GJOKË DABAJ: NE DO T’U NGREJMË PËRMENDORE NËNAVET TË PËRDHUNUARA TË FËMIJËVET TANË

 Durrës, 28. 07. 2013 – Zonja Fatbardhë Demi botoi para 2 ditësh një shkrim (studim) me titull “Çnderimi i femrës shqiptare, si armë luftarake, psikologjike dhe e genocidit kundër popullit shqiptar në kohë të luftës dhe të paqes” (https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1834 – “pashtriku,org”, 26 korrik 2013) Në krye të atij shkrimi citohej gazeta sërbe “Radničke novine” (e 22 tetorit 1913), në të cilën, midis tjerash, është shkruar: “Duhet të vdesin disa gjenerata të shqiptarëvet, që të harrohen ato, çfarë kanë bërë sërbët ndaj tyre.”
Ka qenë zëri i atyre sërbëve, që e donin Sërbinë. Sërbët që mblidheshin rreth gazetës “Radničke novine”, ishin më patriotët e krejt kombit të tyre. Ata nuk donin që kombi i tyre të ishte, as pushtues, as vrasës, as përdhunues. Mirëpo, për fat të keq, pjesa mirëfilli atdhedashëse e kombit sërb nuk triumfoi asnjëherë në politikën sërbe, as të brendshmen, as të jashtmen.
Në politikën e brendshme sërbe ka mbisunduar dhe vazhdon të mbisundojë një tendencë vetëmashtruese, një shtrembërim vetëmburrës në të gjithë aspektet, një historiografi e mbushur me sajime dhe me interpretime sipas oreksit, të standartizuar tashmë prej rreth 2 shekujsh. Si pasojë, në Sërbi vazhdon një EDUKIM JOHUMAN i shumë gjeneratave të rinisë sërbe dhe të të rriturvet, gjë që shihet sheshit, deri te kryesuesit e shtetit të tyre. Mbushja e historisë dhe e të gjitha shkencave etnokulturore me të pavërteta në shkollat sërbe, arrin të atilla përmasa, sa, kur ndodh që një intelektual sërb të kthjellohet, atij i duket sikur ka ardhur nga një planet tjetër.

Tiranë, më 9 – 10. 11. 2012: Studiuesja Fatbardha Demi, në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, ku u mbajt Simpoziumi i II Ndërkombëtar “Pellazgët, Gjuha dhe Pasardhësit e tyre”, i organizuar nga Qendra e Studimeve Pellazgjike dhe Sh.L.P “Vitrina”.

*   *   *

Në politikën e jashtme, sidomos ndaj popujvet fqinjë, sërbët, pjesa mbisunduese negative, e kryesuar nga binomi konkubinar: Patriarkanë e Kishës Pravosllave Sërbe – Akademi Sërbe e Shkencavet dhe e Artevet, praktikon një errësirë të plotë njohjeje. Sërbët nuk i njohin dhe, rrjedhimisht, nuk i duan kroatët, ata nuk i njohin hungarezët, ata nuk i njohin rumunët, ata nuk i njohin bullgarët dhe nuk i njohin as shqiptarët. Nuk i njohin, sepse nuk ua mësojnë fëmijëvet në shkolla historinë e këtyre popujve. 
Shkoni në Sërbi dhe anketoni:
– Sa sërbë e zotërojnë hungarishten?
– Sa sërbë e zotërojnë rumanishten?
– Sa sërbë e zotërojnë bullgarishten, ndonëse edhe ajo është gjuhë sllave?
Dhe,
– sa sërbë, përveç ndonjërit si z.Oliver Ivanoviq, e zotërojnë shqipen?

Sistemi shkollor sërb, jo vetëm nuk ua mëson fëmijëvet të Sërbisë historitë dhe gjuhët etj., të kombevet që i rrethojnë, por ai i tjetërson habitshëm ato histori. Sidomos, njohuritë e sërbëvet për shqiptarët janë aq të përçudnuara, sa, kur një sërbi i takon të jetojë me një shqiptar, ai, o do të habitet dhe do të thotë: “Ti nuk je si shqiptarët e tjerë, ti në shumë gjëra ngjan me ne sërbët”, ose nuk do të arrijë të të njohë kurrë, sikur 50 vjet të jetojë me ty në të njëjtën punë.
Është e kuptueshme që, brenda një kombi të atillë, aq shtrembër të arsimuar e të edukuar, është shumë lehtë të gjenden me qindra mijë KRIMINELË TË GATSHËM: vrasës, zjarrvënës, plaçkitës, gjakderdhës, përdhunues. Mjerë ata banorë civilë, të paarmatosur, që gjenden përballë një të atillë turme të keqinformuar dhe të keqedukuar!
Por mua po më tërheq thënia, para 100 vjetësh, e gazetës së Beogradit “Radničke novine”. Nderim ndaj të gjithë atyre intelektualëve përparimtarë të Sërbisë! Të asaj kohe dhe të kohës sonë! Por po dua të korrigjoj diçka në të shprehurit e tyre: Nuk do të harrohen kurrë ato çfarë kanë bërë sërbët ndaj nesh! As për disa gjenerata, që mund të jenë 3, 4 apo 10, as për 100 gjenerata, që do të thotë 3000 vjet… Lexoni “Iliadën”! A është harruar ç’bënë akejtë në Trojë?.. Ato çfarë kanë bërë sërbët ndaj nesh, do të mbeten të pashlyera në kujtesën, jo vetëm të shqiptarëvet, por edhe të vetë sërbëvet dhe të krejt njerëzimit, deri sa të ketë jetë njerëzish në këtë planet!
Gratë shqiptare, të përdhunuara, nënat e fëmijëvet, të lënë jetimë, vajzat shqiptare të përdhunuara, ato që s’u bënë dot kurrë nëna, ato, të cilavet iu çapëlyen trupat e u lanë nëpër sheshe e nëpër rrëza, gjysmë të copëtuara, ato, të cilat u përdhunuan e u hodhën nëpër puse, ato, që u lanë lakuriq, gjysmgjallë e të damkosura, nëpër bodrume, kanë për t’u përjetësuar në veprat e artit të të gjitha gjinive e të të gjitha gjneratave, filluar prej këtij shekulli e deri sa të ekzistojnë popuj mbi këtë dhe.
– Do të kemi muzeume me fakte që vetë sërbët kanë kërkuar të jenë sa më rrënqethës.
– Do të kemi galeri pikturash e skulputrash.
– Do të kemi filma, dokumentarë e artistikë.
– Do të shkruajmë poema, romane, vepra dramatike, tragjedi.
– Do të krijojmë vepra muzikore nga më shpirtlëndueset.
– Do t’u ngrejmë PËRMENDORE nënavet të përdhunuara të fëmijëvet tanë, në çdo vend ku kanë ndodhur të tilla mizori.
– Do të bëjmë çdo gjë që do të mund t’i shërbejë mos’harrimit të atyre veprave nga më makabret, që ka guxuar dhe ka kryer mbi popullin tonë fqinji ynë, i edukuar aq keq me ndjenja jonjerëzore.

Vetëm një punë nuk do ta bëjmë kurrë ne shqiptarët:
– Nuk do t’i çojmë djemtë tanë në Sërbi për të përdhunuar sërbe.
– Nuk do të bëjmë punë të tilla, sepse e duam vetëveten dhe nuk i lejojmë vetes të ulemi aq poshtë, sa ç’e ka ulur veten kombi sërb para syvet të të gjithë njerëzimit dhe para kujtimit të patriotëvet të atillë, që nga racionalisti e zgjimtari i kombit sërb, Dositej Obradoviqi, te Vasa Pellagiqi e deri te Dimitrije Tucoviqi e Svetozar Markoviqi. Kombi sërb, me ç’ka bërë ndaj shqiptarëvet, e ka përbaltur krejt pjesën pozitive të vetëvetes dhe do t’i duhet kohë për t’u qytetëruar.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura