Tiranë, 08. 05. 2016: (Nderim e kujtesë, në 4-vjetorin e ndarjes nga jeta)
1.
Vitet rrjedhin si a u kuptuar, por ato lënë gjurmë të pashlyera në lidhjet tona me familjarët, por dhe me kolegë e miq. Kështu, tani më kujtohet mirë se, në vitet 80-të të shekullit të kaluar, kur isha redaktor në Gazetën “Mësuesi” e kërkoja të dhëna për jetën dhe veprimtarinë e mësuesve atdhetarë nga Kosova, që më duheshin për punimin tim të disertacionit, u njoha me mësuesin Ibrahim Gashi, biri i atdhetarit e veteranit të arsimit tonë, Rrahim Gashi. Megjithëse ishte me punë në Fushë-Krujë, pra larg nga kryeqyteti, vëreja te ai hulumtuesin dhe studiuesin e zellshëm e të pasionuar, sidomos në fushën e astronomisë. Por, i mbujtur që në vegjëli e në rini me traditat atdhetare e liridashëse të familjes e më gjerë, ai ishte i prirur dhe për kërkime e studime për këto tradita.
Kaluan vite të tjerë dhe ne përsëri i mbajtëm të pashkëputura lidhjet tona, sidomos pas publikimit në Tiranë të revistës shkencore e kulturore “Univers”, ku të dy dhamë ndihmesën tonë. Po kështu, jemi takuar shpesh edhe në përurime librash dhe në veprimtari, që kemi organizuar e zhvilluar me Shoqatën e Arsimtarëve të Shqipërisë. Bile, për këtë të fundit, ai ka kryer dhe detyrën shoqërore të “kordinatorit”, për lidhjet me kolegët tanë në Kosovë.
Gjatë kësaj periudhe, si rrjedhojë e punës së tij këmbëngulëse e të frytshme, kërkimore, studimore e shkencore, arriti të botonte edhe disa libra, me temë matematikën e astronominë, por dhe në fushën e traditave atdhetare, nga të cilët më ka dhuruar disa, me shënimin e tij dashamirës.
Nga e majta: I.Gashi e M.Gecaj
2.
Po cili është Dr. Ibrahim Gashi? Lindi më 23 gusht 1935, në rrethin e Krujës. (U nda nga jeta, si pasojë e një sëmundjeje të rëndë, më 9 maj 2012). Më parë, aty kishin ardhur prindërit e tij, nga Skënderajt e Kosovës, të përndjekur nga rregjimi serb. Ndërsa më tej, atij iu krijua mundësia që t’i ndiqte studimet e larta në ish-Jugosllavi. Para diplomimit për matematikë-astronomi, në Beograd, e arrestuan dhe më pas i dëbuan familjarisht për në Shqipëri. Kështu, studimet e larta i përfundoi në Universitetin e Tiranës. Vite me radhë, ishte mësimdhënës në shkollat e mesme të rrethit Krujë dhe më 1984-1990 dha leksione, si pedagog i jashtëm, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës.
Gjatë punës së tij 31-vjeçare në arsim, përveç se në mësimdhënje, u dallua në veprimtarinë shkencore e pedagogjike me arsimtarët. Për disa vjet radhazi kreu detyrën e kryetarit të komisionit të lëndës së matematikës, për shkollat e mesme në rrethin e Krujës. Mori pjesë në diskutimet për hartimin e teksteve të reja, për matematikën e astronominë dhe, madje, për këtë të fundit përgatiti dhe botoi përmbledhjet “Probleme të zgjidhura astrononomike” e “Vrojtimet astronomike”, për maturantët e shkollave të mesme.
Për punë të vazhdueshme e të thelluar studimore-shkencore, më 1979 mori gradën “Kandidat i Shkencave” (kthyer më pas në “Doktor i Shkencave”). Në vitet 1980-1982, duke qenë zevendësdrejtor i shkollës së mesme në Fushë-Krujë, ngriti dhomën-muze kushtuar “Heroinës së Popullit” Shote Galica, emrin e të cilës e mbante kjo shkollë, si dhe organizoi një sesion shkencor për jetën dhe veprimtarinë e saj, atdhetare e luftarake. Ndjenjat e larta të atdhedashurisë, ai do të shfaqte më pas, posaçërisht, edhe në dy libra të tij.
Dr. I.Gashi, nga janari 1993 dhe deri në shtator 1996, ka kryer detyrën e diplomatit (sekretar II) në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë, në Slloveni. Aje ndoqi çështjet e marrëdhënive dypalëshe në fushat e politikës, arsimit, kulturës e mbrojtjes, si dhe çështjet konsullore. Detyrë të veçantë ka patur për Diasporën Shqiptare, në Slloveni. Doli në pension në vitin 1996, por përsëri e vijoi punën kërkimore e studimore dhe botuese. Përveç shumë artikujve shkencorë e metodikë për lëndët metematikë e astronomi dhe me temë shoqërore, botoi 11 libra dhe la në dorëshkrim disa të tjerë, dy prej të cilëve lidhen me kronologjinë shqiptare.
Megjithëse në moshë të shkuar dhe i sëmurë, Dr.Ibrahimi vazhdoi të merrej me kërkime dhe shkrime, deri në fundin e jetës, si në fushën e shkencës, ashtu edhe në atë atdhetare e shoqërore. Ishte i papërtuar në bashkëpunimin me median e shkruar dhe atë elektronike etj.
Me atdhetarizëm, pasion e profesionalizëm, për disa vjet radhazi, dr.Ibrahim Gashi udhëhoqi veprimtarinë e Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare, me qendër në Tiranë. Synimi kryesoor i tij ishte: studimi i mundësive të përafrimit të programeve e teksteve mësimore, deri në njësim, në trojet arbërore dhe në diasporë. Për këtë qëllim, duke qenë ai në krye, një grup i këtij Instituti bëri vizita e zhvilloi veprimtari në qytetet: Shkup, Preshevë, Prishtinë e Ulqin. Më pas, në Tiranë u organizua një Konferencë Shkencore Mbarëkombëtare, ku u lexuan shumë kumtesa, nga autorë të njohur të trevave shqiptare. Me kujdesin e posaçëm të tij, këto kumtesa u përgatitën për botim. Por, fatkeqësisht, ai nuk arriti ta shihte këtë vepër me rëndësi, e cila u publikua pas ndarjes së tij nga jeta. Ajo e ka titullin “Një komb, një shkollë, një kulturë-Konferenca e Parë e IIKSh” (Tiranë, 2012).
3.
Siç thamë më lart, dr.Ibrahim Gashi shkroi e publikoi disa libra të vlefshëm. I pari, ishte ai me titullin “Probleme të zgjidhura astronomike”, përgatitur posaçërisht për maturantët e gjimnazeve dhe i përshtatur për zonën gjeografike shqiptare. Por ky botim vlen të shfrytëzohet dhe nga studentët e viteve të para, që e kanë në program këtë lëndë. Në vazhdimësi, ky autor publikoi librin “Nga qielli ynë” dhe është ndër botimet e para të këtij lloji në Shqipëri. Ai përmban mjaft të dhëna për dukuritë natyrore, sidomos lidhur me Diellin e Hënën. Po kështu, në të pasqyrohet lëvizja e planeteve të sistemit tonë diellor. Veçori e tij është se të gjitha dukuritë natyrore, që janë përshkruar aty, lidhen me qytete të ndryshme të trojeve shqiptare.
Tashmë, me një përvojë në fushën e botimeve astronomike, në vitin 2000 publikoi librin tjetër, “Kalendari dhe krono-logjia, në botë dhe te shqiptarët”. Aty trajton njohuritë teorike dhe praktike për bazimin matematik-astronomik të kalendarëve diellorë, hënorë dhe hënorë-diellorë. I lidhur ngusht me kalendarët, është trajtuar edhe çështja e kronologjisë, në veçanti asaj historike Një kujdes i posaçëm i kushtoi edhe trashëgimisë kulturore origjinale, lidhur me njohuritë kalendarike në trojet shqiptare. Në librin tjetër, “Ditënata dhe disa kuptime, që lidhen me të”, sqaron kuptimet bazë të ditënatës, ditës, natës, muzgjeve dhe disa dukurive të tjera astronomike, që kanë të bëjnë me rrotullimin e Tokës, rreth boshtit të vetë dhe rreth Diellit. Libri është i nevojshëm, si literaturë ndihmëse, për nxënësit e shkollave të mesme, në lëndët gjeografi fizike dhe astronomi, si dhe për studentet, po për këto lëndë.
Gjatë kohës së shërbimit dipolmat në Slloveni, dr. Ibrahim Gashi mblodhi të dhëna të shumta e publikoi librin voluminoz “Shqiptarët, Sllovenia dhe Ballkani i trazuar, sipas në diplomati” (Tiranë, 2007). Përveç çështjeve shqiptare të trojeve etnike dhe të diasporës, aty paraqet edhe bukuritë e Sllovenisë, marrëdhënjet mjaft të mira të saj me Shqipërinë. Po kështu, flet për gjendjen në Ballkanin e trazuar, ku barbaritë serbe ndaj popujve joserbë kishin arritur kulmin. Përplasjet luftarake Serbi-Kroaci ose Serbi-Bosnje, zënë vend të dukshëm në këtë libër. Në kapituj të veçantë paraqitet edhe gjendja politike-ekonomike e Shqipërisë në ato vite, sipas pasqyrimeve të shtypit slloven, me komente e plotësime nga autori. Po kështu, jepen edhe marrëdhënjet me shtetet e tjera fqinje. Ndërsa pjesa më e madhe e librit i kushtohet diasporës shqiptare në Slloveni, që përbëhej nga shqiptarë të Kosovës dhe trojeve të tjera etnike shqiptare, të emigruar në këtë pjesë veriore të ish-Jugosllavisë, tanimë të shpërbërë, si dhe shqiptarëve të tjerë në trojet e tyre etnike, jashtë kufirit zyrtar të shtetit amë, Shqipërisë.
Pas një emisioni në Radio-Tirana…Nga e majta: Dr.I.Gashi, M.Gecaj dhe moderatorja e gazetarja Kozeta Hoxha.
4.
Po të vështrohet me kujdes tërë veprimtaria atdhetare, arsimore e kulturore, por dhe të lexohen me vëmendje librat, për të cilët shkruam pak radhë më lart, lehtë kuptohet se kudo Ibrahim Gashi e lidhi shumë ngusht tematikën e tyre me trojet tona etnike dhe me jetën e shqiptarëve. Pra, ato i përshkon ndjenja e atdhedashurisë dhe e lirisë.
Por ky autor iu drejtua edhe direkt temës së traditave tona atdhetare, duke shkruar për dy personalitete të njohura për kohën, në të cilën jetuan e vepruan. Libri i parë, me këtë tematikë, është “ Xhemal Pazari, atdhetar i shquar tiranas” (Tiranë, 2009). Është monografi, me afër 300 faqe, që i kushtohet Xh.Pazarit (1864-1955), njeriut, që mbajti fjalën e rastit më 26 nëntor 1912, kur për herë të parë u ngrit në Tiranë, Flamuri Kombëtar Shqiptar. Në monografi paraqiten shumë fakte e dokumente për veprimtarinë e tij, si në mbrojtjen e çështjeve kombëtare, ku si rrjedhojë e tyre Xhemal Pazari, bashkë me atdhetarë të tjerë tiranas, burgoset e torturohet nga qeveria osmane, më vonë nga rebelët e Haxhi Qamilit etj. Gjithashtu, në monografi jepen të dhëna të trajtimit çnjerëzor të Xh.Pazarit dhe familjes së tij, nga qeveria moniste, në Shqipëri. Një vend të veçantë, në këtë monografi, kanë zënë edhe dëshmitë për aftësitë intelektuale e filozofike të tij.
Një libër tjetër i dr. I.Gashit (bashkautor me F.Hajrizin) është, “Mësuesi Rrahim Gashi me brezat, në trojet arbërore” (Tiranë, 2010). Përveç figurës së tij dhe familjes së gjerë Gashi, që trajtohet këtu, në monografi flitet edhe për mjaft njerëz të tjerë, atdhetarë e trima të pushkës e të penës, ndër ta dhe për luftëtarë të UÇK-së, që iu përkushtuan me të gjitha aftësitë mendore e fizike çështjes mbarëkombëtare shqiptare. Në këtë libër ravijëzohen qartë përpjekjet e mëdha, që janë bërë në trevën e Drenicës e më gjerë, për gjuhën amtare dhe shkollën shqipe, në luftë të ashpër me trysninë e pushtuesve e sunduesve të egër serbë, ku mësuesi Rrahim Gashi pati një rol të rëndësishëm. Po kështu, pasqyrohen dukshëm edhe ngjarjet kulmore të historisë sonë kombëtare, siç janë Pavarësia, koha e pushtimit fashist italo-gjerman, i ashtuquajturi “çlirim” i vitit 1944 dhe barbaritë serbe mbi popullin shqiptar, në trojet e stërlashta shqiptare. Siç del edhe në këtë libër, Rrahim Gashi, me brezat pasardhës, dha ndihmesën e tij, mësimdhënës në shkolla edhe në Shqipëri, ku u ballafaqua me sundimin monist shumëvjeçar. Pjesë e këtij libri është edhe jeta e djalit të tij, Lahit, i cila shërbeu pa u kursyer në fushën e arsimit, si në Kosovë e ashtu në Shqipëri.
5.
Dr.Ibrahim Gashi ka jetuar gjithnjë familjarisht, në Tiranë. Por kurrësesi nuk e hoqi mendjen as zemrën nga vendlindja e dashur e të jatit, Rrahim Gashi, nga Kotorri i Skënderajt të Drenicës, në Kosovë, ku ky la gjurmë të pashlyera dhe ishte ndër mësimdhënësit e parë të gjuhës amtare e shkollës shqipe. Jo shumë kohë më parë, me rastin e 100-vjetorit të lindjes, mori pjesë në përurimin e librit, për të cilin folëm më lart.
Libra të Dr. Ibrahim Gashit
Disa vjet më parë, kolegu dhe miku im i paharruar, Ibrahim Gashi më dërgoi një mesazh, me e-mail, ku shkruante: “I dashur Murat! Sot ose nesër, do të nisem për në Kosovë, për çështjen e programeve dhe të teksteve mësimore. Të fala: Ibrahimi”. Pra,atë gjithnjë e thërriste ndjenja e fortë kombëtare shqiptare; dëshiroi, shpresoi e punoi, pa kursyer energjitë e tij mendore as fizike, që një ditë të njësohen programet e tekstet e shkollave, në të gjitha trojet shqiptare dhe në diasporë. Me sytë e shpirtit, ishte gjithnjë e deri në fund, në traditat tona atdhetare. Prandaj, ai do të mbetet përherë i paharruar, si për familjarët e tij, por dhe për ish-nxënësit, për kolegë e miq dhe dashamirë të shumtë të tij.
Prof. Murat Gecaj publicist e studiues – Tiranë, 8 maj 2016