RENATO SHKULAKU: ҪFARË RËNDËSIE KA ROLI I MËSUESIT NË SHQIPËRI?!

Pogradec, 07. 03. 2016: Profesioni i mësuesit, është një nga profesionet më të vlerësuara dhe më të respektuara në të gjithë botën. Detyrat e tyre, janë ndër detyrat më të vështira, pasi ata merren me edukimin e fëmijëve, si dhe rrugëtimin e tyre drejt rrugës së dijes dhe një të ardhmeje të përkryer. Ata i përgatisin si profesionalisht, ashtu edhe moralisht nxënësit. Mësuesi, për çdo nxënës, është si një prind i dytë, pasi dashuria e tyre është e madhe, dhe një pjesë të mirë të kohës, ata e kalojnë së bashku. Shumë probleme, vështirësi, apo pengesa që fëmijët hasin, i ndajnë me mësuësit e tyre, pasi me ata ndihem më të sigurt dhe kanë besim të fortë, ku dhe mësuesit nga ana e tyre i ndihmojnë me të gjitha mundësitë e tyre.
Pra shohim se lidhja nxënës-mësues, është një lidhje e fortë, e shenjtë, bazuar tek sinqeriteti dhe dashuria, ku mësuesit luajnë rol thelbësor në përgatitjen e së ardhmes së tyre, ku dhe të rinjtë prej tyre, mësojnë çfarë është e drejta, dhe çfarë dëme na sjell e keqja, dhe falë tyre ata do përpiqen që të kontribojnë dhe ti shërbejnë me dinjitet dhe ndershmëri kësaj shoqërie.
Gjithashtu në shumë vende të botës, si në Gjermani, ky profesion është një ndër profesionet më të paguara. Kjo ndodh për arsye se mësuesi ka një funksion dhe rëndësi unike, pasi edhe doktorët, inxhinierët, politikanët etj., kanë mësuar dhe janë trajnuar prej tyre.
Por sa vlerësohet ky profesion në Shqipëri?
Fatkeqësisht, roli i mësuesit në Shqipëri nuk po vlerësohet dhe nuk po i kushtohet vëmendja e duhur. Shumë të rinj shqiptarë, të cilët nuk janë mirë me mësime, dhe me mesatare të ulët, nëse i pyet, se çfarë dëshironi të bëheni në të ardhmen, shumica e përgjigjes së tyre, do të jetë mësues.
– Por si mund të pretendojnë ata, të cilët nuk janë mirë me mësime, të kenë në dorë fatin e shumë fëmijëve në të ardhmen?
– Si mund të pretendojnë ata, t’i edukojnë këta fëmijë, kur ata vetë nuk janë të mirëarsimuar, dhe nuk mund t’i japin në mënyrën e duhur dijet?

Pra kjo tregon rëndësinë dhe vlerësimin e dobët që ka ky profesion i nderuar, në shoqërinë tonë, dhe shohim se ky fenomen ndodh rëndom në Shqipëri, dhe shteti duhet të bëjë çdo gjë për parandalimin e këtij fenomeni. Por nga ana tjetër, nëse pyesim nxënësit që shkëlqejnë në mësime, se çfarë kini dëshirë të bëheni në të ardhmen, përgjigjet e tyre do të jenë, doktorë, mjekë, inxhinierë, gjykatës, prokurorë, etj., dhe do të shohim se shumë pak do të zgjedhin mësuesin. Pasi nga ana e tyre ky profesion nënvlerësohet, dhe nuk mund t’ju sigurojë atyre një të ardhme të mirë. Por po ta analizojmë mirë këtë çështje, pjesërisht ata kanë të drejtë, sepse edhe shteti duhet t’i kushtojë vëmendjen e duhur, duke e bërë një nga profesionet më të paguara në vend, dhe një nga profesionet më të vështira për ta arritur, duke vendosur kritere të caktuara.
Në këtë mënyrë, shumë nxënës me mesatare të ulët nuk do vazhdojnë të pretendojnë të bëhen mësues, dhe shumë të rinj, të cilët janë shumë mirë me mësime, do i“hedhin” sytë tek profesioni i mësuesit, duke e rritur cilësinë e tij. Gjithashtu se në shumë shkolla të Shqipërisë, mungojnë shumë gjëra, si në disa zona rurale mungojnë kompjutera, të cilët na shërbejnë shumë në një orë mësimi, mungojnë laboratore, ku nxënësit përveç teorisë, do të mësonin shumë mirë edhe praktikën, gjithashtu edhe në shumë shkolla profesionale mungojnë mjetet, të cilat janë thelbësore për të mësuar një profesion.
Pra në mungesë të tyre, shohim se mësuesit hasin shumë vështirësi, sepse siç e dimë mjeti kryen 50% të punës. Në këtë mënyrë, puna e mësuesit, pa mjetet dhe kushtet e duhura, normale që nuk do parapëlqehet, dhe shteti duhet të investojë sa më parë, dhe t’i marrë seriozisht këto çështje.
Pra këto probleme, por edhe shumë të tjera kanë sot mësuesit në Shqipëri. Por pavarësisht tyre, ata përsëri vazhdojnë ta ushtrojnë me dinjitet dhe ndershmëri profesionin e tyre, ku qëllimi i tyre është të ngrenë një shoqëri të mirëarsimuar dhe të zhvilluar. E ardhmja e fëmijëve është prioriteti i tyre, dhe ne duhet të bëjmë çdo gjë për ti mbështetur në këtë rrugëtim, i lehtë në dukje, por shumë i vështirë nëse e zbaton. Pra shteti si fillim dhe më pas shoqëria shqiptare, duhet të japin kontributin e tyre për ta, dhe tashmë ka ardhur koha që ky profesion të respektohet dhe të mbështetet nga të gjithë.
– Renato Shkulaku është maturant në Shkollën, Qemal Bazelli në Çërravë – Pogradec. Kontakti: [email protected].
————————————-
RENATO SHKULAKU: “EKSPERIMENTI” I REFORMËS NË ARSIM!
https://pashtriku.org/index.php?kat=43&shkrimi=4970

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura