PROF.DR.AGIM ZOGAJ: SI I NJOHA SHABAN, HAMËZ E ADEM JASHARIN?

Prishtinë, 7 mars 2020:

Në Kullën e Jasharve legjendarë
Dalja e parë publike e UÇK-së, më 28 nëntor 1997 për popullin e Kosovës ishte paralajmërimi më i fuqishëm se çlirimi nga sundimi serb-jugosllav ishte afër. Në fakt, paraqitja e parë publike e UÇK-së i bëri me dije popullit të Kosovës se, nga gjiri i saj kishte lindur, dalë zotësja e idealeve çlirimtare të popullit tonë, ushtria shqiptare e cila i kishte dalë përballë armikut serb. Zemrat dhe shpirtrat e gjithëshqiptarëve, jo vetëm në Kosovë, pas atij 28 Nëntori të Tretë Shqiptar u përndezën, u lumturuan, sepse stërnipat e Gjergj Kastriotit, Ismail Qemalit, Abdyl Frashërit, Sylejman Vokshit Mit’hat Frashërit, Azem Bejtës, Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Shaban Polluzhës, Zahir Pajazitit, Adem Demaçit i kishin rrokur armët në duar dhe po luftonin për çlirim, liri dhe për bashkim kombëtar. Ndërkohë, 22 janari i viti 1998, në qendër të vëmendjes së zhvillimeve në Kosovë e solli familjen Jashari nga Prekazi i Drenicës.

Në mëngjesin e hershëm të 22 janarit të 1998-ës, forca të mëdha ushtarake, paraushtarake dhe policore të okupatorit serb-jugosllav sulmuan me arsenal të fuqishëm të armatimit familjen trime të Jasharve. Shumë shpejt, historia e atij sulmi barbar serb dhe njëherazi historia e qëndresës heroike e të pamposhtur të kryefamiljarit të Jasharve, Shaban Murat Jashari me djemtë e tij trima, Hamzën, Ademin dhe familjarët e tjerë, u bënë lajm qendror politik, kombëtar në Kosovën e asaj kohe. Mbi të gjitha, në popull, me shumë dashamirësi u prit dhe u nderua qëndresa, lufta, beteja heroike dhe guximi i jashtëzakonshëm i Jasharve për tu përballur me armikun serb.

Ajo betejë e madhe e familjes Jashari, e cila i dha frymëzim tërë lëvizjes sonë kombëtare në Kosovë dhe më gjerë anë e mban shqiptarisë, ishte një zgjim i yni kombëtar, dëshmi se, shqiptari është i vendosur që, me jetë a vdekje ta mbrojë pragun e shtëpisë dhe lirinë e vetë. Ndërkohë, pas 22 janarit 1998 thuajse e tërë Kosova, i madh i vogël u drejtuan kah Drenica jonë heroike për t’i dhënë përkrahje morale trimave të Jasharve, në Prekazin heroik, në Djepin e legjendave, në tokën e larë nga lotët dhe gjaku, gjatë historisë, të mbushur me varre! Ishte ai, një solidarizim i jashtëzakonshëm i popullit tonë me guximin dhe trimërinë e një prej familjeve e cila, si dikur në kohërat e Skënderbeut, ishte shndërruar në një nga legjendat e popullit tonë heroik. Kryetrimi, Adem Jashari, me babain Shabanin, vëllaun Hamzën dhe bashkëluftëtarët, edhe para 5 marsit 1998, në betejat kundër pushtuesve serbë, e kishin ngritur lartë, Flamurin e Lirisë! Shkëlqimi ademian, ndërsa, ishte bërë një shkëlqim mitik, më tepër se hyjnorë, sikur në epokën e Gjergjit tonë!
Më 24 janar 1998 kisha nderin e jashtëzakonshëm që ta vizitoja familjen Jashari në Prekaz, të bashkëbisedoja me trimat e lirisë, duke qëndruar në Kullën e Jasharve për afro tre orë. Në Skënderaj, në orët e hershme të paradites së 24 janarit 1998, mua dhe kolegët nga javorja politike shqiptare “Zëri” na priti, drenicasi, Remzi Bunjaku me të cilin u nisëm drejt Kullës së Jasharve. Ishim nisur me mision që ta regjistronim rrëfimin për historinë e familjes Jashari, prandaj, sidomos, duke pasur informacion për luftën e Jasharve kundër forcave serbe, isha shumë kureshtar që t’i takoja drejtpërdrejt.
Me të arritur tek hyrja e Kullës, takuam një numër të madh të bashkëkombësve të cilët kishin ardhur nga të gjitha viset e Kosovës dhe prisnin në rend për të hyrë në odën e Jasharve. Meqenëse mikpritësi ynë, e kishte paralajmëruar vizitën tonë, nuk vonoi shumë dhe dikush nga djelmoshat e rinj, të cilët mbanin rendin, na tha se mund të ngjiteshim lartë, shkallëve për të hyrë në odë. Oda ishte e mbushur përplot me vizitorë, luftëtarë, kurse në ballë të odës po qëndronte kryeplaku Shaban Murat Jashari. Të pranishmit shprehnin solidarizim për luftën e Jasharve kundër hordhive serbe. Meqë, mysafirët ndërroheshin nga çasti në çast, në odë mbretëronte një atmosferë sikur në legjendat shqiptare. Ndjehej një atmosferë trimërie, guximi, qëndrese për ta çliruar, Atdheun me çdo kusht. Në ato çaste, jo vetëm nga fjalët e atyre burrave e trimave drenicarë, por, edhe nga shikimet, e nganjëherë edhe nga heshtja e tyre, e ndjeja se lufta frontale kundër Serbisë, po afronte. I madh e i vogël ishin bërë gati për betejën vendimtare… Gjatë tërë kohës sa ishim në odë, në ballë të së cilës qëndronte flamuri kombëtar, kryeplaku Shaban Murat Jashari rrinte në heshtje dhe rrallë e fliste ndonjë fjalë. Ai e parandiente se, në marsin e krenarisë, së bashku me djemtë trima, nipat, mbesat, gratë kreshnike të shtëpisë, nën emblemën e ndritur të UÇK-së, do ta fillonte luftën, betejën vendimtare kundër hordhive serbe! Shaban Murat Jashari, e dinte se, Atdheu nuk ka çmim!
Pas një kohe, dola nga oda, sepse, dikush më tha se do ta takoja Hamëz Jasharin, të cilin, ende, nuk e njihja. Zbrita shkallëve, dhe së bashku me disa të rinj, qetësisht, me përshtypje të shumta nga ambienti, ku për herë të parë e shihja UÇK-në, po ecja prapa, një personi i cili, kishte të veshur një pallto ngjyrë hiri. Kaluam nëpër oborr dhe, përmes disa shkallë të tjera arritëm në objektin tjetër të kompleksit të Kullës së Jasharve. Për një çast, dikush më pëshpëriti në vesh se, personi i përmendur ishte Hamëz Jashari, nga i cili do ta regjistroja rrëfimin për historinë e familjes Jashari, për luftërat, qëndresat që, heroikisht, u kishin bërë pushtuesve, hordhive serbe.
Kisha hyrë në dhomën, e cila në fakt ishte dhoma e ndejës për familjarët e Hamzës. Më duhet ta pranoj, edhe sot, se në ato çaste ndjeja një emocion shumë të veçantë. Sidoqoftë, po e kuptoja, ndjeja se gjendesha në një familje me histori dhe me traditë të thellë të atdhetarisë, dhe se, për dallim nga Prishtina e përgjumur e atyre kohërave, e zbehur dhe e pashpirt, në odën, në oborrin e Jasharve, po e ndjeja veten shumë më i trimëruar, shumë më afër dhe më i vendosur që, të kërkoja t’iu bashkëngjitesha djemve të UÇK-së! Nuk më shkonte mendja, se vetëm disa muaj pas kësaj vizite, në cilësi të korrespondentit të Programit shqip të Radios Gjermane “ Detutsche Welle” do të raportoja për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, luftën e ushtrisë së lavdishme të popullit tim, kryekomandant legjendar i të cilës ishte, Adem Jashari.
Adem Jashari me shikimin skenderbegian
Posa u ula, Hamëz Jashari e hoqi pallton ngjyrë të gjelbër dhe, para syve të mi u shfaqën emblemat e UÇK-së. Ai, e vërejti se po e shikoja me plot emocion lumturie . Në murin e bardhë, afër dritares, prej nga shihej pikë qëndrimi i forcave serbe, te Fabrika e Municioneve, ishin të vendosur tre automatikë, ndërsa nëpër dhomë, e sidomos prapa derës, kishte municion të llojeve të ndryshme, fishekë dhe bomba dore. Në ato çaste, po e kuptoja dhe po e ndjeja se, isha në çerdhen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në çerdhen e kryengritësve shqiptarë. Me ngadalë, me qetësi dhe me një urti shqiptare, Hamëz Jashari, ai trim Drenice, nisi të rrëfente për historinë e familjes Jashari, nga katragjyshi, gjyshëritë dhe deri te kontributi atdhetar i, kryeplakut, Shaban Murat Jashari. Pas rrëfimit mbresëlënës, gati tre orësh, erdhi koha për tu larguar nga Kulla e Jasharve, pa e parandie se, aty po shkruhej historia e lirisë së vendit tim, deri asaj pranvere, Kosova jonë, tokë e robëruar!

Përmes shkallëve, zbritëm për në oborr, ndërkohë që i shikoja muret e plasaritura nga granatat dhe nga plumbat e okupatorit serb, gjurmët e luftës së 22 janarit 1998. Në oborrin e Jasharve po shikoja pamje të jashtëzakonshme. Adem Jashari, kryekomandanti i UÇK-së, i veshur me uniformë lufte, të UÇK-së po qëndronte i rrethuar nga një grup pjesëtarësh të UÇK-së, djem të rinj Kosove, asnjëri prej të cilëve, nuk i kishte mbushur as të njëzetat. Pamje, për histori!
U përshëndetëm, për herë të parë dhe të fundit! Adem Jashari, i kishte vënë duart prapa shpinës kurse, me një shikim të rreptë, skënderbegian, mitik dhe po aq hyjnor, e lëshonte vrojtimin e tij, në drejtim të fabrikës së municionit prej nga, vetëm dy mëngjese më parë kishin ardhur sulmet e agresorit serb. Ai trim shqiptar, sypatrembur, së bashku me kryeplakun Shabanin, vëllanë Hamzën dhe trima të tjerë, me guximin e heroit dhe me pamjen, që në ato momente më ngjante me Azem Bejtën, sikur i bënte me dije Serbisë se, ai për jetë a vdekje nuk e lëshon kullën e të parëve. Në fakt, në ato çaste, kur vetëm disa metra përballë e kisha Adem Jasharin, e në të majtë të krahut tim ishte, Hamëz Jashari, si kurrë më parë, e ndjeja se isha në çerdhen e kryengritësve shqiptarë, nën mbrojtjen e UÇK-së. Për herë të parë, shumë afër dhe thellë në perceptim po e ndjeja erën e luftës, aromën e gjakut dhe të varreve! Ishte një ndjenjë, mes të vërtetës dhe legjendës. Jasharët trima, të pamposhtur nga armiku serb, po bëheshin gati për luftën vendimtare, luftën e UÇK-së, luftë, të urdhëruar edhe nga Zoti. Ndjenjë e pa përshkruar më ishte ngulitur në shpirt, aq më parë, sepse, asaj dite janari, derisa qielli ishte nxirë, në oborrin e Jasharve po e ndjeja veten të sigurt, të trimëruar, si kur më parë.
Po flisja me UÇK-në
Hamëz Jashari më tha: Mik, ky është Ademi për të cilin të fola në dhomë, i dënuar nga Serbia me 20 vjet burg në mungesë. Në ato çaste, derisa me Ademin e bëmë nga një përshëndetje nderimi, më bënte përshtypje të thellë qëndrimi dhe pozicioni ushtarak i krye heroit të kohërave moderne shqiptare, i cili,i veshur me uniformën e UÇK-së sikur mezi priste ballafaqimin e radhës me forcat okupatore serbe/jugosllave. Derisa po e përcillja, po e sodisja tërë atë atmosferë në oborrin e Jasharve, me aq shumë ardhje e vajtje të bashkëkombësve tanë nga të gjitha viset e Kosovës, në mendjen time përpiqesha t’i rendisja rrëfimet e Hamzës për historinë e Jasharve. Dhe derisa, në atë mesditë me qiell të trazuar, përpiqesha ta ndjeja fuqinë magjepse në shikimin plumb të Adem Jasharit, përfundimisht e kuptova se, djepi i lirisë dhe i çlirimit të Kosovës nuk ishte në Prishtinë, por në Prekazin e Drenicës, se UÇK-ja, jo vetëm që ishte realitet, por ishte vetë shpirti kryengritës, dalzotës i popullit martir të Kosovës. Po e shihja, po e ndjeja, po e prekja, po flisja me UÇK-në, pa e ditur se më shumë se një muaj nga dita e vizitës sime në Kullën e Jasharve do të fillonte beteja vendimtare për lirinë tonë, Epopeja e 5, 6, 7 marsit të 1998, Epopeja e Jasharve legjendar, Epopeja e UÇK-së së përndritur! Adem Jashari, po e mbante në dorë zjarrin kryengritës për ta ndezur, anë e mban Atdheut Kosovë, flakën e lirisë!
Duke u përshëndetur dhe duke u përqafuar me Hamëz Jasharin, sikur të ishim njohur 100 vjet jetë, e pyeta: Sa ka shtrirje UÇK-ja përveç në Drenicë? Hamëza, përherë i urtë dhe guximtar, më shikoi i qetë, e lëshoi një buzëqeshje melankolike, ashtu siç ka ditur ai, me plot siguri e krenari më tha : UÇK-ja është në tërë Kosovën! Por, sikur nuk u mjaftua me këtë dhe vazhdoi të fliste: Thuaju atyre në Prishtinë se nuk ka liri, se nuk ka çlirim të Kosovës pa luftë, se lirinë, e sjellë UÇK-ja e dalë nga shpirti i popullit, nga betimi në gjakun, gjuhën, tokën shqiptare, Flamurin e Arbërit!
Derisa, Hamzës, po ia shtrëngoja duart, ndërkohë, e vrojtoja pamjen legjendare të kryekomandantit të UÇK-së, Adem Jasharit, i cili, sikur donte të thoshte se, liria është në zemrat, në shpirtin, në guximin e secilit shqiptar, Kosovë, je gjaku ynë që nuk falesh! Megjithatë, në atë çast historie, pasi, Hamzës, ia vendosa, në xhepin e majtë të xhaketës me emblemën e UÇK-së, një kartëvizitë, ia bëra pyetjen e fundit: Pra, më thuaj o trim Drenice, a do të ketë luftë në Kosovë? Hamëza, e lëshoi një shikim drejt Ademit, mua ndërsa, më pa përmallshëm, e mbështeti dorën mbi kraharorin tim të djathtë dhe në mënyrë të prerë më tha : Do të ketë luftë, do të ketë luftë, sepse, o miku i ynë, Kosova nuk çlirohet pa luftë!
Heshtje dhe ankth, papritmas, një tufë zogjsh shtegtarë, krejt të trembur, fluturuan drejt kësaj cope të qiellit të përndezur shqiptar, i cili, i tëri, nga shkëlqimi i ylberit, ishte bërë flakë e vetëtimë…Tani më, nën emblemën e UÇK-së, të kryetrimit Adem Jashari me bashkëluftëtarë, Drenica e përgjakur, e kishte lindur lirinë e Kosovës…Liria, emrin e kishte, Atdhe, Republika e Kosovës!
Rrugës për në kryeqytet, kisha ndjenjën se, po më përcillte një jehonë e këngëve kreshnike shqiptare: O prite, prite, trim Adem Jasharin me bashkëluftëtarët e UÇK-së ! Më tej, balada e historisë shqiptare thoshte: Nuk ka lavdi më të madhe, se sa të vdesësh për liri ! Vetëm ata, janë vetë historia e lirisë!
Po agonte një ditë e re…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura