ABDULLA MEHMETI: PSE HESHTIN SHQIPTARËT NË VALËN E KRIZËS POLITIKE NË MAQEDONI?

Tetovë, 17. 04. 2016: Në valën më të madhe të krizës politike në Maqedoni, pas pavarësimit të këtij vendi më 1991, e cila i ka ngritur në këmbë edhe institucionet ndërkombëtare, çuditërisht vetëm shqiptarët heshtin. Kjo nuk është shenjë e mirë dhe nuk mund të arsyetohet politikisht as moralisht. Asnjëra nga bashkësitë etnike të këtij vendi nuk ka heshtur deri më tani, siç heshtin shqiptarët, ndërsa analizat për këtë fenomen të çuditshëm duhet të bëhen sa më parë nga specialistët e fushave përkatëse se, cilat janë arsyet kaq madhore që një popull me të drejta të nëpërkëmbura, i shtypur dhe plaçkitur si mos më keq, të hesht para kësaj fatkeqësie që e ka goditur vendin e tyre.
Shqiptarët, siç duket, nuk kanë arritur ta definojnë interesin e tyre në këtë shtet, ose janë thellësisht të manipuluar me ëndrrat për bashkim kombëtar, për krijimin e Iliridës, shtetit të tyre të ri në këto hapësira, apo janë peng i manipulimeve të skajshme nga subjektet politike, të cilat deri më sot nuk kanë arritur t’ua shpjegojnë se cila duhet të jetë rruga e tyre e vërtetë për zgjidhje afatgjatë të çështjes shqiptare në Maqedoni.
Në mungesë të analizave së hollësishme për këto tri opsione, mes të cilave po hamenden shqiptarët, fati i tyre po rrokulliset në greminën më të keqe dhe pa kthim prapa për të ardhmen e tyre.
Nuk mund të shpjegohet niveli i manipulimit të shqiptarëve në këtë vend, të cilëve sapo u imponohen kushtet për zgjedhje të reja, pa asnjë kusht rreshtohen në anën e partive politike të tyre, me të vetmin qëllim realizimin e disa interesave individuale, për një vend pune, të mira materiale të parëndësishme, ndonjë post në organet e pushtetit, duke mos mbajtur fare llogari se me këtë e vulosin fatin e tyre si popull, i cili dy dekadat e fundit i vuan fatkeqësitë më të mëdha gjatë historisë së tij.
Si asnjë popull në botë, fati i të cilit është varur nga përpjekjet dhe sakrificat për liri dhe të drejta kombëtare, shqiptarët në Maqedoni janë shkërmoqur e dezorientuar aq rëndë sa nuk dinë as të organizohen, as ta definojnë interesin e tyre në këtë shtet.

Nuk ka rast tjetër në botë, që vetëm disa kërkesa reale, me interes kombëtar, të përsëriten dhe ripërsëriten së paku dy dekada me radhë në të gjitha ciklet zgjedhore, dhe pavarësisht nga alternativa politike të cilës i kanë besuar dhe e kanë votuar, asnjëra nga këto kërkesa të mos realizohet deri më sot. Fatkeqësisht, shqiptarët e kanë humbur edhe statusin e tyre politik-kushtetues si popull shtetformues, të cilin e kanë gëzuar me kushtetutën e vitit 1974. Gjuha shqipe nuk është zyrtare, simbolet e shtetit, flamuri, stema dhe himni nuk e pasqyrojnë realitetin etnik të këtij shteti, ku shqiptarët janë popull shumicë.
Partitë politike të cilave u kanë besuar shqiptarët dhe i kanë votuar për dy dekada me radhë, asnjëra nuk arriti ta zgjidh së paku statusin e tyre në këtë shtet, por i lanë ta vuajnë fatin e një pakice të parëndësishme, si vllahët, serbët, turqit, boshnjakët dhe romët e këtij vendi.
Çka duhet të bëjnë shqiptarët sot?
Cila duhet të jetë strategjia e tyre për të ardhmen?
Cila duhet të jetë perspektiva e tyre në këtë vend?
A duhet edhe më tej t’u besojnë verbërisht subjekteve politike të cilat i sollën në këtë gjendje?
Si duhet të organizohen tani e tutje për realizimin e të drejtave kombëtare të mohuara katërçipërisht?
Në kohën kur kërkohet një zgjidhje e drejtë për të gjithë qytetarët e këtij vendi, për të cilën zhvillohet një luftë e ashpër politike me dy rivaleve në bllokun politik maqedonas, si në institucione ashtu edhe përmes protestave në sheshet e kryeqytetit të Maqedonisë, në Shkup, shqiptarët jo vetëm që nuk rreshtohen në anën e opozitës maqedonase, duke e cilësuar atë si të padenjë për realizimin e kërkesave të shqiptarëve, por nuk e kanë zgjedhur as opsionin e vet për dalje nga kjo krizë, e cila seriozisht e rrezikon vendin të futet në rrugë pa kthim, drejtë dhunës, terrorit dhe anarkisë.
Përjashto partinë shqiptare që ende është në bashkëqeverisje me partnerin e saj, për të cilin janë ngritur akuza të bazuara për futjen e vendit në kthetrat e një diktature tipike, as subjektet tjera politike dhe jopolitike që i tubojnë shqiptarët në këtë vend nuk janë në të njëjtën vijë me forcat progresive të cilat kërkojnë ndryshime, si dhe me faktorin ndërkombëtar, i cili hapur është vënë në anën e forcave opozitare që kërkojnë ndryshime, për kthimin e demokracisë, shtetit ligjor, funksionimin normal të institucioneve, lirimin e pushtetit nga partizimi i skajshëm dhe sigurimin e perspektivave euroatlantike të vendit.
Asnjë bashkësi tjetër etnike nuk ka më tepër arsye sa kanë shqiptarët në Maqedoni, të protestojnë ashpër në të gjitha format e mundshme, për shkeljen e të drejtave individuale dhe kolektive të tyre në këtë vend. Me të gjitha parametrat, shqiptarët u janë nënshtruar formave më të ashpra të diskriminimit, plaçkitjes, dhunës dhe terrorit të hapur nga institucionet e shtetit.
Nëse subjektet e këtushme politike dhe jopolitike shqiptare vlerësojnë se nuk duhet të bëhen pjesë e lojërave politike mes dy partive më të mëdha maqedonase, atëherë le ta dëshmojnë qëllimin ekzistimit të tyre në këtë vend, duke protestuar hapur kundër kësaj diktature e cila e çon vendin në greminë.
Nuk guxojnë shqiptarët të jenë indiferentë ndaj kësaj krize, e cila rrënjët i ka pikërisht në çështje e pazgjidhur shqiptare në këtë vend.
Shqiptarët nuk guxojnë të mos jenë të pranishëm në këto momente të thellimit të krizës, pikërisht në Shkup, përfshirë edhe përmes protestave masive, që para faktorit ndërkombëtar ta dëshmojnë autoktoninë dhe prezencën e vet, për hir të së kaluarës, të sotmes dhe të ardhmes së tyre në Maqedoni.
Rruga pa kthim dhe pa perspektivë në të cilën i kanë futur shqiptarët subjektet e tyre politike, duhet të braktiset një ditë e më parë, duke kërkuar mundësi dhe forma të reja të organizimit, sa nuk është bërë tepër vonë, siç jemi vonuar përherë gjatë historisë.
Shqiptarë në Maqedoni, sot o kurrë duhet ta dëshmojnë potencialin e tyre politik, me mbështetje edhe nga diaspora dhe shtetet shqiptare, të cilat kanë detyrime ndaj pjesës së vet të kombit, dhe territoreve etnike mbi të cilat shumëkush pretendon t’i realizojë interesat e veta strategjike, përveç shqiptarëve autoktonë, të cilët janë kapur keq nga udbashpatriotët në radhët e veta. Çmimi i kësaj heshtje sot, do t’u kushtojë shumë shqiptarëve në Maqedoni në të ardhmen.
Abdulla Mehmeti – Tetovë, 17 prill 2016

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura