ҪERKIN BYTYQI: TRASHËGIMIA KULTURORE NË VENDBANIMET E VËRRINIT TË PRIZRENIT

Pashtriku.org, 01. 05. 2016: Vendbanimet e Vërrinit që i përkasin komunës së Prizrenit, paraqesin një regjion me një trashigimi të pasur kulturore, e cila, për fat të keq, me kalimin e viteve ka rënë në harresë. Riaktivizimi, kutlivimi dhe afirmimi i këtij thesari të çmueshëm, paraqet nevojë të domosdoshme, kurse për këtë, përpos subjekteve të vendbanimeve të këtij regjioni, duhet veçanërisht të përkujdesen organet përkatëse të komunës. Këto, me planet zhvillimore të sferës turistike, kulturore dhe ekonomike të komunës duhet të parashohin orientimin e investimeve edhe në Vërri, regjion ky i pa zhvilluar ekonomikisht, nga fshatrat e të cilit, në mungesë të perspektivës, popullata gjithnjë e më shumë po migron në Prizren dhe jasht vendit. Prandaj, me riaktivizimin e veprimtarive zejtare, trashigimisë kulturore dhe zhvillimin e turizmit, krahas sferës bujqësore që në të kaluarën ishte tejet e zhvilluar, do të krijoheshin mundësitë për një jetë më të mirë të banorëve të kësaj treve.

Prizreni – në bjeshkë fshatrat e Vërrinit.

Në Vërri, dikur ushtroheshin zeje tashmë të harruara
Supozohet se në Vërri përkatësisht në fshatin Hoçë të Qytetit, si qendër e regjionit të Vërrinit (komuna e Prizrenit), ku gravitojnë tetë vendbanime, veprimtari tejet të zhvilluara dhe të njohura zejtare që nga lashtësia, ishin ato të tabakëve (lëkurëregjësit), samarxhinjve (samarëpunuesit) dhe gërçakxhinjve (testipunuesit). Këto zeje si dhe disa të tjera të njohura si ai i mullinjxhinjve (dëshmohet se kjo zeje në këtë anë është e pranishme madje që nga viti 1348 e më herët), zhgunjaxhinjve, pëlhurendëseve, hanxhive etj., për të cilat dëshmojnë toponimet e trashëguara brez pas brezi, dikur në këtë rajon ishin shumë të zhvilluara. Se tri lagjet e këtushme përkatësisht Mahalla e Tabakëve, Mahalla e Samarxhijve dhe Mahalla e Gërçakve, edhe aktualisht nga më të moshuarit, përmenden me këto emërtime, tregon se këto zeje janë ushtruar intensivisht në mënyrë të organizuar dhe që në kohët e hershme kan bërë emër, kurse gjeneratat e reja, për këto dhe zejet tjera që dikur në këtë vendbanim ishin tejet të zhvilluara, as që kanë dëgjuar. Lidhur me zhvillimin e veprimtarive zejtare në Vërri dhe veçanërisht në Hoçë të Qytetit (në rajonin e Prizren) që në kohët e hershme, të dhënat e shkruara janë të pakta, por supozohet se ato filluan të aplikohen në kohën kur po këto u zhvilluan në qytetin e Prizrenit. Siç mund të konstatohet, që në shekullin XIV, zeja e mullisit, në regjionin e Vërrinit, ushtrohej me sukses kurse më së voni në shekullin e XVIII, Hoça e Qytetit, ishte e njohur edhe me tabakët ose lëkurëregjësit. Mëhalla e Tabakëve ishte në zë për ushtrimin e kësaj veprimtarie. Në këtë periudhë në Hoçë të Qytetit, ishte e zhvilluar edhe zeja e samargjinjve (samarëpunuesit) dhe e gërçakëve (testipunuesit). Këto veprimtari zhvilloheshin në lagjet e këtij fshati të cilat thuhet se i kishin të ndara zejet që i ushtronin. Kështu, sipas ushtrimit të këtyre zejeve, tri lagjet e këtushme u bënë të njohura si Mëhalla e Samarxhijve (ajo e Shabollarëve), Mëhalla e Tabakve (ajo e Hoxhës) dhe Mëhalla e Gërçakëve (ajo e Gashjanëve). Emërtimi i tillë i tyre i përcjellë nga gojëdhënat, brez pas brezi, kultivohet edhe sot e kësaj dite. Shi për këtë edhe aktualisht nga më të moshuarit, këto lagje përmenden me këto emërtime. Gojëdhanat dëshmojnë se në këtë trevë ishin të zhvilluara edhe zejet e zhgunjaxhinjve, pëlhurendëseve, hanxhive etj., për të cilat është me vlerë të bëhen hulumtime që të ndriqohet një traditë e pasur zejtare të një vendbanimi fshatar siç është Hoça e Qytetit dhe Vërrini në tërësi.
Tabakët e Hoçës së Qytetit dikur ishin tejet aktiv
Meqenëse të dhëna të shkruara për këto zeje dhe veprimtaritë tjera në Hoçë të Qytetit nuk ka, nga gojëdhënat transmetohet se punë intensive zejtare janë bërë në shumë familje të këtushme. Blegtoria e zhvilluar në këtë trevë, që mundësonte prodhimin e lëkurave, pastaj kultivimi i gjerë i drurit të verrit, frashërit e llojeve tjera të lisave me shumë lëng në këto vise, nga lëvoret e të cilëve fitohej ekstrakti për regjjen dhe ngjyrosjen e lëkurave, ishin parakushte të rëndësishme që mbi të gjitha, veprimtaria e tabakëve në Hoçë të Qytetit të jetë e zhvilluar që në lashtësi. Të moshuarit akoma i ruajnë kujtimet për qërimin e lisave dhe marrjen e lëvoreve sidomos nga verri e frashëri, që futeshin në ujë të nxehtë për të fituar substancat që nevojiteshin për regjjen e lëkurave. Poashtu këtu flitet edhe për koritat e mëdha nga druri të punuara për futjen e lëkurave për tu gëlqerosur në to. Në Lumin e Hoçës së Qytetit si dhe atë që kalonte përmes fshatit, tabakët, siç rrëfehej, vendosnin kaca të mëdha që përdoreshin për shkeljen dhe larjen e lëkurave. Shkrimet e para për tabakët në Prizren i kemi në vakufnamen e Suzit nga viti 1513, pastaj në Defterin e Sanxhakut të Prizrenit të vitit 1591, ku përmendet e dhëna se 19 kryefamiljarë të familjeve muslimane, janë marrë me zejen e tabakëve, dhe se çdo udhëpërshkrues që kaloi nëpër Prizren ka përmendur tabakët e këtij qyteti. Ndaj, mund të thuhet se kjo ka qenë një bazë e mirë që edhe tabakët hoçjan, ndoshta që në këto kohëra ose edhe më herët, për shkak të afërsisë dhe lidhjeve të ngushta me qytetin si dhe në saje të kushteve të volitshme për ushtrimin e kësaj zeje (ujërave të mjaftueshëm, blegtorisë së zhvilluar dhe mundësive për gjueti që siguronin lëkura), në përpjekje për të siguruar egzistencën, të jenë marrë me regjjen e lëkurave. Mahalla e Tabakëve, megjithatë ka ekzistuar dhe ekziston edhe sot jo vetëm si toponim por si cilësim i një lagjeje të tërë të Hoçës së Qytetit. Kultivimi i zejes së tabakëve bëri që, siç rrëfente plaka Sadbere Buduri (1895-1985), përroi i lagjes të quhet Përroi i Tabakëve. Mbi lagje, poashtu, sipas kujtimeve të saj, ndodhej një çeshme që i thonin Çeshmja Tabakëve sepse atë e kishin ndërtuar disa nga tabakët e kësaj lagjeje. Kjo ishte çeshme e vetme e lagjes, mbase uji nxirrej nga puset e shumta që ndodheshin në oborret e shtëpive. Çeshmja ishte shumë e thjeshtë. Rreth burimit ishte punuar nga rrasat një mur kurse në te ishte futur një lug nga lëvorja e një druri të verrit, e cila ishte nxjerrë gjatë marrjes së lëvoreve për ngjyrosje të lëkurave. Çeshmes së Tabakëve, e cila ndodhej tek shtëpitë e sotme të familjes së Abaz Jakupit, sipas gojëdhanave, më vonë iu vendos edhe një koritë e punuar nga druri në të cilën ujë pinin bagëtia e fshatit.

Fshati Hoqë e Qytetit – lartë në bjeshkë fshati Kushtrim (ish’Billushë)

Toponimi Mahalla e Samarxhinjve-dëshmi e ushtrimit të zejes nga samarpunuesit
Qarkullimi i karavaneve nëpër këtë vendbanim, kushtëzoi që këtu të jet e zhvilluar edhe zeja e samarxhinjve (samarpunuesëve), të cilën e ushtronin banorët e lagjes të njohur edhe aktualisht si Mahalla e Samarxhive. Për punimin e samarëve në këtë vendbanim kishte parakushte sepse drunjët e frashërit, nga i cili punoheshin samarët, merreshin nga malet e këtushme. Druri, sipas rrëfimeve të disa pleqëve që i bartin kujtimet nga gojëdhënat, futej në ujë dhe bëhej më i njomë respektivisht më i butë. I njejti, duke e pjekur në flakë të zjarreve që ndizeshin në shpatet mbi lagjen që ushtrohej kjo zeje, lakohej për t`iu dhënë forma e përshtatshme për samar për shpatullat e kafshës që dedikohej përkatësisht për mushkën, kalin apo gomarin. Kashta për samarët sigurohej nga mbjellja e grurit, thekrës, tërshërës e elbit në arat dhe bregoret e bereqetshme të bujqëve të vyer. Pjesa e brendshme e samarit mveshej me zhgunin e prodhuar poashtu nga duart e hoçjaneve, që dëshmon se këtu ka qenë shumë e zhvilluar edhe zeja e zhgunëpunuesve. Zhgunëpunuesit e këtushëm që njëkohësisht ishin blegtorë të njohur dhe që nga delet merrnin sasi të konsiderueshme të leshit, prodhonin zhgunin jo vetëm për nevojat e tyre (për punimin e veshmbathjes si tirqive, xhamadanëve, koperaneve, etj.) por edhe për treg. Pjesë e veshmbathjes ishin edhe këmishat e pëlhurës për gra e burra (me mëngë të ngushta e të gjera) që punoheshin nga pëlhura e endur nga pëlhurendëset e këtushme ( të njohura për këtë veprimtari ishin deri vonë familja e Avllait Durës dhe e Beçës Dautit), pastaj nga materialet e thurura dhe të qëndisura.
Punimi i enëve nga balta – veprimtari e banorëve të Mahallës së Gërçakëve
Poashtu, në Hoçë të Qytetit (mendohet në shekullin e XVIII e më herët), ishte tejet e zhvilluar edhe veprimtaria e gërçakxhinjve (testixhinjve) respektivisht i punuesëve të enëve nga balta, zeje kjo sipas të cilës është emërtuar Mahalla e Gërçakve. Për prodhimtarinë e tyre përkatësisht të enëve shtëpiake si çerepit, tagarit, kalanicës, vekshit, qypit, testisë etj., gërçakxhinjtë hoçjanë, dheun e merrnin, si thuhet nga gojdhanat, nga vetëm disa kodra që veçoheshin me cilësinë e dheut i cili ishte i përshtatshëm për përpunimin me duar. Deri vonë, në shenjë respekti për këtë zeje të suksesshme dhe si vazhdimësi e kësaj tradite të punimit të enëve nga balta, në Hoçë të Qytetit, me rastin e Festës së Jeremisë, gratë e të gjitha lagjeve, shkonin në gropat nga është nxjerrë dheu, te Udha Gorës (rruga për në Gorë), dhe merrnin dheun të cilin me thasët që i bartnin në shpinë, e dërgonin në shtëpi dhe nga ai punonin çerepë. Po nga këto kodra, dikur nxirrej dheu për punimin e çerpikëve cilësor që përdoreshin për ndërtimtari. Kur është fjala te ndërtimtaria, duhet theksuar se vërrinasit në përgjithësi, deri vonë, objektet e banimit, i ndërtonin vet, kryesisht nga gurët që i merrnin nga Lumi i Hoçës dhe Bistrica (Lumbardhi). Më vonë prodhoheshin edhe tullat nga masa e baltës me dheun e zgjedhur të disa kodrinave të kësaj ane. Ndërkaq, drunjët i siguronin nga malet e dendura përreth fshatrave, kurse pullazet i mbulonin me kashtën e thekrës që e mbillnin sidomos në arat në shpatiet e vendbanimeve. Malet e pasura me drunjë të të gjitha llojeve, mundësuan që banorët e këtushëm me sukses t’i punojnë edhe enët shtëpiake që përdoreshin në përditshmëri si djepin pastaj sofrën, palarenë, magjen, lugët, etj., (në amvisni), shekën, ftinin (për blegtori), koritën, pirajkën (për larjen e rrobave), vekun, shtizën, boshtin, çëkërrkin (për përpunimin e leshit), parmendën, fturkën, grabujën si dhe qerren, vllaçën (për bujqësi), koshin (për grurë, misër, pemëtari, perimtari e bletari), shportën (për pemëtari), sajat për bartjen e drunjëve, etj.
Mullinjtë e njohur të Hoçës së Qytetit dhe Vërrinit
Fshatrat e Vërrinit, shquheshin për kultivimin e drithërave dhe ishin si thuhet hambar i rëndësishëm i regjionit të Prizrenit. Kjo imponoi nevojën që, që nga koha e hershme të ngriten mullinjë të shumtë, mbase ky regjion është i pasur me ujëra të lumenjëve që vënin në veprim gurët e dhjetra mullinjëve. Se kur është ngritur mulliri i parë në Hoçë të Qytetit, nuk ka të dhëna por nga Defterii i hollsishëm i Sanxhakut të Prizrenit, nr. 368, i vitit 1530, kuptojmë se në këtë fshat, në vitin 1530 ekzistonin dy mullinjë (një mulli i braktisur ndodhej në Jeshkovë). Ndërsa nga gojdhënat ruhet në kujtesë mulliri i Haxhi Ukës që ndodhej te shtëpitë e sotme të familjeve të Pajazit Hysen Krasniqit e i cili, në vitin 1910, u shkatrrua nga vërshimet e mëdha që përfshinë këtë fshat. (Nga këto vërshime u rrënua edhe xhamia e vjetër, e parë, e fshatit). Poashtu, këtu që herët funksiononte edhe Mulliri i Shaqir Agës (te Ura Farisë mbi lumin Bistricë), pastaj Mulliri Sabirit (pronar i tij ishte familja e Sabir Bytyçit). Ate e trashiguan Jetish dhe Açif Ramë Bytyçi. Ky mulli ishte i vendosur te Ogradet (kopshtet e rrethuara), pas objektit të sotëm të shkollës. Mulliri vihej në lëvizje me ujin e lumit që kalon përmes fshatit, përmes jazit të rregulluar enkas për këtë. Poashtu në këtë kohë ishte i njohur edhe Mulliri i Sezait (Sezai i Tahirit) që funksiononte në lagjen e Bytyçve, rreth rrugës që shpie për në fshatin Gjeç (Jeshkovë). Këtu funksionuan edhe mulliri i Jeminit Lazës (te shtëpitë e sotme të Ramadan Buduri) si dhe mulliri i Lazës Abazit (aktualisht toponimi i njohur si Mullini Dinës) që ndodhej nën katund dhe supozohet të ket funksionuar deri në vitin 1890. Poashtu në rrugën nga Hoça e Qytetit për në fshatin Gjeç (Jeshkovë), punoi Mulliri i Bajramit (Bajram Sharragjisë). Përveç mullinjëve në Hoçë të Qytetit, shumë mullinjë në të kaluarën punuan edhe në fshatrat tjera të rajonit të Vërrinit. Kështu në fshatin Arbëri (Leskovec) dikur ekzistonte Mulliri i Azemit, në Lybeçevë funksiononin Mulliri Durës, Mulliri Hoxhës, Mulliri Dautit, Mulliri Limanit, Mulliri Brahës e Mulliri Shamës ndërsa në Kushnin punuan Mulliri Hajdinit dhe Mulliri Azemit, nga të cilët mbetën edhe sot e kësaj dite toponimet me këta emra. Duhet theksuar se në vitin 1948, në Vërri funksionon mullinjët e Fejzulla Begzatit në Poslisht me dy gurë, Sezait Tahirit, në Hoçë të Qytetit, me një gurë dhe Xhelil Mustafës e Billall Zyberit në Lybeçevë, poashtu me nga një gur. Pronarët e tyre, nga Këshilli Popullor i Rrethit në Hoçë të Qytetit, u obliguan që për periudhën gjashtëmujore maj-tetor të vitit 1949, të dorzojnë në emër të grumbullimit të tepricave, 12.400 kilogram misër, nga të cilët, vetëm nga mulliri në Poslisht u morën 7400 kilogram.(Sipas Planit të grumbullimit të tepricave të misrit nga mullinjët në rajonin e Këshillit Popullor të Rrethit në regjioni e Hoçës së Qytetit, i evidentuar me nr. 167 të datës 23.V.1949. Dokumenti ruhet në Arkivin Regjional në Prizren). Poashtu, një vit më vonë u evidencuan edhe mullinjët e Jetishit Ajetit në Hoçë të Qytetit dhe Bejtulla Saitit në Lybeçevë. Përndryshe, toka e bereqetshme dhe rendimentet tejet të mira të drithërave, si thuhet, mundësuan të punojnë me sukses të gjithë mullinjët në Vërri.
Mulliri në Poslisht që para vititi 1348


Mulliri në Poslisht

Duhet përmendur sidomos rëndësinë e disa mullinjëve që funksionuan në fshatin Poslisht, që u shërbenin banorëve të regjionit të gjerë të Prizrenit. Për ekzistimin e disa mullinjëve në fshatin Poslisht, të cilët punuan me ujin e lumit Gurrë që buron këtu, kuptojmë edhe nga një dokument i rëndësishëm i shkruar historik që nga viti 1348. Në krisobulën e Mbretit Dushan, pos tjerash thuhet se “Car Stefan Dushani themelon manastirin e shënjtorëve Mihal dhe Gabriel në Prizrend dhe i dhuron me këtë krisobulë prona dhe të drejta feudale (1348)”. (Burime të zgjedhura për historinë e Shqipërisë, Vëllimi II, Shek. VIII-XV, Universiteti Shtetëror i Tiranës/Instituti i Historisë dhe gjuhësisë, Tiranë, 1962, fq. 143;) Në këtë dokument, përveç të tjerash është shkruar se dhuron edhe “Fshatin Leskovç (Leskovec-ç.b) kufiri i të cilit shkon prej Lluboçevit(Lybeçevës-ç.b.) dhe prej Hodçes (Hoçës së Qytetit-ç.b.) siç bie rruga e tërthortë në kishë… Fshatin Plloskishtino (Poslisht-ç.b) me mullinjë dhe me vreshta dhe me sinore dhe me të gjitha të drejtat e atij fshati, ashtu siç i kan mbajtur që përpara me Billushin (Billushën-ç. b.) dhe me Hodçen, kështu të mbahen.” (Burime të zgjedhura për historinë e Shqipërisë, Vëllimi II, Shek. VIII-XV, Universiteti Shtetëror i Tiranës/Instituti i Historisë dhe gjuhësisë, Tiranë, 1962, fq. 148;) Kjo dëshmon se tradita e egzistimit të mullinjëve në Vërri e sidomos në Poslisht, daton madje edhe para vitit 1348 kur është shkruar ky dokument. Besohet se nga kjo kohë, pos mullinjëve tjerë, në Poslisht, funksion mulliri që punon edhe sot e kësaj dite, i njohur si Mullini Dinës. Deri para disa vitesh, objekti i këtij mulliri për shkak të vjetërsisë, paraqiste raritet, kurse, si mulli gurët e të cilit rrotullohen me forcën e ujit, mund të thuhet se është nga të vetmit ose të rrallët në Kosovë. Mu për këtë dhe duke u nisur nga rëndësia e tij që mund të ket në sferën historike dhe atë turistike, është mëse e nevojshme të shpallet si objekt i rëndësisë së veçantë historike, në mënyrë që të ruhet vlera e tij e lashtësisë së kahershme.
Hanet në Hoçë të Qytetit
Në Hoçë të Qytetit, me kohë jan kryqëzuar shumë rrugë që kishin rëndësi për zhvillimin e tregëtisë. “Via Egnacia” që lidhte Prizrenin me Durrësin mundësonte njëkohësisht lidhjen e trojeve shqiptare me Evropën përmes udhës detare. Vetëm dy kilometra e ndanin këtë fshat nga kjo rrugë e atëhershme strategjike. Nëpër Hoçë të Qytetit dhe Kushtrim (Billushë), kalonte poashtu deri vonë, një rrugë shumë e vjetër që e lidhte Gorën e Opojën me Prizrenin. Vërrinasit këtë e quanin Udha e Gorës. Thuhet se kjo ishte rrugë karvanesh dhe se kishte rëndësi të madhe. Komunikacioni bëhej me kuaj, mushka e gomarë. Por, përmes kësaj rruge kalonin edhe bagëtitë që dërgoheshin në tregun e njohur të Prizrenit. Kur kësaj i shtohet fakti se këtu kalonte rruga që Prizrenin e lidhte me Opojën dhe Gorën si dhe ajo që qonte për në Zhur e Kukës, ishte e arsyeshme pse në kohët e hershme, tregu që zhvillohej disa herë në vit në Hoçë të Qytetit, ishte i njohur jo vetëm në Kosovë. Ndërkaq, nga fakti se përmes fshatit Hoçë e Qytetit, kalonte rruga e rëndësishme që Prizrenin e lidhte me rajonin e Sharrit e të Tetovës, përmes të cilës qarkullonin karvanet, këtu që herët, thuhet se janë ngritur hane. Në to, përveç njerëzve, vendoseshin edhe bagëtitë. Në hane mundësohej vendosja e disa qindra deleve, dhive, lopëve, buallicave, kuajve, mushkave dhe gomarëve. Nga gojëdhanat transmetohet edhe sot e këtyre ditëve se dikur, hyrja e fshatit e aktualisht qendra e fshatit, quhej e quhet “Te Hani” për të cilën thuhej “Isha te Hani”;” Po shkoj te Hani”;”Njeva te hani”. Kjo thënje e fundit dëshmon se në hane këmbeheshin edhe lajme, në mungesë të mjeteve të informimit, pastaj bëhej edhe dërgimi i letrave apo edhe gjësendeve për të njohurit, të afërmit etj. Thuhet se këtu dikur ishin të ngritur hane përkatësisht bujtina që u shërbenin për vendosje e pushim, tregëtarëve të shumtë që vinin këtu për të bërë tregëti nga vise të ndryshme. Këtu u vendosnin edhe tregëtarët që shkonin e ktheheshin nga Prizreni. Që të mos udhëtonin këmbë e me kuaj natën, vendoseshin në Hanet e Hoçës. Të njohur, sipas gojëdhënave, ishin hanet e paraardhësve të Sedës Avllait dhe Hani i Totës. Kështu, qarkullimi i karvaneve bëri që në Hoçë të Qytetit, të ket qenë e zhvilluar zeja e hanxhive kurse në hanet e këtushme, thuhet se është ushtruar edhe zeja e nallbanve.
Në Hoçë të Qytetit – sharra e parë me ujë
Një veçanti, në Hoçë të Qytetit, paraqiste edhe sharra me ujë, që konsiderohet se ishte e para e këtij lloji në regjionin e Prizrenit e më gjerë. Ishte kjo pronë e Bajram Amitit – Shala, nga ky fshat. Sharra me ujë thuhet se funksiononte shumë vite para Luftës së Dytë Botërore dhe se kjo ishte e vendosur në mes të Hoçës së Qytetit dhe fshatit Gjeç (Jeshkovë), te vendi i quajtur “Te bashqet”, në të majtë të lumit të Gjeçit. Vihej në veprim me anë të ujit që merrej nga lumi që nuk shterrte asnjëherë. Ishte projektuar dhe ngritur nga vet pronari Bajram Amit Shala. Luajti rëndësi të madhe për përmirësimin e kushteve dhe modernizimin e ndërtimit të shtëpive, hambareve dhe veglave të punës nga drurët dhe drrasat që prodhoheshin këtu. Kjo sharrë u bënte shërbim banorëve jo vetëm të kësaj ane. Natyrisht që sot shprehet keqardhje për zhdukjen e tërësishme të saj, kurse nisma për riaktivizimin eventual të sharrës, edhe atë formal, të ringjalljes sëpaku si dëshmi e të qenit të saj në të kaluarën, do të ishte atraktive dhe me interes për gjeneratat e tashme e të ardhshme dhe sidomos për vizitorët. Thuhet se sharra të ngjajshme, sipas idesë së Bajram Amitit Shala, u ndërtua edhe në disa vendbanime tjera të regioni të Prizrenit dhe të Kosovës.

Hartimi i një guide turistike – dëshmi e një të kaluare të pasur zejtare
Për këto zeje, të cilat dikur në Hoçë të Prizrenit kanë bërë jetë aktive, deri më tash nuk është shkruar asnjë fjalë dhe se për ushtrimin e tyre në këtë fshat dhe në mbarë rajonin e Vërrinit, nuk dihet fare. Nga gojëdhënat transmetohet se këtu dikur, në të kaluarën e largët, zejet e tilla ishin tejet të zhvilluara. Megjithatë, nisur nga rëndësia, do të ishte me vlerë për të gjurmuar më shumë këtë temë dhe pse jo, në interes të tërheqjes së turistëve, hapja e ndonjë muzeu të vogël kushtuar këtyre veprimtarive të cilat me improvizime sipas gojëdhanave, do të jenë dëshmi më e mirë për brezet e ardhshme. Poashtu, edhe për tërheqjen e turistëve, siç veprohet aktualisht kudo në botë duke riaktivizuar zejet e vjetra të harruara, ndoshta do të ishte domethënëse nisma për të regjistruar apo hartuar një guidë turistike për këtë vendbanim si dëshmi e një të kaluare të pasur zejtare me zejet e zhvilluara të mullinjxhinjve, tabakve, samarxhinjve, gërçakxhinjve, zhgunjaxhinjve, pëlhurapunuesëve, hanxhive etj.
Pasqyrimi i dëshmive historike-bazë për zhvillim
Në shumë vende perëndimore, me të madhe është punuar dhe punohet për të dëshmuar traditën e zhvillimit ekonomik të vendbanimeve të shumta përmes pasqyrimit të dëshmive historike. Ndaj, veprimtarive që kaluan në harresë, u erdhi koha të riaktivizohen. Ato nuk jan funksionale por si objekte u rindërtuan, restauruan dhe me mburrje u prezantohen vizitorëve. U shërbejnë edhe studentëve të sferave të ndryshme. Kështu dëshmohet trashigimia kulturore në një anë dhe krijimi i një potenciali turistik që mundëson realizimin e të ardhurave. Mullinjët mbi të gjitha dikur ishin një fabrikë e rëndësishme e njerëzimit që paraqtnin një zhvillim domethënës teknik sidomos për trevat shqiptare. Kujdesi më i madh për restaurimin e mullirit ekzistues në Poslisht (versionit të vjetër të mullirit) madje edhe me mjete shoqërore duke e shpallur atë paraprakisht si objekt i rëndësisë së veçantë historike, si dhe riaktivizimi eventual i ndonjërit nga këta mullinjë të dikurshëm historik si dhe të sharrës së vjetër me ujë, që funksionuan në të shkuarën në Vërri të Prizrenit, do të përjetonin një interesim të veçantë teknik të vizitorëve dhe paraqitnin atraktivitet të veçantë turistik sikundër edhe mbrojtja nga shkatrrimi i disa shtëpive karakteristike banimi të ndërtuara nga gurët, që ndodhen në fshatin Kushtrim (Billushë) e të cilat iu shpëtuan shumë stuhive të deritashme, pastaj xhamia e vjetër në Arbëri (Leskovec) me një minare specifike, Tyrbet e Babës Ymer në Lez, e Babës Zenel në Malësi të Vërrinit (Lybeçevë) dhe Tyrbja e Babës Zenun në Poslisht, që luajtën rol të madh në zhvillimin e frymës së besimit.
Mbrojtja e trashëgimisë kulturore në Vërri-imperativ i kohës
Formimi i një këshilli për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Vërri dhe riaktivizimin e asaj që i përket të kaluarës historike do të ishte me rëndësi të veçantë. I mbështetur nga strukturat komunale të Prizrenit, ky këshill, do të bënte punë me vlerë të madhe shoqërore, aq më tepër kur në një të ardhme jo të largët, Vërrini, me qendrën e tij në Hoçë të Qytetit (që në të kaluarën shumë kohë ishte komunë), do të bëhet komunë në vehte dhe trashigimia kulturore historike do të paraqet bazë të mirë turistike dhe ekonomike. Kjo aq më parë mga fakti se vendbanimet e Vërrinit në të kaluarën paraqitnin interes të rëndësishëm turistik e në veçanti Poslishti i cili vite me rradhë ishte qendër e afërt për rekreacion sidomos për qytetarët e Prizrenit por edhe për shumë vizitorë të huaj. Ndaj, krahas mbrotjes së trashëgimisë kulturore, inicimi i investimeve për ndërtimin e ndonjë senatoriumi a pushimoreje, do të ishte me interes për të filluar edhe zhvillimin ekonomik të këtij dhe vendbanimeve tjera në Vërri.
Në Vërri-bazë e mirë për organizimin e turizmit fshatar
Interesimi për të kaluar pushimet në vendbanimet fshatare në Kosovë, në një të ardhme të afërt, gjithësesi se do të aktualizohet, sikundër në shumë vende perëndimore ku fshati, konsiderohet si vendpushim tejet i rëndësishëm, që ndodhet larg vendpushimeve të zhurmta. Për adhuruesit e turizmit fshatar mund të ofrohen shumë befasi sidomos në rajonin e Vërrinit të Prizrenit ku gravitojnë vendbanimet Hoça e Qytetit, Poslishti, Kushtrimi (Billusha), Gjeçi (Jeshkova), Malësia e Vërrinit (Lybeçeva), Lezi, Kushnini dhe Arbëria (Leskoveci). Mirëpo, aktualisht, për mundësinë dhe nevojën e zhvillimit të kësaj veprimtarie të rëndësishme ekonomike, nuk bisedohet në asnjë nivel.
Poslishti-vend pikniku dhe rekreacioni
Është pak e njohur se dikur, fshatrave të Vërrinit, ua mësynin numër i madh i vizitorëve jo vetëm nga Prizreni, të cilët , gjatë verës me vapë, freski gjenin në këto anë, me burime të pasura të ujit, me drunjë të lartë e plotë hije, me florë e faunë të begatë, me ushqim ekologjik etj. Kështu, në veçanti, fshati Poslisht, me freskinë që i krijonte burimi i ujit të Gurrës së ftohtë, gjelbrimi dhe flladi nga drunjët e lartë, ishte vend tejet tërheqës, krahas Kërk-bunarit, Vlashnjes e grykës së Lumbardhit mbi qytet, për piknik të qytetarëve nga Prizreni, të cilët këtu arrinin që herët në mëngjes (fillimisht në këmbë e më vonë me pajtona, qerre, biçikleta, vetura etj.) dhe qëndronin deri vonë në mbrëmje. Dalja në “teferiç” e tyre në Poslisht, ishte e organizuar. Përveç shijimit të freskisë në ditët me vapë, përgatitej ushqim dhe organizoheshin lojëra të ndryshme. Poslishti, pra, vite me rradhë ishte qendër e afërt për rekreacion sidomos për qytetarët e Prizrenit por freskinë dhe kënaqësinë që ofronte natyra në te, e shfrytëzonin edhe shumë qytetarë të komunave fqinje madje edhe vizitorë (turist) të huaj të cilët gjatë qëndrimit në Prizren, e vizitonin edhe këtë vendbanim të rëndësishëm me perspektivë turistike. Përveç bukurive natyrore, këtu ndodhen edhe disa objekte të rëndësishme që paraqesin atrakcion për vizitorët si mulliri i vjetër që është në funksion madje, sipas dokumenteve të shkruara historike që para vitit 1348, pastaj Tyrbja e Babës Zenun, xhamia e re me një kopsht të rregulluar për lakmi, rezervuari i pasur i peshqëve dhe objekte të vjetra e të reja banimi. Dikur, në këtë fshat turistik ishte tejet i zhvilluar sporti i peshkimit, mbase për këtë, kushte tejet të favorshme ofronte uji i burimit përkatësisht lumi Gurra që buron në këtë fshat. Të moshuarit e mbajnë në kujtesë se përgjatë lumit, vëreheshin peshkatarët e pasionuar të cilët arrinin nga Prizreni dhe qytetet tjera për të gjuajtur në ujin e ftohtë të Gurrës.
Rajoni i Vërrinit i rëndësishëm për hartën turistike të Kosovës
Poslishti, ky vendbanim i rëndësishëm e me traditë turistike si dhe vendbanimet tjera të Vërrinit, padyshim se duhet të zënë një vend të rëndësishëm në hartën turistike të Kosovës. Shi për këtë duhet të hulumtohen mundësitë e investimeve për të mbështetur bazën e zhvillimit të turizmit në këtë nënqiell. Për këtë flasin shumë karakteristika të cilat paraqesin bazë të rëndësishme për zhvillim turistik e që duhet të shfrytëzohen në të ardhmen e afërt. Parasëgjithash, ekzistimi i shumë objekteve nga trashëgimia kulturore, që në të kaluarën por edhe aktualisht vizitohen me interesim nga numër i madh i qytetarëve. Sidomos Tyrbja e Babës Ymer në fshatin Lez, Tyrbja e Babës Zenel në Lybeçevë, xhamia e vjetër në Leskovec, Guri i Kallugjerit në malin Gjerman, mbi fshatin Hoçë e Qytetit, pastaj shtëpitë karakteristike të ndërtuara nga guri në fshatin Kushtrim (Billushë) etj.
Guri i Kallugjerit supozohet se ishte vendbanim shpellor nga koha ilire
Guri Kallugjerit (njihet edhe si Guri i Monarkut), i përket një vendbanimi të fortifikuar që është karakteristikë e vendbanimeve të tilla që lindën kur shoqëria Ilire arriti një nivel më të zhvilluar të saj. Edhe pse është e ditur se murin rrethues e ngritën nga tullat e pjekura të kuqe (gjurmë të tyre gjenden edhe sot) Kallogjerët e Hilanderit me të vendosur në Hoçë të Qytetit, konsiderohet se mbetet punë për hulumtime arkeologjike sepse këtu mund të ketë ekzistuar nga lashtësia një vendbanim shpellorë. Ky njiherit konsiderohet si vend i shejtë ku dikur arrinin sidomos nga qyteti, shumë vizitorë. Shumë gra nga qyteti, të moshuara dhe me veshjen karakteristike me pshtjellak e shami mbi kokë, deri vonë vinin këmbë nëpër Hoçë të Qytetit dhe shkonin për të vizituar Gurin e Kallugjerit. Mbahej mend të ishte thënë për to: -“Erdhën Llatinkat”, “Shkuën Llatinkat”, “Jepju ujë Llatinkave” etj. Kjo është një dëshmi e mirë se Guri i Kallugjerit është trashëguar nga Llatinët [1] Albert Ramaj, St. Gallen 10 nëntor 2003; NËNA TEREZË-BOJAXHINJTË DHE PREJARDHJA E TYRE-(Diçka mbi vllehët dhe “llatinët”): “Kthjellimit të çështjes së përkatësisë etnike të familjes Bojaxhiu do t’indihmonte, kujtoj unë, edhe sqarimi i historikut të lindjes dhe kuptimit që kishte atributi “llatin”sidomos në Kosovë e në Maqedoni. Kështu p.sh. besimtarët myslimanë të Malësisë së Karadakut të Shkupit, na quanin neve të besimit të krishterë katolik “llatinë”. Ky atribut ka mbase lidhje me përdorimin nga katolikët shqiptarë të latinishtes për gjuhë të liturgjisë. Shqiptarët katolikë quhen latinë edhe në shkrimet serbe që nga shek. 12. Kjo shihet qartë në shkrimet e Stefan Nemanjës dhe sidomos në Kodin e Stefan Dushanit. Bile, edhe Brokardus (1332) i quan katolikët e qyteteve bregdetare shqiptare: Tivar, Ulqin, Drisht, Shas, Shkodër për latinë. Po ky atribut përdorej dhe përdoret edhe sot sidomos për familjet e vjetra shqiptare katolike në Prizren dhe për ato të Shkupit. Familje “llatine”ishte pra edhe familja Bojaxhiu. Që ta kundërargumentojmë se ky epitet nuk ka të bëjë aspak me teorinë e “latinitetit” të aromunëve në Ballkan, po e përmend faktin se ky epitet u përdor në trojet e sotme të Kosovës dhe të Maqedonisë përgjithësisht për komunitetin katolik. “Latinë” quhen, së këndejmi, edhe banorët e katundeve Letnicë, Shashar e Vërnez të Malësisë së Karadakut e të cilët janë me përkatësi etnike kroate, përkatësisht me prejardhje raguzase dhe janë të besimit katolik”. Përkatësisht ky monument ishte pronë e shqiptarëve të konfesionit katolikë, të cilët, mund të supozohet se janë përndjekur pasi që në epokën e Stefan Dushanit, në Kosovë, ka pasë përndjekje të mëdha të shqipëtarëve katolikë që nuk pranonin konvertimin në ortodoksë. Kjo përndjekje ishte legalizuar në Kodin e Car Dushanit. Ndaj një fat i tillë i ndoqi edhe Llatinët e trevës së Vërrinit. Duhet theksuar se në brendinë e Gurit të Kallugjerit, vërehet e gdhendur në gur, një këmbë dhe një shalë kali që sipas rrëfenjëzave mitike, mund të supozojmë, se edhe këto janë gjurmë të shenjtorit të bektashinjve, Sari Salltukut, (që ka vepruar në kohën e fillimit të Perandorisë Osmane) mbase, po në malin Gjerman, ku ndodhet Guri i Kallugjerit do të ket qenë Sari Salltuku. Etnologu M. Tirta, pohon se pranë disa teqeve ose brenda tyre, na dëshmohen gjurmët e këmbëve të njeriut të gdhendura në gurë. Rrëfenjat mitike thonë se këto janë gjurmë të shenjtorit të bektashinjve, Sari Salltukut. Këtë e pohon studjuesi Nexhat Ibrahimi, i cili duke shkruar për gjurmët e shejtorit në vende të tjera të shejta thot: “Gjurmë të ngjashme, mbase të njëjta, hasim edhe në periferi të fshatit Zgatar të Opojës, në drejtim të rrugës Zgatar-Lybeçevë-Prizren, në vendin e quajtur Gjerman. Në këtë vend gjenden disa gjurmë të kulturës islame të pashpjeguara deri më sot. Në një shkëmb, jo fort të madh, nja 500 metra larg fshatit, gjendet vendi i quajtur “Guni i Haxhisë”, ku kemi gjurmët e shenjtorit të gdhendura në gurë, duke marrë në shenjë këmbët e kalit, dhe pak më andej, disa metra larg, kemi një karrige të gdhendur, të thelluar në gurë, ku njerëzit ulen, këpusin një pe nga petkat e veta dhe pushojnë një çikëz. Legjenda thotë se ulja në këtë karrige dhe pushimi i shkurtër në të është shërues. Më tej, 300-500 metra kemi vendin e quajtur “Varri i madh”, i muruar në gurë, në formë katërkëndëshi, me një dollap të vogël (zgavër) për të lënë para, vezë pule e gjësende të tjera. Ky varr edhe sot nderohet e vizitohet…. ….. Po ashtu, disa kilometra më tej gjendet “Shpella e Madhe” e Zgatarit, ku sipas legjendës, hazreti Aliu ka luftuar kundër dragoit dhe e ka mbytur, sepse ky i paska ngujuar në shpellë banorët e fshatrave e veçanërisht femrat e reja”. [2] Nexhat Ibrahimi: Roli i Sari Salltukut në përhapjen e Islamit në trevat ballkanike, para shek. XIV; “Universi” Nr.3; http://www.aiitc.org/universi/nr3/studime3.html#_ftn44 Të shtojmë se kur është fjala te Guri i Kallugjerit që ndodhet në malin Gjerman, ky konsiderohet si vend i shejtë dhe deri vonë, vizitohej nga njerëzit sidomos nga qyteti dhe veçanërisht gratë me dëshirën për të lënë pasardhës. Këtu zihej gjellë, ndezeshin qirinjë, leheshin të holla. Nga banorët e moshuar të Hoçës së Qytetit e të Jeshkovës, mbahet në kujtesë se rëndomë, tek Guri i Kallugjerit, vizitorët qëndronin deri pasi të hanin drekën dhe se këtu bënin lutje për plotësimin e dëshirave. Gratë që vinin me dëshirën për të lënë pasardhës, hynin në shpellën e Gurit dhe bënin gjumë, poqese do të kenë dëgjuar zhurmën e lëkundjeve të djepit, besohej se do t`iu përmbushej dëshira. Afirmimi i vlerave të trashigimisë kulturore të Gurit të Kallugjerit dhe objekteve tjera nga e kaluara e largët dhe e afërt në Vërri, do të riafirmonte interesimin për të tërhequr vizitorët.


Tyrbja e Lezit – Babës Ymer

Vendet e shejta në Vërri
Në fshatrat e rajonit të Vërrinit, nga lashtësia, ndodhen disa vende të shejta e disa objekte të moçme të kulturës shpirtërore e fetare, në të cilat popullata ka besuar dhe vazhdon të besojë e t’i respektojë edhe sot. Ato nderohen jo vetëm nga populli i kësaj ane por edhe më largë.
• Tyrbet në Lez-e Babës Ymer,
• në Lybeçevë-e Babës Zenel dhe
• Tyrbja e Babës Zenun në Poslisht,
luajtën rol të madh në zhvillimin e frymës së besimit dhe se paraqitnin një misticizëm të zhvilluar. Përfaqësuesit e tyre ishin shumë afër ndjenjave shpirtërore të popullit. I ndihmonin popullit duke ndarë ushqim, veçmas varfanjakëve, kurse udhëtarëve të rastit u ofrohej edhe vendosje. Shpirtërisht, veprimi i tyre, e begatoi frymën e mendimit të njerëzve, me të cilët bisedohej dhe bënin ziqër në popull. Vlen të thuhet se sipas gojdhënës, themelimi i vendbanimit Lez, është i lidhur edhe me tyrben e Baba-Ymerit, që ekziston në këtë fshat, e njohur dhe e respektuar nga rrethina e gjerë. Fshati Lez, njihet në Kosovë dhe më gjerë me Tyrben e Babës Ymer, e cila supozohet se është ndërtuar pas shekullit të XIII . Kur dihet fakti se në dokumentet e shkruara, me emrin Lezibaba, varet nga Peja, ky vendbanim është i regjistruar në defterin e Sanxhakut të Shkodrës, të vitit 1485 dhe kishte 5 shtëpi, mund të konstatohet se supozimi për ekzistimin e kësaj Tyrbeje nga shekulli i theksuar, ka mbështetje historike. Tyrben e Babës Ymer dhe këtë fshat pitoresk, e kanë vizituar dhe e vizitojnë mijëra vetë nga rrethina dhe më gjerë si dhe ushtarët turq që shërbenin dhe shërbejnë në këto vise. Në ditën e Festës së Shinkollit (Shën Kollit), është bërë traditë që në Lez të arrijnë disa qindra vizitorë nga vise të ndryshme. Përveç që bëhet nezër në Tyrben e Babës Ymer, këtu përgatitet ushqim, shtrohen dreka të përbashkëta etj. Më herët, një numër vizitorësh kalonin natën në Lez, në familjet mikpritëse lezjane, e poashtu organizoheshin edhe haengje, vallëzim me ritmin e zurleve dhe daulleve si dhe këndoheshin këngë të përcjella me def. Në popull, brez pas brezi është transmetuar epiteti për këtë fshat mikëpritës e njerëzit bujar të tij si SOFRALI LEZI që dëshmon se ky është fshat që në vazhdimësi me zemër shtroi sofrat dhe ofroi mikëpritje të njohur. Vizitorët që këtu arrinin përmes fshatit Lybeçevë, e vizitonin dhe e vizitojnë edhe Tyrben e Babës Zenel në këtë fshat. Se a janë Baba Ymer në Lez, Baba Zenel në Lybeçevë dhe Baba Zenun në Poslisht, pasardhës respektivisht pasues së rrugës së Baba Sari Salltukut, që luajti rol të rëndësishëm në transmetimin e mësimeve sufistike, mbetet të gjurmohet. Shumë elemente dëshmojnë se Sari Salltuku ka qëndruar edhe në këto anë. Në salnamen e Prizrenit, mund të lexohet e dhëna për Sari Salltukun: “Në pjesën perëndimore të qytetit, në një largësi prej tri orësh, mu në maje të bjeshkës Pashtrik, ndodhet tyrbja në të cilën është varrosur Sari Salltuk Dede. Banorët e popujve të ndryshëm kanë respekt të madh ndaj personalitetit të përmendur dhe çdo vit, në kohë të caktuar, e vizitojnë atë”. (Dr. Maliq Osi; “Prizren drevni grad…”; Prizren, 1996, fq.156-157). Edhe një element me rëndësi që vlen të përmendet është e dhëna se në fshatin Jabllanicë, në afërsi të fshatit Lez, ku ndodhet Tyrbja e Babës Ymer, deri para disa vitesh, jetonte emri Saltik (Salltuk), me të cilin emërtoheshin fëmijët. Kjo, mbase është dëshmi se Sari Salltuku, do të ket qenë në këto anë apo emri i tij ishte i respektuar te rajoni ku ndodhet Tyrbja e Babës Ymer (në Lez). Në këtë vend të shejtë, pra te Tyrbja e Babës Ymer në Lez, edhe sot e kësaj dite arrijnë vizitorë të shumtë, therin kurban dhe shprehin besimin e respektin e lartë duke kërkuar ndihmë për shërim të sëmundjeve të ndryshme dhe për plotësim të dëshirës për të patur fëmijë.
Themelimi i asociacionit për zhvillimin e turizmit në Vërri – i domosdoshëm
Formimi i një asociacioni për zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm në fshatrat e Vërrinit, do të ishte i rëndësisë së madhe. Kjo do të mundësonte që një numër i banorëve të këtyre fshatrave, pa ekonomi të zhvilluar dhe pa vende pune, ti rreken turizmit fshatar, duke krijuar mundësi për vendosje të vizitorëve dhe gostitje të tyre mbi bazën e mikpritjes së njohur tradicionale. Me programet e zhvilluara, vizitorëve do tiu mundësohet shetitje nëpër malet e kësaj ane, piknik, mbledhje të bimëve, fruta të pyllit e të tjera. Përveç kësaj, në pjesën më të madhe të fshatrave mund të organizohen edhe programe të përpunuara dëfryese. Mundësia për pjesëmarrje në dasmat tejet të hareshme dhe gazmore të banorëve, në ahengje të ndryshme etj., paraqet edhe një element shtesë për të zgjuar interesimin e vizitorëve. Për turistët fare lehtë mund të krijohen mundësitë për një pushim aktiv në fshat të cilët mund të shijojnë edhe vlerat kulturore e artistike të Vërrinit, specifike për rajone tjera.
Hulumtimet arkeologjike në Vërri mëse të nevojshme
Vendbanimet në Vërri padyshim se ekzistojnë nga lashtësia. Me organizimin e gjurmimeve arkeologjike në vendin e ashtuquajtur Te Tumat në Hoçë të Qytetit, mund të ndodh të bëhen zbulime të rëndësishme për historinë e kësaj ane që do të jet tejet interesante për vizitorët. Sikundër edhe hulumtimet për egzistimin e dy vendbanimeve në lashtësi, siç pohojnë dokumentet historike të vendbanimit Zagraçka dhe Hoça. Ndërkaq, afirmimi i ekzistimit të fshatit Arbëri (Leskovec) nga koha e Bizantit, është tejet e rëndësishme për tërheqjen e vizitorëve dhe njohjen e tyre me një vendbanim aq të lashtë. Në Arbërinë e sotme ndodhet edhe Lagjja e Arbneshit kurse dihet se vendbanimet me etnonimin arbnesh janë shumë të vjetra (që nga koha e Bizantit). Pokështu, edhe ngritja e fshatit turistik në vendbanimin e zhdukur në malin Gjerman, që sipas dokumenteve të shkruara historike ishte i njohur si Truallishta German, (Toponimi Gjerm-me prejardhje ilire që do të thot kasoll, vendpushim), do të ishte me vlerë të jashtzakonshme për zhvillimin e turizmit në komunën e Prizrenit. Vendbanime të zhdukura janë edhe Podlevica dhe Gradçanica në afërsi të fshatit Kushtrim (Billushë) që për informim të vizitorëve ka rëndësi të madhe. Billusha, përndryshe është një nga vendbanimet e lashta që në dokumentet e shkruara përmendet madje nga viti 1308 dhe me pozitën gjeografike, paraqet një pikë interessate turistike.
Festat e motmotit në Vërri-traditë që ruhet
Regjioni i Vërrinit karakterizohet për ruajtjen e traditës së lashtë kombëtare dhe përcjelljen e traditës brez pas brezi. Në vazhdën e kultivimit të traditës nga e kaluara e lashtë, janë ruajtur edhe shumë festa të cilat populli i ka festuar para shumë shekujsh. Disa nga këto festa janë ruajtur edhe sot e kësaj dite, shndërruar në kremte tradicionale. Gjat këtyre festave, populli duke lavdëruar i këndon Zotit, jetës, stinës, natyrës dhe fenomeneve të saj. Të shumta janë festat që tradicionalisht festohen në fshatrat e Vërrinit, por për to, për rëndësinë dhe specifikat e tyre, është shkruar fare pak dhe nuk dihet shumë jashtë këtij regjioni. Është me vlerë të veçohen disa nga festat e shumta të Vërrinit të cilat festohen gjatë muajit maj përkatësisht Festën e Shën Gjergjit, festën e Jeremisë dhe Festën e Shën Kollitetj. Janë këto festa tradicionale që, edhe pse me intensitet më të vogël, festohen në fshatrat e rajonit të Vërrinit kurse Verëzat ose Festa e verës është festë që u festua në vazhdimësi dhe pa u ndërprerë asnjëherë.
Ripërtrirja e traditave, riteve e dokeve në Vërri me interes të dukshëm
Riaktivizimi i disa festave tradicionale që dikur bënin jetë në fshatrat e Vërrinit si Dita e barinjëve në Hoçë të Qytetit (organizohej me rastin e çethjes së dhenëve dhe ishte ditë feste për gjithë fshatin), pastaj garat e pelivanëve që organizoheshin në Arbëri (Leskovec), Malësi të Vërrinit (Lybeçevë) e Hoçë të Qytetit, vrapimet tradicionale të kuajve që organizoheshin në Kushtrim (Billushë) dhe Hoçë të Qytetit, do të paraqitnin atrakcion të vërtetë dhe zgjonin interesim për vizitorë të shumtë. Aq më parë ngase manifestime të tilla, nuk organizohen askund në Kosovë. Poashtu me vlerë do të ishin edhe ripërtrirja e riteve dhe lojërave interesante popullore të pasura në këtë trevë si dhe zejet e lashta që ushtroheshin me pasion e që do tiu ofrohen vizitorëve dhe paraqitnin pjesë interesante për një program kulturor në sferën turistike. Për të shijuar këto vlera, do të ishin të mjaftueshme dhe të preferueshme shtëpitë e banorëve të fshatrave në Vërri të përshtatura për turizëm fshatar, në të cilat i presin përjetime që nuk harrohen dot, ofruar nga mikëpritja, bujaria, natyra e bukur dhe thesari kulturor. Rrjeti rrugor i asfaltuar viteve të fundit, mundëson qarkullim të lehtë pothuaj në çdo fshat të Vërrinit. Poashtu edhe rrugët për shetitje nëpër malet dhe natyrën pitoreske të kësaj ane rrëzë Bjeshkëve të Sharrit, mundësojnë shijim të freskisë, bukurisë, këngëve të zogjëve dhe gurgullimës së ujit në burimet dhe lumenjët e këtij nënqielli. Është koha kur duhet të punohet në këtë drejtim duke hartuar programe konkrete, me të cilat mund të sigurohen investime në interes të zhvillimit të turizmit fshatar dhe krijimin e kushteve për punë të banorëve të kësaj treve. Kjo do të ishte me rëndësi sidomos për pengimin e migrimit të mëtejshëm të banorëve veçanërisht të disa vendbanimeve që pothuaj kanë mbetur të zbrazta.
______________________
ҪERKIN BYTYQI: TREVA E VËRRINIT NDËR SHEKUJ (1)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=5276
***
ҪERKIN BYTYQI: TREVA E VËRRINIT NDËR SHEKUJ! (2)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=5277

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura