Prizrenit, i mungon Kosovës…, pra sot mungon mendimi i tij i mprehtë Politik dhe praktik. Behajdini na mungon të gjithë neve që e njohëm dhe vepruam së bashku, për më tepër i mungon familjes së tij! Dhe, mungesa e tij është një mister që kërkon zbardhje – zgjidhje!