DR.MOIKOM ZEQO: FATOS TARIFA DIJETAR I PAFRIKSHËM DHE PA KOMPLEKSE

Pashtriku.org, 23. 05. 2016: (PARAFJALË) – Libri më i ri i Fatos Tarifës plotëson koleksionin e librave të tij, të brendashkruar dhe shpalosur tek profili i spikatur profesional, shkencor dhe shoqëror.
Fatos Tarifa është studiuesi i përkushtuar.
Është debatuesi serioz.
Fatos Tarifa parashtron një “dituri lëvizëse” në tekstet, ku problematika “destruktohet” (termi i Derrida-s), që shpërndarjen e temave e analizon sipas kulturës kirurgjikale për nocionet, konceptet, sipas një zhvillimi hulumtues pozitivist dhe zbulues.
Ekspresioni latin kauzal “Sapere aude” bëhet një ide ftillëzuese e së vërtetës dhe jo thjesht një përfytyrim i rremë, apo një iluzion i së vërtetës.
Lexuesi që do ta lexojë këtë libër do të ndodhet në pikë vluese, në një pikë inkandeshente të debatit publik, jo thjesht për shumësinë apo edhe rastësinë nominuese të personave se sa të një rendi të diskutueshëm të ideve, që gëlojnë dhe përplasen në shoqërinë shqiptare, ende në stadin e fermentimit ideor, apo galvanizimit të strukturave mendore midis prapambetjes (më shpesh retrograde, parashkencore, virtuale, folklorizante, apo të miteve vulgare urbane) dhe emancipimit të vërtetë.
Shkurt: midis dijes dhe padijes!
Libri i Fatos Tarifës është në substancë libri i polemikës. Nuk është thjesht zhanër.
Ky libër ka lindur nga publicistika e përditshme. Filozofi francez Henry Lefebvre e shikon përditshmërinë (tek libri i tij “La vie quotidienne dans le monde moderne”, Paris, 1970) si objekt por edhe si subjekt të analizës filozofike dhe sociologjike, jo për të bërë apologjinë por për të gjetur realitetin autentik jo vetëm si kronologji jete por edhe si një rend mendor, plot papajtueshmëri dhe ide antagoniste dhe kundërshtuese.

– Dr.Fatos Tarifa –

Pra, përditshmëria është nëna (Alma Mater) e polemikës, që çon tek shkoqitja e jetës, e ambiguitetit të saj si spektër, apo skaner të realitetit, që ngërthen shoqëroren dhe politiken, natyrën dhe kulturën, individualen dhe shoqëroren, cektësinë dhe thellësinë, si epiqendër, ku krahas banalitetit dhe tribalizmit, bëhet edhe konfontrimi midis realitetit dhe përfytyrimit dhe dalin në pah mungesat e transponimeve teorike dhe imagjinative, mungesat e realitetit shoqëror dhe mundësitë e brendshme të ndryshimit të tij konceptual.
Duke perifrazuar një titull eseistik të Fatos Tarifës për “brahmanët e opinionit publik” në sensin ironik (dhe katharstik) nënvizoj se polemika për gati çerek shekulli në shtypin e lirë, (që e parakupton vetë lirinë e polemikës) ka qenë provinciale dhe jo sipas parametrave shkencore.
Fatos Tarifa kërkon ta “rindërtojë” semantikën e humbur dhe të zhbërë të polemikës.
Dikur filozofi emblematik i lashtësisë Sokrati e quante mendimin si majeutika (maminë) të artit të të lindurit të idesë dhe të së vërtetës. Sipas Sokratit “të vërtetat nuk janë “sende”, ato janë filozofike” .
Autori i librit e synon kulturën filozofike. Ka përgatitjen adekuate, që u mungon shumë studiuesve aktualë.
Nga ana tjetër autori dallohet edhe për kulturën e shumëfishtë të referencave që nuk është thjesht ritual formal apo barok i citimeve.
Tematika e trefishtë: polemikat për arsimin e lartë (shkencën, protoshkencën dhe pseudoshkencën), fenë dhe sociologjinë, (ku do të fusja edhe debatet për politikën dhe intervistat) i krijon një strukturë unitare plot të papritura librit të tij. Po ndalem në polemikat për fenë në shoqëritë parasekulariste, sekulariste dhe postsekulariste, për raportin e moralit me fenë, shkencës dhe mitit, privates dhe shoqërores, jurisprudencës dhe globalizmit.
Është pjesa më substanciale e librit të Fatos Tarifës.
Ky subjekt është në thelb përmbajtja thelbësore dhe struktura perspektive e një libri me vetitë, e një libri të ardhshëm të Fatos Tarifës.
Sipas studiuesit epokal të feve të krahasuara Mirçea Eliade ekzistenca kontradiktore, paralele e mendimit mitologjik dhe mendimit shkencor është zhvillimi vetëm ballafaques, ku shkenca përfaqëson të Vërtetën, duke i bërë konvencionale arkitekturat përfytyruese të mitit (qoftë të politeizmit, qoftë të feve të mëdha monoteiste).
Fatos Tarifa me bindje dhe ndershmëri intelektuale kthen në identitet mocionin e ateizmit, përtej tërë mallkimeve pezhorative dhe kërcënimeve apokaliptike.
Rikthimi tek Epikuri dhe Lukreci, Herakliti, Demokriti, tek enciklopedistët iluministë francezë, Deni Didero, Holbah, Lametri, Helvecius, e më pas tek Fojerbahu, apo dhe Marksi, Frojdi, Sartri. Optika e Fatos Tarifës është ajo e dijetarit të pafrikshëm dhe pa komplekse.
Dhe kjo gjë nuk është pak (sikur kur mendon kundërshtarët dhe mohimin dhe tërbimin, apo edhe politizimin e vrazhdë dhe manipulues të tyre). Ateizmi postulator, i N. Hartmanit në veprën e tij “Etika” bazohet në logjikë: supozimi i ekzistencës së Zotit është në kundërshtim me supozimin për ekzistencën e lirisë, kurse pa ekzistencën e lirisë nuk mund të ketë veprim moral, prandaj ekzistenca e Zotit, në njërën anë, dhe ekzistenca e lirisë në anën tjetër, janë të papajtueshme ndërmjet tyre sikurse teza dhe antiteza.
Analiza e Fatos Tarifës nuk thjeshtëzohet kaq minimalisht në ateizmin postulator, por mbështetet në botimet e rëndësishme të astrofizikantëve, biologëve, gjenetistëve, filozofëve, sociologëve, matematikanëve, të bëra në SHBA nga qendra e quajtur si “New Atheism”, që ekzegjezat e feve dhe historitë e tyre shekullore, jo vetëm në planin (rrafshin) krahasimtar, por në përqasjen e epërme dhe më të padiskutueshme të shkencave bëjnë një epokë të re të dijes botërore dhe të njerëzimit.
Kjo s’ka të bëjë me performancat postmoderniste por me kërkimin e palëkundshëm dhe jetike të së Vërtetës.
Marksi ka shkruar: “Filozofia pyet: Ç’është e Vërteta? Dhe jo: Ç’quhet e Vërteta?
Ajo pyet: Ç’është e vërtetë për të gjithë, dhe jo ç’është e vërtetë vetëm për disa.”
Qytetërimi i sotëm modern dhe mondial (global) është qytetërim juridik dhe laik.
Qytetërimi teologjik mesjetar që nga Revolucioni Francez e në ditët tona nuk është më përcaktues pra vetvetiu është jashtë qenies juridike.
Besimi fetar është çështje private.
Ashtu siç qe krejt i gabuar ateizmi i detyruar dhe shtetëror në Shqipërinë politike monopartiake, ashtu është edhe sot i gabuar ,kur liria e besimit fetar është e garantuar kushtetutshmërisht, penalizimi i ateizmit përbën një krim kushtetues dhe kundërvënie të lirive themelore të ndërgjegjes dhe të Njeriut.
Filozofi i madh Bernard Rassell ka thënë se një zbulim i madh i shekullit XX është edhe “teknika e gjykimit të lënë pezull” si pjesë e teknikës së zbulimit shkencor për të hedhur tej tabutë mendore të fesë, postulatet arketipale naive dhe mitologjizuese të fesë (në kuptimin plural: të feve).
Në këtë kuptim ateizmi i Bernard Rassell-it është e Vërteta në verifikimin e saj të përmbajtjes dhe të formës, të kuptimshmërisë së botës objektive dhe njerëzores së një uniteti universal, pa truke të miteve, qoftë edhe mite kozmogonike.
Atë, që Thomas Kuhn-i e ka quajtur “ç’vendosja e paradigmës” dmth që një sistem shkencor më pak i përsosur, zëvendësohet nga një sistem më shkencor më i përsosur se evoluimi shkencor është kombinatorika e zbulimeve dhe e kthjellimit autentik të nocioneve të abstraguara shkencore.
Debati a duhen futur lëndët fetare në arsim, apo jo etj., cenimi apo edhe “hibridizimi” i laicitetit janë më tepër lojëra (ludica) të tejkaluara dhe pa asnjë kuptim dhe një shpërdorim i kushtueshëm kohe.
Viti 2016 është 660 vjetori i lindjes së Erazmit të Roterdamit, autorit të së famshmes vepër “Lavdërimi i Marrëzisë”.
Erazmi i Roterdamit është kryemjeshtri i polemikës në shekuj. Duke ndjekur Lukianin (këtë Volter të antikitetit) i paraprin Shekspirit dhe Montenjit.
Metafora e Marrëzisë, që vetlavdërohet, është iluminuese dhe sotirike (shpëtimtare).
Kjo metaforë më është kujtuar duke lexuar librin e Fatos Tarifës.
Na duhet kriticizmi jetik dhe shkencor. Ky është apeli i librit.

Dr. Moikom Zeqo
Tiranë, 20 maj 2016

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura