ARBËR ZAIMI: “PARAJSA” E PREMTUAR QË E QUAJMË EVROPË

 (Tiranë, 14. 02. 2012) – Ideologjia perëndimoro – evropianiste, dominimi i opinionit publik e politik prej premtimeve të pambarimta të politikanëve të të gjitha palëve, në Shqipëri ka marrë përmasa të stërmëdha. Disidenca e kritika ndaj kësaj ideologjie nuk pritet mirë, përkundrazi, përbuzet e kundërshtohet haptazi, duke të kujtuar në një farë mënyre hegjemoninë e një tjetër ideologjie, para ’91. Por nëse totalitarizmi i shkuar u shfaq si një tragjedi, ky i dyti – për të kujtuar parashikimin e Hegelit – shfaqet si farsë. E në fakt duket komike të shohësh se si në pluralizmin e shumëpritur palët kritikojnë njëra – tjetrën, bash se kush është më në përputhje me udhëzimet e BE-së, apo të miqve tanë perëndimorë. Politikanët garojnë me dekorata që shpallen në progres – raporte, dhe kritikojnë njëri – tjetrin po me ato progres – raporte. Ministrat mburren për kontribute konstruktive kombëtare në strukturat ndërkombëtare. Me pak fjalë, janë të gjithë në të njëjtën rrugë, ecin në të njëjtin drejtim, i shërbejnë qëllimit të njëjtë, dhe akuzojnë njëri-tjetrin për sabotazh, apo për ngadalësim të procesit. Dhe këtë e quajnë pluralizëm… Gjithçka merr formën e melodramës dhe anon nga komikja, nëse mban parasysh psh. diskutimin që zhvillohet aktualisht në BE, apo rëndësinë që paraqet Shqipëria për vetë BE-në. Kjo të bje ndër mend një këngë nga ato që s’i harron dot pse janë tepër kitsch, “Livin’ on a prayer”, të Bon Jovi-t (Bon Jovi rastësisht përfaqëson, bashkë me një sërë pop – rockerash të tjerë, ardhjen e muzikës pluraliste-demokratike ndër ne). Refreni i këngës së shkruar gjatë periudhës reaganiste në SHBA shkon kështu: Duhet të vazhdojmë me atë çka kemi / nuk ka rëndësi në ia dalim a jo… jemi në gjysmë të rrugës / jetojmë në një lutje… kapemi përdore se një ditë do t’ia dalim / jetojmë në një lutje!
Që prej fillimit projekti evropianist pati kritika edhe në vendet që sot e drejtojnë e janë qendrore për të, e duhet thënë se u desh shumë që ky projekt – fillimisht margjinal e i implementuar në terrene të ngushta të bashkëpunimit sektorial ekonomik – të bëhej hegjemonik e sundues. Gjatë gjithë dinamikës zhvillimore ky projekt u kritikua e u kundërshtua, natyrisht jo në mënyrë monolineare, e jo për të njëjtat arsye apo interesa, si prej të djathtëve, ashtu edhe prej të majtëve. Kritika populiste, kritika intelektuale, po edhe kritika shkencore, të cilat edhe pse kurrë s’pushuan – e njohën momentin e tyre të margjinalizimit, sidomos menjëherë para e pas rënies së komunizmit dhe gjatë viteve ’90 (the happy nineties). E me ardhjen e depresionit të madh të shekullit të ri, kritikat duket se po dalin prej zgripeve e po përqafohen edhe më gjerësisht në politikën institucionale e në atë qytetare, si në vendet e BE, ashtu edhe në vendet që presin të hyjnë (integrohen) në BE.
Kriza duket se ka sjellë argumente e ka ekspozuar fakte mbi rrënjët ideologjike të këtij Bashkimi, të cilit nëse ia sheh me imtësi të dhënat ekonomike ia dallon qartë pabarazinë mbi të cilën është ndërtuar, në formatin qendër – gjysëm – periferi – periferi, pabarazi të cilat e bëjnë të pamundshme lirinë (kqyr fjala vjen marrjen nën administrim të vendeve që nuk shlyejnë dot borxhet, duke e anuluar kështu demokracinë qua lirinë). Në të njëjtën kohë këto pabarazi bëjnë të pamundshme vëllazërinë. A mund të jenë grekët – që po etiketohen si dembelë e si mashtrues – vëllezër të gjermanëve, punëtorëve shembullorë? E pamundur të konsiderohen si vëllezër grekët – tash që është hedhur në diskutim në tryeza tepër serioze përzënia e tyre – ndërsa po rishfaqen edhe stereotipizimet e popujve të tjerë (PIIGS – jugorët që nuk e paskan atë “etikën” e veriperëndimorëve, që mashtrokan, që njohin vetëm qejfin e ahengun… ndryshe nga ata që po punojnë sa po u bie bretku në Gjermani). Ky fenomen s’është as i ri, e as i paanalizuar – e rishfaqja e tij gjithashtu luan rol në zbehjen e entuziazmit evropianist brenda e jashtë BE-së. Na del se ky bashkim, i krijuar për të mposhtur nacionalizmat, në rrekjen e tij për të krijuar një tjetër nacion, më të madh e më të qëndrueshëm, nuk paska prurë as barazi, as liri e as vëllazëri. Gjithçka që rreket të sjellë na qenka më shumë siguri për kapitalin e për tregjet, stabilitet për investimet e garanci për lëvizjen e lirë të mallrave e të krahut të punës…
Këto kritika, si dhe shumë të tjera që vijnë prej këndvështrimeve të ndryshme, gëlojnë në ambientet akademike e publike të vendeve të ndryshme evropiane, por jo në Shqipëri. Te ne kritikat ndaj “idesë evropiane” janë të rralla, tingëllojnë disi të çuditshme, e nëse dikush i ngre, nuk ia përtojnë shumë për t’i ngjitur etiketa: “anti-evropian”, “anti-perëndimor”, “anti-integrues”, pra kundër së ardhmes së shndritshme, e në mënyrë implicite, pro së shkuarës së errët. Ndërkohë opinionin ndërkombëtar e përfytyrojmë njësoj si këtë tonin, monolitik, monolinear, e tërësisht pro – perëndimor. Që këndej rrjedhin akuzat e tipit “këtë mendim apo projekt, nuk ta pranon Evropa”, duke pretenduar që ekziston vetëm një Evropë (moniste, ku palët janë dakord të gjitha) pikërisht meqenëse ne na imponohet vetëm një Shqipëri, e tillë.
Themelet
Pyetja thelbësore për t’u shtruar është se pse pikërisht në Shqipëri, por edhe më gjerë ndër shqiptarë, evropianizmi është një projekt politik dominant, i pakritikueshëm, një vlerë tek e cila (sipas sondazheve) e gjen veten një shumicë dërrmuese e popullsisë, pakrahasimisht me vende të tjera, qofshin ato në Evropë, qofshin jashtë?
Përgjigjet më të thjeshta janë përgjithësisht të paplota, edhe deri diku e ekspozojnë arsyen vetëm në nivel partikular, duke pjellë të tjera pyetje. Dihet që Shqipëria nuk ka ndonjë kapitalizëm të sofistikuar, as ndonjë treg domethënës, as ndonjë përqendrim të shqueshëm të kapitalit vendas, kështu që një pjesë e arsyeve politike që nisin prej një këndvështrimi politik të shtresës së sipërme, bien. Po ashtu bien arsyetime të nisura prej shtresave që ndodhen më poshtë, pasi Evropa qartësisht nuk është ndonjë parajsë sociale, parë në dritën e zhvillimeve të fundit. Ç’i bën pra, të gjithë, të mëdhenj e të vegjël, të pasur e të varfër, të dëshirojnë kaq shumë këtë “diell që lind nga perëndon”? Për t’iu përgjigjur pyetjes ndoshta do duhet të kthejmë vështrimin shumë më pas, në çastet kur u themelua shteti ynë, me institucionet e tij, dhe me ideologjinë që e mban më këmbë, kështu siç ajo shfaqet në diskutimin publik, po edhe në imtësitë private të saj.
Walter Beniamin shkruan tek “Kritika e Dhunës”, se në rrënjë të cilitdo proces institucionalizimi, qëndron një akt i dhunshëm, e premisa ime është se instituimi i shtetit modern shqiptar themelohet në kolapsin shoqëror që përfaqësohet prej eksodit të ’90 – ’91. Themelet e këtij sistemi, përfshi edhe weltanschauung-ët e aktorëve të ndryshëm që e mbajnë gjallë në dialektikën e tyre konstruktive e konservatore fillojnë pikërisht aty, para rrëzimit formal të sistemit, para rrëzimit simbolik të bustit, te qindra – mijërat që vareshin nëpër kavo të anijeve në portin e Durrësit, duke shkelur njëri – tjetrin në një garë të dhimbshme për të ikur prej vetes publike. Ky spastrim etnik gjigand, ndoshta zhvendosja e grupit më të madh të popullsisë – brenda kohës më të shkurtër – që ky vend kish njohur në kohët moderne, u bë gur themeli për pushtetin që pasoi. Ky vullnet kolektiv për të ikur prej kolektives u mitizua, së bashku me individin kurbetqar, heroin e kohës që erdhi. Ikja e tyre shënoi lindjen e ideologjisë së re nga hiri i së vjetrës përmes një dhune pa pararendës.
Dikush mundet të mbrojë idenë e zakonshme, se ata njerëz zgjodhën lirinë – lirisht, dhe e gjetën këtë duke shkuar e duke u arratisur prej një kampi përqendrimi. Mirëpo ky shpjegim është i cekët. Dhuna qëndron pikërisht në faktin se ata qindra – mijëra patën vetëm dy zgjidhje, ose të rrinin në vendin e tyre të mjerë, ose të merrnin rrugën e mjerë të kurbetit. Dhuna jetësohet në formën e një shantazhi, në formën e kinse – zgjedhjes së lirë midis vetes tonë publike, shtetit tonë represiv, ose dhunimin tjetërsues që ngjet kur i bashkëngjitesh publikut të tjetrit – duke u bërë më pak se hiçi. Dhuna është mungesa e një alternative të paqtë, ofrimi i mundësive për të zhvilluar vetveten moralisht, shpirtërisht, intelektualisht e materialisht në vendin tënd. Kjo dhunë themelore instituoi këtë shtet që e kemi edhe sot, i cili vijon t’i vendosë shqiptarët masivisht përballë të njëjtit shantazh të dyfishtë. 22 vjet më vonë, shumica “zgjedhin lirisht” të njëjtën alternativë që zgjodhën refugjatët në ’90-’91.
Kjo suazë ideologjike u vu shpejt në provë, Fondi Monetar Ndërkombëtar pruri të ashtuquajturat “Structural Adjustment Programs”, reforma të parapara në famëkeqen “Terapi të Shock-ut”. Jo vetëm që kjo doktrinë u mirëprit e nuk u kritikua, por shoqëria ndihmoi për shumëfishimin e efektit të saj, duke prerë me ndërgjegje të plotë degën mbi të cilën rrinte. Nuk qenë kriminelë ata që vidhnin pronën publike, por popull. Jo rrallë, ata që prisnin pemët frutore e agrumet qenë vetë agronomët, dhe ata që zhvishnin fabrikat prej makinerive të metalta që shkonin për skrap qenë vetë inxhinierët, ashtu si sot, që dija po dëbiret nga vetë universitarët. E gjithë kjo festë e shkatërrimit rezultonte në më shumë arratisje, e vetë ekzili merrte forma të ndryshme. Një pjesë vetë – ekziloheshin maleve me borë, drejt Greqisë që nuk i priste krahëhapur. Një pjesë nxirrnin dokumenta false, ndryshonin emra, fe, profesion për të shkuar. Një pjesë ekziloheshin në terren të imagjinatës, duke iu dedikuar besimit te fitimi i shpejtë (duhet lexuar mirë përqafimi i fortë që shqiptarët i bënë skemave Ponzi krahasimisht me vende të tjera të Evropës Lindore).
Qeveritë shqiptare që pasuan njëra – tjetrën, fillimisht dhunshëm e tash gjithnjë e më paqësisht, s’e vunë kurrë në pyetje këtë dhunë fillestare (e si do të mundeshin, a vihet në pyetje themeli i pushtetit…). Premtimi që përsëritej më shpesh ka qenë integrimi evro – atlantik, një farë vaniteti simbolik që e ka kryer funksionin e vet më të mirë kur është shqiptuar nga gojë të përbindshme e prapë ka qenë në gjendje të paqtojë mllefet legjitime që i lindte një realitet i egër e tragjik në përditshmërinë e vet që zhvillohet jashtë dritave të spektaklit televiziv, jashtë kafeneve e restoranteve të ish – bllokut, apo jashtë lagjeve rezidenciale që janë blloku aktual.
Livin’ on a prayer
Hegjemonia, në një analizë gramsciane, zhvillohet në tre territore të pushtetit, në atë ekonomik, në atë politik, e së fundmi (dhe ndoshta më brutalisht) në atë të kulturës së përbashkët (common sense, që i thotë anglezi). Institucionet që e garantojnë janë ato që Hegeli ia përshkruan publikut, familja, shoqëria civile, dhe shteti. Kështu edhe në rastin tonë, ideologjia evropianiste, kjo ide e largimit prej publikut ku jemi bashkëpjesëtarë (në krim/krijim) te publiku ku jemi të huaj (se krimin fillestar e ka bërë tjetri), mund të analizohet si e shtrirë në këto terrene.
Pra kemi shtetin evropianist, forcat e armatosura ndërkombëtare që forcojnë prezencën e tyre ndërkohë që zbehen ato kombëtaret. Shteti ofron institucionet që imponojnë stabilitetin. Policia dhe politika janë legjitimueset e këtij stabiliteti. Brutaliteti në fjalë, ndryshe nga situatat tipike, nuk përfshin vetëm përdorimin e forcave të armatosura vendase, për të instaluar tretjen e subjektit shqiptar në perëndim, shuarjen e tij dhe stabilizimin e situatës së re. Brutaliteti mbështetet edhe nga pushtetet e jashtme, perëndimorët që si keyword për këtë anë të botës kanë stabilitetin. Ruajtjen e status quo-së. Siç thotë dhe kënga e sipërpërmendur, we gotta hold on to what we got…
Ekonomikisht Shqipëria është shndërruar në një periferi tipike perandorake, në një vend që shërben vetëm për të prodhuar trupa (se mendimi, ai që prodhon zhvillim edhe rregull vjen nga importi), qofshin këta trupa krahë të lirë pune, apo mish për top, apo femra për trotuare të qendrës. Publikisht kjo është quajtur liberalizim i tregut, edhe pse në fakt ka qenë asgjësim i prodhimit dhe shndërrim në një ekonomi tërësisht tregtare, pra tërësisht të varur prej së jashtmi, me një bilanc që shkon prej shiut në breshër. Privatizimi i industrisë ekzistuese në fakt ka qenë vetëm shitje e tokës, pasi ka rezultuar jo në zhvillim të industrisë, por në vdekjen e saj. Qendra e ekonomisë qëndron gjithnjë e më jashtë, te investimet e huaja (a janë e ku janë?), te remitancat, te ndihmat (nëse kujtojmë pakot me lëmoshë që shoqëronin reformat strukturore). Mirëpo në të njëjtën kohë ekonomia përfaqëson një prej aktiviteteve të rëndësishme të shoqërisë, e kur ajo është ekscentrike (qendërjashtësuar) shoqëria fillon të sillet çuditshëm. Duke kuptuar se pakogjë ka mbetur në duart e saj, shoqëria civile shndërrohet në një kor eumenidesh, shoqëria nis të lutet që gjithçka do të shkojë mirë, që dikush prej së jashtmi do ta zgjasë dorën, shoqëria nis të jetojë brenda lutjes së saj. Si në këngën e Bon Jovi-t, (shpeshherë këngët e shëmtuara ekspozojnë të vërtetat e një realiteti mjeran). Living on a prayer.
Kjo ekonomi është thelbësisht e politizuar, jo vetëm për shkak se prodhon pushtetin për ata që (tashmë tradicionalisht) sundojnë në këto 20 e ca vjet, po edhe për shkak se si parim kryesor ka konformimin me tregjet globale – siç po quhen zyrtarisht ekonomitë e zhvilluara në mënyrë të pabarabartë, që riprodhojnë dominim e që ngurtësojnë shtresëzimin. Pikërisht përmes riprodhimit dhe zgjerimit të diferencave imponohet fondamentalizmi i tregut si e vetmja rrugë, e cila paketohet bukur, herë prej njërës palë e herë prej tjetrës, kur vjen puna te fushatat elektorale apo lokale. Kultura e mirëpranuar që prej familjes patriarkale e gjer te ish-çunat e ish-gocat trendy të shoqërisë civile, apo opinionistëve nëpër gazeta, që ripërtypin të njëjtin bar, duke mos dashur të shkelin parime të reja. PD-ja e PS-ja (edhe me programin e ri të fundit) i blatohen garës, ndërsa meritokracia shfaqet si vlera kyç për një mentalitet tipik borgjez, që synon të luftojë korrupsionin sepse mendon se vetëm kjo është e keqja e kësaj që po ndodh. Qëndrim tipik borgjez, përmes një morali sipërfaqësor që fsheh pranimin e shtypjes, dominimit dhe pabarazisë si inherente, ndërkohë që ngre shqetësimin e cënimit të prekjes së pronës private nga të korruptuarit. Retorika anti-korruptive është shtylla përbashkuese e palëve politike sidomos kur ato janë në opozitë, duke mohuar kritikën esenciale e duke u ndalur te ajo moralizuese e moraliste. Të përbashkuar kundër vjedhjes, pa analizuar arsyet se pse ndodh ajo, të përbashkuar kundër atyre që nuk e meritojnë pasurinë e shkëlqimin – që rezervohet veç për më të mirët. Jo për kushërinjtë e dajallarët, po për më të mirët. E mira vjen në pushtet, take my hand and we make it someday…
Ndërkohë individi që i hyn kësaj gare barazohet me pionierin e filmave western. Ai që prej njëzet e kusur viteve dëshiron të shkojë drejt një horizonti perëndimor që përditë ndryshon (parafrazimi nga Paul Virilio). Sa më shumë përparon pionieri, aq më shumë largohet horizonti. Kjo është veti tipike e horizonteve virtuale, ato të përcjella mes mediave (që në momentin ngjizës kanë qenë italiane, e sot është Hollywood-i botëror), mes rrjeteve sociale, mes informacionit të marrë në universitetet private, prej profesorësh të arsimuar në google, apo prej thashethemit të përgjithshëm. E megjithatë, politika, shteti, institucionet e shoqërisë civile a tregtare, me qindra syresh vijojnë të përsërisin se rruga e nisur në ’90 – ’91 duhet vazhduar cause it doesn’t make a difference if we make it or not. Të gjithë vazhdojnë të tundin para syve të ndonjë të hutuari gogolët e dordolecët e ish-komunizmit apo ish-fashizmit, Sadamin, Ghaddaffin, Kim Jong-Un apo Chavezin e të tjerë. Besnikëria ndaj shantazhit fillestar mbetet maksimale, vërejtjet që nuk konformohen, reduktohen ad-enverum.
E megjithatë, Qendra e këtij pushteti gjendet në Evropën e Bashkuar. Ajo është parajsa e premtuar për këtë purgator, edhe pse me mesazhet që jep konfirmon se gjithnjë jemi half – way there. Telosi religjioz, e pambërritshmja në këtë botë, konfirmon procesin e sakrificës dhe flijimeve, të pabarabazive, të vëllazërive që ta mohojnë subjektivitetin (grekët mund të ishin shumë mirë sot, po të ishin si gjermanë, madje pse jo gjermanë), të jo-lirive që dalin në sipërfaqje psh. si austerity measures, si masa shtrënguese. Ca e shohin këtë punë si një gotë gjysmë plot, e ca si një gotë gjysmë bosh. Mirëpo kjo punë duhet parë ndryshe. Nuk ka kuptim sot të jesh evroskeptik apo evroentuziast. Sot është e domosdoshme të ndryshohen termat, pikërisht prej konceptit fillestar revolucionar publik, të flitet me terma të lirisë, barazisë e vëllazërisë, si kondita që duhen plotësuar jo veç mes individëve, po edhe mes subjekteve publike, kombeve e popujve. Vetë internacionalizmi (në thelb ndër-subjektiv) duhet shkëputur e duhet shpëtuar prej mbivendosjes së globalizmit (asimilues e shtypës). Në linja të tilla duhet të mendohet një tjetër Evropë, pa qendra e periferi, pa zhvillim të diferencuar, e mbi të gjitha pa mohim të subjektivitetit nacional. Çdo projekt tjetër do të vazhdojë të pjellë dhunë për ne, që edhe pse ende s’jemi pjesë e BE-së, tashmë jemi pararojë e dedikimit popullor evropianist, e në fakt rezultojmë si kombi më evropianist brenda e jashtë Evrope.

(Teksti i mësipërm përmban, ndoshta më shumë sesa duhet, fjalë anglisht. Mirëpo kjo është lingua franca e perandorisë së re, qytetar i së cilës nuk mund të jesh pa zotëruar aftësitë komunikative në këtë gjuhë. Madje as punë nuk gjen dot. Me sa duket këtë e ka kuptuar mirë qeveria shqiptare, që po kujdeset të imponojë provimin në anglisht për secilin të diplomuar universitar).

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura