Pashtriku.org, 07. 05. 2016: Më 29 prill 1914, Ministria e Jashtme gjermane vendosi hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në formën e një AgjensieDiplomatike pranë qeverisë së Princ Wied-it. Kjo Konsullatë duhej që, përkrah angazhimeve politike të kujdesej edhe për mbarëvajtjen dhe përfaqësimin e interesave ekonomike gjermane në Shqipëri. “[…] Në një vend plotësisht të prapambetur e më një popullsi prej rreth 900.000 banorësh, të hapen në të njëjtën kohë dy përfaqësi, një diplomatike dhe një për çështjet ekonomike, është thuajse e pamundur të justifikohet” i drejtohej Ministri i Jashtëm Gjerman Perandorit Wilhelm II. Meqenëse ende nuk dihej nëse Wied-i dhe qeveria e tij do të qëndronin përfundimisht në Durrës, emërtimi i plotë i kësaj përfaqësie jetëshkurtër do të ishte “AgjensiaDiplomatike dhe Konsullata e Përgjithshme për Shqipërinë”.
Agjensia e filloi menjëherë aktivitetin e saj. Provizorisht ajo u drejtua nga Sekretari i Dytë në shërbimin diplomatik gjerman Rudolf Nadolny. Në fakt, Nadolny zëvendësoi në këtë detyrë përfaqësuesin gjerman të Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, Julius Winckel, i cili u detyrua të largohej pë tu kuruar në Itali, pasi gjatë një vizite në qytetin e Vlorës atë e kafshoi një qen i tërbuar.
Në momentin e ardhjes së Wied-it në Shqipëri, Nadolny ishte i vetmi përfaqësues i shërbimit diplomatik gjerman që ndodhej pranë tij. Nadolny do të ndikonte drejtpërsëdrejti në ngjarjet që do të zhvilloheshin në Shqipëri. Wied-i si gjerman, ndihej më i lidhur me Nadolnyn-in dhe i besonte më shumë atij sesa përfaqësuesve të Austro-Hungarisë dhe Italisë. Pra, Nadolny ishte në sytë e Wied-it “i treti i paanshëm”.
Princ Wied-i e dinte se, politika gjermane nuk kishte interesa direkte në Shqipëri, madje ajo ishte skeptike ndaj misionit të tij në Shqipëri. Jo vetëm Wilhelm-i II, por edhe politika gjermane e konsideronte situatën në të cilën do të gjendej Wied-i në Shqipëri aq të komplikuar dhe të vështirë, saqë në Reichstag (Parlament), pas zgjedhjes së Wied-it, si Princ i Shqipërisë, do të thuhej se “është më e rehatshme dhe e pranueshme të ulesh mbi një fole milingonash, sesa në fronin mbretëror shqiptar”.
Përvoja gjashtë mujore e mbretërimit të Wied-it në Shqipëri e vërtetoi këtë parashikim. Nadolny u kreu më së miri detyrën e tij. Përkrah një numri të konsiderueshëm të raporteve që i dërgoi Berlinit, ai si një i apasionuar pas fotografisë, krijoi edhe një album fotografik me rreth 100 foto e kartolina nga Shqipëria.
Në këtë album, janë fiksuar pamje të Durrësit, Kavajës, Vlorës e Shkodrës, disa në format kartoline e disa të tjera të shkrepura nga Nadolny. Në to bie në sy tendenca për të fiksuar në sfond të fotove, madje thuajse gjithmonë, një minare xhamie.
Interesantë paraqiten edhe personazhet historike të fiksuara prej tij në celuloid, filluar prej përfaqësuesve të huaj diplomatikë, anëtarëve të KNK-së, oficerëve shqiptarë, Isa Boletinit, Esat Pashë Toptanit, Marka Gjonit etj. Madje, fotoja e Marka Gjonit dhe trimave të tij mund të konsiderohet si ndër të vetmet foto të tij në këtë moshë. Po ashtu, në foto spikasin edhe karakteret e ndryshme të trimave që e shoqërojnë atë.
Po me kaq vlerë janë edhe fotot ilustruese të luftimeve kundër kryengritësve. Aty janë fiksuar momente nga luftimet, armatimi i përdorur, instruktorët e huaj, trupat vullnetare etj. Tejet pikante dhe domethënëse është edhe fotoja ku, Princ Wied-i, hipur në kalë nderohet ushtarkisht me dorën te vetulla e djathtë nga trupat vullnetare shqiptare, pamja, veshja dhe qëndrimi i të cilëve ështe tepër larg asaj të një ushtrie të rregullt, që mund të salutojë në këtë mënyrë.
Fotot në album nuk janë të shoqëruara me emra të personazheve dhe një pjesë e e tyre është vështirë të identifikohen sot, – çka nuk e zbeh kurrsesi vlerën e tyre.
Albumi origjinal gjendet në Arkivin Politik të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Berlin.
____________________
Kush ishte Rudolf Nadolny?
Rudolf Nadolny (pseudonime: Rolf Lodan, Oestling, Ostmann) * 12.7.1873 Groß-Styrlack në Lötzen (Prusia Lindore); † 18.5.1953 në Düsseldorf
Pas përfundimit të gjimnazit në vitin 1892, Nadolny studioi në shkencat juridike deri në vitin 1895, në Königsberg. Në vitin 1902 filloi karrierën diplomatike. Në vitet 1903-1907 u emërua diplomat në Konsullatën e Përgjithshme të Shën Petersburgut, ku ai përjetoi edhe zhvillimet e revolucionit rus si edhe pasojat e luftës ruso-japoneze. Para Luftës së Parë Botërore, Nadolny u dërgua me disa misione speciale në Persi, Bosnje dhe Shqipëri. Me fillimin e luftës, Nadolny drejtoi prej dhjetorit 1914 Seksionin Politik të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave Tokësore në ushtrinë gjermane. Në korrik 1916, ai dërgohet si i Ngarkuari me Punë i Gjermanisë në Persi. Prej nëntorit 1917, Nadolny punoi si drejtues i Departamentit të Lindjes në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Berlin dhe më vonë, si përfaqësues i Ministrisë së Punëve të Jashtme pranë presidentit gjerman. Në janar 1920 dërgohet si i Ngarkuar me Punë dhe drejtues i Legatës së Përgjithshme në Stockholm, Suedi. Në maj 1924 titullohet ambasador në Ankara, Turqi. Në vjeshtën e vitit 1933 emërohet ambasador në Moskë, por jep dorëheqjen nga detyra një vit më vonë, pasi nuk ishte dakort me politikën nacionalsocialiste të Hitlerit ndaj Bashkimit Sovjetik. Gjatë luftës shërbeu si kapiten e më pas major në shtabin e admiralit Canaris. (Përgatiti historiani: Marenglen Kasmi)