DR.MOIKOM ZEQO: DE RADA PËR SHEKSPIRIN DHE SERVANTESIN

Tiranë, 26. 04. 2016: Në 23 prill 1616, 400 vjet më parë, vdiqën në një ditë Shekspiri dhe Servantesi. Shekspiri vdiq 52 vjeç dhe mbyll (për të hapur) gjithçka. Dhe të mendosh se Servantesi e shkroi kryeveprën e tij “Don Kishoti”në moshën 58 vjeç dhe vdiq 69 vjeç. Të dy këta autorë viganë janë vëllezërit Dioskurë të letërsisë botërore. Më 1861 De Rada boton veprën “Principet e estetikës”. Është De Rada që bën shënimet e para mbi Shekspirin. Para De Radës emri i Shekspirit nuk është përmendur nga ata që janë marrë me letërsinë.
De Rada me emrin e Shekspirit hap një hulli interesimi për këtë emër, për të cilën Fan Noli u shqua si një shekspirolog i madh, përkthyes i papërsëritshëm i kryeveprave të Shekspirit dhe admirues i stilit shekspirian. Është shumë e rëndësishme që De Rada ka shkruar për Shekspirit. Kjo i bën nder De Radës. “Harmonia në art që është e brendshme dhe e jashtme, duhet të merret si shkaku i lindjes së ligjit të Tri Uniteteve në tragjedinë klasike. Ky ligj është luftuar si armik i vërtetë. Ndërsa duhet të vlerësohej si kulmi më i lartë në rrugën e zhvillimit të poezisë (vetë De Rada në poezi nuk e respekton ligjin aristotelian të Tri Uniteteve që u bë edhe një dogmë e letërsisë klasiciste – shënimi im M.Z.). Padyshim fabula, përveç ushqim për ndjenjën, duhet të përmbajë edhe ndonjë të vërtetë fisnike, që ka të bëjë me tërë jetën e një njeriu, ose të paktën, me një pjesë të tij. Pa gabuar mund të themi se Shekspiri ka pëlqyer shpesh në krijimet e tij përmbajtjen e thellë në vend të frymëzimit harmonik, duke paraqitur lirisht një jetë të gjatë, përmes faktesh dhe vendesh të ndryshme.
Është e vërtetë se gjendja shpirtërore e mendore e njeriut ndryshon gjatë viteve të ndryshme të jetës së tij dhe afshi i ndjenjës që i shkrin ngjarjet në harmoninë përkatëse pa ua humbur fizionomitë e tyre nuk qëndron i pandryshuar gjatë kalimit të veprimeve nga një kohë në tjetrën. Ndoshta mund të thoshnim se vetëm gjatë soditjes së ngjarjeve “Simul pleaxa”(të pleksura së bashku) në një veprim që i shpëton kujtimit të kohës dhe të hapësirës, shpirti e ndjen në vetvete gjithë hovin krijues, pasi edhe vetë një frymëzim lirik kërkon të mos ndërpritet, se ndryshe nuk mund të vazhdojë të jetojë. Kështu, te plaku Shekspir, frymëzimi lirik, shfaqur në vende e kohë të caktuar dhe pas ngjarjesh e mundimesh të derdhura në prozë, këto, si pasojë e një frymëzimi të ri poetik befasish, vishen përsëri me metrin poetik.”.

Jeronim De Rada, Shekspiri dhe Servantesi.

Vërtet e habitshme! De Rada ndonëse kinse e ngre lart dogmën trinitare të uniteteve, vlerëson pikërisht te Shekspiri lirinë e tij për t’i shpëtuar kësaj dogme.
Të vijnë ndërmend artikujt e famshëm polemikë të Fan Nolit, i cili e mbron Shekspirin nga kritikët që kërkonin ta zhvleftësonin këtë shkrimtar të madh, se gjoja në artin e tij nuk ka rregulla dhe rregullsia shekspiriane në art ishte jashtë kanoneve të arteve estetike. Edhe Leon Tolstoi në mënyrë groteske e ka goditur Shekspirin, pa e kuptuar ndoshta atë që hyn e ravijëzon thjesht nëpërmjet disa fjalive. Kjo tregon që sensi artistik i De Radës është një sens intuitiv i vërtetë. De Rada në një vend tjetër flet për legjendën tragjike dhe të tmerrshme të Makbethit të Shekspirit. Pastaj, përmend dashurinë naive të Zhuljetës, të kësaj vashe mbi kufomën e njeriut të gjakut të saj, të kushëririt, shfajëson një njeri të gjakut të huaj që ajo e dashuronte (Romeon) megjithëse ky i kishte vrarë kushëririn. Ne na pëlqejnë personazhe të tillë, pasi shohim që dashuria e tyre ka qenë e bukur dhe e fortë, megjithëse e mposhtur nga dallgët e pamëshirshme të fatit. Dhe këtu shikojmë çelësin e çdo dhembshurie, duke qenë se njeriu është i përbërë nga një lëndë e brishtë.
De Rada nuk lë pa përmendur edhe “Mbretin Lir”: “ka edhe ngjarje si masakrat e Neronit, që atij i shkaktonin ngërdheshje të përbindshme, si rënia e Pompeut dhe më vonë e Cezarit, të cilat e mbanin pezull zemrën e njerëzve. Për fatin e shkretë të Mbretit Lir, gabimet e të cilit nuk arritën t’ia shkulnin prej shpirtit pafajësinë e thjeshtësinë, ne prekemi thellë e derdhim edhe lot… Kësaj të vërtete poetët duhet t’i kushtojnë vëmendje. Figura artistike bëhet patetike vetëm kur shpreh natyrën e karaktereve.”.
Tani edhe kreu i tragjedive “Hamleti”. De Rada shënon: “Edhe pikëllimi, gjithashtu si një hënë e zbehtë mund t’i japë bukuri dhe shpirtit të njeriut. Ofelia, pasi u lajmërua nga i ati se i biri i mbretit (Hamleti), të cilin ajo e dashuronte marrëzisht, e gënjente ngaqë ishte nga familje mbretërore, pasi mbeti jetime (kur Hamleti e vret babain e saj) nuk mund të mbështetej më tek ai që i kishte duart e tij të lagura me gjakun e të atit të saj, ndaj ajo, Ofelia, së bashku me lumturinë humbi edhe arsyen. Megjithatë, ajo mbeti e bukur dhe e adhuruar, sepse mendjen e humbi sepse nuk gjeti më dashurinë e besën, që shpresonte se do t’i gjente dhe prandaj u largua nga rrethi i njerëzve. Edhe Niobea, e ngrirë si vetë mermeri dhe e zbardhur si vetë vdekja, nën shigjetat që vrisnin të bijtë e saj në palestrën e qytetit, ku vazhdonte të ishte mbretëreshë, edhe ajo ka mbetur si shembull i bukurisë së pavdekshme”.
Ka një pikë këtu që të shqetëson, sepse krijon idenë e një paraleleje. Mënyra si e vështronOfelinë, De Rada është edhe si një përjetim i tij i gjallë dhe vetjak. Në morfologjinë krijuese të Milosaos ne mund të parakuptojmë edhe diçka shekspiriane. Dhe De Rada ka ndikim shekspirian. Ndoshta rreshtat që ka shkruar ai për Ofelinë mund të na orientojnë, në semantikën e asaj që duam të parashtrojmë. Nëse tragjedia e Ofelisë që dashuronte Hamletin, qëndronte në kontrastin e statusit shoqëror midis tyre – Hamleti ishte princ mbretëror, kurse Ofelia nuk ishte e tillë, atëherë kjo dilemë hamletiane e përshkon, depërton edhe Milosaon, i cili ndonëse në një fshat të humbur të Kalabrisë (pra vetë De Rada) apelon dhe beson në një status aristokratik, ndërsa Rina është një vajzë e varfër e popullit, tërësisht e sinqertë, me bukuri mahnitëse, por e papërputhshme me statusin social të të dashurit të saj. Hamletizmi për të cilin fola më sipër shtrihet edhe në një pikë tjetër. Në karakterin e dyzuar dhe të pavendosur të Milosaos, i cili nuk di si të veprojë, pra është në një kontradiktë të brendshme të vetvetes, të shoqërisë dhe dashurisë. Pikërisht si princi Hamlet, i cili është ngurrues për të marrë hakun e babait të tij të vrarë nga xhaxhai. Monologu i famshëm i Hamletit për vetëvrasjen e tregon këtë thagmë. Hamleti shprehet se për fat të keq i kish takuar atij ta ndreqte botën, por nuk kish në vetvete fuqi aq të mëdha për ta bërë këtë. Milosao në këtë aspekt është po aq Hamletian. Ai e dashuron vajzën, e ndjen, që kontradikta midis gjendjeve të tyre të përcaktuara nga pasuria apo nga varfëria është pa asnjë kuptim, por është i hutuar, madje edhe i frikësuar, madje dhe ngurron të bëjë një veprim radikal. Rina ka në këtë pikëpamje ofelizëm të qartë, ndonëse ajo nuk ka fatin e Ofelisë, e cila e çmendur mbytet midis luleve në një lumë. Rina arrin të martohet me Milosaon, kanë edhe një djalë. Por, sipas një plani providencial të ardhmërisë në fillim i vdes djali, pastaj vdes edhe vetë Rina, gjë që të jep përshtypjen e një shpagimi hyjnor, se sa atë të viktimizimit rastësor të rrethanave të jetës. Edhe Milosao e shikon me pikëllim këtë gjë, i përmend të dy vdekjet e njerëzve të tij të dashur, gati me ndjenjën e një fatalizmi të çuditshëm. Ja që një shënim fragmentar për Ofelinë e Shekspirit mund të na sjellë një reflektim për vetë poetikën e De Radës. Është befasuese të lexosh në librin estetik të De Radës për një nga figurat më të madhërishme të letërsisë botërore, për Servantesin. Besoj se ravijëzimet e De Radës për Servantesin janë gjithashtu të parat në kulturën tonë kombëtare. Na kujtohet sërish Fan Noli që përktheu papërsëritshëm Servantesin. Don Kishoti është padyshim romani më i madh i të gjitha kohërave.
Po çfarë shkruan De Rada për Servantesin? “Është e vërtetë se me soditjen e anës gazmore të lehtë të jetës, që nuk mund ta lartësojë në mendje e ta çojë peshë shpirtin, ndodh në praktikë që romani dhe komedia të duket sikur zihen nën mbizotërimin e një shqyrtimi të qetë ngjarjesh. Dhe prandaj Servantesi është po aq gjenial sa edhe komedia e Aristofanit dhe Molierit. Me këtë rast, le të kujtojmë se për Komedinë as për vetë lashtësinë nuk ishte arritur një mendim i prerë, nëse kjo (komedia) u përket apo jo gjenive letrare poetike, sepse edhe metrika në të nuk shpreh anën shpirtërore të gjërave që u intereson, por është thjesht një artific estetik dhe një veshje e ujdisur konvencionale e jashtme. Në pasqyrimin e anës serioze të jetës, ajo zgjidhje harmonie që ia ka dhënë në roman, tregon një farë pafuqie dhe uljen e vlerës që sidoqoftë mundet matet duke krahasuar trajtat e një poeti të madh me ato të një romancieri të madh. Shkaku që romani është më i përhapuri duhet kërkuar vetëm te lehtësia që paraqet kjo gjeni për t’u lëçitur nga njerëzit. Për lëçitje të tilla nuk duhet fare, ose fare pak ekzaltim shpirti, kurse nuk mund të hyjmë në sferën e poezisë së madhe pa u vërtetuar një transfigurim ose zhvendosje. Ndërsa sot romani e mbulon me sukses të madh atë që ndodh në historinë moderne, duke hetuar dhe trajtuar subjekte të veçanta të jetës”.
Sërish: “Përpjekjet e njerëzve për mirëqenien e përgjithshme, madje edhe vetë të folurit nënkuptojnë bashkëjetesën e njerëzve me njëri-tjetrin. Ne lindim në shoqëri, ekzistenca e së cilës është faktor i përhershëm dhe i pamposhtur. Nuk është vetmia, por bashkësia shoqërore, ajo që na ndihmon që të kemi gjithë gjërat që na nevojiten… kjo duket fort e qartë për jetën materiale, e cila çmohet aq shumë nga individët dhe shtetet në këtë shekull, që i ka bërë të tijat ndjenjat dhe rolin e Sanço Panços.”
“Principet e estetikës” në 1861, pra 155 vjet më parë, e tregojnë De Radën një mendimtar estet shumë më përpara Faik Konicës dhe Fan Nolit.
Në 400 vjetorin e vdekjes së Shekspirit dhe Servantesit ne kuptojmë se De Rada ka qenë i pari shqiptar që ngre lart emrat e këtyre kryemjeshtrave.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura