Tiranë, 08. 04. 2016: Fan Noli, arkitekti dhe themeluesi i Autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare ka shqipëruar mrekullisht shumë nga Librat e Shenjtë të Biblës. Pra Fan Noli është një figurë buzukiane, dishepull i veprës misionare të Gjon Buzukut. Në shqipërimet biblike Fan Noli ka patur parasysh se tekstet janë edhe në vargje (të bardhë dhe ritmikë).
Pse Bibla e respekton këtë strukturë? Në mes të shekullit XVI, tipografi e studiuesi i njohur francez Robert Estieni i lehtësoi edhe më tepër punët. Kishte synim që studimin e Biblës ta shijonin sa më shumë veta. Kuptoi sa i çmuar ishte zhvillimi i një sistemi uniform të numrave të kapitujve dhe të vargjeve.
Ideja origjinale për ndarjen e Biblës në vargje nuk ishte e Estienit. E kishin pasur të tjerë para tij.
Për shembull, shekuj më parë kopistë judenj e kishin ndarë në vargje gjithë Biblën Hebraike (që zakonisht njihet si Dhiata e Vjetër), ama nuk e kishin ndarë në kapituj. Edhe në këtë rast mungonte një sistem uniform, ashtu si me kapitujt.
Estieni zhvilloi një sistem të ri për ndarjen në vargje të Shkrimeve të Krishtere Greke (e njohur si Dhiata e Re), dhe i bashkoi me ato që ishin tashmë në Biblën Hebraike. Më 1553 botoi Biblën e parë të plotë (në frëngjisht) kryesisht me kapitujt e vargjet që kemi sot në shumicën e Biblave. Disa e kritikuan këtë dhe thanë se vargjet e copëtonin tekstin e Biblës në pjesë të vogla dhe e bënin të dukej një sërë thëniesh të shkëputura, pa lidhje me njëra-tjetrën. Megjithatë, sistemi i tij shumë shpejt u pranua nga tipografë të tjerë.
Fan S. Noli (1882 – 1965)
Ndarja në kapituj e vargje duket një ide kaq e thjeshtë. Por, ajo i vë një “adresë” unike çdo vargu biblik, si një kod postar. Vërtet, ndarja në kapituj e vargje nuk është e frymëzuar nga Zoti dhe ndonjëherë teksti biblik ndahet në vende të çuditshme. Mirëpo, kështu e kemi më të lehtë të gjejmë citime dhe të veçojmë a të flasim për vargje me kuptim të veçantë për ne, ashtu siç nënvizojmë në një dokument a libër shprehje a fraza të veçanta. Fan Noli është kapur mbas idesë, se teksti biblik është ai i një poetike.
Në studimin e tij shkencor “Jeta e Jezuit” Noli analizon problemin sinoptik të katër ungjijve: të Markut, Mateut, Lukës dhe Gjonit. Noli thotë se 661 vargje që ka Ungjilli i Markut tek Mateu janë reduktuar në 600, kurse tek Luka rreth 350 vargje. Noli në vitin 1962, botoi në anglisht librin “The Poet of Nazareth”, Boston, Massachussetts, që hapet me një parafjalë substanciale, ku thuhet: “Miliona e miliona të krishterë e jo të krishterë e pranojnë Krishtin si mësues të madh. Shumë pak prej tyre e dinë se ai është gjithashtu poet i madh.
Kjo anomali mund të shpjegohet me faktin se madhështia e Krishtit si mësues është vënë në dukje nga katër Ungjijtë, libri më i famshëm didaktik i të gjitha kohërave.
Në anën tjetër, madhështia e Krishtit si poet është lënë në errësirë nga fama letrare në të cilën kanë arritur deri tek ne katër Ungjijtë greqisht.
Së pari, poezia origjinale aramaike e Krishtit ka humbur në mënyrë të pazëvendësueshme. Ajo ka ardhur tek ne në formë përkthimi letrar grek, fjalë për fjalë dhe në prozë. Por kur poezia përkthehet nga një gjuhë në një tjetër, fjalë për fjalë dhe në prozë, ajo pushon së qeni poezi.
Për fat të keq kjo ndodhi me poezinë e Krishtit, siç e gjejmë në Katër Ungjijtë greqisht. Së dyti, tradita e ngurtë e leximit të Ungjillit në përkthimet fjalë për fjalë dhe në një prozë të varfër është ruajtur për 19 shekuj, deri në ditët e sotme.
S’ka dyshim se kështu shumë pak njerëz e mendojnë Krishtin si poet.
Prapë nuk ka dyshim se Krishti ishte poet. Sikurse të gjithë Rabinët e mëdhenj të Izraelit, Krishtit iu desh të formulonte doktrinat e tij në një formë poetike dhe epigramatike për arsye mnemoteknike, d.m.th. t’i bënte ato të lehta për t’u mësuar përmendësh nga dishepujt e tij.
Në fakt, pothuaj të gjitha thëniet e Krishtit, duke përfshirë edhe lutjet e Zotit kanë paralelet e tyre poetike dhe epigramatike në letërsinë Rabbinike
Është kjo frymë poetike dhe epigramatike që shpëtoi thëniet e Krishtit deri sa u përkthyen greqisht dhe u futën në katër Ungjijtë Grekë që kemi.
Së fundi, thëniet e Krishtit në kundërshtim me veshjen prozaike greke kanë të gjitha karakteristikat e pagabuara të poezisë hebraike. Për çudi, disa prej tyre madje rimojnë në përkthimin greqisht sikurse në origjinalin aramaik.
Tani për të patur një ide të qartë rreth Krishtit si poet, thëniet e tij do të përkthehen ritmikisht si poezi.
Këtë jam përpjekur të bëj në këtë variant, në të cilin rreth 3/4 e Ungjillit të shën Mateut janë riprodhuar në vargje të bardha, me pak rima aty-këtu. Në këtë pikëpamje, ky libër duhet të jetë i pari në llojin e tij botuar anglisht.
Ungjilli i shën Mateut është zgjedhur, sepse ai përmban koleksionin më të plotë të thënieve të Krishtit.
Për shumë arsye, praktikisht është e pamundur të ruhet bukuria origjinale e thënieve të Krishtit. Kështu nuk mund të mendoj se varianti im i Shën Mateut do ta zgjidhë këtë problem, por jam plotësisht i sigurtë se ndodhem në rrugë të drejtë si i pari në këtë punë. Shpresoj se një ditë dikush tjetër do të bëjë një punë më të mirë dhe do të na japë një variant më me vlerë të poetit të madh të Nazaretit- F.S.N.Boston Massachussetts 3 Qershor, 1962
***
Pra libri prej 112 faqesh është një eksperiment linguistik i jashtëzakonshëm. Në kulturën anglo-saksone është përpjekja e parë – Noli është në rolin e zbuluesit dhe të vendosjes së një standardi të ri. Pa një të dytë, akoma dhe sot. Fan Noli studion gjuhën native të Krishtit, aramaiken, kërkon fragmentet e thënieve të Krishtit edhe në bazë të përkthimit paralel në greqisht, por sipas mendimit tim edhe në latinisht, pse jo edhe në shqip.
Meqë anglishtja është varianti gjuhësor universal sot në botë botimi i librit “Poeti i Nazaretit”, në anglisht ka patur për qëllim një gjithëpërhapje dhe ndërkomunikim në botë.
Të përkthesh Po-en, Llongfelloun, Shekspirin nga anglishtja në shqip është një sprovë e patjetërsueshme dhe shumë e madhe e intelektit. Por që një shqiptar të modelojë në anglisht (që nuk është gjuha e tij e nënës) vargjet e bardhë të predikimeve e të parabolave poetike të Jezu Krishtit kjo është një sprovë akoma më titanike dhe me një vështirësi kolosale. Por Fan Noli ka genin e gjeniut dhe e ka bërë tashmë këtë gjë të mrekullueshme, si askush. Dhe diçka tjetër, më plotësuese.
Më 1964, pak para se të vdiste Fan Noli botoi versionin e tij të psalmeve në anglisht, një libër prej 202 faqesh me titull “The Psalms”, publikuar nga Albanian Orthodox Church in America, Boston, Massachussetts. Vetëm ndonjë mjeshtër i analizës filologjike mund të bëjë një studim krahasimtar midis versionit anglisht të psalmeve me tërë versionet e shumta po në anglisht të këtyre psalmeve.
Librin “The Psalms” Noli e botoi dy vjet mbas librit “The Poet of Nazareth”. Këto janë libra të një binjakërie konceptuale dhe poetike. Vetë Fan Noli qe një poet i madh. Poezitë e tij origjinale e tregojnë këtë gjë.
Përkthimi në shqip i “Rubairave” të Omar Khajamit shpalos talentin e tij gjenial.
Po kështu këtë e konfirmojnë përkthimet nga Shekspiri dhe Servantesi.
Por nuk duhet harruar kurrë se të rikonstruktosh në anglisht vargjet parabolike të mesazhit hyjnor të Krishtit, apo edhe të Psalmeve është një gjë ekskluzive e vetëm Fan Nolit jo vetëm në mesin e krijuesve dhe eruditëve shqiptarë, por edhe në krejt botën.
– Dr.Moikom Zeqo –