PROF.ABDULLA MEHMETI: CILI DUHET TË JETË ROLI I AKADEMISË SË SHKENCAVE TË SHQIPËRISË

Shkup, 14. 05. 2016: – (Politika duhet të këshillohet nga shkenca) – Është koha për hapjen e debatit të gjerë për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Në këtë debat duhet të përfshihen tema, jo vetëm për statusin aktual, ,,zvogëlimin e saj”, siç thotë Dritëro Agolli, se, a duhet politika të këshillohet nga shkenca, siç ka kërkuar 10 vjet më parë Prof. dr. Lekë Sokoli, por edhe për rolin e këtij institucioni suprem të shkencës dhe dijes kombëtare që duhet të luaj aktualisht në tërë hapësirën shqiptare.
Më tepër se asnjëherë më parë, kombi shqiptar sot ka nevojë për mendimin e argumentuar shkencor të njerëzve më të ditur, më të përgatitur profesionalisht, ta thonë mendimin e tyre në lidhje me çështjet madhore të cilat i preokupojnë shqiptarët, jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj, në Kosovë, Maqedoni, Luginë të Preshevës, Mal të Zi, Çamëri dhe kudo ku frymon etnia shqiptare nëpër botë.
Pse të mos hapet diskutim i gjerë, qëllimmirë, për rolin që duhet ta luaj Akademia e Shkencave të Shqipërisë, për ngritjen, reformimin dhe zhvillimin e shoqërisë shqiptare, e cila dy dekada me radhë sillet rreth reformave të përgjithshme, por, në vend të ec përpara, zhytet thellë e më thellë në katandisje, korrupsion, veprime kriminale, terror mbi qytetarët e thjeshtë dhe varfërim të skajshëm, nga i cili përditë po boshatiset Shqipëria prej qytetarëve të saj?
Pse të mos e thotë fjalën e saj kjo Akademi, kur në momentin historik të krijimit të Republikës së Kosovës, ajo mbeti me një flamur që nuk e shpreh identitetin kombëtar të shqiptarëve të Kosovës dhe të përpjekjeve shekullore për çlirim dhe pavarësi kombëtare, me një himn shtetëror pa tekst, që nuk e përfaqëson denjësisht këtë shtet përpara botës, me një territor të padefinuar saktë dhe të kërcënuar padrejtësisht nga fqinjët serbë, malazezë dhe maqedonas, me një qeveri të papërgjegjshme, e cila përmes metodave klasike e varfëron përditë popullin e saj dhe ngrit e pasuron klane mafioze, ndërsa këto veprime i detyrojnë shqiptarët vendës të Kosovës të shpërngulen në masë, më shumë se gjatë regjimit serb mbi shqiptarët e Kosovës në periudhën para pavarësisë së saj?
Pse të mos e thotë fjalën e vet Akademia e Shkencave e Shqipërisë edhe për gjendjen e mjerueshme aktuale të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, në Mal të Zi, në Çamëri dhe sidomos në Maqedoni, kur shqiptarëve u rrezikohet qenia e tyre kombëtare, gjuha, territori, e sotmja dhe e ardhmja?
Pse të mos kërkohen sqarime nga kjo Akademi, se, cila është dobia e pranimit të bashkëpunimit pa kusht me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Serbisë, kur ajo ende nuk është distancuar nga politika serbe e regjimit të Millosheviqit dhe nuk ka kërkuar falje për gjenocidin serb në Kosovë, sidomos gjatë luftës së fundit?
Pse të mos kërkohen sqarime nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, për bashkëpunimin pa kusht me Akademia Maqedonase të Shkencave dhe Arteve (jo e Maqedonisë), e cila vazhdimisht ka projektuar strategji dhe ka përgatitur plane afatgjata kundër shqiptarëve autoktonë në Maqedoni? Kjo Akademi e ka përgatitur dhe publikuar botërisht planin për ndarjen e Maqedonisë, sipas apetiteve serbe e ruse, pasi ka rritur t’i zbrazë trojet etnike shqiptare, t’i tkurrë shqiptarët në disa enklava, të cilat edhe ,,mund t’ia bashkëngjisë” Shqipërisë me anë të ,,shkëmbimit të territoreve” (shih: shqiptarët duhet t’i shkëmbejnë territoret e veta etnike, andej dhe këndej kufijve artificialë mes shqiptarëve dhe sllavëve!). Kjo Akademi e ka përgatitur dhe publikuar botërisht Enciklopedinë më antishqiptare të publikuar deri më sot, me teza joshkencore, përtej synimeve poshtëruese mbi shqiptarët, edhe se Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve!

Akademia e Shkencave e Shqipërisë ulet dhe lidh marrëveshje bashkëpunimi pa kusht me këtë pseudo Akademi antishqiptare, sigurisht për hatrin e disa akademikëve të papërgjegjshëm shqiptarë në radhët e Akademisë Maqedonase, dhe merr përsipër ta botojë në gjuhën shqipe, librin ,,Historia e Popullit Maqedonas” të akademikut më antishqiptar, Bllazhe Ristovski. Kjo vepër nga vetë maqedonasit është vlerësuar si historia më joshkencore e popullit maqedonas deri më sot!
Akademia maqedonase e ka pranuar për anëtar të saj të jashtëm edhe prof. dr. Rexhep Meidanin, në shenjë nderimi dhe përmbushje të detyrimeve të saj ndaj marrëveshjes për bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Pala maqedonase as këtë veprim nuk e ka bërë pa strategji. Të ketë në radhët e saj, jo vetëm një akademik shqiptar, por edhe një ish president të Shqipërisë. Kjo do t’i shërbejë në arenën ndërkombëtare si arsyetim se, ja vetë shqiptarët, shkencëtarët dhe burrështetasit e Shqipërisë i pranojnë pa kusht ,,tezat shkencore” të akademikëve maqedonas, se shqiptarët janë populli më primitiv i Evropës, se janë ardhacakë dhe pushtues të territoreve në të cilat jetojnë aktualisht në Maqedoni, prandaj çdo veprim i shtetit maqedonas ndaj tyre është i arsyeshëm dhe ka mbështetje edhe në ,,tezat shkencore” të anëtarëve të Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve!
Pse të mos e jep mendimin e vet Akademia e Shkencave e Shqipërisë edhe për ,,turrin” e shumë intelektualëve shqiptarë nga Maqedonia për t’u anëtarësuar (shih: pranuar me konkurs) në Akademinë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve, e cila vazhdon edhe sot e kësaj dite me zhvillimin e tezave shkencore dhe veprimtarive më antishqiptare se akademitë serbe dhe greke!
Në fund, është koha për hapjen e debatit të gjerë për punën e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, pse jo edhe të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, si dhe zgjerimin e debatit në lidhje me këtë çështje nga më të rëndësishmet se çdo reformë shoqërore në interes të kombit dhe shteteve shqiptare, Shqipërisë dhe Kosovës.
Mendimi im është që: Akademive duhet t’u rriten kompetencat, t’u shtohet buxheti për kërkime shkencore dhe veprimtari të tjera, të ridimensionohet fushëveprimi i tyre, t’u garantohet autonomi e plotë në korniza kushtetuese dhe ligjore, dhe pse jo, të zhvillohet debat i vazhdueshëm në nivel akademik për punën dhe strategjinë afatgjatë të tyre, pa u ndikuar në asnjë rast nga organet e pushtetit, sidomos nga politika ditore. Sot, kombi shqiptar ka më tepër se kurrë nevojë për fjalën e Akademisë dhe akademikëve shqiptarë, të cilët duhet të jenë pararojë e zhvillimeve të përgjithshme të shoqërisë shqiptare, të katandisur nga politika e aktuale, e frymëzuar dhe financuar nga qendrat më antishqiptare në botë.
Shkup, 14 maj 2016
=====================
KOHA PËR NJË AKADEMI TË RE TË SHKENCAVE
Nga Prof. Dr. Lekë SOKOLI
I madhi Dritëro Agolli pyet tani: “Pse është zvogëluar Akademia e Shkencave?”
Dhe vijon: “Shihni ç’po bëjnë grekët, serbët, maqedonasit, malazezë; ata i fuqizojnë akademitë e tyre, ne i zvogëlojmë”.
Dhe sugjeron: “Duhet një reformë që të kemi një akademi dinjitoze”.
Sepse: “Akademia e Shkencave është një çështje kombëtare, jo e qeverive”.
Faleminderit Dritëro!
Urojmë që Dritëroi të na rikthejë debatin mbi Akademinë e Shkencave.
Unë po postoj me këtë rast një shkrim të botuar dhjetë vjet më parë, më 6 korrik 2006, në kohën kur po “reformohej” Akademia e Shkencave.
Në atë kohë ky artikull u botua disa herë në media, madje u printua nga vetë akademia në 140 kopje, për çdonjërin nga deputetët që do të votonin ligjin për shkrirjen e Akademinë e Shkencave.
Pasojat e atij “reformimi” janë evidente.
Le të urojmë për një rikthim të debatit mbi Akademinë e Shkencave e, siç thotë Dritëroi të kemi një reformë që të kemi një akademi dinjitoze.
=====================
Akademik Dritëro AGOLLI
MENDIME MBI REFORMËN NË SISTEMIN E KËRKIMIT SHKENCOR
Akademia e Shkencave është një institucion që duhet të forcohet, jo të dobësohet. Është e gabuar të mendohet se Akademia jonë është një trashëgimi e së shkuarës. Ajo u themelua nga dijetarë të mëdhenj, që ishin formuar në universitete me emër.
Akademia e Shkencave gjithnjë ka pasur njerëz të zotë, të ditur e të mençëm. Çdo diskutim, çdo reformë, është me vend vetëm nëse merret për ta bërë Akademinë e Shkencave më të mirë, më të suksesshme. Shihni çfarë po bëjnë vendet fqinje.
A po e dobësojnë apo po e fuqizojnë akademinë e tyre të shkencave maqedonasit, grekët, serbët, malazezët? Edhe Kosova po e fuqizon akademinë e vet dhe mirë bën.
Popujt që nuk e kanë bërë ende të njohur plotësisht veten në Europë e në botë akademitë detyrimisht duhet t’i ruajnë e t’i forcojnë. Po të më pyesnin mua, unë do të thoja se Akademia e Shkencave jo vetëm duhet të bëhet më e suksesshme, por duhet ngarkuar me detyra.
Ka shumë pyetje të cilave qeveria nuk mund t’u japë vetë përgjigje. Atëherë kujt do t’ia kërkojë përgjigjen?
Reforma është çështje mendimi dhe projekti, jo çështje numrash. Unë besoj se Akademia e Shkencave ka njerëz me mend që mund ta bëjnë vetë reformën, prandaj duhen dëgjuar si thonë ata, sepse ata e dinë më mirë si mund të ndryshojë gjendja dhe si mund të jetë më e dobishme për vendin. Duhet një reformë që të kemi një akademi më dinjitoze. Dhe kur them kështu kuptoj se Akademia është mpakur e rrudhur më shumë për shkak të qëndrimeve të pamençme në reformat politike, se për fajin e vet. Sigurisht Akademia duhet të lëvizë, duhet të bëhet më e gjallë, më energjike, por më parë të bëjmë pyetjen pse nuk është ashtu si e duam.
Pse është zvogëluar Akademia jonë?
Kjo pyetje duhet të na shqetësojë. Do të ishte një gabim i madh të bëheshin reforma për ta zvogëluar akoma. Shkenca shqiptare ka shumë kundërshtarë, tezat e kësaj shkence nuk mund të braktisen, të lihen jetime. Përkundrazi, Akademia vetë duhet të lëvizë, të përtërihet, të gjallërohet, dhe qeveria duhet ta mbrojë, ta mbështesë, ta dëgjojë, ta përfillë. T’i kërkohet përgjegjësi Akademisë për të ndryshuar pozitivisht, por mendimi për ta kufizuar rolin e saj dhe aq më keq për ta zhbërë nuk duhet t’i shkojë askujt në mend.
Akademia e Shkencave nuk është një çështje qeveritare, është çështje kombëtare.
=====================
KOHA PËR NJË AKADEMI ,,TË RE” TË SHKENCAVE
Nga Prof. Dr. Lekë SOKOLI

Akademia, të jetë apo të mos jetë?
Në epokën e demokracisë e, brenda saj, në atë të integrimit, që nis me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE-në, një Akademi e re e Shkencave përfaqëson, në analizën time, një domosdoshmëri. Kjo do të thotë se nëse nuk do ta kishim duhej ta krijonim. Derisa e kemi duhet ta reformojmë, ose ta ‘rikrijojmë’, që t’i përgjigjet realitetit të ri të shoqërisë shqiptare, nevojave të zhvillimit të saj sipas modelit demokratik perëndimor.
Ky parashtrim bie në kundërshtim me atë çka po përgatitet dhe synohet të zyrtarizohet. Tej të gjitha diskutimeve të sotme për reformimin e arsimit të lartë e kërkimit shkencor, shkrirja e Akademisë së Shkencave do të përfaqësonte, në gjykimin tim, një lloj atentati ndaj shkencës në veçanti, sikurse ndaj perspektivave të zhvillimit, në përgjithësi. Si pjesë e komunitetit të studiuesve, madje në një fushë që pret të lëvrohet vrullshëm (sociologjia), si drejtues i një institucioni shkencor jopublik dhe i një reviste shkencore (deri tani e vetmja në fushën e shkencave politike e sociale), si bashkëpunëtor e mik i Akademisë dhe akademikëve socialë, kam ndjekur me interes debatin për reformimin e kërkimit shkencor, në të cilin spikat mendimi për ta shndërruar Akademinë në një shoqatë honorifike. Ky mendim nuk është aq i ri. Ai nuk lidhet thjeshtë me “zbatimin e programit elektoral të koalicionit të djathtë”. Ai është shtruar zyrtarisht në vitet 1996, 2004 dhe 2005-2006, megjithëse qeverisnin forca të ndryshme politike. Është diskutuar, më tej, me ekspertë të Këshillit të Evropës, më 1997. Është debatuar edhe në rrethe intelektuale, sidomos në vitin 2003, kur një grup intelektualësh të bashkuar në “Klub 2002” u sugjeronte Qeverisë dhe Kuvendit të Shqipërisë që “të heqin dorë nga sistemi i vjetruar, thuajse paralitik i Akademisë së Shkencave, si qendër e kërkimit dhe e nxitjes së mendimit shkencor”. Ata propozonin që “e shumta të kemi një akademi honorifike”, duke e argumentuar këtë me ‘trashëgiminë komuniste’, nga njëra anë, dhe me ‘përvojën ndryshe evropiane’, nga ana tjetër (Revista Politika & Shoqëria, Vëll. 2 (12), 2003, fq. 95-97).
Pra, në thelb, kërkohet që Akademia ose të shkrihet si institucion ose, e pakta të shndërrohet në një shoqatë honorifike studiuesish. Që do të thotë se në Shqipëri të mos ketë më institute kërkimi në vartësi të Akademisë; që të mos ketë më institute kërkimore publike; që të mos ketë më kërkim shkencor jashtë universiteteve publike; që të mos ketë më financim të kërkimit shkencor. Sepse kështu, sipas intelektualëve të “Klub 2002” apo shumë të tjerëve, shpëtojmë nga modeli i trashëguar, nga një model demodé, nga një model joevropian! Kjo është e gjitha.
Në gjykimin tim krijimi i Akademisë së Shkencave, më 1972, përfaqëson një ngjarje të shënuar në historinë e shkencës e kulturës shqiptare, në vetë historinë e Shqipërisë. Ajo ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e shkencave, teknike-natyrore apo shoqërore. Por Akademia jonë, kryesisht jo për faj të saj, nuk arriti të shndërrohej në një akademi të vërtetë të shkencave. Sepse para vitit 1990 ajo nuk mund të bënte më shumë se një akademi e një regjimi totalitar. Më pas ajo mbeti akademi e një shteti të dobët, në tranzicion, shpesh në anarki etj. Një akademi e keqfinancuar, shpesh e paragjykuar apo deri edhe e përçmuar. Të paktën ajo mbeti e pavlerësuar. Mua më duket se ajo ende nuk është vënë në provë, si një institucion shkencor i pavarur dhe i zhvilluar mbi bazën e vet.
Tani është koha për të pasur një Akademi të vërtetë. Edhe nëse nuk mund të bëjmë shkencë të madhe, përsëri pa shkencë nuk mund të ecim. Modelet evropiane nuk mund të kopjohen, reformat “standarde” nuk janë aq standarde sa mendohet, sepse ndryshe do të zbatoheshin uniformisht kudo. Por qenia e një akademie nuk frenon liberalizimin e kërkimit shkencor, as punën kërkimore që mund të bëjnë universitetet, apo edhe institucionet e tjera, siç pretendohet. Përkundrazi, ajo mund të ndikojë në nxitjen e saj. Nga ana tjetër ‘modeli i vjetër’, siç thuhet, mund të trashëgohet jo vetëm nga akademia, por edhe nga universitetet e krijuara në atë kohë. Akademia është një institucion njësoj i reformueshëm sa edhe të tjerët.
Edhe përvoja ‘ndryshe’ evropiane nuk është apriori në favor të shkrirjes apo ‘honorifizmit’ të Akademisë, siç pretendohet. Sepse në Evropë apo në botë ka disa modele, që meritojnë të analizohen.
Modeli i parë evropian
Ky është modeli i shumicës së vendeve të BE-së, në të cilat akademitë nuk janë honorifike, si në Holandë, Suedi, Greqi, Austri, Poloni, Çeki, Sllovaki, Hungari etj. Ato nuk janë të tilla as në vendet më pranë BE-së, siç janë Rumania dhe Bullgaria. Edhe në Maqedoni (tani kandidate për në BE) u eksperimentua ‘honorifizmi akademik’, por më pas u bënë korrigjime. Tani akademia ka pesë qendra kërkimore në vartësi të saj. Ky model evropian (Perëndimor dhe Lindor), kurrsesi nuk ka qenë një barrierë për zhvillimin e kërkimit shkencor në universitete, siç pretendojnë ‘anti-akademistët’ e sotëm shqiptarë. Nëse Çekia ka Akademi me institute shkencore, për shembull, kjo nuk e ka penguar Universitetin mbi 600 vjeçar të Pragës që të jetë edhe një qendër e kërkimit shkencor. Po sjell vetëm shembullin e këtij universiteti (Lindor) me shumë emër, në të cilin punoi e krijoi vetë legjenda e shkencës, Albert Ajnshtajni.
Modeli i dytë evropian
Ky është modeli i disa vendeve të tjera të BE-së, ku akademitë janë honorifike (qofshin kombëtare apo rajonale), si në Britaninë e Madhe, Francë, Itali, Gjermani etj. Por çështja është nëse në këto vende ka apo nuk ka institute kërkimore publike apo gjysmë publike, jashtëuniversitare? Në Francë, për shembull, shumë institute që lëvrojnë kërkimin shkencor në fusha të ndryshme, nga kozmanautika te etnomuzikologjia, janë përfshirë në Qendrën Kombëtare të Kërkimit Shkencor (CNRS). Në Itali të tilla institute janë përfshirë në Këshillin Kombëtar të Kërkimeve (CNR). Meriton të theksohet fakti se, pavarësisht nga emri, si CNRS-ja franceze ashtu edhe CNR-ja italiane janë institucione jashtëuniversitare. Edhe në Gjermani ka akademi honorifike, sipas landeve. Por ka, gjithsesi, institute kërkimore jashtëuniversitare të fushave të ndryshme të shkencës, të financuar tërësisht apo pjesërisht nga buxheti i shtetit. Madje, pa vënë në dyshim përvojën e universiteteve gjermane në fushën e kërkimit shkencor, mund të theksojmë se institucionet akademike jashtëuniversitare kanë pashën kryesore. Mjafton të përmendim faktin se të 15 shkencëtarët gjermanë që kanë fituar çmimin Nobel, në periudhën 1948-2004, janë të gjithë nga institucione shkencore dhe asnjë nga universitetet. Po tej Evropës?
Modeli amerikan
Modeli amerikan është, relativisht përvojës dhe mundësive tona, disi “jashtëtoksor”. Ne, shumë-shumë, mund të mbajmë parasysh përvojën e Sllovenisë apo diçka të tillë. Amerika, dikur “ferma” e botës (bujqësia), më pas “uzina” e botës (industria), është tani “universiteti” dhe “akademia” e botës. Sepse 26 nga 30 universitetet më të mirë të botës janë në SHBA. Të ardhurat e Universitetit të Harvardit, për shembull, për vitin 2005, ishin mbi 25 miliard dollarë, pra shumëfishi i buxhetit të shtetit të Shqipërisë. Nga 1948-ta e këtej, numri i shkencëtarëve amerikanë të lauruar me Çmimin Nobel është 1.4 herë më i madh se ai i të gjitha vendet e tjera të botës, të marra së bashku. Megjithatë kërkimi shkencor nuk është ekskluzivitet absolute i universiteteve “absolute” amerikane. Në SHBA ka gjithfarë institutesh kërkimi, publike e private, jashtëuniversitare që marren me kërkimin shkencor.
Por, cili është niveli i universiteteve tona, atyre që, sipas parashikimeve, do t’u delegohet ekskluzivisht kërkimi shkencor? Tanimë është pranuar gjerësisht që universiteti publik shqiptar është një ndër institucionet më të korruptuara të shoqërisë së sotme, në mos më i korruptuari. Ky vlerësim rezulton, për shembull, edhe nga një studim i Qendrës Kombëtare për Zhvillim mbi transparencën në arsimin e lartë, financuar nga Soros. Por, veç korrupsionit financiar, në universitetet tona publike është i përhapur edhe korrupsioni (apo prostitucioni) akademik. Një numër librash të vëna në qarkullim, madje shpesh me shumë pompozitet, nga pedagogë apo dekanë të fakulteteve të universiteteve tona janë kopjime “copy-paste” të botimeve të autorëve të huaj. Madje, në mjaft raste, edhe përkthimi i tyre u imponohet si ‘detyrë kursi’ studentëve që dinë gjuhë të huaj.
Pra, pa mohuar ndershmërinë, profesionalizmin apo edhe punën krijuese të pedagogëve të veçantë, korrupsioni dhe prostitucioni akademik janë, në perceptimin e shumicës së shqiptarëve, dy sëmundje gati-gati kronike të universiteteve të sotme publike. Përkundrazi Akademia e Shkencave është, sot për sot, institucioni më i pa korruptuar.
A ka përfaqësuar Akademia një barrierë në punën shkencore të universiteteve? Jo, të paktën për sa i përket shkencave ekonomike e sociale. Sepse ajo nuk ka institute të ekonomisë, sociologjisë, psikologjisë, shkencave politike etj. Nuk është faji i Akademisë, për shembull, nëse në universitete debati akademik është inekzistent, nëse nuk ka oponencë shkencore, nëse ka mungesë të komunitetit akademik, nëse liria akademike është shndërruar në anarki akademike etj., etj.
As gjendja financiare e Shqipërisë nuk mund të justifikojë shkrirjen e Akademisë. Të paktën nuk jemi më të varfër se në vitin 1938, kohë kur u vendos krijimi i një instituti studimesh. Mendoni se Instituti i Studimeve Shqiptare u krijua gjatë luftës, më 1942. Nuk mund të krahasohemi, gjithashtu, me ½ shekulli më parë, kohë kur u themeluan institutet albanologjike.
Pra, përqëndrimi ekskluziv i punës shkencore në universitetet publike shqiptare nuk përputhet me përvojën evropiane e botërore, sikurse edhe me traditën tonë. Ai nuk justifikohet, gjithashtu, nëse kemi parasysh nivelin e sotëm të universiteteve. Pra, kemi nevojë për një Akademi të reformuar, të vërtetë, si një instrument vetkorigjimi dhe zhvillimi të shoqërisë, si një instrument që të udhëheqë ringritjen tonë, në rrafsh akademik. Çfarë presupozon, sipas meje, kjo Akademi?
E para. Një Akademi realisht të pavarur nga politika. Shkenca dhe politika janë dy botë të ndryshme. E para synon të vërtetën, kërkimi i së cilës është edhe forca nxitëse e saj. E dyta udhëhiqet nga llogaritjet politike, dobia, leverdia politike, pra jo nga e vërteta. Sidomos në një shoqëri ‘politike’ si kjo e jona (ende jo civile), kjo më duket se është kushti i parë për një Akademi (të Re) të Shkencave.
E dyta. Një Akademi të zhvilluar mbi bazën e vet. Domethënë që debatet mbi të ardhmen e saj e të kërkimit shkencor të mos degradojë në debate “midis së djathtës e së majtës”, as thjesht në një debat të nxitura nga llogari shpenzimesh buxhetore. Aq më pak nga dëshira subjektive, inate personale apo kolektive etj. Debatet mbi reformën duhet të bazohet në logjikën e brendshme të vetë shkencës, në kritikën e koncepteve, praktikave, metodologjive apo organizimeve të kapërcyera.
E treta. Një Akademi të ndarë nga politika, edhe në kuptimin konkret të fjalës. Si mund të vazhdojë të jetë akademik një ish-matematikan, për shëmbull, që ka plot 16 vjet që ka ndërruar profesionin dhe është konvertuar në politikan profesionist? Ose, si mund të vijojnë të prezantohen me titujt shkencorë (pavarësisht si i kanë fituar) apo të imponohen në opinionin publik, disa politikanë, deputetë, ministra etj., kur ata nuk janë më studiues, por thjesht dhe vetëm politikanë. Njëfarë “ngrirjeje” e titujve shkencorë duhet të nënkuptohet në rastet e kalimit nga studiues profesionist në politikan profesionist. Edhe orientimi i partive politike për ‘mpleksjen’ me botën akademike, mbart po ato rreziqe sikurse ‘mpleksja’ e saj me shoqërinë civile. Midis shkencës (apo edhe shoqërisë civile) dhe politikës duhet zgjedhur: ose njëra ose tjetra.
E katërta. Një Akademi ndryshe presupozon një institucion shkencor të shkathët e të zhdërvjelltë, të çliruar nga ‘barra e tepët’, që të merret me problemet më madhore të shoqërisë dhe vetëm me to. Pra, jo një akademi edhe e bletës, edhe të foragjereve, edhe të krimbit të mëndafshit.
E pesta. Një Akademi të vlerësuar nga shoqëria shqiptare, që të ndikojë në perceptimin ndryshe të prestigjit të shkencës, kërkimit shkencor, vetë shkencëtarit. Kam përpara rezultatet e një sondazhi me studentë të shtatë universiteteve shqiptare lidhur me idhullin e tyre. Vetëm 3 për qind pohojnë se kanë si idhull një studiues apo shkencëtar. Studentët, pra, nuk shohin te shkencëtarët një model që t’i motivojë për të ecur përpara në rrugën e dijes e të shkencës. Pa folur për shtresat e tjera të popullsisë.
E gjashta. Një Akademi këshilltare e shoqërisë, sidomos këshilltare pa interes e politikës. Unë besoj se asnjëri nga 16 këshilltarët e kryeministrit të sotëm, apo të gjithë bashkë, sikurse asnjë nga institucionet e tjera të shtetit, nuk mund të këshillojë më mirë se një akademi me “këshilltarët” e vet specifikë, me instrumentet e vet të kërkimit. Politika duhet të këshillohet nga shkenca, nga institucionet e saj.
E shtata. Një Akademi të hapur në një shoqëri të hapur. Të hapur e gjithnjë bashkëpunuese me universitetet publike e private, me institucionet shkencore të pavarura, me organizatat mendore të shoqërisë civile. Të hapur për studiuesit, sidomos për talentet. Një Akademi që gumëzhin nga debati, nga aktivitetet shkencore, gati-gati një qendër peligrinazhi e një lloji të veçantë. Mua më habit fakti se si institucioni mëmë i shkencës shqiptare nuk pati asnjë ndikim në debatin Kadare-Qose, për shembull, një debat për identitetin tonë, për atë që është më e qenësishme edhe për vetë atë. Më çudit gjithashtu fakti se, si Ministria e Kulturës etj., sponsorizon lloj-lloj aktivitetesh (siç ishte ai për debatin mbi identitetin) që zhvillohen në hotelet luksoze të Tiranës dhe nuk ia beson ato, bashkë me fondet respektive, Akademisë së Shkencave. Unë e mendoj Akademinë (e Re) si një çerdhe të vërtetë të debatit akademik, sikurse shtëpinë e vërtetë të studiuesve e shkencëtarëve shqiptarë, pa përjashtim.
E teta. Një Akademi që të nxisë racionalitetin në shoqëri. Sot, për fat të keq, shoqëria shqiptare, sidomos rinia dhe adoleshentët, bombardohen kryesisht në mënyrë irracionale. Një pjesë e saj nuk ka më një koordinatë referimi, një qëllim të përcaktuar qartë, një model për të ndjekur. Shumë njerëz po shndërrohen në hamej të pasurisë. Thuajse nuk ka më hamej të dijes. Unë e konsideroj një vepër të vërtetë akademike edhe si një kod gjykimi. Një Akademi e vërtetë ndikon edhe në klimën shpirtërore, në rritjen e vetëvlerësimit, për të cilën kemi aq shumë nevojë, të besimit se jemi dikush. Akademia, në gjykimin tim, duhet edhe për të frymëzuar një iluminizëm të ri.
E nënta. Një Akademi faktor në zhvillimet e sotme, siç kanë qenë akademitë tradicionalisht. Dihet se Akademia e parë e Shkencave u krijua nga Platoni në shekullin IV para Krishtit. Si tani, ashtu edhe në atë kohë, pavarësia është dhe ishte një çështje me domethënie të madhe, jo vetëm për sa i përket analizës dhe vlerësimeve shkencore, por për sa i përket gjithashtu, veprimtarisë këshilluese të Akademisë në veçanti. Akademia u mbyll nga Perandori Justinian njëmijë vjet pas themelimit të saj. Pse? Sepse pikëpamjet e Akademisë nuk përputheshin me të tijat. Kjo do të thotë se Akademia kishte një pikëpamje, ishte faktor. Përgjithësisht, epokat pa akademi (ose post akademi) kanë qenë epoka të dogmave, të mohimit të reformave etj. Nevoja për akademi shkon në përpjesëtim të drejt me nevojën për reformimin e shoqërisë.
E dhjeta. Një Akademi (e Re) demokratike, nga çdo pikëpamje. Edhe për nga përbërja e forumeve të saj, edhe për nga mosha e drejtuesit të saj. Unë nuk e kuptoj se si një apo shumë shkencëtarë shqiptarë mund të jenë anëtarë të akademive prestigjoze të vendeve të zhvilluara e të mos jenë anëtarë (qoftë edhe korrespondentë) të Akademisë sonë. Ndoshta Akademia jonë është plakur, pa lindur mirë. Por besoj se është koha për vetëm e reformimit të saj. Nuk besoj, më tej, se njerëz të veshur sot me pushtet do të bëhen varrmihës të Akademisë sonë të Shkencave. Qeveria e Partisë Demokratike i ka edhe një borxh shkencës, sidomos asaj të sociologjisë. Në fillim të mandatit të saj të parë ajo mbylli fakultetin e Filozofisë dhe të Sociologjisë, megjithëse ai kishte vetëm një vit jetë. U pre njëfarë “vrulli” sociologjik, u desh shumë kohë që të amortizoheshin pasojat e këtij vendimi. Nuk besoj se kjo logjikë do të triumfojë edhe tani, pas 14 vjetësh. Besoj se arsyeja do të fitojë.
Tiranë, më 6 korrik 2006

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura