IBRAHIM KELMENDI: JAM PËR CATARSIS (VETËREFLEKTIM) SIPAS ARSYES RACIONALE, JO KONFRONTIM ME MBETJET E UDB’së

 Pashtriku.org, 16. 02. 2014 – (Uroj që me këtë prononcim të nxis diskutime e debate për të ndodhur catarsisi dhe pajtimi. Sidomos mirëkuptimin e atyre që e kanë pësuar më së rëndi, do ta mirëprisja përzemërsisht. Jam i bindur që kjo kategori dominohet më së shumti nga arsyeja racionale dhe shqiptare. Këtë e kanë dëshmuar sidomos me tolerancën e deritanishme që kanë treguar ndaj ish-përndjekësve, persekutorëve, akuzuesve e gjyqtarëve të tyre, për hir të konsolidimit të shoqërisë dhe shtetit tonë. Sidomos kjo kategori di se po të kishte qenë populli ynë i çliruar shumë më herët nuk do të kishim pas UDB’ash e komunistë titistë, prandaj nuk do të na binte hise neve të ballafaqohemi me ato viktima fatkeqe e famëkeqe që i ka prodhuar pushtimi dhe sistemi monist.)

*  *  *

Huazova nga ‘greqishtja e vjetër’ fjalën catarsis (katarsis). Atëherë e përdornin për një si vetëreflektim, gjegjësisht pastrim shpirti. E huazova jo vetëm për t’u dukur snob që përdor panevojshëm fjalë të huaja, por sepse kohët e fundit kam lexuar se greqishtja e vjetër na qenkësh gjuhë e sajuar nga priftërinjtë pellazgë, që ta bënin sa më hyjnor besimin e tyre pagan (Roberd’Angely)! Kur invaduan dorianët semitë (nga hapësira e Egjiptit) e gjetën “greqishten e vjetër” gjuhë të formuar. Homeri la i pari dëshmi të shkruar për atë gjuhë, me folklorin e përmbledhur pellazgjik (Iliada dhe Odisea). Kështu duhet të ketë ndodhur atëherë dhe më vonë me gjuhë të sajuar (edhe me latinishten), sepse po i fole popullit në gjuhën që nuk e njeh, beson se po i flet me gjuhë perëndie. Siç thotë studiuesi francez Robert d’Angely, gjuha e vjetër greke ngjason më shumë me gjuhën shqipe, dialektin gegë sesa me gjuhën helene (“greqishten e re”).
Arsyeja racionale kulmin zhvillimor e ka pasur nga paraardhësi ynë i shquar, Aristoteli. Sipas tij, faktori njeri dhe shoqëria duhet të përcaktohen se cilin rend qeverisës duhet të përzgjedhin. Ai ka analizuar mbi 160 kushtetuta të qyteteve shtete, duke bërë krahasime mes tyre, cila është më e drejtë, më demokratike, më qytetëruese, më njerëzore. Fatkeqësisht, atë qytetërim e ngulfati lindja e feve abrahimike (interesant, të gjitha e kanë burimin te popujt semitë), të cilat normat e sundimit në tokë i paraqisnin si të zbritura nga zoti dhe të drejtën e sundimit mbi njerëzit duhej ta ushtronin të deleguarit e Zotit (profetët, perandorët, mbretërit).
Pakuptueshëm nuk i dalim zot qytetërimit tonë antik. Sikur jemi pajtuar me përvetësimin monopolizues që i kanë bërë helenët, me ndihmën e “shkencës” filohelene. Të handikepuar nga robëria e gjatë, e cila ka prodhuar me tepri kompleks inferioriteti, sikur na vjen siklet të pranojmë me krenari se jemi pasardhës të pellazgo-ariano-albano-ilirëve, meqë shoqëria jonë gjatë shekujve të fundit është mbishtresuar me kulturë e fe të imponuara përdhunshëm nga pushtuesit. Vetëm gjuha jonë shqipe ia ka dalë ta ruajë më së shumti ngjashmërinë me gjuhë zanafillore, e cila padrejtësisht dhe për shkak të konvencionalizmit “shkencor” quhet indo-europiane, në fakt do të duhej të quhej pellazgo-europiane, siç do të duheshin të quhen të gjitha gjuhët që kanë të njëjtën origjinë gjuhësore.
Shembulli më eklatant është pengu aktual nga nacionalistët helenë për emrin e Makedonisë dhe sunduesve të saj të shquar. Do të mjaftonte vetëm vështrimi antropologjik i helenëve për t’u bindur se këta bastardë vetëm pasardhës të pellazgo-iliro-makedonëve nuk janë. Kurse ne shqiptarët heshtim dhe nuk e dimë tamam pse heshtim…

– IBRAHIM KELMENDI –

Për të mos e zgjatur më shumë me të tillë histori burimore, gjithsesi një si catarsisë i është dashur shoqërisë sonë, sidomos qëkur është çliruar Kosova. Prandaj duhet të ndodhë sa më parë.
Orkestrimi aktual i luftës speciale diversive nga specialistët e UDB’së
Kohët e fundit po përballemi me një luftë speciale diversive (përçarëse) lidhur me vrasjet politike dhe bëmat kriminale të ish-UDB’ashëve. Kjo po ndodh për dy arsye kryesore. E para, njerëzit e shërbimeve inteligjente serbe duan ta përçajnë shoqërinë tonë. E dyta, kjo po shpërdorohet edhe në kuadër të luftës partiake për pushtet. Sigurisht, mund të ketë edhe arsye të tretë dhe të tjerë, si ajo që shoqëria jonë të mos e ketë vëmendjen të përqendruar të problemet më madhore, aktuale.
Kulmi i politizimit ekstrem dhe i hidhërimit ndaj kësaj fushate u arrit kur ish’UDB’ashëve iu ofrua hapësirë mediatike, për të bërë spekulime për vrasjet politike, ende të pazbuluara. E ata, në vend se të jepnin ndihmesë profesionale, shpërdoruan rastin për të përhapur edhe më shumë shpifje, denigrime, insinuata, deri edhe akuza, sikur të mos kishin qenë vetë asnjëherë pjesë aktive e atij sistemi vrastar. U shquan Jusuf Buxhovi, Mehmet Loci, Fadil Kajtazi, të cilët sikur ia kaluan Bozhidar Spasiqit, ish’shefit të UDB‘së federative, Drejtorisë për Luftë Speciale Diversive.
Edhe reagimet kundër tyre ishin goxha të rrepta. Konkretisht u shquan Dukagjin Gorani, Avdyl Gërvalla, Halit Krasniqi, Gëzim Mekuli e të tjerë (edhe pse ca konformistë paarsyeshëm po heshtin). Do të reagonin me mijëra të tjerë sikur të kishin hapësirë mediatike. Për këtë dëshmojnë rrjeti social Facebook dhe portalet e shumta.
Pajtimi e mirëkuptimi kolektiv i shoqërisë sonë për të kaluarën do të duhej të ndodhnin
Tashmë po duket se shoqëria jonë nuk paskësh qenë e pajtuar, siç dëshironim të shpresonim. Familjarët e të vrarëve, të përndjekurit politikë dhe të tjerë veprimtarë kishin heshtur deri tani, me shpresë se ndonjëherë vrasësit dhe përndjekësit do të reflektonin, pra do të bënin catarsis. Rezultoi se ata jo vetëm se nuk paskëshin reflektuar, por intensivisht qenkëshin marrë me luftën speciale diversive e denigruese, që shoqëria jonë të mbahet në tension të përhershëm, sikur qenkëshim vrarë vetëm mes nesh dhe jo nga struktura e regjimit monist e pushtues.
Meqë, fatkeqësisht, është kështu, them se pajtimi dhe mirëkuptimi do të duhej të ndodhnin, për hir të paqes sociale tani dhe për hir të ardhmërisë, gjithnjë më të mirë. Palët e konfrontuara në atë sistem monist e pushtues do të duhej të diskutonin e debatonin për të kaluarën dhe ta përmbyllnin njëherë e mirë me pajtim kolektiv, duke ua lënë institucioneve të drejtësisë t’i shqyrtojnë krimet konkrete individuale.
Pra, si do të duhej të përballemi me të kaluarën tonë të afërt?
Megjithatë na duhet të mendojmë se si duhet të përballemi me të kaluarën tonë, sidomos të qindvjeçarit të fundit, nën pushtimin serb dhe nën sundimin monist-jugosllav, gjithsesi të inkriminuar.
Fati ose fatkeqësia u ka takuar paraardhësve tanë të jetojnë në këtë hapësirë të tkurrur, që ishte udhëkryq i interesave e pushtimeve, kryqëzim i kulturave e feve. Luftërat e gjata pushtuese romake duhet ta kenë sfilitur popullin tonë deri buzë zhdukjes. Kufiri i ndarjes së Perandorisë romake, në atë Perëndimore dhe Lindore, kaloi përmes territoreve tona. Invadimi i popujve sllavë, fraksionizmi i fesë kristiane në katolike e ortodokse dhe luftërat e përgjakshme mes tyre, tragjeditë më të mëdha i zbrazën mbi paraardhësit tanë në këtë hapësirë. Tani ne revoltohemi pse, ta zëmë, shtatorja xhuxhe e Car Dushanit, i cili doli i fituar ndaj sundimtarëve bizantinë, u vendos në Shkup. Sidomos na irriton pse është vendos nga qeveritarë të një populli surrogat, i cili veten e quan makedon, pasardhës të makedonëve antikë, por marrëzisht krenohet me gjuhë e kulturë sllave. Pra, Car Dushanit luftoi kundër Bizantit pushtues, ai pushtoi popuj e toka deri atëherë të pushtuara nga Bizanti, ndërsa neve na duket sikur ai ka pushtuar e gjakosur popullin e trojet tona të çliruara.
Pason pushtimi osman dhe prapë ka nga ata bastardë shqipfolës që e lavdërojnë si shpëtimtar të mbijetesës sonë kombëtare. Pasojnë luftëra të reja fetare, për primat fetar mbi popujt e kësaj hapësire. Populli ynë reziston pushtimin e asimilimin, duke e sfilitur veten e tij deri buzë tjetërsimit në “myslimanë”.
Në shekullin e XIX’të u rizgjua vetëdija jonë kombëtare, ndodhi rilindja jonë!
Kur po i vinte fundi sundimit pushtues osman, popullit tonë nuk i mjaftuan vetëdija kombëtare e forcat fizike për t’i çliruar territoret e veta. Për arsyet që tashmë dihen, nuk e kishte përkrahjen e duhur as të Fuqive të Mëdha, tepër të domosdoshme për fitore. Vetëm gjysma e territoreve ia doli, me sakrifica të mëdha, të pavarësohej. Hapësirën e Dardanisë, një pjesë e së cilës në ndërkohë u emërtua Kosovë, e ripushtuan serbët, siç u pushtua po nga serbët edhe një pjesë e Makedonisë ilire, e quajtur ndërkohë Makedonia e Vardarit.
Ndodhi Lufta e madhe botërore, e Dyta, nga e cila Europa e pësoi rëndë. Pushtuesit nazifashistë “çlirojnë” hapësirën tonë nga pushtimi serb. Po, po, pushtimin nazifashistë e vlerësojnë ca injorantë trutredhur si çlirim. Si gjithherë, edhe kësaj radhe gjenden kolaboracionistë të pushtuesve. Angazhohen forcat tona për ta çliruar gjithë hapësirën e banuar në shumicë me shqiptarë. Sërish nuk u mjafton forca, sërish mungon përkrahja ndërkombëtare. Fuqitë e Mëdha sërish njohin pushtimin serb, të cilin në ndërkohë e quanin jugosllav.
Ripushtimin e ri populli ynë e rezistoi me përpëlitje për mbijetesë. Sërish shfaqen kolaboracionistët e pushtuesve të ri, të tipit Fadil Hoxha, Ali Shukria e soji i tyre. Zë fill mbijetesa evolucioniste, herë-herë e shoqëruar me ndonjë përpjekje të vockël çlirimtare, meqë forcat pushtuese konsoliduan fort sundimin e tyre. Në kuadër të kësaj mbijetese evolucioniste zë fill rritja e autonomisë së Kosovës. Asaj i duheshin strukturat dhe institucionet qeverisëse. Pushtetin monist e ushtronte Partia Komuniste, e cila në ndërkohë riemërtohet në Lidhje Komuniste. Angazhimet evolucioniste e revolucionare çojnë deri te rritja e autonomisë, për ta fituar Kosova statusin e saj kushtetues në vitin 1974. Barazia e plotë me popujt e federatës jugosllave nuk u arrit dot, sepse mungonte vullneti gjithëpërfshirës kombëtar dhe nacionalizmi serb e pengoi.
* * *
Bëra këtë paraqitje telegrafike, që të dimë se si duhet t’i qasemi së kaluarës sonë, sigurisht, vetëm me arsye racionale dhe shqiptarisht. Po e njohëm mirë të kaluarën tonë, po e patëm vullnetin e mbështetur në arsye racionale, besoj fortë se do t’ia dalim.
Mbase një pyetje në dukje provokuese e irracionale, do të na binte se nuk e kemi edhe aq lehtë për ta përpunuar të ardhmen e afërt: cili patriot aktual do të mund të vepronte ndryshe nga, ta zëmë Fadil Hoxha, dhe të mos përfundonte i vrarë si Rifat Berisha!? Do të çliroheshim sikur edhe Fadil Hoxha të vritej për përcaktime kombëtare? Jo! Siç rezulton, shpesh grindemi kot edhe për këtë të kaluarën tonë të afërt. Mirë do të kishte qenë sikur të gjithë shqiptarët të ishin për një përcaktim, të luftonin kundër pushtuesve vetëm në një front çlirimtar. Megjithatë, pushtimi do të ndodhte, sepse ashtu kishin vendosur Fuqitë e Mëdha (në Jaltë e Posdam). Kjo është tragjedia e popujve që i shkel rrota historike, siç thuhet figurativisht. Megjithatë, jemi të detyruar të pajtohemi, edhe pse realitetin e ndodhur historik nuk mund ta ndryshojmë. Arsyeja racionale dhe interesi për të ardhmen më të mirë janë motivimi më i mirë për pajtim gjithëpopullor!


UDB-a, NJË NGA HALLKAT E ATIJ SISTEMI
Për catarsis sipas arsyes racionale, jo konfrontim me mbetjet e UDB’së

Një nga hallkat e atij sistemi në KSA të Kosovës ishte edhe UDB-a famëkeqe e famoze, e cila në vitin 1966 u riemërtua në SDB (akronim serbisht i Shërbimit për Sigurim Shtetëror). Nuk do hamendësime, ajo tashmë në Kosovë duhej të përbëhej në shumicë me shqiptarë, meqë për barazi nacionale edhe në këtë strukturë të pushtetit ishim angazhuar. Nga e si do të kompletohej me shqiptarë? Në ndërkohë ishin indoktrinuar dhe brumosur shumë komunistë, që për hir të privilegjeve e favoreve të tyre, donin të ishin pjesë e UDB-së. Gatishmëria ishte goxha e madhe. Por asaj i duheshin edhe shqiptarë që nuk donin të ishin pjesë e saj. Në të tilla raste ajo praktikonte rekrutimet e përdhunshme.
Edhe pjesëtarët e UDB-së së KSA të Kosovës paguheshin nga i njëjti buxhet, si të tjerët të angazhuar në administratë, arsim, shëndetësi etj. Edhe ajo strukturë duhej t’i zbatonte ligjet që miratonte i njëjti Kuvend, i cili miratonte edhe ligjet përkatëse për arsim, shëndetësi etj. Të gjithë udhëhiqeshin nga e njëjta dhe e vetmja Lidhje Komuniste e Kosovës, qeveriseshin nga i njëjti Këshilli Ekzekutiv që e caktonte Lidhja Komuniste, ishin hallka të të njëjtit sistem, siç ishin edhe arsimi, shëndetësia etj.
Tani është e pamoralshme që ata, të cilët merrnin paga nga i njëjti buxhet, udhëhiqeshin nga e njëjta Lidhje Komuniste, qeveriseshin nga i njëjti Këshill Ekzekutiv, por vetëm pse ishin të angazhuar ta zëmë në administratë ose në arsim, t’u vardisen me kritika moraliste e patriotike vetëm pjesëtarëve të UDB-së së KSA të Kosovës. Sistemi ishte i tillë, ai detyronte edhe çdo anëtar të Lidhjes Komuniste të ishte informator për ruajtjen e pushtetit monist.
Për ta thjeshtësuar akoma më shumë, çdo pjesëtar i Komitetit Krahinor të LKK-së dhe Këshilli Ekzekutiv, i Kuvendit të KSA të Kosovës, çdo sekretar partie, ishin eprorë ideologjikë, politikë, ishin udhëheqës edhe të UDB-së.
Përse këta eprorë duhet të nderohen, të respektohen, të votohen, kurse vetëm pjesëtarët e UDB-së duhet të mallkohen, denigrohen, dënohen!?
Dhe përderisa ish-udhëheqësit e Lidhjes Komuniste kishin dhe kanë të drejtë të bëheshin e të bëhen deri edhe kryetarë të Republikës së Kosovës, ose kryetarë të partive, përse do të duhej t’u ndalohej e t’u ndalohet vetëm pjesëtarëve të ish-UDB-së, të cilët kanë qenë korrektë me ligjet e atëhershme, ta ushtrojnë profesionin e tyre në strukturat përkatës të Republikës së Kosovës, t’u ndalohet të jenë pjesë aktive në jetën sonë publike!?
E kam shprehur disa herë, publikisht, se duhet të kritikohen, denigrohen e ndëshkohen vetëm ata pjesëtarë të UDB-së, të cilët i kanë shpërdoruar ligjet e kohës së atëhershme. Është goxha vështirë për të pas sens mirëkuptimi për këtë përcaktim timin, sidomos kur kihen parasysh vrasjet dhe vuajtjet e shumta të kundërshtarëve të atij regjimi dhe veprimtarëve çlirimtarë. Edhe në këtë rast, nëse pjesëtarët e ish-UDB-së kanë bërë përndjekje mbi baza ligjore, atëherë duhet pranuar si realitet, sado i hidhur qoftë, përderisa kolektivisht jemi përcaktuar të lejohet themelimi e drejtimi i partive nga ish-udhëheqësit e Lidhjes Komuniste, sidomos ata që ishin funksionarë të Komitetit Krahinor, të komiteteve komunale, të Këshilli Ekzekutiv (qeveria), sekretariatet (ministritë) etj. E njëjta qasje duhet të ndodhë edhe ndaj ish-pjesëtarëve të policisë hetimore, të prokurorisë, të gjyqësisë, sepse edhe ato ishin hallka të të njëjtit sistem. Por edhe këta do të duhej të denoncoheshin individualisht, nëse kanë shpërdoruar ligjet e atij sistemi.
Sigurisht, nuk kanë qenë ligje të drejta, por ama ato i ka miratuar Kuvendi i KSA të Kosovës. Edhe sipas atyre ligjeve, siç më kanë shpjeguar juristët, kanë qenë të ndaluara tortura e likuidimi fizik i kundërshtarëve politikë, ka qenë i ndaluar përndjekja familjare e farefisnore për shkak se një pjesëtar i tyre ka qenë kundërshtar politik, veprimtar çlirimtar. Prandaj do të duhej të ndodhnin denoncime individuale ndaj gjithë atyre që nuk u janë përmbajtur atyre ligjeve.
Qeveria mori vendim për një kompensim financiar ndaj ish të burgosurve politikë, por do të duhej të ndodhte edhe dënimi individual ndaj shpërdoruesve të ligjeve, nëse paraqiten padi individuale. Dënimin moral, kolektiv, ndaj atij sistemi monist, mbase e kemi bërë! Dënimin atij sistemi pushtues e kemi bërë nëpërmjet luftës çlirimtare.
Ndoshta nuk është rendi dhe vendi të informoj, por në vitin 1999, pas çlirimit të Kosovës, e kam pas këshilluar kryeministrin e qeverisë së përkohshme, z. Hashim Thaçi, të propozonte në mbledhje të qeverisë miratimin e një amnistie për gjithë pjesëtarët e ish’UDB’së së KSA të Kosovës, të cilët kanë qenë korrektë me ligjet përkatëse të KSA të Kosovës. Kurse për pjesëtarët e ish’UDB’së, të cilët në kundërshtim me ligjet përkatëse kanë ushtruar dhunë fizike, deri edhe vrasje, ndaj kundërshtarëve të regjimit dhe veprimtarëve çlirimtarë, nuk do të duhej të vlente amnistia. Ata do të duhej të denoncohen individualisht, nëse vuajtësit e torturave të tyre nuk duan t’ua falin.
Po paraqes tre shembuj të mirësjelljes njerëzore, që do të duhej të bëheshin shembuj edhe për të tjerët UDB-ash.
– Rasti i parë ka qenë ai i z. Shefqet Hashanit.
Para se të shkonte në detyrë si sekretar i parë i ambasadës jugosllave në Gjermani (1978), ai ishte drejtor i Drejtorisë së Pestë (për emigracionin) të UDB’së së KSA të Kosovës. Mbi vete kishte vetëm shefin, sekretarin krahinor (ministrin) për Punë të Brendshme, Këshillin Ekzekutiv (qeverinë) dhe Komitetin Krahinor të LKK-së. Po vetëkuptohet, hierarkia vazhdonte deri tek institucionet federative. Në funksion të sekretarit të parë të ambasadës (post më i fuqishëm se i ambasadorit në atë sistem), Shefqeti qe angazhuar ta përkrahë Klubin Shqiptar në Dyseldorf, duke u thirr në të drejtë kushtetuese të KSA të Kosovës. I njëjti na ka informuar të ruhemi nga Jusuf Buxhovi qysh në vitin 1979. Në maj të vitit 1981 në Beograd është burgos e dënuar 8 vjet. Pas vuajtjes së dënimit, megjithatë ka kërkuar falje që nuk ka mundur t’i mbronte sa duhet anëtarët e atij Klubi, disa nga të cilët, megjithatë, janë burgosur kur janë ardhur për pushime në vendlindje.

VËSHTIRËSITË SPECIFIKE PËR CATARSIS E PAJTIM
Për catarsis sipas arsyes racionale, jo konfrontim me mbetjet e UDB’së

– Z. Jusuf Karakushi, ish-sekretar (ministër) i punëve të brendshme të KSA të Kosovës, në një ndejë rasti në lokalin e Agim Vuthit në Hamburg, ndoshta në vitin 1992, në prani të së paku 15 vetave, ka rrëfyer në mënyrë vetëkritike për angazhimet e strukturave policore në përndjekjen time. Ai informoi se në vitin 1979 e kishin ngarkuar Mahmut Bakalli e Xhavit Nimani të takohej me mua për të na bindur ta zvogëlonim veprimtarinë çlirimtare. Kishte ardhur në Gjermani i kamufluar si pjesëtar grupi i një shoqërie muzikore. Për shkak të rrethanave të krijuara në koncert, është përmbajtur të më takonte, duke u frikësuar se do ta arrestonte policia gjermane. Po në prani të atyre njerëzve ka treguar se si e ka degraduar Tahir Zemajn nga shefi i policisë speciale të KSA të Kosovës, për shkak të paaftësisë profesionale, meqë nuk ka qenë e nevojshme që njësia e komanduar prej tij t’i vriste Rexhep Malajn e Nuhi Berishën, sepse atyre u kishte mbaruar municioni. Karakushi pat informuar se i kishte bërë kërkesë me shkrim ‘qeverisë Bukoshi’ për ta informuar për agjentët e infiltruar në krye të subjekteve partiake dhe në qeveri, por ajo ‘qeveri’ nuk i donte informimet e tij. Ai paarsyeshëm po vazhdon të frikësohet që të kthehet në Kosovë. E do të duhej të kthehej për të informuar dhe për të ndihmuar në sqarime për veprimtarinë e strukturave që ai i ka udhëhequr.
– Z.Mehmet Hasku, punëtor operativ (oficer) i ish-UDB-së, besoj me funksion të lartë, në verë të vitit 2007, nëpërmjet një lidhje të largët miqësore ka lutur bashkëveprimtarin tim, Malush Ademaj, ta mundësojë takimin tonë. Kemi bërë një ndejë në Rugovë të Pejës. Ka rrëfyer dhe më ka kërkuar falje për luftën speciale, me vulgaritet të sforcuar, siç i është komanduar, që ka udhëheq kundër meje. Në falënderim e sipër i kam thënë se përderisa është përkufizuar në normat juridike të kohës, për atë angazhim ka marrë rrogë nga buxheti i KSA të Kosovës. Nuk jam përmbajtur pa e falënderuar për përmbajtje të tij ligjore, meqë ka qenë në gjendje ta shpërdoronte ndonjërin për likuidimin tim fizik. Për shkak të rrethanave specifike nuk ia kam kërkuar faljen publike.
Pos pjesëtarëve të UDB’së së KSA të Kosovës kishim edhe një kontingjent tjetër të UDB’ashëve, të organizuar paralelisht e ilegalisht nga UDB’a republikane e Serbisë (gjatë viteve 1974-1990).
Deri në vitin 1974, kur KSA e Kosovës bëhet me Kushtetutë të saj, UDB’a e Kosovës ka qenë pjesë e UDB’së republikane të Serbisë. Bile, qysh në vitin 1966, kur UDB’a rankoviçiane u riorganizua në SDB, disa kuadro të saj, që ishin kompromentuar, u përjashtuan nga ajo UDB. Ndonjëri prej tyre është gjykuar për shpërdorim ligji. Qysh atëherë UDB’a republikane e Serbisë ka filluar së angazhuari në strukturat e saj bashkëpunëtorë shqiptarë, meqë nuk ia kishte gjithë besimin UDB-së së Kosovës. E di rastin konkret të njëfarë Fekë Dautajt, i cili formalisht ishte i punësuar si sportelist në postën e Pejës, kurse aktivisht i shërbente UDB’së së Serbisë. Ai ishte akuzuar si bashkëpunëtor i Vuj Radiqit, ish’shefit të UDB’së në Pejë. Meqë e përzunë nga UDB’a dhe po i bëhej gjyq, atë duhet ta ketë urdhëruar UDB’a republikane e Serbisë të ‘arratiset’ në Perëndim dhe atje t’i shërbente. Në vitin 1979, kur vizitova Ambasadën Shqiptare në Vjenë, ‘diplomati’ Simon Qirici më pyeti nëse e njihja Fekë Dautajn. I thash s’e e njoh, meqë kishte shoqëri me një farefis timin. Më tha se ishin në hall prej tij, meqë tërë kohën rri duke u sjell para ambasade, për të parë kush hyn. Dhe këtë e bënte i urdhëruar nga UDB’a. Po të njëjtin Fekë organizata Besëlidhja Demokratike Shqiptare e kishte caktuar redaktor të fletushkës së saj me emrin ‘Besëlidhja’, edhe pse ishte gjysëmanalfabet e injorant. Simoni Qirici ma dha adresën e tij. E vizitova. Meqë e kërcënova se do vrisja në banesë po nuk u përgjigj në pyetjet e mia, rrëfeu për angazhimet e tij, të Besëlidhjes, të Emin Fazlisë dhe për survejim të Ambasadës shqiptare. Kur e bastisa ia gjeta edhe një pasaportë jugosllave, me foto të tij, por në emër tjetër. Ajo ishte përplot vula të vendkalimit kufitar në Suboticë, edhe pse në Vjenë ishte i strehuar politik. Pas 7-8 ditëve, nga frika u kthye në Kosovë.
Në vitin 2003 kisha filluar të përgatis një monografi për Klubin Shqiptar në Dyseldorf. E luta z. Shefqet Hashani të më jepte intervistë. U takuam. Filluam bisedën. Kisha hapur diktafonin digjital dhe po inçizoja. Biseduam gati katër orë. Dikur Shefqeti më pyeti: ‘Kur po e bëjmë intervistën, sepse jam lodh?’ Nxora nga xhepi i këmishës diktafonin dhe i thash: ‘E kemi bërë’. I kërkova të falur për inçizim pa lejen e tij, me arsyetim se po ta shihte diktafonin në tavolinë, do të praktikonte vetëcensurë. I propozova ta fshinim nëse nuk ishte dakord. Ai m’u përgjigj: ‘Ruaje dhe publiko çfarë të duash nga biseda që kemi bërë’.
E pata pyetur, mes të tjerash, edhe për Enver Hadrin. Ai u përgjigj nëpërmjet paraqitjes së një ndodhie: ‘Isha mysafir në Belgjikë, me ftesë të Mahmut Bakallit. Po rrinim te motra e Mahmutit. Ishin edhe disa ish’kolegë të tjerë. Duke qenë aty i ka rënë ziles dikush. Del motra e Mahmutit. Ai i thotë asaj: ‘Në mbrëmje mbajmë tubim përkujtimor për Enver Hadrin. Meqë është këtu zotëri Bakalli, dëshirojmë të marrë pjesë…’. Unë e kisha dëgjuar bisedën meqë dera e korridorit ishte e hapur. Vjen motra e i thotë Mahmutit. Ai, si qejfli që ishte bërë nga pija, i përgjigjet motrës: ‘euunanën ia…, pa edhe për së vdekuri nuk do me na lanë rehat’. E preka me gju që të mos fliste, sepse kishte të tjerë që nuk e dinin. Ai ma ktheu: ‘Përse po ma tërheq vërejtjen, a të kujtohet kur riorganizuam UDB’në në vitin 1974, Beogradi na solli listë emrash, për t’ua paguar rrogat. Meqë rroga e Enver Hadrit në Bruksel ishte e lartë, t’i kërkove ndihmën time që t’ia bartim pagën për Enver Hadrin UDB’së federative…’”.
* * *
Këto dy raste më kanë bindur se UDB’a republikane e Serbisë dhe ajo federative kanë angazhuar bashkëpunëtorë të saj, fshehtas UDB’së së Kosovës. Prandaj kategoria e Jusuf Buxhovit, Riza Salihut, Emin Fazliut, Fekë Dautajt, sikur janë të sigurt tani se nga pasueset e atyre shërbimeve nuk do të dekonspirohen edhe për shumë vite.
Pra, problem do ta kemi t’i identifikojmë sidomos pjesëtarët e UDB’së republikane serbe dhe asaj federative. Ndoshta pjesëtarët e UDB’së së Kosovës do të identifikohen, sepse pjesa udhëheqëse, operative, dihet, kanë marrë rroga dhe evidencat nuk janë zhdukur. Kurse këta ‘punëtorë operativë’, siç thoshte Mehmet Loci, mund t’i dekonspirojnë rrjetet e tyre, por jo në publik, ata do të duhej t’i dekonspironin në AIK’un e Republikës së Kosovës (nëse nuk e kanë bërë deri më tani).
Pastaj duhet menduar për UDB’ashët që nuk kanë dezertuar në vitin 1990, kur është marrë vendim kolektiv për dezertim, siç është rasti i Fadil Syleviqit, Demë Mujajt etj., që kanë vazhduar t’i shërbejnë Serbisë edhe gjatë lufte. Për ta do të duhej të merrnin qëndrim institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës. Ndoshta edhe për të tillët paraprakisht do të duhej bërë debat publik. Për Syleviqin është fol edhe në Kuvend, por nuk kam dëgjuar të jetë marrë ndonjë masë kundër tij. Do të ishte turp për institucionet e Kosovës nëse ai vazhdon të ushtron funksion të lartë në polici, edhe pse është akuzuar për krime konkrete.
(Dez)informimet publike të ish’udb’ashëve janë të dëmshme
Rëndom, gjatë përvojës sime, për t’u çliruar nga sindromi i pranisë së UDB’së kudo e kurdoherë, jam përcaktuar t’i vlerësoj sjelljet, fjalët, veprimet, aty për aty, të secilit. Nëse ndonjëri fliste, sillej e vepronte keq, së pari analizoja nëse e bën nga injoranca. Nëse më rezultonte se e bënte me qëllim të caktuar, filloja ta dyshoja për pjesëtar të UDB’së. Pastaj shërbehesha shumë me informimet e qytetarëve, të cilët së bashku përbëjnë shërbimin më të madh inteligjent.
Bazuar në përvojën time, ata që sot përhapin dezinformata se në Gjermani kanë ekzistuar shumë grupe marksiste-leniniste, staliniste, kriminale, se ato kanë luftuar mes tyre, kanë demonstruar kundër rënies së Murit të Berlinit (Buxhovi), se në UÇK akoma më e rëndë, në zinxhirin e saj komandues, shërbimet e Beogradit kishin infiltruar e pozicionuar 140 spiunë, ose se në Kosovë tani shërbimet e Beogradit i kanë aktivë 750 spiunë, të pozicionuar në të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës (Loci e Kajtazi), janë pjesë e luftës speciale diversive që e zhvillojnë tani shërbimet e Beogradit. Sidomos kur këto (dez)informata i thonë ish’profesionistët e UDB’së ose të shërbimeve që na i paskëshin formuar Rugova, Bukoshi, Thaçi, atëherë me të tillët do të duhej të merreshin AIK’u, policia hetimore, prokuroria, gjyqësia. Kurse injorantëve, viktima të luftës speciale diversive të shërbimeve të Beogradit, nuk ke çfarë t’u bësh, ata janë për keqardhje. Megjithatë, edhe për këto viktima mjerane janë përgjegjëse institucionet shtetërore, sepse ato ekzistojnë për t’i mbrojtur qytetarët nga lufta speciale diverzioniste e psikologjike e shërbimeve të huaja.
Pjesëtarët e ish’shërbimeve, që edhe tani shpërndajnë (dez)informata si këto që dëgjuam ditët e fundit, nuk mund të përfshihen në pajtim, sepse për të tillët tani ekzistojnë institucionet përkatëse shtetërore.Ndërsa zbulimit të të gjitha vrasjeve politike duhet t’i qasemi me më shumë përkushtim e profesionalizëm; gjithsesi duhet të zbulohen e të dënohen urdhërdhënësit e dorasit, pavarësisht se disa argat të Serbisë dhe të djallit përhapin lloj-lloj spekulimesh, insinuata, akuza, dezinformata, shpifje, që të vështirësohet zbulimi i këtyre vrasjeve!

Ibrahim Kelmendi me miqtë e tij, duke nderuar bashkëveprimtarët e vrarë: Jusufin, Kadriun dhe Bardhoshin, (nga UDB’a – më 17 janar 1982).

Përmbyllje uruese
Uroj që me këtë prononcim të nxis diskutime e debate për të ndodhur catarsisi dhe pajtimi. Sidomos mirëkuptimin e atyre që e kanë pësuar më së rëndi, do ta mirëprisja përzemërsisht. Jam i bindur që kjo kategori dominohet më së shumti nga arsyeja racionale dhe shqiptare. Këtë e kanë dëshmuar sidomos me tolerancën e deritanishme që kanë treguar ndaj ish-përndjekësve, persekutorëve, akuzuesve e gjyqtarëve të tyre, për hir të konsolidimit të shoqërisë dhe shtetit tonë. Sidomos kjo kategori di se po të kishte qenë populli ynë i çliruar shumë më herët nuk do të kishim pas UDB’ash e komunistë titistë, prandaj nuk do të na binte hise neve të ballafaqohemi me ato viktima fatkeqe e famëkeqe që i ka prodhuar pushtimi dhe sistemi monist.

(Kontakti me autorin: [email protected])

=================================
(Ilustrimet i bëri pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura